Jovan Bizhyti
Në rrugën e “Shkollës së Baletit”, rreth 300 metra në thellësi, kishte shtëpinë profesori i nderuar Nasho Jorgaqi, në një pallat në katin e katërt. Pikërisht aty përkarshi rrugës, është dhe një “Barë-Kafe” që mban emrin e mikut tonë të përbashkët, “Vath Koreshi”, një ambient dy katesh me pronare vajzën e Vathit dhe bashkëshortin e saj. Pikërisht aty e pinim kafen me Nashon po thuaj çdo javë.
-Këtu më shijon,- më thoshte shpesh,- jo vetëm se e kam pranë shtëpisë, por më duket sikur kemi në tavolinë dhe Vathin, atë shok të mirë, të urtë e të mençur, ku veç qenies si myzeqarë, na bashkonte dhe letërsia, tregimet, romanet dhe skenarët e filmave kaq të pëlqyer, që prodhonte mendja e talenti i Vath Koreshit.
Unë i kisha të dy miq, mbaja lidhje të ngushta me Vathin, që në rininë tonë në qytetin e vogël të Lushnjes, kur vinte shpesh nga Tirana dhe diskutonim për krijimet tona fillestare, na ndihmonte dhe me botimin e ndonjë vjershe rinore në faqen letrare të “Zërit të Rinisë”, ku ai punonte si redaktor. Ndërsa me Nashon u miqësova vite më vonë, na lidhi Kolonja e Myzeqesë, fshati im i lindjes, që ishte njëkohësisht dhe vendlindja e nënës së tij, që ishte bijë e patriotit të dëgjuar të Myzeqesë, Jakov Bozo, trungu i Bozollarëve, grabovarëve të Myzeqesë.
Në vitet 60-70, njihesha në distancë me Profesor Nashon, unë student në fakultetin Histori-Gjeografi, ai pedagog në fakultetin e Gjuhë-Letërsisë shqipe. Sigurisht, miqësia lindi më vonë, kur unë shkrova dhe botova historikun e fshatit tim të lindjes, Kolonjës, atëherë një fshat i vogël me rreth 40 shtëpi, rrëzë kodrave, pranë Manastirit të Ardenicës, me familje kryesisht vlleh të ardhur nga Voskopoja, Grabova, Llënga, Niça, Frashëri etj., nga fundi i shekullit XVIII, kur ai qytetërim i lashtë mesjetar i atyre zonave, përjetoi grabitje, djegie e shkatërrime masive.
Një ditë më ra zilja e telefonit:
– Alo, Nasho Jorgaqi jam,- u dëgjua zëri i përcjellë nga përtej telit.
-Urdhëro profesor,- u përgjigja gjithë kënaqësi. Pasi u përshëndetëm, më pyeti për librin e historikut të Kolonjës.
-Po,- i thashë,- sapo e kam botuar.
-Urime,- u dëgjua zëri i tij kumbonjës.- A mund të më sigurosh një kopje?
-Me shumë kënaqësi,- i thashë dhe fiksuam orën, ditën dhe vendin e takimit për të pirë një kafe.
Ishin vitet 90-të, kur Vath Koreshi jetonte midis nesh, ishte deputet i Lushnjes në Kuvendin pluralist të Shqipërisë, i kandiduar nga Partia Socialiste. Edhe lokali me emrin e tij ende s’ishte ngritur. Me Nashon u takuam tek “Kullat Binjake” në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në një lokal në katin e parë, pranë sheshit të busteve të tre vëllezërve Frashëri. Unë shkova disa minuta më përpara dhe e prita. Tek kryqëzimi i “Urës së Dajtit”, u duk biçikleta e profesorit, që vinte drejt meje. U takuam, lidhi biçikletën pas një shtylle elektrike me zinxhirin dhe çelësin përkatës dhe u futëm në bufe.
-Do e pimë kafen brenda,- më tha,- se jashtë është pak fresk. E mori librin që i dhurova dhe pasi e përkëdheli nëpër duar, nisi t’a shfletojë. Ndali tek kapitulli ku shkruhej për fiset e familjeve të fshatit, ku njeri prej tyre ishte dhe fisi i madh i Bozollarëve.
-Këtu është historia e të parëve të mi nga nëna,- më tha gjithë emocion. Nuk e di se sa do e kesh përshkruar me hollësi.
-E kam përshkruar në detaje,- i thashë,- pasi Bozollarët i dhanë emër jo vetëm Kolonjës, por u bënë të dëgjuar edhe në Myzeqe me aktivitetin e tyre patriotik në shërbim të atdheut.
Gjyshi i Nashos nga nëna, Jakov Bozo dhe vëllai i tij Llazar Bozo, ishin familje fisnike dhe patriotë që bënë emër në Myzeqe. Jakovi dhe Llazar Bozo ishin angazhuar në grupin iniciator për thirrjen e Kongresit Historik të Lushnjes, ku Llazar Bozo ishte përfaqësues i Myzeqesë në atë Kongres së bashku me Ferit Vokopolën dhe Sheh Ibrahim Karbunarën.
***
Nashua kish debulesë për Lushnjen, ku jetonte gjyshi Jakovi me familjen e tij dhe më pas, në kishën e Golemit në hyrje të qytetit, në vorrezat e krishtere, kishte dhe varret e gjyshërve dhe të njerëzve të tjerë të nënës, ndërsa Kolonjën e kujtonte si vendlindjen e gjyshërve dhe të nënës, duke sjellë ndërmend edhe kujtimet nga fëmijëria kur vinte nga Fieri tek gjyshërit në Kolonjë në pushimet e shkollës në verë. Nga ky moment, me Nasho Jorgaqin u bëmë shokë e miq të pandarë.
Pas ikjes së papritur të Vathit nga jeta, u ngrit “Bar-Kafeja” me emrin e tij dhe aty ishte vendi që takoheshim shpesh e pinim kafe me shumë kënaqësi. Unë vija disa minuta më parë dhe e prisja në trotuar. Nuk vononte dhe ai, ishte shumë korrekt. E shihja që përtej rrugës kur ecte me atë trupin e gjatë elegant dhe me hapa të ngadalta. Sa herë takoheshim për kafe, më sillte nga një libër me krijimet e tij me dedikime shumë miqësore dhe të ngrohta.
Më dhuroi disa nga novelat e tij të fundit, siç ishin, “Dashuria nën qerpik”, “Zemra” e ndonjë tjetër, pastaj libri me kujtime me disa nga korifejtë e letërsisë sonë të traditës si: Mitrush Kuteli, Lasgush Poradeci, Lame Kodra, Ali Asllani,, Jakov Xoxa, Drago Siliqi, Robert Shvarc e tjerë. Më pas më dhuroi kolanën, “Noliana”, me jetëshkrimin e Nolit, kontributin e tij si patriot e atdhetar i madh, politikan, klerik, themelues i kishës sonë ortodokse dhe mbi të gjitha, njeri i shquar i letrave shqipe e të tjera. Pena e Nashos nuk reshtte së shkruari, duke sfiduar dhe vitet e moshës. Së fundi më dhuroi serinë me tre-katër libra të prozës së vargëzuar poetike të titulluar, “Hajku”, me mendime e mesazhe të shquara filozofike. Një gjini e re e futur në letërsinë tonë kryesisht nga Nasho Jorgaqi, falë përvojës dhe përgatitjes së tij letrare e filozofike.
Shkroi deri në fund të jetës një seri librash të “Hajkut”, ku pas një studimi të hollësishëm të tyre, unë botova një shkrim të zgjeruar në gazetën “Dita” për vlerat e kësaj gjinie letrare që nisi ta kultivojë në letërsinë tonë, mendja e ndritur dhe përvoja e gjatë krijuese e Nasho Jorgaqit. U kënaq së tepërmi për këtë shkrim-analizë dhe më falënderoi përzemërsisht. Në mediat e shkruara, emri i Nasho Jorgaqit ishte prezent pothuaj çdo javë, kryesisht në gazetën “Dita”, ku shkrimet e tij letrare kushtuar figurave të shquara të artit e letërsisë, të nxjerra nga arkiva e tij e pasur, ishin shumë të mirëpritura nga lexuesit e dashamirësit e tij.
Diskutonim shpesh për projektet tona krijuese. Kohët e fundit ai ishte angazhuar me krijimtarinë e “Hajkut”, ku një nga librat e fundit e la ende pa përfunduar. Të pa botuar la dhe librin me kujtime të jetës së tij, për të cilin kish kohë që punonte paralelisht me krijimet e tjera.
-Si ke ecur me kujtimet?- i thashë një ditë.
-Jam në përfundim,- më tha,- më ka dalë pak i gjatë, 90 vite jetë, 80 nga të cilat shkollë, krijimtari dhe mësimdhënie. Kam shkruar deri tani 20 fletore të mëdha, por më kanë mbetur pa u shtypur.
-Pse, nuk punon në kompjuter ti?- i thashë.
-Jo, nuk e përdor kompjuterin, shkruaj me dorë. Të gjitha librat m’i kanë shtypur të tjerë me pagesë. Kam angazhuar një grua për t’i shtypur, por tani ajo ka shkuar tek fëmijët në Amerikë dhe nuk e di se kur do kthehet. E vështrova me vëmendje.
-Mi sill t’i shtyp unë,- i thashë.
Më pa si me habi!
-Pse, shtyp ti?- më tha.
-Unë nuk shtyp shkrime për të tjerë,- i thashë,- punoj në kompjuter për krijimet e mia. Për ty do bëj një sakrificë, do t’i shtyp unë kujtimet e tua, veç mund t’i vonojë pak se shtyp ngadalë.
-Nuk e kam urgjente,- më tha. Ndihem keq, se ndoshta do të pengojë në punën tënde …
-Aspak,- i thashë,- jam i nderuar që kontribuoj sado pak për ty.
Dhe nisa punën nga fletorja e parë. Ishin fletore të trasha me shumë faqe dhe shkrimi i tij ishte karakteristik, i shkruar qartë, por me germa shumë të imta, që krijonin vështirësi për t’i lexuar. Ai më dha dhe një lente zmadhuese për të parë më qartë fjalë apo germa të veçanta që ishin vështirë për t’u deshifruar. Duke shtypur ditë pas dite, mësova shumë dhe për historinë e jetës së tij e të trungut të familjes Jorgaqi. Disa prej paraardhësve të tij, figura të shquara tregtarësh e intelektualësh, deri në ditët tona, ku spikat babai i tij, Vasil Jorgaqi, një intelektual, gjyqtar e kryetar gjykate i kohës.
Mësova se origjina e këtij trungu i kish rrënjët në Voskopojën e mesjetës së vonë. Në shekullin XVIII, kjo familje e madhe njihej në Voskopojë me mbiemrin, “Papadhopulli”, në gjirin e të cilit dolën burra të nderuar, që bënë emër si tregtarë e zejtarë të suksesshëm brenda e jashtë vendit, sidomos në tregjet e Rumanisë, Venedikut, Austrisë e tjera. Karvanet e tyre tregtonin mallra blegtorale dhe bujqësore dhe sillnin prej andej mallra industriale për nevojat e tregut voskopojar. Në hulumtimin e tyre, Nashua mundi të sigurojë të dhëna deri tek katragjyshi, Gavril Papadhopulli, i cili kish studiuar për drejtësi në Universitetin e Bukureshtit, ku atje dhe punoi si emigrant, duke lënë në Voskopojë familjen me djalin e vetëm, Santos, që njihet si stërgjyshi i këtij trungu.
Të gjithë këta burra me personalitet, ngjitën shkallët e jetës në kohë e mënyra të ndryshme. Pas djegies e shkatërrimit të qytetërimit të Voskopojës nga fundi i shekullit XVIII, ata si dhe shumë familje të tjera voskopojare vllahe, morën arratinë dhe përfunduan në Elbasan, në lagjen e “Shën Kollit”, lagje e vllehëve. Aty ky trung, u nda në dy degë me mbiemra të ndryshëm mbartur nga emrat e gjyshërve voskopojarë, Santos dhe Jorgaqi. Nashua i përkiti trungut të Jorgaqëve, duke qenë të afërt dhe me trungun e Santove. Në Elbasan lindi dhe djali i Santos, Thanasi, gjyshi i Nashos, i cili midis tre fëmijëve, lindi djalin Vasilin, babain e Nashos. Në kujtimet e tij Nashua shkruan:
“Këta burra të shquar të këtij trungu, lanë pas një nip si im atë, Vasilin, një gjyqtar i kohës, që i përfaqësoi denjësisht tok me brezin e tij të fisit në kohët e më pasme në një qytet zëmadh si Elbasani. Tani, unë stërnipi i tyre, pasi kam ngjitur deri në maj shkallët e jetës sime, ka vite që po i zbres me barrën e moshës mbi kurriz, duke u përgatitur t’i vihem punës për të evokuar dhe shkruar historikun e fisit dhe të jetës sime në kujtimet e mia dhe të familjes”.
Nga Elbasani, aktiviteti i babait të tij, Vasil Jorgaqi, shkoi cep më cep të Shqipërisë. Nga Elbasani në Ballsh, ku i ati, Vasili krijoi familje me vajzën e një prej patriotëve të dëgjuar të Myzeqesë, Jakov Bozo, Antigonën, e cila në qytetin e Ballshit ku i shoqi Vasili ishte kryetar gjykate, aty lindi dhe djalin e parë gëzimin e shtëpisë, Nashon. Pastaj në Delvinë, më tej në ekstremin verior të vendit, në Tropojën e Alpeve të veriut, ku familja ishte shtuar dhe me djem të tjerë, Kujtimi, Aleksandri dhe vite më pas, Fredi. Pastaj familja Jorgaqi u vendos në Myzeqe, në qytetin e Fierit, që mbeti streha e fundit e Jorgaqëve.
***
Shumë nga këto histori të jetës së tij, u bënë herë pas here objekt i bisedave tona në Barë-Kafen “Vath Korreshi”, ku unë pija makiato, ndërsa Nashua preferonte më shumë çaj trëndafili ose boronice.
91 vjeç, i freskët, i pashëm, prodhimtarë, ku pena e tij kaq aktive nuk rreshti së shkruari deri në ditët e fundit të jetës. La ende nëpër duar librin e fundit të serisë së “Hajkut” me vargëzimet e shkurtëra brilante, la kujtimet e jetës së tij, që në disa momente me mesazhet që përcjell, duket sikur na la pas amanetet e fundit. La pas dhe biçikletën e tij karakteristike, që nuk e ndau prej rreth 50 vitesh të punës dhe të pensionit. Më vinte keq kur më thoshte se:-“Biçikletën e kam mbyllur në oborrin e një komshiu në shtëpinë e tij private pranë pallatit dhe tani që nuk dal dotë, e shoh me keqardhje nga ballkoni dhe ndjejë trishtim”!
Atë burrë kaq aktiv dhe të zhdërvjellët, i vetmi siklet që e mposhti, ishte “Covid 19”, ajo flamë që tronditi njerëzimin dhe që ai e vuajti qysh para një viti e gjysmë. E kam ndjekur hap pas hapi në distancë sëmundjen e tij nga infeksioni i pabesë i virusit të kësaj korone të pabesë. Dyshonte se e mori nga takimi i befasishëm me një nga fansat e tij, që i doli pa pritur në rrugë dhe e kuptoi që personi ishte i sëmurë. Këtë më tha në telefon një ditë kur zuri shtratin.
-Mendova të largohesha,- më tha,- por ai nuk më ndahej, më përqafoi, më puthi, duke më thënë se kishte kohë pa më parë. S’kaluan as dy ditë dhe filluan simptomat e para, për të cilat u shqetësova dhe kërkova ndihmën e mjekut. Analizat më nxorën infektimin me “Covid 19”. Më kanë mbetur në mendje fjalët e tij në formë këshillash, që mezi i shqiptonte nga rëndimi i frymëmarrjes.
-Ruhu,- më tha,- është një virus shumë i rrezikshëm, që të vjen nga s’e pandeh! Nëse do tentosh të dalësh, mba maskë dhe shmangiu sa të mundesh takimeve të afërta me njerëzit. Zëri i tij i ngrohtë, më dukej sikur vinte nga thellësia e gjoksit, që tregonte se nuk ishte mirë me frymëmarrjen.
Mjekimet dhe injektimi i oksigjenit nën kujdesin e mjekëve, e ndihmuan për disa muaj dhe nga përmirësimi që u duk, mendoi se e kaloi me sukses. Por gjurmët dhe pasojat që la pas, erdhën duke u agravuar. Pikërisht prekja e trurit dhe kujtesa, e kthyen sërish në shtrat profesorin dhe studiuesin e pareshtur të letrave shqipe, Nasho Jorgaqin. Më ka ngelur në mendje fjala e fundit që më tha:- “Kur do ta pimë kafen e fundit, se e shoh që forcat po më lënë”?
-Do ta pimë,- i thashë,- sapo të marrësh edhe pak veten.
Një ditë prej ditësh, telefoni i tij nuk u përgjigj më! Pyes vajzën e tij, Kristinën dhe ajo më tha me gjysmë zëri:-“Babi është rënduar dhe e ka vështirë të komunikojë”! Dhe ja gjithë ai agravim, gjithë ai sulm i virusit post “Covid”, e rëndoi trurin e tij të ngarkuar e të lodhur deri në fatalitet! Gjithçka i erdhi pa pritur! La pas në tavolinën e tij të punës nën bibliotekën e madhe të mbushur me libra, disa letra me shënime të vargëzimeve të “Hajkut”, në cepin tjetër të tavolinës, la pa redaktuar fletët e printuara të historikut të familjes e të jetës së tij, la gjithashtu biçikletën, bashkudhëtaren e tij mbi 50 vjeçare të mbyllur me zinxhir në oborrin e komshiut dhe kafen e fundit tek “Vath Korreshi”, që na mbeti pa u pirë.