Nga Dr.Dorian Koçi
Në kujtim të Papa Françeskut I dhe vizitës së Tij në Shqipëri
Sot, bota ndalet në heshtje për të nderuar jetën dhe veprën e Atit të Shenjtë, Papa Françesku I, i cili është ndarë nga kjo botë, duke lënë pas një trashëgimi të thellë shpirtërore, humanitare dhe kulturore. Figura e tij frymëzuese, e njohur për thjeshtësinë, përulësinë dhe mesazhin e dashurisë universale, shënoi një epokë të re në historinë e Kishës Katolike dhe më gjerë. Ai është artizani i arkitekturës së ngrehinës moderne të Kishës Katolikenë botë.Në këtë moment zie dhe reflektimi global, kujtimi i vizitës së tij në Shqipëri më 21 shtator në vitin 2014 merr një domethënie edhe më të veçantë. Ajo vizitë nuk ishte vetëm një udhëtim apostolik, por një gjest i thellë simbolik dhe shpirtëror që preku zemrat e një kombi të tërë dhe që sot, më shumë se kurrë, ndriçon si një dritë e gjallë e paqes dhe shpresës.
Vizita e Papa Françeskut I në Shqipëri në vitin 2014 u shënua si një ndër ngjarjet më të rëndësishme në marrëdhëniet ndërmjet shtetit shqiptar dhe Selisë së Shenjtë. E zhvilluar në një atmosferë thellësisht shpirtërore dhe miqësore, ajo solli në vëmendjen e opinionit publik ndërkombëtar modelin unik të bashkëjetesës fetare në Shqipëri. Për të garantuar një organizim të denjë për këtë ngjarje historike, autoritetet shqiptare krijuan Komisionin Shtetëror për Vizitën e Papa Françeskut, në të cilin pata nderin të kontribuoj si anëtar aktiv. Kjo përfshirje më lejoi të jem dëshmitar i drejtpërdrejtë i një bashkëpunimi shembullor ndërinstitucional, ku përkushtimi dhe përulësia ishin udhërrëfyesit tanë.
Gjatë qëndrimit të tij, Ati i Shenjtë u prit me nderime të larta shtetërore dhe zhvilloi takime të rëndësishme me udhëheqësit më të lartë të vendit. Ndër momentet kulmore të vizitës së Papa Françeskut I në Shqipëri, veçohen disa ngjarje që mbetën thellësisht të gdhendura në kujtesën kolektive. Një prej tyre ishte pa dyshim Mesha e Shenjtë në Sheshin “Nënë Tereza”, e cila mblodhi mijëra qytetarë nga i gjithë vendi dhe diaspora, në një atmosferë të rrallë uniteti, përkushtimi dhe devocioni. Ky rit i shenjtë nuk ishte vetëm një moment liturgjik, por një manifestim i gjallë i besimit, mirënjohjes dhe respektit të thellë që shqiptarët i shprehën Atit të Shenjtë. Organizimi i kësaj ngjarjeje madhështore u realizua me një kujdes të veçantë estetik dhe simbolik. Projekti i skenografisë dhe strukturës ceremoniale u konceptua nga arkitekti dhe zëvendësministri i Kulturës (2013-2017), arkitekt Zef Çuni, i cili solli një vizion ku solemniteti kishtar bashkëjetonte në harmoni me elementët identitarë të trashëgimisë shqiptare. Përmes një qasjeje bashkëkohore, por të rrënjosur në traditë, ai arriti të krijojë një ambient të hapur, të ngrohtë dhe ceremonial, që i dha ngjarjes një dimension shpirtëror e kombëtar njëherazi. Ky projekt, i ndërtuar mbi ndjeshmërinë e një momenti historik, i dha sheshit një dinamikë të re, duke e kthyer atë jo vetëm në epiqendrën e kremtimit, por edhe në një hapësirë të gjallë simbolike, ku kombi shqiptar përqafoi një nga figurat më të rëndësishme të kohës sonë.
Një tjetër moment thelbësor i vizitës së Papa Françeskut I në Shqipëri ishte takimi me udhëheqësit e komuniteteve fetare shqiptare, një akt që mishëroi më së miri thelbin e misionit të tij universal. Në këtë takim historik, i cili u zhvillua në një frymë të thellë respekti dhe mirëkuptimi, Papa theksoi vlerën unike të bashkëjetesës fetare në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një pasuri kombëtare dhe një model i rrallë për botën moderne, shpesh e përçarë nga ekstremizmi dhe intoleranca. Ai lavdëroi mënyrën se si shqiptarët, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare, kanë ditur të ruajnë një marrëdhënie të thellë mirëkuptimi dhe respekti të ndërsjellë, duke dhënë një shembull të shkëlqyer të harmonisë ndërfetare.
Ky mesazh u përforcua edhe më tej me vizitën në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, një vend që simbolizon rilindjen e besimit pas dekadave të errëta të ndalimit dhe persekutimit fetar. Aty, Papa Françesku I luti për paqe, pajtim dhe ringjallje shpirtërore, duke përçuar një ndjenjë të thellë shprese për të gjithë shqiptarët.
Ndalesa më e ngarkuar emocionalisht ishte ndoshta vizita në varrezat e martirëve në Shkodër, ku Papa përkuli kokën me përulësi përpara varreve të klerikëve të përndjekur nga regjimi komunist. Ky akt simbolik ishte një homazh për sakrificën e tyre sublime, por edhe një mesazh universal për dinjitetin njerëzor dhe lirinë e ndërgjegjes, të cilat nuk mund të shtypen nga asnjë sistem shtypës. Me këtë gjest, Papa nderoi jo vetëm historinë e Kishës Katolike në Shqipëri, por edhe qëndresën shpirtërore të një populli të tërë që nuk u gjunjëzua përballë dhunës ideologjike.
Çdo fjalë e tij, çdo gjest, u shndërrua në një mesazh të qartë për paqen, për dialogun dhe për dinjitetin njerëzor. Ai nuk erdhi si një autoritet fetar i lartë që predikon nga lartësia e pozitës së tij, por si një misionar i thjeshtë i dashurisë pa kufij, që i dëgjonte, i përqafonte dhe i nderonte njerëzit në mënyrë të barabartë. Në prezencën e tij, nuk kishte asnjë pengesë ndërmjet autoritetit dhe zemrës – vetëm një urë e fuqishme ndjeshmërie dhe mirëkuptimi që preku thellë shpirtin e kombit shqiptar.
Në kuadër të vizitës së Papa Françeskut I në Shqipëri, u organizua konferenca ndërkombëtare “Shqipëria dhe Vatikani: Dialog, bashkëpunim dhe shpresë”, një forum i rëndësishëm akademik dhe diplomatik që solli në vëmendje historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve, rolin e përbashkët në promovimin e vlerave universale dhe perspektivat për një bashkëpunim të zgjeruar në të ardhmen. Pata nderin të kontribuoj në këtë konferencë me kumtesën “Skënderbeu dhe Papa Kalisti III”, një punim që më pas u përfshi në një botim të veçantë, falë përkushtimit të miqve të mi, Lazer Stani dhe Frano Kulli, dhe u publikua nga Enti Botues “Gjergj Fishta”. Konferenca nxori në pah rolin diplomatik të Vatikanit në mbështetjen e identitetit kulturor dhe shpirtëror të shqiptarëve, si dhe kontributin e Kishës Katolike në ndërtimin e institucioneve arsimore dhe humanitare në vend.Pjesë e këtij mozaiku të pasur kulturor ishte edhe ekspozita “Besim” hapur në Muzeun Historik Kombëtar në të cilin isha Nëndrejtor, kuruar nga miqtë e mi , artisti i shquar i artit bashkëkohor Edi Hila dhe pedagogu dhe artisti Zef Paci. Kjo ekspozitë solli në qendër të vëmendjes dimensionin unik të tolerancës fetare ndër shqiptarë, si një nga vlerat më të çmuara të trashëgimisë sonë shoqërore dhe historike. Në këtë frymë të ndërveprimit dhe nderimit, fjalët e Papa Françeskut në Tiranë do të mbeten të paharrueshme: “Shqiponjat fluturojnë lart, por kurrë nuk e harrojnë folenë e tyre.” Ishte një kujtesë e fuqishme për të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë kufijve, se institucionet tona të kulturës janë dhe duhet të mbeten fole kombëtare, hapësira ku ruhet, ndërtohet dhe rrezatohet identiteti ynë i përbashkët.
Për mua personalisht, kjo përvojë përfaqësoi më shumë sesa një angazhim profesional. Ishte një nder i pamatshëm të ndihmoja në krijimin e kushteve për një ngjarje që riktheu shpresën në shumë zemra, që nxiti dialogun dhe që përforcoi ndjenjën tonë kombëtare të bashkimit përtej dallimeve. Papa Françesku I ishte një burrë i Zotit, por edhe një njeri i popullit. Ai arriti të fliste në gjuhën e thjeshtë të dashurisë, të përulësisë dhe të drejtësisë sociale. Shqipëria nuk do ta harrojë kurrë figurën e tij të qeshur, fjalët e tij të urta dhe përqafimin e tij të ngrohtë.
Humbja e tij është e dhimbshme, por trashëgimia që na la është e pavdekshme. Papa Françesku I na mësoi se paqja nuk është një ideal i largët, por një qëllim i prekshëm kur ne, si individë dhe si shoqëri, zgjedhim dashurinë mbi urrejtjen dhe dialogun mbi ndasinë. Sot, teksa bota e përcjell me dhimbje dhe nderim, Shqipëria e kujton si mikun që la gjurmë në historinë tonë. Le të ruajmë kujtimin e tij si një thirrje për veprim të mirë, si një testament për më shumë njerëzi dhe si një udhërrëfyes për të ardhmen.