“Atje ku liria u bie kambanave të kushtrimit,
vjen dhe agimi i skuqur me gjakun e njerëzimit.”
Pablo Neruda
Nga SEJDO HARKA
Nobelisti Pablo Neruda, ky oaz i thellësive të deteve dhe i tingëllimave të kambanave, ka mbetur përjetësisht korife i këngës dhe i vjershërimit për dashurinë dhe dëshpërimin, për shpresën dhe trishtimin, për ëndrrën e flijimin. “Homeri i shekullit XX”, kështu e ka quajtur Nerudën kritika letrare botërore.
Pablo Neruda lindi më 12 korrik të vitit 1904, në Parral, qytezë në Kilin e Jugut. Studimet e larta i kreu në Santiago për frëngjisht. Emri i tij i vërtetë është Ricardo Eliécer Neftalí Reyes Basoalto. Veprimtaria e tij është e gjerë dhe shumëplanëshe. Ai u shqua si poet, diplomat, politikan dhe përkthyes në shumë gjuhë të botës, duke promovuar kudo gjuhën e tij, spanjishten, që e flasin kilianët. Si diplomat në Madrid dhe Argjentinë ai mori përkrahjen e shumë miqve të tij të mëdhenj, por më vonë, kur u dëbua nga atdheu, u bë pjesë e lëvizjes antifashiste. Demaskon marrëzitë politike të kohës në favor të njerëzve të shtypur dhe të shfrytëzuar barbarisht. Ai kishte një temperament vullkanik, i gatshëm në çdo kohë të reagojë, të protestojë dhe të luftojë pa kompromis kundër të këqijave të individit dhe shoqërisë. Neruda ndërroi jetë në Santiago më 23 shtator të vitit 1973, në moshën 69-vjeçare. Vdekja e tij kaloi në heshtje dhe shumë njerëz u ndaluan të bënin homazhe para trupit të të ndjerit. Autobiografia e tij e vërtetë u botua vetëm pas vdekjes. Në fillim u tha se ai vdiq nga prostata kanceroze e pashërueshme. Por më vonë thuhet se u zbulua enigma e vërtetë e helmimit nga njerëz të futur nga gjenerali Augusto Pinoçeti, vetëm 12 ditë pas grushtit të tij të shtetit. Vetë asistenti i autopsisë pas vdekjes së Nerudës thotë se ai ishte asfiksuar nga një helm, kur gjendej i shtruar në spital. Ky helmim makabër shpjegohet me faktin se në atë kohë Neruda, si komunist, po përgatitej të shkonte në Meksikë për të udhëhequr opozitën botërore, kundër diktaturës së Pinoçetit.
Për herë të parë emri i tij i ri, që do ta shoqëronte tërë jetën, u shfaq në vitin 1920, i shkruar në ballinën e poemës së tij me titull “Hombre” (Njeri).
Shkëlqimi më i madh i Nerudës ishte letërsia. Në fund të jetës ai la pas 34 vepra me poezi, ese dhe drama të botuara, si dhe 8 vëllime me poezi e kujtime, që dritën e botimit e panë vetëm pas vdekjes. Por ajo që i dha atij emër të madh ishte poezia. Krijimtarinë e tij poetike e përmblodhi në rreth 19 vëllime, shumica e të cilëve janë përkthyer jo vetëm në shumë gjuhë të botës, por që herët dhe në shqip, nga shkrimtarë dhe shqipërues të mëdhenj, si: Mitrush Kuteli, Fatos Arapi etj. Disa nga këto vëllime poetike janë: “100 sonete për dashurinë”, “Unazat”, “Mirëseardhja në atdhe”, “Oda elementare”, “Duart e ditës”, “Fundi i botës”, “Zgjohu druvar” etj. Me librin “20 poezi dashurie dhe një këngë dëshpërimi”, pa mbushur mirë moshën 20-vjeçare, ai filloi të konsiderohej nga qarqet letrare të kohës si një nga poetët e rinj më premtues të atyre viteve. Në vitin 1921 nderohet me Çmimin e Parë letrar në vendin e tij për poemën “Kënga e festës”. Gjatë udhëtimit mespërmes vendeve të Orientit, ai njihet dhe merr përgëzimin e njerëzve të mëdhenj të artit e letërsisë së kohës, si: Garsia Lorka, Gerard Defo etj. Në vitin 1934 Neruda emërohet konsull në Madrid. Kur ai jeton në kryeqytetin spanjoll, Madridi bombardohet nga trupat e Frankos. Refleksion i përjetimit të dhembjeve të tmerrshme që shkaktuan këto bombardime çnjerëzore është dhe brendia e librit të tij “Spanja në zemër”. Me krijime të tilla, disa vite më vonë, Pablo Neruda do të marrë Çmimin e Lartë Kombëtar për Letërsinë. Në vitin 1948 ai bëhet anëtar i Partisë Komuniste. Persekutohet e përndiqet, derisa e detyrojnë të largohet nga Kili, për të marrë rrugën drejt Francës e Meksikës. Në vitin 1954 rikthehet përsëri në Kili. Në moshën 60-vjeçare boton 5 vëllimet e librit “Memorial i Ishullit të Zi”.
Gjatë gjithë veprimtarisë së tij shoqërore dhe krijuese, ai do të vlerësohet me shumë çmime, si: “Çmimi Ndërkombëtar i Paqes”(1953), “Doktorata e Nderit për Letërsinë”, Oksford (1965) etj. Por vlerësimi, që i dha atij emër të madh ishte çmimi “Nobel” për letërsinë (1971), i dorëzuar nga vetë dora e mbretit Gustav Adolf VI, me motivacionin: “Për një poezi, e cila, me veprimin e një force elementare, sjell në jetë fatin dhe ëndrrat e një kontinenti.”
Në fjalën e tij mbajtur në banketin e “Nobelit” në bashkinë e qytetit të Stokholmit, në dhjetor të vitit 1971, me rastin e dorëzimit të këtij çmimi nga Akademia Suedeze e Shkencave, Neruda, mes të tjerash, tha: “Ja ku jemi mbledhur në Stokholmin e bukur, që sot flet me zërin e qendrës së botës. Do të më falni që në falënderimin tim kam zgjedhur të përfshij të gjithë ata që më njohin, madje dhe të harruarit e kësaj toke, të cilët në këtë çast lumturie më dalin përpara, më të vërtetë se vetë frazat e mia, më të lartë se vargmalet tanë, më të gjerë se oqeani. Në emër të këtyre njerëzve dhe të vetes sime, falënderoj Akademinë Suedeze për nderin e rrallë, që më bëri si poet. Shpreh falënderimet e mia, që më nxitët t’i rikthehem poezisë, e cila shkruhet me “gjak në errësirë”. Unë nuk kam mësuar nga librat asnjë recetë për të shkruar poezi, ndaj dhe nuk do t’i jap askujt këshilla mbi mënyrat dhe stilistikën e vjershërimit. Në këtë udhëtim të gjatë kam gjetur përbërësit e nevojshëm për të krijuar poezi. Aty gjeta ndihmësit që vinin nga toka dhe shpirti njerëzor. Në procesin e krijimit të poezive, si partner të barabartë kam pasur vetminë dhe solidaritetin, emocionin dhe veprimin, afërinë ndaj vetes, njerëzimit dhe ndaj të fshehtave të natyrës. Për mua, thotë Neruda, poeti nuk është një “zot i vogël”. Ai nuk përzgjidhet nga një fat mistik. Kam besuar se poeti më i mirë është ai që gatuan “bukën” tonë të përditshme, është bukëpjekësi më i afërt, që nuk e paramendon veten “zot”. Ai bën punën e vet madhështore dhe jo pretencioze. Nëse poeti i bashkohet betejës së pafund për ta zgjatur këtë “bukë” me duart e të gjithë aktorëve krijues, vetëm kështu ajo do të shijohet prej konsumatorëve me kënaqësi. Secili nga vargjet e mia zë vendin e vet si objekt i prekshëm, secila nga poezitë e mia synon të jetë një mjet i dobishëm i punës, secila nga këngët e mia është përpjekur të shërbejë si një shenjë në hapësirë, për një vendtakim shtigjesh, që kryqëzohen me njëri-tjetrin. Në jetë kam zgjedhur rrugën e përgjegjësisë individuale dhe kolektive dhe jo të njëshit “diell”. Sepse unë besoj te detyra e poetit, e cila ka të bëjë me miqësinë e vërtetë dhe jo me “trëndafilin dhe simetrinë e dashurisë së ekzaltuar…”. Kam pasur besim të patundur te njeriu, prandaj kam arritur kaq larg me poezinë time dhe flamurin tim…”.
Kur Neruda nisi krijmtarinë e tij poetike, në mjediset krijuese letrare të Kilit vazhdonin të përziheshin elementet e rrymave romantike tradicionale me ato moderniste e surealiste. Në fillimet e tij, si poet që vinte nga provinca, ai nuk mund t’i shmangej përshkrimit të mjedisit të natyrës. Neruda e nisi me poezitë romantike të dashurisë, ndërsa më vonë do të zhvillonte poezinë politiko-shoqërore e sarkastike, ku shigjeton marrëzitë politike të kohës, në favor të të shtypurve dhe të varfërve. Në brendinë e tyre, vend të dukshëm zënë protestat, zemërimet dhe zgjimet e vetëdijshme të tyre. Mësuesit e tij të parë do të bëhen poetët e mëdhenj: Rubén Darío dhe Rabindranat Tagora. Por shpejt Neruda do të shfaqte individualitetin e tij të papërsëritshëm, gjë që do të duket qartë në poezinë me titull “Kënga e festës”, me të cilin fitoi Çmimin e Parë në konkursin poetik të Santiagos (1921), kur sapo kishte mbushur 17 vjeç. Në poezitë e para të Nerudës shkrihen njeriu me natyrën, dhe pasioni me trillin e ngjarjeve. Gruaja, bukuria dhe shpirti i saj i pastër, identifikohen me tokën dhe dimensionet e natyrës.
Një nga kryeveprat e Nerudës është vëllimi poetik “Deti dhe kambana”, i cili është një gërshetim motivesh mes elementeve autobiografike dhe fantazisë krijuese të autorit, të vendosura në kohë dhe mjedise të ndryshme, në çastet e fundit të jetës së tij. Brendia e këtyre poezive është një ndjesi e çuditshme, që lidh ngushtë e metaforikisht detin me kambanat. Në brendësi të detit dhe kambanave ai gjen sinoniminë e tyre të plotë poetike. Brenda tyre ai zbulon jetën dhe dashurinë, ëndrrat dhe lirinë, butësinë dhe egërsinë, bukurinë dhe shëmtinë, vdekjen dhe pathyeshmërinë. Në poezinë “Fund”, me të cilën e mbyll këtë vëllim, Neruda përshkruan motivin për të cilin luftoi, këndoi dhe sakrifikoi tërë jetën. Ai gjithë jetën kërkoi të ishte zëri i ndërgjegjes së popullit të tij, shpirti i atyre që u harruan në varfëri, i atyre që, siç shkruan dhe vetë, nuk mundën të kishin zë. Prandaj Neruda për ta thuri mijëra këngë e vargje, me shpresën se jehona e kambanës do të shkrihej me dallgët e detit, për ta bërë më të fuqishëm zërin e tyre. Ai që lidh më ngushtë poetikisht detin me kambanat është gjëmimi. Edhe pse gjëmimi i këtyre dy dukurive vjen nga drejtime të ndryshme natyrore dhe njerëzore, ato përçojnë herë gëzim e herë trishtim, herë shpresë e herë thirrje për flijim. Lidhjen mes kambanave dhe detit poeti e sheh si lidhje mes tokës dhe yjeve. Neruda veten e vendos në mes të tyre, gjë që e shpreh në vargje të tilla sa të thjeshtë, aq edhe të bukur: “Aty ku janë deti dhe kambanat, jam unë”.
Deti dhe kambanat në poezitë e tij janë kthyer në simbol të pavdekësisë dhe pafundësisë. Për Nerudën këto dukuri nuk janë thjesht dy sinonime metaforike, por dhe vetë jeta. Lindja dhe vdekja, dukuri antonimike që riciklojnë jetën, janë të shkrira jo vetëm në shkumën e dallgëve kaltëroshe të detit, por dhe në tingëllimat, herë të ashpra e herë të ëmbla të kambanave. Në vargjet e Nerudës për kambanat ndien edhe dhimbjen edhe trishtimin që e kanë mbërthyer poetin në vitet e fundit të jetës. Prandaj, i mbetur në vetminë e tij të thellë shkruan: “S’më ka mbetur gjë tjetër, veç detit”. Në oshëtimën e detit dhe tingëllimat e kambanave ai rigjen të djeshmen, të sotmen dhe të ardhmen. Në poezitë e tij deti dhe kambanat flasin. Çdo kambanë dhe dallgë deti ka gjuhën e vet të papërsëritshme. Përzierja e tingujve të tyre krijojnë sinfoninë më të bukur të poezisë së jetës. Vitet e fundit ai, edhe pse ndien vetminë e një kambane të thyer, kurrë nuk gjunjëzohet, gjë që e shpreh metaforikisht në vargjet: “Kjo kambanë e thyer / do të këndojë pa pushim”. Për Nerudën ata që kambanës së thyer i dhanë “gjelbërimin dhe lumturinë”, ishin “duart e ujit”.
Në autobiografinë e tij imagjinare, Neruda shkruan: “Jeta ime është jeta e poetit”. Shiu, deti, kambanat dhe dashuria janë kuarteti i simfonisë së tij poetike. Pikat e shiut për të ishin si gishtërinjtë e duarve që prodhojnë tingujt e ëmbël të simfonisë poetike. Ishte deti që e bënte Nerudën të ndjeshëm ndaj dhimbjeve, ishte dashuria dhe lidhja me natyrën që zbutnin edhe kambanat, të cilat i bëjnë ato të këndojnë këngët më të bukura mbi dhe. Në poezitë e Nerudës gjallërojnë e rriten edhe deti edhe pishat, edhe errësira edhe drita, edhe urrejtja edhe dashuria, edhe vdekja edhe liria. Në shpirtin poetik të Nerudës ka hedhur rrënjë dashuria për natyrën dhe gjithë njerëzit, por, veçanërisht, për gruan, simbolin e bukurisë dhe brishtësisë. Binomi i tij i përjetshëm ishte dashuria dhe gruaja, e quajtur Matilda Urrutia. Dashurisë për gruan dhe bukuritë e saj të rralla, Neruda i kushton librin e tij më të bukur poetik me titull “100 sonete dashurie”. E dashura e tij e zemrës ruan në gjirin e saj edhe diellin edhe hënën, edhe tokën edhe zemrën. Matilda për të ishte: ”Det, ritëm e buçimë ndjenjash njerëzore”. Dashurinë e tij të përjetshme për gruan, Neruda e shpreh nëpërmjet vargjeve: “Nëse do të rilindja përsëri, do të doja të bija përsëri në dashuri me ty,/ sepse me ty fillon dhe mbaron e vërteta e jetës sime”, të cilat tingëllojnë si sentenca të bukura për besnikërinë. Për Nerudën dashuria është këngë e pëllumbeshë, është kujë e rrëke. Për zemrën e poetit mjafton gjoksi i saj, ndërsa për lirinë e së dashurës së tij mjaftojnë guximi dhe flatrat e saj. Prandaj i lutet së dashurës: “Puthmë, kafshomë, ndizmë…!” Për Nerudën dashuria nuk ka as lindje, as vdekje, është e përjetshme. Brenda dashurisë së Nerudës ka gurë dhe erë, gjethe dhe diell, oqean dhe kripë, koracë dhe kratere. Në poezinë “Nëse unë vdes”, Neruda shkruan: “Nëse unë vdes dhe ti je gjallë,/ kjo dashuri s’ka marrë fund,/ ashtu si nuk pati lindje,/ as vdekje nuk ka,/ajo është një lumë i gjallë, /që ndërron vetëm shtratin e brigjet”.

“Në poezitë e Nerudës,-shkruan Fatos Arapi,-heroikja shkrihet me liriken, ndërsa simbolika me jetën.” Me poezitë e tij, ai i thur ditirambet më të bukura për jetën, atdheun dhe dashurinë. Burim frymëzimi për të janë bukuritë e rralla të Kilit, vendlindjes së tij. Neruda ngazëllehet nga drithërimat e erës dhe blerimi i barit, nga shushurima e lumenjve dhe dallgët e detit dhe oqeaneve. Dashuria për natyrën është dashuria për Kilin. Poezia e tij është sa përshkruese, aq dhe histori e gjallë e fatit të njerëzve të thjeshtë të Kilit e të gjithë Amerikës Latine. Për Nerudën “Atje ku liria u bie kambanave të kushtrimit, vjen dhe agimi i skuqur me gjakun e njerëzimit”. Në krijmtarinë e larmishme të Nerudës zënë vend të rëndësishëm edhe “Odat”, këngët heroike për personalitete të tilla të shquara, si: Lorka, Bolivari etj. Në krijimtarinë e Lorkës Neruda sheh njerëz të veshur me “rrobat e agonisë”, “plugjet e vdekur dhe lulëkuqet e vyshkura”, “planete e harta të gjakosura”, vajza “të sakatuara nga thika të helmuara” dhe “trëndafila të urrejtjes”, që në vend të gonxheve aromatike të dhurojnë hidhërimin e gjembave shpues.
Një nga krijimet më të bukura të Nerudës është poema “Një këngë për Bolivarin”, e cila i kushtohet Simon Bolivarit, heroit e luftëtarit të shquar për liri e pavarësi, i cili jetoi, punoi dhe luftoi në kolonitë spanjolle të Amerikës Latine, në vitet 1783-1930. Është kjo arsyeja që nobelisti Neruda i drejtohet atij me vargjet më të bukura: “Ati ynë, që je në dhé, në ujë, në ajër / ka emrin tënd çdo gjë që ne kemi / prej teje lulëzon ëmbëlsia e kallamit të sheqerit / dhe kallaji Bolivar ka shndritjen Bolivar… /Ti, o At, na ke lënë trashëgim lumenj, fusha, kambanare, bukën tonë të përditshme”. Nga brendia e pyetjeve retorike metaforike: “Ç’ngjyrë do të marrë trëndafili që rritëm pranë / Si do të jenë duart që hirin tënd prekin?” buron mesazhi filozofik poetik “I kuq bëhet trëndafili, kur dëgjon hapin e Bolivarit. Hija e tij i prin popujt e shtypur të botës drejt shpresës. Bota e lirë lindi nga vështrimi i kthjellët i Bolivarit. Është kjo arsyeja që zëri i tij ringrihet nga thellësitë e tokës duke thirrur: Unë zgjohem një herë në 100 vjet, kur populli im zgjohet.”
Të shkruash për krijmtarinë poetike të Nerudës është sa e lehtë, aq dhe e vështirë. Përmasat e personalitetit të tij krijues dhe njerëzor janë aq të mëdha, sa do të duheshin faqe të tëra për ta trajtuar të plotë krijimtarinë, problematikën dhe stilin e papërsëritshëm të vjershërimit modern të tij. Ai ishte dhe mbeti artist i madh, gjeni i vjershërimit dhe i përdorimit të gjuhës së gjallë poetike. Neruda e pasuroi më tej semantikën dhe polivalencën e saj, duke e shtyrë natyrshëm drejt magjisë së metaforës dhe simbolikës shumëkuptimëshe. Poezia e tij kalon natyrshëm nga surealizmi i errët drejt realizmit të gjallë, me ngjyrime të thella popullore tepër të besueshme e të perceptueshme. Neruda, jo vetëm dje, por edhe sot e në të ardhmen do të mbetet një nga poetët më universalë të letërsisë moderne botërore.
