Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Një portret i munguar për ikonat e ligjërimit të përbashkët letrar kombëtar
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kulture > Një portret i munguar për ikonat e ligjërimit të përbashkët letrar kombëtar
Kulture

Një portret i munguar për ikonat e ligjërimit të përbashkët letrar kombëtar

Published: January 26, 2023
Shpërndaje

Kujtim Kapllani

 

Shqipja e shkruar u dokumentua vonë, por ajo është zhvilluar e pasuruar me trajta e forma të larmishme shprehëse, bashkë me zhvillimin e mendimit dhe të formimit kulturor të popullit që e flet brez pas brezi. Deri në mars të vitit 1887 në trojet shqipfolëse ishin hapur 120 shkolla në gjuhën greke e 160 shkolla turqisht, arabisht, bullgarisht, rumanisht, serbisht; por asnjë në gjuhën shqipe! Viti i mbrapsht 1913 na e la terrin te pragu: trojet shqipfolëse u ndanë në zotërimet e 5 shteteve! Çuditërisht shqipja, si Prometeu i mbërthyer, arriti të përballej denjësisht në dhjetëvjeçarin e tretë pas Mëvetësisë me përkthimin e kryeveprave të letërsisë botërore.

- Publicitet -

Veç formave të larmishme, gjallërisë shprehëse; ka depërtuar fuqishëm geni i pamposhtur shqiptar në vetëdijën e një popullsie për një popull, gjuhë dhe komb të pandashëm. Prirje të tilla frymëzuan  Lëvizjen e Rilindjes Kombëtare – me në krye Naimin e Samiun.

Periudha parakombëtare shenjohet me Kongresin e Manastirit, që njësoi alfabetin. Periudha kombëtare me Komisinë Letrare të Shkodrës: intelektualët më në zë u përballën me kërkesën e Komandës Austriake për të pasur një trajtë të përbashkët gjuhësore në të gjitha institucionet administrative, kulturore, fetare etj. Kështu hidhen hapat e parë të një populli, një kombi e një gjuhe të përbashkët. Pas Çlirimit rol vendimtar ka luajtur zhvillimi i vrullshëm i qyteteve, sidomos i kryeqytetit. Në Tiranë u përqendruan intelektualë e punonjës të shumtë, të cilët e përafruan të folurën e tyre ndërmjet bartësve të të dyja dialekteve dhe të folurave të ndryshme. Në vitin 1957 u hap Universiteti i Tiranës, më 1968 Universiteti i Prishtinës dhe qendrat albanologjike u shpërngulën nga qytete të ndryshme të Europës e u përqendruan në Tiranë e Prishtinë. Për gjuhën e njësuar u organizuan një sërë konferencash shkencore, u hartuan disa drejtshkrime në Tiranë e Prishtinë, ku dallon Drejtshkrimi i gjuhës shqipe. Ai u diskutua në të gjitha institucionet kulturore në Shqipëri e në trojet kompakte shqipfolëse dhe më 1968 u vendos në Simpoziumin e famshëm të Prishtinës: si model do të merret gjuha që flitet në trungun amë dhe në institucionet intelektuale në ish-Jugosllavi e në diasporë. Aty u dalluan si të parët ndërmjet të barabartëve profesorët A. Hadri, I. Ajeti dhe vetëdija e Kombit, R. Qosja. Kështu iu hap rruga Kongresit madhështor të Drejtshkrimit, rezolutën e të cilit e nënëshkruan me vullnet të lirë 87 përfaqësuesit më në zë të letrave shqipe në Shqipëri, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në diasporë.

Për ta perifrazuar treshen Kostallari, Hadri dhe Ajeti, mund të vërejmë se fizionomia e personaliteteve shkencore përcaktohet nga idetë që e frymëzojnë, nga qëndrimet kohësore dhe të largëta, nga mënyra se si i vënë në jetë këto qëllime e nga shkalla e trajtimit shkencor të problemeve.Prof. Kostallari, pa dyshim, është ndër intelektualët shqiptarë më të kulturuar të 200 vjetëve të fundit, ndër dijetarët më të denjë të radhitet ndërmjet S. Frashërit dhe H. Tahsimit.  Kostallari ideoi, projektoi dhe udhëhoqi veprimtarinë shkencore të gjuhësisë, të letërsisë, të historisë, të folklorit letrar e muzikor, të krijimtarisë popullore në fusha të ndryshme; të arkeologjisë, të etnografisë etj. Punonjësit e tyre krijuan një rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh në të gjithë Shqipërinë, të cilët qëmtonin me vëmendje të dhëna nga kultura dhe trashëgimia popullore, duke mundësuar që në një periudhë të shkurtër të krijoheshin Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Instituti i Krijimtarisë Popullore, Instituti i Folklorit, Qendra e Kërkimeve Arkeologjike, Qendra e Kërkimeve Gjeografike etj. si insitucione me autoritet shkencor brenda dhe jashtë vendit.

Ali Hadri

Vepra e vet shkencore përbën një thesar kombëtar që ka tërhequr vëmendjen e studiuesve më të ndritur të indoeuropianistikës, krahas punës së talentuar drejtuese e organizative për të ideuar, shtruar probleme e dhënë zgjidhje të mprehta në mjediset më të përmendura shkencore botërore. Me kryet gjithmonë mbi re, ai vështronte vetëm dritë dhe diell!!! Çdo mungesë vëmendje ndaj veprës së tij përbën krim për kulturën kombëtare dhe genin krijues të njerëzimit!

Si mjeshtër i vërtetë, ai ka vlerësuar përherë studiuesit më të ndritur të gjuhësisë botërore – që nga antikiteti deri te bashkëkohësit; veçanërisht studiuesit e huaj që kanë derdhur dijenitë dhe energjitë e tyre në albanologji.

“Në studimet e tij,- shënon prof. I. Ajeti,- Kostallari rrihte të ndiqte fillin e këtij “demoni” të brendshëm të shqipes, që i jep asaj shkas e mundësi në pjellorinë e gjuhës sonë”.

Vepra shkencore kolektive, pra si bashkautor a redaktor përgjegjës i rreth 40 fjalorëve shpjegues e terminologjikë, i fjalorëve dy-e më shumë- gjuhësh; arrin rreth 40-50 mijë faqe.

Gjuhës letrare kombëtare i kushtoi frymëzimin e tij, dijenitë e tij, kohën dhe jetën e tij! A. Kostallari, E. Çabej,  M. Domi dhe E. Lafe hartuan Projektin e drejtshkrimit të gjuhës shqipe në vitin 1967.  Në projektet e deriatëhershme trajtoheshin kategoritë e ndryshme gramatikore – në fund të secilës edhe drejtshkrimi i tyre. Me këmbënguljen e Kostallarit edhe drejtshkrimi është trajtuar së njësi tërësore e gjuhës shqipe. Projekti u studiua dhe u diskutua në të gjitha institucionet shkencore dhe kulturore në Shqipëri e në trojet kompakte shqipfolëse. Me Kongresin e Drejtshkrimit, me Kartotekën e Leksikut të Shqipes dhe Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe u hodhën themelet e pazhbëshmërisë së kombit shqiptar.

Fushat kryesore të veprimtarisë shkencore të Kostallarit janë leksikologjia e leksikografia, formimi i fjalëve dhe onomastika; ku shquhet specialisti i rrallë jo vetëm i fjalëformimit e analizave leksikologjike, por edhe leksikografi i dorës së parë. Befason që student në Moskë, si bashkautor i një fjalori të vogël shqip-rusisht, si autor i një shkrimi për problemet themelore të gjuhësisë shqiptare dhe si redaktor i “Fjalorit rusisht-shqip” me 25 mijë fjalë (1954).

Me shkrimet për “Fjalorin e gjuhës shqipe”, “Parimet për hartimin e fjalorit shpjegues të gjuhës së sotme shqipe” dhe një numër studimesh të tjera u përpunua teoria e leksikografisë shqiptare. Kështu mundën të hartohen fjalorët shpjegues të gjuhës shqipe (1980, 1984, 2002, 2006).

Punimet “Rreth studimeve onomastike në lëmin e shqipes”, “Eposi  heroik shqiptar dhe  vlerat e tij gjuhësore” e studimet letrare me shumë prurje vetjake – “Figura e Skënderbeut në letërsinë botërore”, “Një vepër e panjohur poetike e Franc Nopçës” do të mbeten të patejkaluara për disa dhjetëvjeçarë. Heroi Kombëtar në letërsinë botërore  do të qëndrojë si figurë historike dhe si figurë letrare, përderisa në botë të ketë “popuj që luftojnë për të fituar e për të mbrojtur lirinë kundër grabitësve të saj”.

Studimi për një vëllim me vjersha të F. Nopçës, zbuluar prej prof. Kostallarit në Bibliotekën Kombëtare të Vjenës; përbën një punë të mirëfilltë filologjike për këtë vëllim në dorëshkrim. Arrin në përfundimin se autori i tij “është dijetari i mirënjohur hungarez Ferenc (Franz) Nopsca”.

Ndikimin e gjuhës turke në leksikun e shqipes e kanë trajtuar shumë autorë të huaj. Në dy shkrime të kësaj përmbledhjeje, pas një vështrimi historik të depërtimit të turqizmave në gjuhën shqipe, Kostallari vëren numrin dhe fushat e jetës ku kishin depërtuar ato, duke arritur në përfundimin se rreth tri të katërtat e tyre lidhen kryesisht me jetën qytetëse, ku ndihej i fortë ndikimi i kulturës dhe i fesë islame, i administratës civile e ushtarake osmane. Prandaj, me shembjen e sundimit otoman, pesha e turqizmave, që kishin rrezikuar t’i zinin frymën gjuhës shqipe, erdhi duke u pakësuar me shpejtësi. Përkundër mendimeve se mënjanimi i turqizmave e ka varfëruar shqipen, ai argumenton se leksiku i saj ka ardhur duke u pasuruar.

Androkli Kostallari

Një cikël më vete formojnë studimet për gjuhën e autorëve të vjetër, si Matrënga e Bogdani; krahas studimeve kushtuar De Radës, Xhuvanit, Çabejt e A. Hadrit.

Puna për ta mbledhur, sistemuar e paraqitur për botim kkëtë pasuri kombëtare përbënte një sfidë më vete. Kjo punë 13-vjeçare u ideua dhe u përfundua nga qëllime fisnike, pra tërësisht falas; nga të gjithë studiuesit – për të mos pasur një tjetër HUMBËS TË MADH në Ballkan.

Prof. A. Hadri ka pasuruar historiografinë shqiptare me studime origjinale, duke sjellë ndihmesa të reja të thelluara për historinë e Kosovës, por ka zhvilluar edhe një veprimtari të gjerë në një varg fushash të tjera me rëndësi të madhe kombëtare. Tek ai, siç thotë prof. Kostallari, “bashkoheshin në një personalitet të vetëm krijues historiani, sociologu, filologu, pedagogu e publicisti që synon të zbulojë, të bëjë të njohur e të mbrojë të vërtetën shkencore; dhe qytetari me ndjenja të qarta njerëzore e këmbëtare”. Me veprën e vet ai radhitet ndër figurat më të shquara të kulturës e të shkencës shqiptare.

Si studiues i zellshëm dhe i mprehtë ka ndjekur me vëmendje të veçantë zhvillimin e gjuhës dhe të shkollës shqipe; nisur nga koncepti i shëndoshë për rolin e kombësisë, të kombit e të gjuhës. Duke e trajtuar shkencërisht lidhjen organike e të pandashme të gjuhës me kulturën kombëtare, ai ka trajtuar me mprehtësi shkencore edhe funksionet e gjuhës letrare shqipe e të njësimit të saj si kusht parësor në përpjekjet për çlirim, pavarësim, forcim dhe përparim të kombit shqiptar. Konceptet e tij për këto funksione shquajnë sidomos në studimin Periodizimi i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe në kumtesën “Një komb – një gjuhë letrare”, mbajtur në Konsultën Gjuhësore të Prishtinës më 1968.

Në studimin e parë, me karakter metodologjik e të ngjeshur me ide, nënvizon se “Lëvizja Kombëtare Shqiptare është një tërësi e natyrshme, që buronte nga baza ekonomike dhe superstruktura e shoqërisë shqiptare në shekujt XIX -XX. Lëvizjen autori e ndan në katër faza duke përcaktuar karakteristikat e secilës. Në fazën e parë (1830-1878) prof. Hadri nënvizon kërkesën për gjuhën, shkollën dhe për shkrimin shqip. Në fazën e dytë (1878-1881) programi i Lidhjes së Prizrenit shtronte detyrën të përhapej kultura dhe arsimi, në shkolla të mësohej gjuha shqipe dhe punonjësit ta njihnin këtë gjuhë. Si karakteristikë themelore të fazës së tretë nënvizonte zhvillimin e arsimit, të kulturës dhe të letërsisë artistike shqiptare. Faza e katërt karakterizohet nga zhvillimi i mëtejshëm i mendimit politik shqiptar, si edhe përhapja e arsimit në gjuhën shqipe. Në këtë fazë dallon rolin e veçantë të Kongresit të Manastirit, që shtroi themelet për një alfabet të vetëm të shqipes.

Në studimet e thelluara për historinë e Kosovës A. Hadri ka ndjekur edhe fatet e gjuhës, të shkollës dhe të kulturës shqipe në këtë krahinë në periudhat ndërmjet dy luftërave botërore. Me të dhëna të sakta e argumente shkencore ai godet politikën shkombëtarizuese të Serbisë, e cila synonte ta asimilonte nga pikëpamja kulturore e kombëtare tërë shoqërinë shqipfolëse. Prandaj përpjekjet e vetëdijshme këmbëngulëse të popullsisë shqiptare, veçanërisht të intelektualëve shqiptarë, u përqendruan për të kapërcyer prapambetjen kulturore, duke përhapur sa më gjerë gjuhën e kulturën kombëtare, duke ecur më tej në rrugën e bashkëveprimit, të nisur nga Rilindja Kombëtare. Këto qëndrime u bënë boshti i çështjeve të gjuhës së njësuar letrare në tubimet shkencore të viteve 1952, 1957, 1963 dhe të Ortografisë së gjuhës shqipe, që u botua në Prishtinë më 1984.

Në Konsultën Gjuhësore të Prishtinës (22-23 prill 1968) morën pjesë lëvrues e arsimtarë të shqipes nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Beogradi e viset e tjera të Jugosllavisë. Me bindje të thella shkencore e me ndjenjën e përgjegjësisë para brezave të kohës e të ardhshëm, Konsulta e lidhi ngushtë njësinë e gjuhës letrare me njësinë e kombit e të kulturës kombëtare. Prandaj ajo u mbështet jo te veçoritë dialektore krahinore, por te shkalla më e njësuar, më e përgjithësuar e më e përpunuar e gjuhës letrare kombëtare shqipe të kohës dhe në kontekste të ndryshme shtetërore dhe shoqërore. Thelbi shkencor e shoqëror i vendimeve të Konsultës shprehet kryesisht në pesë pikat e para të Konkluzave saj.

Vendimi historik e radhit Konsultën gjuhësore ndër ngjarjet më madhore të kulturës së popullit tonë. Kumtesa e prof. Hadrit dëshmon largpamësi historike në trajtimin e çështjes thelbësore të gjuhës së njësuar. Krahas studiueseve të tjerë, u shpreh jo vetëm për zgjidhjen më të drejtë, por edhe për zbatimin e menjëhershëm të Rregullave të drejtshkrimit të shqipes– Projekt – në të gjitha llojet e shkollave shqipe e në të gjitha organet botuese në ish-Jugosllavi. Ai u shpreh kundër çdo zgjidhjeje të ngushtë e të njëanshme, që mund të dëmtonte përparimin e qenies kombëtare shqiptare, të kulturës sonë kombëtare.

Në Kongresin e Drejtshkrimit, krahas studiuesve të tjerë, prof. Hadri e plotësoi më tej parimin: një komb – një gjuhë letrare, një drejtshkrim. Me një arritje të tillë të popullit shqiptar në fushën e kulturës kombëtare, siç nënvizon prof. Hadri, “kemi të drejtë të krenohemi ne dhe të gjitha breznitë pas nesh”.

Idriz Ajeti

Akademikët I. Ajeti dhe A. kostallari përbëjnë dyshen madhore të gjysmës së dytë të shekullit XX, të artë, të gjuhësisë shqiptare. Ata lëvruan bindshëm dhe me guxim historinë dhe bashkëkohësinë e gjuhës shqipe – njëri në Prishtinë dhe tjetri në Tiranë. I bashkoi dashuria për kombin, për kulturën dhe gjuhën e tij; të cilën guxuan dhe e studiuan në ligjësitë e përbashkimit e të njësimit letrar kombëtar; guxuan dhe e ngritën në lartësitë më të mëdha gjuhën shqipe dhe shkencën gjuhësore.

Që në vitin 1952, 1957, 1963, 1968 dhe 1972 prof. I. Ajeti, krahas veprimtarisë shkencore për të themeluar institucionet serioze kërkimore shkencore në trojet kompakte shqipfolëse të ish-Jugosllavisë; me talentin, guximin dhe përkushtimin e atdhetarit të klasit të parë; priu ndërmjet të barabartëve për të njësuar gjuhën letrare kombëtare. Ky intelektual i formatit të madh guxoi dhe eci në drejtim të kundërt të një fryme jomiqësore me shqiptarët, kundër një stuhie përzjerë fjolla bore dhe acar për kulturën tonë; duke e lidhur fort kombin, popullin dhe gjuhën e tij të vetme, të përbashkët. Që në vitin 1953 nënvizonte se “vetëm ata që nuk e njihnin mjaftueshëm shqipen, deklaronin se ishte e varfër dhe nuk përmbushte dot synimet intelektuale“. Me veprën e vet madhore, me studimet e thelluara në fushën e shqipes, të marrëdhënieve të saj ballkanike e ndërballkanike, me studimet në ballkanologji dhe me prurjet e guximshme në gjuhësinë indoeuropiane; ai dëshmoi më së miri pasurinë e shqipes dhe mundësitë e saj të pafundme për t’u bërë gjuhë e një kulture dhe e një letrësie të krahasueshme me arritjet më të mira në Europë.

Që në vitin 1964 prof. I. Ajeti kryesonte grupin prerj 9 studiuesish, të cilët hartuan Drejtshkrimin e shqipes së Kosovës në hullinë e përafrimit të dy dialekteve dhe të folurave të shqipes. Ata kanë nderin dhe dinjitetin që i deklaruan 8 milionë shqiptarë në një komb, me një gjuhë të vetme, të njësuar letrare. Kjo ka qenë diçka jo e zakonshme për Simpoziumin famëmadh të Prishtinës (1968)!

Akademik Ajeti mbetet një ndër themelvënësit e arsimit të lartë dhe prijës i shkencës shqiptare, në përgjithësi. Qëndrimi i tij i palëkundur për gjuhën e përbashkët letrare e paraqit atë si majën më të lartë nga mund të shohë e depërtojë në shtjellat e mjegullta të shkencës brezi i sotëm dhe brezat e ardhshëm të studiuesve: “Gjuha letrare s’është vetëm thesar i kulturës sonë, por edhe mjet i fortë për të mbrojtur etninë tonë“. Ai na mëson se gjuha e njësuar nuk mund të merret si dhuratë, ajo duhet studiuar dhe përvetësuar me dashuri dhe durim.

Prof. Ajeti na ka dhuruar studimet më dinjitoze për onomastikën, duke e bërë këtë fushë tërësisht të krahasueshme me studimet ballkanologjike dhe indoeuropiane. Bashkëpunimi shkencor i prof. Ajetit me studiuesit në trojet amë ka qenë mbresëlënës pas themelimit të Universitetit të Prishtinës.

Me interesin që nuk mund ta kishte askush prof. Kostallari ka përshëndetur në S. filiologjike (1984) organin e Institutit Albanologjik, Gjuha shqipe, duke cituar dy artikuj të prof. I. Ajetit (Për përdorimin e drejtë të disa trajtave foljore, Gj. sh., 1982, n. 1, f. 9 dhe Dy fjalë me rastin e botimit të numrit të parë, Gj. sh, n. 1, f. 5) si një tribunë e re shkencore e popullore për gjuhën letrare kombëtare. Botimi i saj nuk ishte i rastit, por tjetër dëshmi e qartë e dashurisë dhe e kujdesit të pandërprerë të studiuesve shqiptarë për gjuhën amtare, të arsimit e të kulturës në Kosovë e në vise të tjera të banuara nga shqiptarët në Jugosllavi; njëkohësisht edhe pasqyrë e gjallë e gjuhësisë shqiptare në këto vise. “Që në numrin e parë të revistës,- e cila, ndër të tjera, është edhe dëshmi e qartë e rritjes cilësore të gjuhësisë shqiptare në ato troje,- theksohet se dashuria për gjuhën amtare, ndjenja e përgjegjësisë dhe qëndrimi i vetëdijshëm për të ‘janë kushte të domosdoshme për të ngritur më lart kulturën gjuhësore dhe se, për të mënjanuar të metat e dobësitë që vërehen në përdorimin e shqipes letrare, duhet ‘të mobilizohen në mënyrë të vetëdijshme të gjitha mundësitë profesionale e shkencore që merren me këto çështje“.

Vërtet entuziazmohemi nga dijenitë dhe vetëdija kombëtare e prof. I. Ajetit, kur lexojmë Probleme aktuale të kulturës së gjuhës, botuar në Probleme aktuale të kulturës së gjuhës shqipe, Prishtinë etj.: “Parimet e gjuhës së njësuar letrare kombëtare u zbërthyen nga kënvështrimi mjaft i gjerë në Simpoziumin e Prishtinës, që është aksioni më i madh shkencor në fushën e gjuhësisë normative pas Kongresit të Drejtshkrimit. Ky simpozium mund të quhet edhe ditëlindja e revistës “Gjuha shqipe“, sepse aty u kërkua me këmbëngulje të nxirrej një organ i tillë, që gjuhëtarët e intelektualët e tjerë ta bëjnë gjuhën shqipe, ‘këtë thesar të kulturës sonë (cit. i prof. Ajetit) mjet të fortë në punën për të përparuar dhe për t’u zhvilluar gjithë shoqëria jonë“.

Nga ligjërata e prof. I. Ajetit në Kongresiun e Drejtshkrimit prof. Kostallari citon:”Entuziazmi i të gjithë intelektualëve shqiptarë të Kosovës, të Maqedonisë e të Malit të Zi për të përdorur gjuhën letrare të njësuar; guximi i madh i të gjithëve që ta shkruajnë dhe ta flasin atë; janë siguri se procesi i përhapjes dhe i zotërimit të gjuhës letrare shqipe; pas Kongresit të shqiptarëve të atjeshëm, do të ecë me ritme shumë më të shpejta sesa mendohet”.

Me interesim e dashuri të veçantë ka ndjekur akademik Ajeti krijimtarinë e kolegëve të tij në Tiranë. Por ai pati fatin e hidhur të përjetonte dhe të shprehej për largimin e parakohshëm të Kostallarit nga jeta: “Të hënë mbrëma, më 23.III, aty rreth orës 22.00, përmes Radios Shqiptare, mësuam për kumtin mbi vdekjen e prof. Androkli Kostallarit, për lajmin që jehoi pikëllueshëm tek punonjësit dhe inteligjencia shqiptare, ndër studentë dhe arsimtarë të të gjitha moshave, tek veprimtarët e shkencave gjuhësore albanologjike. Tash dyzet vjet A.Kostallari qëndroi i patundur në jetësimin e çështjes kardinale të lëvizjes gjuhësore shqiptare, veprimtarët dhe luftëtarët e së cilës më se një shekull me mund e jo pa viktima rreken ta krijojnë, ta arrijnë njësimin e gjuhës letrare shqipe… Si në shkallët e para të shkollimit, edhe në mësimet universitare. Androkliu shquhet për zell duke u dalluar, me ç’gjë bie në sy tek profesori i tij, Vinogradov, i cili studentin e diplomuar mendonte ta merrte asistent në katedrën e gjuhësisë në Universitetin “Lomonosov”…

Drejtësia teorike e gjuhës letrare shqipe u vërtetua edhe nga fakti që shumë rrethe shkencore iu drejtuan prof. Kostallarit, që, i ftuar, të vizitonte qendrat e tyre shkencore dhe atje të paraqiste parimet dhe metodën e zbatuar në zgjidhjen e gjuhës sonë letrare. Universitetit i Goteborgut të Suedisë e nderoi duke i dhënë titullin e doktorit të shkencave filologjike për kontributin e dhënë në fushën e gjuhësisë dhe, sidomos, për teorinë e gjuhës letrare….

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • Mushkonjat e Strasburgut, flamingot e Zvërnecit dhe fabula e Ezopit
  • Protesta si Ftesë dhe Festë
  • Çfarë përfaqëson 10 qershori për Kosovën
  • Shqipëria e bukur e sheshit
  • Turistë të huaj i bashkohen protestës: Përvojë transformuese

Komentet e Fundit

  1. nastradini on Shqipëria e bukur e sheshit
  2. Emigranti on Shqipëria e bukur e sheshit
  3. Vëzhgimi on Shqipëria e bukur e sheshit
  4. Sazan Svernica on Shqipëria e bukur e sheshit
  5. Skypion on Shqipëria e bukur e sheshit

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?