Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Një pyetje thelbësore për të kuptuar jo vetëm historinë, por edhe natyrën njerëzore
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kendi i Kryeredaktorit > Një pyetje thelbësore për të kuptuar jo vetëm historinë, por edhe natyrën njerëzore
Kendi i KryeredaktoritLajmi i fundit

Një pyetje thelbësore për të kuptuar jo vetëm historinë, por edhe natyrën njerëzore

Published: October 24, 2025
Shpërndaje

Nga Adrian Thano

“Edhe njerëzit më të arsimuar mund të bëhen mbështetës të tiranisë nëse ndihen të pasigurt ose të poshtëruar politikisht”. E ka thënë presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier rreth një vit më parë.

Paralajmërim i lidhur me mësimet gjermane nga periudha naziste? Ndoshta, por ai vlen për çdo vend e për çdo kohë. Në Rusinë e sotme, akademikë të njohur dhe mendje të ndriçuara e justifikojnë luftën në Ukrainë.

- Publicitet -

Debati mbi “shkencën e komprometuar” dhe përdorimin politik të akademikëve u rihap në fillim të këtij viti (2025), në disa universitete gjermane dhe austriake, pasi dolën disa dokumente të reja arkivore.

Në Universitetin e Vjenës u zbulua përshembull se dhjetëra profesorë që kishin bërë eksperimente racore gjatë luftës dhe kishin shërbyer në regjimin nazist, ishin nderuar për dekada më pas me tituj nderi. Universiteti tani është në proces të heqjes së emrave të tyre nga sallat dhe bursat.

Në 2024, Universiteti i Leipzig-ut dhe ai i Freiburg-ut kanë nisur hetime historike të brendshme mbi rolin e filozofëve e sociologëve të tyre gjatë regjimit nazist. Në disa raste, emrat e auditorëve dhe bursave janë ndryshuar, pasi u zbulua se ishin dedikuar personave me përfshirje në ideologjinë naziste.

Kjo temë është trajtuar gjerësisht në mediat gjermane (Der Spiegel, Die Zeit, Deutsche Welle), por debati për marrëdhënien midis inteligjencës dhe moralit është rihapur së fundmi në të gjithë qarqet akademike europiane. Në konferencën e European University Association (EUA) në Bruksel në shtator 2024, pati një panel me temën: “Kur akademizmi e tradhton arsyen – nga nazizmi te propaganda e sotme digjitale”.

Në terren ndërkohë, parti si AfD-ja kanë arritur për herë të parë 25 përqind mbështetje. Janë nivele rekord! Por ajo që bën më shumë përshtypje është që disa kandidatë të saj janë profesorë universitetesh, juristë, ekonomistë. Shumë analistë gjermanë e kanë quajtur këtë “arsimimi i ekstremit”, fenomen ku klasa e mesme dhe elitat intelektuale po e normalizojnë radikalizmin.

Kjo nuk ndodh për herë të parë. Disa prej rasteve më domethënëse  të përfshirjes intelektuale në nazizëm i përkasin pikërisht filozofëve, sociologëve dhe teoricienëve të kulturës.

Martin Heidegger, një nga filozofët më të mëdhenj të shekullit XX, autor i Qenia dhe Koha, u bë Rektor i Universitetit të Freiburg-ut në vitin 1933 dhe anëtar i Partisë Naziste (NSDAP). Ai mbajti një fjalim rektorati, ku e përshkruante nazizmin si “rrugë drejt rilindjes”.

Carl Schmitt (1888–1985) – profesor i drejtësisë dhe teorisë politike u bashkua me Partinë Naziste në vitin 1933, menjëherë pas ardhjes së Hitlerit në pushtet.

Sociologë të njohur të asaj kohe (p.sh. Leopold von Wiese dhe Otto Koellreutter) morën pozicione që nuk kundërshtonin regjimin, dhe madje adaptuan metodologjitë sociologjike për të justifikuar “hierarkinë racore”.

Pas luftës, shumica e tyre e minimizuan rolin e tyre ose pretenduan se “nuk ishin politikë”. Por sot, pyetja e vjetër është bërë sërish e re: Si ka mundësi që njerëz të arsimuar, me tituj, me libra e diploma, bien në grackën e ideologjive çnjerëzore, bëhen përkrahës të luftës madje bëhen edhe vetë vrasës të drejtpërdrejtë?

Pyetje thelbësore për të kuptuar jo vetëm historinë, por edhe natyrën njerëzore.

Nuk ka një arsye të vetme pse njerëz inteligjentë, të arsimuar e me tituj akademikë përqafuan përshembull nazizmin; por mund të renditen disa shtysa të ndërlidhura që e shpjegojnë këtë paradoks:

Gjermania e viteve ’20 ishte një vend i shkatërruar ekonomikisht dhe moralisht. Inteligjenca e kohës ndjente zhgënjim. Shumë intelektualë menduan se duhej një rend i ri, pasi liberalizmi dhe marksizmi kishin dështuar. Nazizmi ofronte qartësi, rregull dhe një ndjenjë qëllimi kolektiv.

U përdor gjuha e shkencës dhe eugjenikës, që në atë kohë kishte reputacion në qarqet akademike perëndimore. Shumë shkencëtarë, biologë, mjekë e sociologë u përfshinë me vetëdije në justifikimin e “pastërtisë racore” si projekt “shkencor për përmirësimin e njerëzimit”.

E dimë shumë mirë që kjo ide është shumë e gjallë edhe sot.

Karrierizmi dhe oportunizmi akademik luajnë gjithashtu, në çdo kohë, rolin e tyre. Në universitete, nazizmi ofroi avantazhe konkrete: fonde, poste, prestigj, botime. Shumë profesorë nuk ishin domosdoshmërisht ideologjikë, por përshtateshin për të mos humbur vendin ose për të avancuar në karrierë. Në shumë institucione, përjashtimi i hebrenjve krijoi vende bosh që u zunë nga “të bindurit” e regjimit.

Propaganda preku me sukses ndjenjat e krenarisë, frikës dhe fajit kolektiv. Në një klimë ku mosbindja barazohet me tradhti ndaj kombit, edhe mendjet më kritike, vetëcensurohen. Të mos harrojmë se edhe intelektualët kanë nevojë për përkatësi, identitet dhe siguri.

Nazizmi ofroi një narrativë të thjeshtë dhe emocionuese: ne (të pastërtit, të fortët, kombi gjerman) kundër tyre (degjeneratat, hebrenjtë, armiqtë e brendshëm). Kjo u jepte njerëzve të arsimuar një ndjenjë misioni moral – se po ndihmonin në “shpëtimin” e kombit. Në kohë krize, është më e lehtë të fajësosh një “armik” sesa të reflektosh për përgjegjësinë kolektive. Jo vetëm nazizmi e ofron sbpesh këtë katarsis të rremë, ku fajtorë janë “të tjerët”.

Pra nazizmi nuk u përhap pavarësisht inteligjencës, por nëpërmjet saj duke lënë pas, veç të tjerave, edhe këtë mësim që vlen në çdo kohë: Mendjet e mprehta, kur bashkohen me krizën morale, krenarinë kombëtare dhe frikën, mund të justifikojnë çdo gjë në emër të Arsyes ose Idealit.

—-

Ky shkrim është botuar në rubrikën e bashkëbisedimit të lexuesve me Kryeredaktorin, në versionin print të gazetës DITA që gjendet në kioskat dhe pikat e shpërndarjes së shtypit në të gjithë vendin.

Foto shoqëruese: Dr. Karl Gebhardt (1897-1948), kirurg dhe akademik gjerman. U shpall fajtor dhe u dënua me vdekje më 20 gusht 1947

 

 

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo
29 Comments
  • THANO says:
    October 24, 2025 at 11:11 am

    Ishte një reagim këtu nga një lexues. Për fat të keq moderatori e redaktoi e më pas e fshiu. Mirë do ishte të lexohej sepse kështu do kuptohej më mirë reagimi im.

    E para:

    DITA e ka reduktuar prej kohësh opsionin e komenteve masive. Pse? Sepse fjala e hedhur online mbetet — mund të plagosë, të përhapë urrejtje ose gënjeshtra, pa asnjë pasojë për anonimin.

    Anonimati nuk të çliron nga përgjegjësia njerëzore. Etika është freni që zëvendëson fytyrën: ajo tregon kush je, edhe kur askush nuk e di emrin tënd.

    Komentuesi i tërhiqte vërejtje “shokut Thano” pse “nuk shkruan për komunizmin por shkruan për nazizmin, se nazizmi ka vrarë aq por komunizmi kaq, se Hitleri ishte komunist, spiun i Anglisë, se vrima e lepurit është shuuumëëë e madhe”, etj etj.

    Më poshtë, përgjigja e “shokut Thano”:

    Ka ndryshime shumë të thella midis nazizmit dhe komunizmit, si në bazë ideologjike, ashtu edhe në strukturë dhe qëllim. Të dyja sistemet janë totalitare, por për arsye të ndryshme. Për t’u kuptuar qartë, po ta përmbledh dallimin në mënyrë të ndarë dhe të kuptueshme:

    Për nazizmin njeriu ka vlerë sipas races, gjakut dhe trashëgimisë biologjike. Ideja e “njeriut të lartë arian” është qendrore. Në Komunizëm njeriu përcaktohet nga pozicioni në marrëdhëniet e prodhimit (klasa). S’ka vlerë racore, por ekonomike dhe shoqërore.

    Nazizmi e sheh shtetin si mjet të racës – “Führeri” mishëron vullnetin e kombit. Komunizmi e sheh shtetin si mjet të klasës punëtore. Komunizmi është universalist: kërkon që gjithë bota të përqafojë revolucionin proletar. Nazizmi është ekskluzivist: kërkon të ruajë e të përhapë “pastërtinë” e një race apo kombi të veçantë.

    Të dy e vranë Njeriun në emër të “së mirës më të madhe” por të më thuash “pse nuk shkruan edhe për komunizmin” kur flas për nazizmin është si t’i thuash mjekut “pse s’më shëron edhe dhëmbin kur po më qep plagën

    Nuk funksionon kështu: të shkruash për njërin nuk do të thotë ss po hesht për tjetrin. Historia nuk është pazar ku të vlerësojmë krimet “me sasi përballë”.

    Kush mendon se çdo e vërtetë duhet peshuar me një tjetër, nuk kërkon drejtësi – kërkon barazim të padrejtësive.

    Ditë të mbarë

    ADRIAN THANO

    Reply
  • capi says:
    October 24, 2025 at 11:43 am

    Inginjeret qe morren pjese ne operacionin “Paperclip” ne cfare kategorie hyjnë? Me qe permendem dhe nazistet, eshte edhe ajo shprehja qe “historia eshte shkruar nga fituesit”

    Reply
  • Çikllopi says:
    October 24, 2025 at 12:15 pm

    Pyetje vërtet thelbësore.
    Së paku për kapterrat e çorrushit që e kollofisin sapunin për djathë. Pyetja ime është fare e thjeshtë: Po për pjellën tjetër të ferrave, për atë kuqaloshin e krahut tjetër ekstrem, a ka ndonjë lajm?
    Në tetëdhjetë vitet e fundit është analizuar e stëranalizuar nga koka të shqyera madhore, dhe si përfundim s’ka dhënë efektin e duhur. Dhe kjo për fajin e spindoktorave të tipit saleh qenef me non-grada të merituara shkencore

    Reply
  • Haka Tekizoti says:
    October 24, 2025 at 12:26 pm

    Analizoni për analogji sjelljen e të arsimuarve që i marrin erë me kënaqësi bythës së Sali Berishës. Te këta monstra të mender intelektualizmit, motiv i vetëm është përfitimi material, atdheu nuk është kurrkund në ndërgjegjen e tyre. Pra gjithka në qëndrimin e tyre është qartësisht e kthjelltësisht i vetëdijshëm për fitimet vetjake dhe dëmin që i sjellin shoqërisë. Duhet diskutuar nëse duhen quajtur intelektualë fëlliqësira të tilla.

    Reply
  • Çikllopi says:
    October 24, 2025 at 12:44 pm

    I nderuar kryeredaktor, barazpesha është primare në marrjen e një vendimi, pa dallim se opinionin e poston gazetari apo komentuesi. Në këndvështrimin tim nuk kishe arësye pse t’i heqësh vërrejtje dikujt, thjesht për bindjen e tij karshi një ideologjie apo doktrine.

    Reply
  • Çikllopi says:
    October 24, 2025 at 12:58 pm

    Sa për kuriozitet… Në rrethe të ngushta bashkëbiseduesish hidhet shpesh thënia e një ish politikani me famë botërore, se gabimi ynë fatal gjatë l2b ishte se shqyem egërrsirën e gabuar.

    Reply
  • Toka says:
    October 24, 2025 at 1:56 pm

    Shembull i afërt: profesori Vaso Çubriloviç me dy Memorandumet e tij kundra shqiptarve më 1937, 1944.

    Memorandumi i Parë i Vaso Çubriloviçit, 1937
    ENGLISH & SHQIP
    https://fjala.info/vasa-cubriloviq-debimi-i-shqiptareve-1937-pjese-nga-elaborati/

    Tjetër, shuhni në YouTube dokumentarët për kampet e shfarosjes GULAG 1917 – 1957 në BRSS ku u zhdukën 40 milion sovjetikë. Dnth ata u hapën 20 vite më parë se ata në Gjermani dhe vazhduan edhe 12 vite pas L2B.

    Gulag – The Story | Part 1: Origins – 1917-1933 | Free Documentary History
    Gulag – The Story | Part 2: Propagation – 1934 – 1945 | Free Documentary History
    Gulag – The Story | Part 3: Peak & Death – 1945-1957 | Free Documentary History

    Reply
  • Gas Gas says:
    October 24, 2025 at 3:33 pm

    Komunizmi dhe Nazizmi, të dy vijne nga mendimi dhe puna e Hegelit dhe kanë më shumë ngjashmëri me njëri tjetrin sesa me shtetin borgjez

    Reply
  • Çikllopi says:
    October 24, 2025 at 3:45 pm

    Për fat të keq, moderatori i gazetës të cilën ju drejtoni z. Thano, merr guximin dhe e deformon komentin në atë farë mënyre, sa ai e humbet kuptimin. Ky veprim i papërgjegjshëm është më i dëmshëm se censura apo fshirja e komentit tim dhe atij të lexuesit Phönix.

    Reply
  • katarakti says:
    October 24, 2025 at 4:33 pm

    Njeriu e ka në gjak vetëruajtjen dhe përshtatjen. Kështu ka ngjarë dje, kështu do ngjasë edhe nesër. Kështu në nazizëm dhe kështu në komunizëm. Por nazizmi me komunizmin janë sa të ngjashëm, as edhe të ndryshëm. Nazizmi është sundimi i një race apo populli mbi të tjerët. Komunizmi është vëllazërimi i popujve pa dallime race. Ky i fundit mbështetet te dallimet klasore: të pasur – të varfër. Ndryshe mund të thuhet se nazizmi e kishte të keqen në gjak, në gen. Komunizmi lindi si një lëvizje kundër kolonializmit, shfrytëzimit ala Zherminal, pabarazisë etj. Tjetër punë që përfundoi në një diktaturë të egër.

    Reply
  • Sa për info says:
    October 24, 2025 at 4:37 pm

    Dallimet kryesore mes nazizmit dhe komunizmit:

    1. Ideologjia themelore.
    Nazizmi (Nacional-Socializmi): Bazohet në nacionalizëm ekstrem dhe racizëm biologjik. Qëllimi ishte krijimi i një “race të pastër” (ariane) dhe forcimi i shtetit kombëtar gjerman.
    Komunizmi: Bazohet në internacionalizëm dhe barazi shoqërore. Synon eliminimin e klasave shoqërore dhe krijimin e një shoqërie pa pronë private, ku të gjithë janë të barabartë.

    2. Qëndrimi ndaj klasave shoqërore.
    Nazizmi: Nuk kërkon zhdukjen e klasave, por ruajtjen e rendit shoqëror në bazë të “meritës racore”.
    Komunizmi: Synon zhdukjen e klasave — proletariati (punëtorët) duhet të rrëzojnë borgjezinë (kapitalistët).

    3. Qëndrimi ndaj pronës private.
    Nazizmi: Lejon pronën private, por nën kontroll të shtetit. Ekonomia është e orientuar drejt interesit kombëtar dhe ushtarak.
    Komunizmi: Heq pronën private mbi mjetet e prodhimit — gjithçka është pronë e përbashkët, në pronësi të shtetit (ose komunitetit).

    4. Qëndrimi ndaj individit dhe shtetit.

    Nazizmi: Thekson primatin e shtetit dhe racës mbi individin (“individi ekziston për shtetin”).
    Komunizmi: Synon një shtet pa shtypje, ku në teori individi është i lirë pasi shteti “do të shuhet” (në praktikë, shpesh u krijuan shtete autoritare).

    5. Qëndrimi ndaj kombit dhe racës.

    Nazizmi: Themeluar mbi racizëm, antisemitizëm dhe nacionalizëm ekstrem.
    Komunizmi: Predikon internacionalizëm — solidaritet mes punëtorëve të të gjitha vendeve, pa dallim race apo kombi.

    6. Metodat e kontrollit.
    Të dy sistemet ishin totalitare, por me objektiva të ndryshëm:
    Nazizmi kontrollonte përmes propagandës raciste, terrorit dhe ushtrisë.
    Komunizmi kontrollonte përmes partisë unike, policisë sekrete dhe censurës ideologjike.

    7. Udhëheqësit dhe shembujt historikë.
    Nazizmi: Adolf Hitler – Gjermania naziste (1933–1945).
    Komunizmi: Karl Marx (teorikisht), V. I. Lenin, Joseph Stalin – Bashkimi Sovjetik, dhe më vonë Mao Zedong në Kinë, etj.

    8. Simbolet dhe fryma politike.
    Nazizmi: Simboli i “svastikës”, ngjyra e zezë dhe e kuqe, parulla “Ein Volk, ein Reich, ein Führer”.
    Komunizmi: Simboli i çekiçit dhe drapërit, flamuri i kuq, parulla “Punëtorë të të gjitha vendeve, bashkohuni!”.

    9. Rezultatet historike.
    Nazizmi: Përfundoi me Luftën e Dytë Botërore dhe Holokaustin (miliona të vrarë).
    Komunizmi: Çoi në regjime totalitare (p.sh. në BRSS, Kinë, Korenë e Veriut), shpesh me shtypje politike dhe urie masive.

    Reply
  • Çikllopi says:
    October 24, 2025 at 4:45 pm

    Aha, tani u kuptua se ku i çalon gamori moderatorit. Na qënka zemëruar i shkreti. Jo për façizmin. As për kamunizmin. Por thjesht për shkak se një anonimat e ka “keqtrajtuar” kryeredaktorin vetëm pse i është drejtuar me qesëndi me epitetin “shoku”. 😩

    Imagjinoni se çdo thoshte me vete po ta lexonte justifikimin mjero mjerani, po ta krahasosh me fjalorin tejet banal që publikohet ke paçavurja “tema pa tema” minutë pas minute.

    Imagjinoni gjithashtu se çdo thoshte me vete andush buklepurushi i të “famshmes” kapsi.

    Reply
  • BARSALETA says:
    October 24, 2025 at 5:09 pm

    KONKURSI I SË VËRTETËS.

    Shumë kohë më parë, u organizua një konkurs për të gjetur kush ka të drejtë: nazizmi apo komunizmi.

    Në sallë u përzgjodhën gjashtë persona:
    Dy intelektualë: një filozof komunist dhe një historian nazist.
    Dy punëtorë: një kovaç dhe një bukëpjekës.
    Dhe dy spiunë.

    Moderatori: Të nisim me pyetjen. Kush e shpëton botën, ideja apo puna?

    Intelektuali komunist: Ideja e barazisë! Kur njeriu të mos ketë pronë, do të jetë i lirë!

    Intelektuali nazist: Gabim! Bota shpëtohet nga raca e fortë, udhëheqësi i fortë dhe shteti i fortë!

    Kovaçi: Epo, unë kam farkëtuar hekur për të dy llojet e shtetit, por prangat dalin gjithmonë njësoj!

    Bukëpjekësi: Po, dhe unë kam gatuar bukë për të dyja ideologjitë, gjithmonë mungon mielli, por fjalimet janë me bollëk!

    Spiuni i parë (shkruan fshehurazi): Kovaçi ka tone qortuese. Mund të jetë agjent i huaj.

    Spiuni i dytë (shkruan edhe më fshehurazi): Spiuni i parë po vë re shumë gjëra, duhet raportuar menjëherë.

    Në fund, moderatori pyet: Mirë, kush fiton konkursin e së vërtetës?

    Intelektuali komunist: Populli!
    Intelektuali nazist: Kombi!
    Bukëpjekësi: Kushdo që s’e humbet racionin e bukës!
    Kovaçi: Kush nuk përfundon në burg!
    Spiuni i parë: Unë, sepse i raportova të gjithë!
    Spiuni i dytë: Gabim! Sepse unë të raportova ty!

    Reply
  • Çikllopi says:
    October 24, 2025 at 5:13 pm

    Boll me dogma! Fatkeqsisht historia ka dëshmuar e po dëshmon akoma se teoria dhe praktika janë në “konflikt interesi” dhe bien më së shumti ndesh me njëra-tjetrën. Bota ku lindën dy ideologjitë kryesore, rreth të cilave përqëndrohet debati, është distancuar prej kohësh prej këtyre rrymave duke i vënë përparësi asaj më esenciale, ekonomisë së tregut. Sekte që nuhasin erën e kapitalit dhe turren sa majtas në ekstrem e sa djathtas ka patur e do ketë dhe në të ardhmen. Fundi i tyre ka qënë gjithmonë humnera.

    Reply
  • demo says:
    October 24, 2025 at 5:49 pm

    Ja o zoti Thano,,kur keta gjermanet,popull me dinjitet,po shqiptaret per nje cike PARLLEK, e Hyqem,cfare bejne?
    Te gjithe halabaket qe mbeshtesin Berishen i justifikoj,i mirekuptoj,,Jane sera e tyre.Po te behet qolja Berishes stersternipi i Alizot pashait te Janines,Nipi i Fejzi bej Alizotit e te huazoje nga kopeja kafsheve te shpellarit fjalorin e harbuteve te PD:Do ti ha te gjalle socialistet!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!?????????????????????????????????????????
    Na felliqi klasen e bejlereve,agallareve dhe armiqve te popullit,muti.U be me harbut se harbutet.

    Reply
  • Remo says:
    October 24, 2025 at 6:15 pm

    Nipi i pashallareve, agallareve e bejlereve,
    te thote keto fjale!….”do t’u hame te gjalle”?!
    S’eshte e mundur! Keta kane qene njerzit me
    te kulturuar, me te sinqerte, me paqesore, me
    tolerante, s’e sulltanit, nuk t’i jepte kot keto tituj
    si i besuar i perandorise cliruese otomane! Kete
    e tha edhe mbesa e Beqirit, Bazhikballukja. Ata
    kane ardhur me qetesi e dashuri, te nguleshin ne
    keto ane, te investonin, te na ndihmonin te civilizoheshim, biles, te na antaresonin edhe ne
    Bashkimin Europian, po po, ka ekzistuar qe atehere. Edhe ai kleriku i larte turk, s’e kishte keq kur tha, ata qe erdhen te perhapin fene e paqes me gjuhen e shpates, jane martire! Fiks, keshtu eshte dhe ne, pervec kalifatit te Erdos do t’u bejme dhurate edhe nje shtet Bektashi te Ashures per baba Rahimondin! U takon, me ligj e me zakon!

    Reply
  • Vlora 97 says:
    October 24, 2025 at 6:18 pm

    Shkrimet tuaja zoti Thano jane te gjitha me nje teme qendrore qe godasin hipoktizine e peshtire njerezore ne te gjitha nivelet.
    Por komentuesit shumica nuk lexojne hic mendoj une, pak jane ata qe lexojne.
    Perkundrazi, ata qe lexojne shume shpesh nuk komentojne.
    Komentojne ata qe nuk kane durim te lexojne. Se leximi eshte gogoli i mendjeve te cekëta.
    Kot prisni te gjeni komente qe han pyka ketu.
    Shikoni ate Temën e bazes cfare ndyresish shktuajne atje
    Sa gjynah

    Reply
  • Komentuesi says:
    October 24, 2025 at 9:07 pm

    “Nazizmi nuk u përhap pavarësisht inteligjencës, por nëpërmjet saj” – një kujtesë e vlefshme për çdo kohë dhe shoqëri. Artikulli ngre një pyetje thelbësore mbi marrëdhënien midis dijes dhe moralit: pra, si është e mundur që intelektualë, profesorë dhe filozofë u bënë mbështetës të nazizmit dhe sot disa justifikojnë luftëra apo ideologji radikale? Përgjigjja është e hidhur, por reale, pra dija pa ndërgjegje mund të kthehet në instrument të pushtetit. Një reflektim i vlefshëm për çdo njeri që beson se arsimi është i mjaftueshëm për të mbrojtur nga e keqja. Nuk është vetëm mungesa e dijes që çon në shkatërrim, por mungesa e moralit.
    Intelektualët e përfshirë në ideologji totalitare nuk ishin të mashtruar, ata zgjodhën t’i shërbenin sistemit për arsye karriere, sigurie, apo për t’u ndjerë “pjesë e diçkaje më të madhe”.
    Ky është, në thelb, një reflektim mbi përgjegjësinë personale të njeriut të dijes. Mendoj se ky shkrim është i vlefshëm për t’u lexuar dhe diskutuar në çdo kontekst shoqëror, përfshirë edhe Shqipërinë, ku shpesh arsimi shihet si garanci morali, por jo gjithmonë shoqërohet me integritet publik. Pyetja që ngre: “Si mundet që njerëz të arsimuar bien në grackën e ideologjive çnjerëzore?” Kjo është në fakt pyetje për secilin prej nesh: sa rezistentë jemi ndaj manipulimit kur ndihemi të frikësuar, të poshtëruar ose të papërfshirë?
    E njëjta logjikë, në një formë më moderne, mund të shihet sot në Shqipëri. Në pjesën më të madhe të analistëve që mbushin përnatë studiot televizive, ata paraqiten si të pavarur, si “zëra të arsyes”, por në thelb janë mercenarë të paguar të partive kryesore, PS dhe PD, që përmes sofizmave dhe relativizmit politik manipulojnë opinionin publik.
    Në vend që të ndriçojnë mendjen e shikuesve, ata shpesh e mjegullojnë, duke e zëvendësuar analizën me propagandë të fshehur apo të sofistikuar partiake.
    Kjo është, në fakt, një formë moderne e “arsimimit të ekstremit”: dija, elokuenca dhe statusi publik përdoren jo për të ndërtuar mendim kritik, por për të shpërlarë trurin e qytetarëve, për të ruajtur një sistem ku lidershipet politike janë të konsumuar, të korruptuara dhe pa vizion.
    Kur politika humbet besimin e popullit, ajo kërkon shpëtim në “analistët” që e legjitimojnë me fjalë të bukura, një proces që shndërron ekranin televiziv në laborator propagande, dhe opinionistët në heideggerët e rinj të konformizmit shqiptar.

    Reply
    • Gazetari says:
      October 25, 2025 at 11:21 am

      Bravo. Super koment

      Reply
  • chp says:
    October 24, 2025 at 11:46 pm

    Nuk do te doja ta “lëndoja” te nderuarin Thano por me duket se keto artikuj po sherbejne per perplasje komentuesish me njeri tjetrin dhe asgje me teper…Dita eshte nje gazete shqipfolese qe lexohet me shume edhe per komentet qe jane “lezeti” i saj dhe eshte detyre e moderatoreve por dhe e Thanos qe te kujdeset per komentet duke vene dhe ca rregulla brenda llogjikes ku bie ne sy per keq numri shume i madh i komenteve nga nje komentues i vetem apo fjalori rrugaceror qe nuk duhen toleruar.
    Le te kalojme ne teme…Te flasesh sot ne Shqiperi per dy sisteme te shekullit kalur dhe te harroni berishizmin e sotem qe eshte shume me i keq se otomanizmi,zogizmi,fashizmi dhe komunizmi te marra se bashku eshte me shume se faj …
    Nuk eshte sekret te thuhet se Berishorri ishte nje kopil bastart i te panderuarit Rajerson (W.R) ku ky i fundit ne nje mini miting ne Metalurgjikun e Elbasanit ne fushate elektorale shkurt 1992 gerthiste qe komunistat jane Ujqer ,Gjarperinj etj dhe si perfundim ai dhe shteti i tij na prune ne krye jo vetem nje Gjarper Komunist por dhe me arome Beogradi..
    Ajo qe e diskretiton Rajersonin dhe te gjithe ata shqipfoles antikomuniste eshte si me poshte:
    Kur nderroi jete Ramiz Alia …W.R tha se ne 1991 i kerkova Ramizit te beje dekomunistifikimin ashtu si bene gjermanet me denazistifikimin ne 1945-48……Kjo eshte nje gafe kriminale sepse komunzmi shqiptar nuk sulmoi asnje shtet si gjermanet qe sulmuan gjysmen e botes… dhe e dyta Hitleri vdiq si qen kurse Enveri kur vdiq iu be nje homazh qe rralle eshte pare ne vende te tjera te botes…Nese ” anglo amerikanet” nuk dorzojne ne tepsi koken e Usaliut Marikes por e mbrojne me Gallata Non Grata apo kaubojsin LaCivita…e keni te kote te shani fashizmin apo komunizmin kur dollarizmi me Drakulen e Viqidolit i ka bere dem atij vendi me shume se gjithe pushtuesit ne shekuj…

    Reply
  • xxx says:
    October 25, 2025 at 1:47 am

    e kemi thene qe ne kohen e xhaxhit arsimi eshte xerro para ndergjegjes.
    ndaj u luftua burokracia dhe u punua qe shtresea e inteligjences te mbahej me kembe ne toke.
    kaq e thjeshte.
    ta perserisim nje mije here arsimi eshte xerro para ndergjegjes

    Reply
  • BARSALETA says:
    October 25, 2025 at 6:04 am

    THELBI DHE FASADA, REALITETI DHE PROPAGANDA.

    (Në një debat në një studio televizive, tema ishte në lidhje me kullat që po ndërtohen në qytet.)

    Gazetari: Zoti arkitekt, keni ndërtuar një kullë shumë të bukur, të lartë e të fortë. Po ku i gjetët materialet, pra tullat, llacin, çimenton?

    Arkitekti: Ça pyetje është kjo? Një arkitekt nuk pyetet ku i gjete materialet, por a ka bërë një punë të mirë, a është i fortë e i bukur pallati, a janë zbatuar rregullat, parametrat e ndërtimit. Është njësoj si unë të të pyes ty ku i gjen foljet dhe kryefjalët kur bën shkrimet e tua nëpër gazeta apo kur ligjëron. Rëndësi ka si pyetje, ” pse duhen kaq kulla në qytet”, dhe “kush i jep lejet e ndërtimit”? Po për këtë mos më pyet mua, shko pyet politikanët dhe bashkiakët që voton. Edhe një pyetje, se harrova. Pronari i medias ku ti punon është edhe ndërtues pallatesh? Nëse po, a mund të jetë e pavarur kjo lloj medie nga politika? Po ti a mund të bësh shkrime mbi korrusionin e politikanëve dhe kryebashkiakëve nëse pronari yt i medias është në konflikt interesi? Pra, kur bën pyetje zoti gazetar, merru me thelbin, jo me fasadën e problemit.

    Reply
    • Gazetari says:
      October 25, 2025 at 11:20 am

      Thamo eshte vete pronari dhe nuk nderton pallate. Ju beni sikur i dini te gjitha. Jini pak më modesta kur shpallni gjykimet tuaja absolute e u vini vulen gjanave. Më qet more njerez se me inate e karlliqe ua kepi par hajrin deri tani 30 e ca vjet

      Reply
  • 100% sociopat says:
    October 25, 2025 at 12:19 pm

    Për tematika si kjo normalisht ja vlen të merret mendimi i sociopetërve, të cilët edhe pse duhet t’i kemi me traste, padyshim falë arsimit falas-djegas të diktaturës aq të ëmbël komuniste, heshtin. Tek-tuk zgjohet ndonjëri prej tyre dhe e fillon turavrapin e tij ideologjik me moralin dhe për ta përfunduar ke ndërgjegja. Teori e vjetër sa njerëzimi, komplet e konsumuar, e megjithatë ja vlen të theksohet se si njëra po ashtu dhe tjetra nuk lindin, por krijohen në vazhdimësi e si të tilla janë në varësi të një proçesi të pandalshëm edukativ, i cili fillon brenda familjes dhe merr formë në shoqëri. Por realisht, shoqëria e cilitdo sistemi nuk ka se si të me edukim unikal, e formim të njëtrajtshëm njerëzor, sepse kudo ka diversitet, si në konceptimin e individit ndaj realitetit, po ashtu dhe në sjelljet e tij brenda ambjentit ku ai ka ushtron aktivitetin. Është e pamundur të bindësh një shoqëri të tërë, kur ti si sociopat me dipllomë “kristalore”, nuk bind dot as një grusht bashkëbiseduesish si këtu në rastin konkret. Me pak fjalë, nëse një shoqëri për momentin, për shkaqe të ndryshme pakënaqësie, në kohë krizash, tensionesh apo situatash të ndërlikuara politiko-ekonomike, nuk mund t’i varrësh shpresat kurrsesi ke morali dhe ndërgjegja e askujt, përfshi dhe ato të “intelektualëve”. Ka lezet humori i demos, ca prej tyre, delirantë me shpërthime emocionale të çastit, në varësi të situatës, dalin para kamerës me ulërima prej skicofreni, se po t’i jepet mundësia janë gati t’i hanë të gjallë komunistët. Dkush tjetër bile dhe t’i varrë ke maja palmës. Na fëlliqën kllasën, na fëlliqën. Atë intelektuale.

    Reply
  • Dudumi says:
    October 25, 2025 at 2:08 pm

    Ne kete bote ka rrjedhur shume uje. Ne lashtesi faraoni barazohej me Zotin. Njeriu gjithmone ka vuajtur. Kush e ha sot per te vertete rrefimin e Bibles se Zoti permbyti planetin per te ndeshkuar njerezit? Apo qe perzuri Even dhe Adamin se kafshuan mollen? Cuditerisht mollet haje nga te krishteret, ndryshe nga muslimanet qe nuk hane derra. Shkenca thote se nqs ky fenomen I permbytjes ka ngjare ka te beje me ligjet fizike. Asteroid, supervullkan, levizje e forte tektonike,etj, pra nuk ngriti ujerat perpjete Zoti si me filma. Te shkojme drejt shekullit te fundit, shekullit te 2 lufterave boterore. Komunizmi lindi si shkence. Marksi, njeri prej demagogeve te Komunizmit studjoi etapat dhe maredheniet ekonomik. E perfundoi qe njeriu gezon dinjitet kur nuk shtypet dhe shfrytezohet. Sikur te mos kishte​ pengese do shkonte vete bota drejt kesaj zgjidhjeje. Por kapitali nuk te jep celesat e magazines me deshire. Si lindi nacionalsocializmi? Lindi si reagim konservator ndaj nje revolucioni imminent. I veshur me ngjyra nacionaliste dhe ksenofobe. Perse keshtu? Sepse komunizmi ishte internacionalist. Levizja Komuniste ne Gjermani I godit me dhune dhe hekur. I vrane drejtuesit kryesore, Karl Libkneht dhe Roza Luksemburg nga Freikorps, grupe paramilitare antikomuniste. Ato nuk ishin 2 ideologji konkurruese. Njera perjashtonte tjetren. Nuk e prodhoi komunizmi krizen sociale me Rusi apo edhe ne Gjermani, as 2 lufte rat boterore . I prodhoi Kapitali. Nevoja per ekspansion, tregje dhe koloni. Prandaj, nuk ka sesi te vihet shenja e barazimit mes Nacionalsocializmit dhe komunizmit. Ne panoramen e ketyre dy ideologjive e perbashket eshte sjellja totalitariste. Gjithshka ne sherbim te kauzes. Pas renies se nazizmit, ne vitet ’50 ne Shba u instalua nje fushate e gjere antikomuniste, è quajtur periudha makartiste. U perndoqen figura te shquara te shkences dhe artit, si Ajnshtajni, Oppenheimer apo Chaplin, Arthur Miller, etj.

    Reply
  • Kapja e sistemit & Laboratori i propagandës says:
    October 25, 2025 at 3:02 pm

    Në asnjë vend të BE-së nuk është kaq i përhapur modeli shqiptar që çdo kanal televiziv, çdo të enjte, në prime time, të ketë një emision politik. Në Shqipëri, përkundrazi, prime time dominohet nga politika. Kjo ndodh për disa arsye.
    Politika është bërë “sport kombëtar”, çdo gjë interpretohet në terma politikë (çmimet, rrugët, sporti, kultura).
    Nuk ka ndarje të fortë midis politikës dhe jetës së përditshme; gjithçka kthehet në debat partiak. Shumica e televizioneve shqiptare janë pjesë e konglomerateve të lidhura me interesa biznesi, që varen nga kontratat publike, lejet ndërtimore, reklamat shtetërore etj.
    Kjo krijon varësi ekonomike nga qeveria dhe politika, prandaj mediat i japin politikës akses qëndror absolut, jo thjesht për interes publik, por për të ruajtur ndikim dhe akses vetë.
    Emisionet e debatit politik janë të lira për t’u prodhuar: studio, moderator, disa të ftuar , asgjë krahasuar me një serial apo program argëtues. Në të njëjtën kohë, ato garantojnë audiencë, sepse publiku shqiptar është mësuar të kërkojë politikë si “dramë” e përditshme.

    Kjo tregon një nivel të lartë të kapjes së sistemit nga politika:
    Media=>Kontroll indirekt përmes reklamave, pronësisë dhe aksesit te politikanët.
    Ekonomia=>Shumë biznese varen nga vendime publike dhe tendera; kjo ndikon te linja editoriale e mediave që ato zotërojnë.
    Kultura publike=>Politika zë vendin e artit, debatit intelektual dhe gazetarisë serioze. Shoqëria “ushqehet” me politikë në vend të ideve.

    Në këtë kuptim, mund të thuhet se sistemi mbahet gjallë nga një lloj rrethi vicioz propagandistik:
    Politika prodhon narrativë;
    Media e transmeton;
    Publiku e konsumon;
    Dhe cikli rifillon çdo mbrëmje, me të njëjtat fytyra dhe të njëjtat tema.

    Reply
  • SI DALLOHET NJË MEDIA E KAPUR? says:
    October 27, 2025 at 7:42 am

    SKEÇ HUMORISTIK

    EMISIONI KU DIKUSH PJERDH NGA HALLI DHE TË TJERËT IA FUSIN PORDHËS KOT NGA INTERESI.

    Modetatori: Sonte flasim për transparencën. Kemi të ftuar F.Balliun, Erion Veliajn dhe Alfred Cakon. Zoti Fahri, a jeni mirë? Po duket sikur studioja ka ndërruar aromë papritur…

    FAHRIU: Ky është zëri i protestës time ndaj sistemit! Demokracia nuk vjen pa sakrifica, dhe gazra!

    Modetatori: Kalojmë te i ftuari ynë special, kryebashkiaku që s’ka frikë nga akuzat, sepse janë më të shumta se pemët e mbjella në Tiranë! Ja ku është Erion Veliaj! Ç’thoni për akuzat për korrupsion, zoti Erion?

    ERIONI: Janë thjesht keqkuptime! Unë s’kam vjedhur, vetëm kam “zhvendosur” fondet drejt gjelbërimit.

    FAHRIU: Pra, nga qytetarët te xhepi jot, dhe nga xhepi jot në ndonjë vilë në Lalëz?

    ERIONI: Jo, jo! Është projekt ekologjik: “Riciklo paratë për të pastruar ndërgjegjen”!

    [Në këtë moment, dëgjohet një zhurmë, pordhi Fahriu].

    Moderatori: Uaa, çfarë ishte kjo?! Apo pirdh pirdh se çlirohesh?

    FAHRIU: Transparencë totale! Unë nuk fsheh as faktet, as aromat!

    Alfred Cako: Qënka keq Fahriu, do jetë ftohur, po ndjejmë dhe erën. Dhe e di pse? Sepse toka është e sheshtë dhe nuk ekziston graviteti, e kështu pordha shpëndahet në ajër.

    FAHRIU: Unë pordha, por Cako qënka më keq , i qënka ftohur truri, vazhdon ia fut pordhës kot si përherë. Unë e kam nga halli por Cako paguhet për t’ja futur pordhës kot. Ec e merre vesh kush është më keq!

    Moderatori: Çfarë mesazhi keni për publikun z.Veliaj?

    ERIONI: Unë dua t’i falënderoj qytetarët për durimin, sidomos ata që jetojnë afër landfillit!

    Modetatori: Faleminderit të gjithëve. Kot nuk thonë që Tirana është qytet i ndotur. Mirupafshim në emisione të tjera.

    Reply
  • ..... says:
    October 29, 2025 at 3:04 pm

    Te dy e vrane njeriun si komunizmi ashtu edhe nazizmi, po demokracia e vret ndonje çike njeriun?! Me sa shikoj, demokracia po e vret me shume. Gjithe keto rremuja njerezore globale i sjell demokracia globale, gjithe keto fertuna e shkaterrime qofte me arme apo nga dallget e oqeanit apo ererat i sjell demokracia qe nuk ruan ekuilibrat e natyres, vetem demagogji. Gjithe keto semundje edhe covidin e shperndane demokraci deri sa i detyron njerezit te mbyllen ne guasken e tyre. Pra shkaterrimin njerzeve, tokes dhe natyres ja sjell demokracia qe eshte futur ne lambirinthet e saj duke e deformuar plotesisht dhe ajo, natyra, nuk meshiron: do ta djege, do ta mbyt dhe do perlaje njerezimin edhe ata qe kane miljardat nuk do ti gezojne sepse do shkojne atje tek shumica. I shkrova keto duke lanetisur demokracine qe e shikoj se nuk me duhet, u duhet vetem njerzeve qe vjedhin, vrasin, shkaterrojne natyren dhe njerezit e tjere.

    Reply

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajmi i Fundit

  • Deklarata e Wizz Air mbi Marrëveshjen për Reformën e të Drejtave të Pasagjerëve Ajrorë në BE
  • “Protestat e të rinjve po bëjnë nervoz Ramën”, The Economist: Revolta e brezit të ri në Tiranë, kundër një elite që mburret me pasurinë
  • Kryeministri “sociolog”
  • Parlamenti Evropian miraton raportin e Shqipërisë për vitin 2025
  • PURCHASE OF TWO VEHICLES FOR FIRE MANAGEMENT, ENFORSA-SUPPLY-3

Komentet e Fundit

  1. !!? on FOTO VIDEO: Nuk ka dorëzim, as përçarje, sheshi i protestës sërish plot në ditën e 17-të, ironizohet edhe Marta Kos
  2. xxx on FOTO VIDEO: Nuk ka dorëzim, as përçarje, sheshi i protestës sërish plot në ditën e 17-të, ironizohet edhe Marta Kos
  3. nastradini on Rama: Pasuritë tona lakmohen nga Kina dhe Rusia
  4. Toni on Taksixhiu dhe Agjentët Grekë
  5. Muzo on Marjana Koçeku është kërcënuar pas largimit nga PS? Postimi i pazakontë i deputetes, reagimi i Policisë dhe i Bajrave

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?