Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Basti i Kryeministrit. I humbur?
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Lajmi i fundit > Basti i Kryeministrit. I humbur?
Lajmi i funditopinion

Basti i Kryeministrit. I humbur?

Published: June 10, 2026
Shpërndaje

Nga Fatos Tarifa

E tërë bota, si kurrë më parë, për ne që përjetuam rënien e socializmit shtetëror, marrëzinë kolektive 1997-ës dhe tragjedinë e Gërdecit, sot i ka kthyer sytë nga Shqipëria. Kanalet televizive kryesore, gazetat më të mëdha dhe mijëra blogje e postime në rrjetet sociale anë e mbanë globit, flasin e shkruajnë për protestat e këtyre nëntë ditëve të fundit në rrugët dhe në sheshet e Tiranës e të qyteteve të tjera të vendit tonë.

Kushdo sheh se çfarë po ndodh dhe i dëgjon kërkesat e protestuesve. Veç njërit—kryeministrit të Shqipërisë. Deri më sot, qëndrimi i tij ndaj protestave dhe protestuesve ka qenë refraktar, arrogant dhe përçmues. Nuk mund të them nënvleftësues apo indiferent, pasi, kryesisht për shkak të masivitetit dhe mënyrës paqësore si janë zhvilluar, këto protesta qytetare ia kanë prishur rehatinë dhe dukshëm e kanë shqetësuar kryeministrin. Unë besoj se edhe e kanë trembur atë dhe kabinetin e tij qeveritar. Si asnjëherë më parë në këto 13 vite të qeverisjes së tij.

- Publicitet -

Pse kaq nervoz?

Nervozizmi i kryeministrit shihet fare qartë në fjalët, në tonin dhe në gjestet me të cilat ai u flet militantëve të Partisë Socialiste në qytetet ku shkon dhe gazetarëve të huaj që mblodhi dje, për t’u thënë “të vërtetën” e tij mbi Zvërnecin dhe protestat. Një “të vërtetë” që z. Rama iu desh ta bërtiste me zë të lartë dhe duke fyer, që ata gazetarë europianë “trushpëlarë” ta “kuptonin” e ta “besonin” kreun e qeverisë, në një përpjekje të deshpëruar për “damage control”. Të kuptonin dhe të besonin kryeministrin dhe jo ata dhjetëra mijëra qytetarë që protestojnë për kaq ditë me radhë kundër tij dhe qeverisjes së tij. Ndërkohë, ministrat e tij nuk shihen gjëkundi, veç ndonjërit që ai e merr me vete andej këtej nga shkon.

Nervozizmi i kryeministrit është i dukshëm, ndërsa gjestet e tij janë çuditërisht shumë të çuditshme. Larg çdo norme e mënyre sjelljeje normale për një kryetar qeverie. Kur pak ditë më parë botova, në këtë gazetë, një “Oktalog mbi ngjashmëritë mes Ramës dhe Trumpit”, harrova të përmend edhe këtë aspekt. Si njëri, edhe tjetri, sa janë prepotentë para një audience mbështetësish luajalë, bëhen edhe personazhe komikë. Sjellja, lëvizjet dhe gjestet e kryeministrit në Elbasan dy ditë më parë pak dallonin nga ato të një klouni.

Në cirk, ato sjellje, ato gjeste dhe ajo mimikë mund të na bëjnë të qeshim, por ku i shohim te një kryeministër puna ndryshon. Nuk mund të qeshim, por t’i thërrasim mendjes. Dhe mendimi i parë që, aty për aty, më erdhi në kokë, ishte kjo pyetje: Ky njeri është kryeministri i vendit tim?! Ky njeri e qeveris Shqipërinë?!

Investimet strategjike! Për kë?

Unë e dua vendin tim. Si çdo shqiptar që ka mbetur këtu, ose që, për arsyet e veta, është larguar nga vendi. Prandaj edhe jam kthyer pas 18 vitesh jashtë të jetoj e të punoj këtu. Të them se jam shqiptar më bën nder. Gjithmonë ka qenë nder. Dhe e dua vendit tim një vend të bukur e të pasur, një vend me mirëqenie dhe pa krim. Një vend që qeveriset mirë e me drejtësi. Dua që të huajt të investojnë sa më shumë në këtë vend, sepse investimet i shërbejnë zhvillimit dhe rritjes së mirëqenies. Por kam rezervat e mia për politikat e ndjekura deri më sot nga çdo qeveri shqiptare, përfshirë edhe të sotmen, lidhur politikat ekonomike dhe investimet e huaja në vend.

Si shumica e shqiptarëve, kam fare pak njohuri mbi çfarë është projektuar dhe mendohet të bëhet në Zvërnec e në Sazan. Deri më sot, kjo qeveri ka vepruar, në mos tërësisht fshehurazi, dukshëm pa transparencë. Unë nuk di të them se çfarë rreziku u kanoset kolonisë së flamengove, breshkave të ujit dhe lakuriqve të natës në lagunën dhe ishullin e Zvërnecit, nëse dëshirat dhe planet e kryeministrit avancahohen më tej. Për këtë mund të flasin ambientalistët dhe ekspertët e faunës detare e bregdetare.

Por, me sa unë di e kam parë—dhe kam lexuar e kam parë shumë—logjika dhe premtimi i kryeministrit se investimet “strategjike” në fushën e hotelerisë e të turizmit, të përmasave si ato për të cilat bëhet fjalë, do të krijojnë pa fund vende pune, do të gjenerojnë të ardhura për frymë të popullsisë dhe do të zhvillojnë ekonominë kombëtare, kjo logjikë dhe ky premtim, pra, nuk mund të pranohen prima facie.

Ç’vende pune do të krijohen? Do të kemi më shumë kamarierë, kuzhinierë, punonjës shërbimi e mirëmbajtjeje, mbledhës mbeturinash, kopshtarë. A do e forcojnë këto “profesione” ekonominë e vendit? A do e rrisin GDP-në dhe mirëqenien ekonomike të shqiptarëve, ndërkohë që nga vendi largohen një e pjesë e mirë e rinisë, lulja e këtij kombi, profesionistë të kualifikuar, inxhinierë, artistë, profesorë dhe shkencëtarë, dhe nuk dimë se çfarë bëhet me naftën tonë, ku shkojnë pasuritë e mëdha minerare të nëntokës dhe kush përfiton prej tyre?

Nuk ka nevojë të kërkojmë shembuj të tjerë. Shihni investimin “strategjik” me emrin atraktiv “Green Coast” në Palasë, që kryeministri ynë e mbështeti dhe e mundësoi. U besua dhe u tha se ai investim i stërmadh do të sillte turistë të huaj, do të krijonte vende pune për rininë dhe banorët e zonës dhe do të gjeneronte të ardhura. Një përrallë me turizëm e me turistë.

Asgjë nga këto nuk ndodhi. U ndërtua një resort përbindësh dhe i shëmtuar, në të cilin nuk shkel këmbë shqiptari, veç atyre që i kanë blerë ato mbi 500 vila e apartamente në atë resort. Kush u pasurua? Shqiptarët? Banorët e Bregut? Ata të Kukësit e të Shkodrës? A erdhën më shumë turistë të huaj në atë resort për të lënë paratë e tyre për ne, shqiptarët? Apo ishin e janë disa shqiptarë të pasur që i blenë ato vila dhe apartamente, duke e shndërruar atë pjesë të bukur të bregdetit e të rivierës së Jonit në pronë ekskluzive të tyre, ku unë dhe ju, të nderuar lexues, nuk shkelim dot. Unë jam kundër investimeve “strategjike” të tilla. Ato vetëm strategjike nuk janë.

Kryeministri u ofron shqiptarëve një pamje iluzore, një imazh të rremë, një fatamorganë. Mirëqenie ekonomike e një populli rritet nëse rritet për të gjithë. Dhe ajo, ashtu si të ardhurat kombëtare, rriten me punë, duke zhvilluar industrinë dhe duke modernizuar bujqësinë për të rritur rendimentet e saj. Jo thjesht që produktet tona bujqësore të ushqejnë turistët e huaj që e vizitojnë Shqipërinë një herë ose dy gjatë jetës së tyre, por që të ushqehen më mirë qytetarët shqiptarë që jetojnë në vendin e tyre, që modernizimi dhe rritja e rendimenteve në bujqësi t’i bëjë më të lira, jo më të shtrenjta çmimet e produkteve të saj dhe të rrisin eksportin e tyre.

E bukura në kokën e kryeministrit dhe në jetën e shqiptarëve

Kryeministri me të drejtë kërkon një Shqipëri të bukur dhe unë nuk e mohoj se në këto vite shumë gjëra kanë ndryshuar për mirë. Tirana dhe qytetet tona, në përgjithësi, janë bërë estetikisht më të bukura.

Por a janë përmirësuar kushtet e jetesës dhe gjendja e përgjithshme e popullsisë? A është përmirësuar arsimimi i fëmijëve dhe i të rinjve? A kemi sot mësues më të mirë? A janë sot më të sigurt fëmijët në rrugë, në lagje e në shkollë? A ka rënë numri i atyre që duan të emigrojnë? A e ka lehtësuar apo bërë më të vështirë blerjen e një apartamenti rritja e çmimeve në tregun imobilar? A është përmirësuar shërbimi mjekësor për qytetarin e thjeshtë? A jetojnë më mirë një çereku i popullsisë vendit që janë në pension?

E bukura! Kush nuk e do atë! Por të bukurën e duam jo thjesht si një kategori estetike, si një objekt apo ngjyrë që na pëlqen ta sodisim, por si një realitet jetësor, si një kusht të gjendjes sonë njerëzore, si një mënyrë e të qenit përkohësisht në këtë vend ku jetojmë, si një parim që frymëzon marrëdhënien tonë me hapësirën publike, me natyrën, me kulturën, me vetë kuptimin e jetës së përbashkët. E bukura në kokën e kryeministrit nuk është domosdo e bukur dhe e dobishme në jetën e qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi.

Një protestë jo për flamengot dhe breshkat

Unë mendoj, siç kam dëgjuar e dëgjoj edhe të tjerë të thonë se mendojnë njëlloj, se mbrojtja e mjedisit ndaj një megaprojekt ndërtimor në Zvërnec ishte vetëm shkëndija e domosdoshme që ndezi një indinjatë të thellë qytetare kundër arrogancës, mungesës së plotë të transparencës dhe praktikave të korruptuara të kësaj qeverie. Kryefjala e kësaj proteste nuk është Flamengoja, por korrupsioni shtetëror, përpos varfërisë, kostos së lartë të jetesës, papunësisë, migrimit masiv të rinisë, dinjitetit të nëpërkëmbur të qytetarit, veçanërisht moshës së tretë dhe të katërt.

Mbrojtja e mjedisit nuk është një kauzë e izoluar, as e vetmja në këto protesta. Protestat nuk bëhen thjesht për zogj e për breshka, as për një plazh të Vlorës. Zëri i ambientalistëve është pjesë e një polifonie zërash që kërkojnë ndryshime pozitive në jetën, mirëqenien dhe dinjitetin e qytetarëve. Ato bëhen për të kundërshtuar arrogancën e pashoq të kreut të qeverisë, mohimin ose mospërfilljen prej tij të problemeve reale që shqetësojnë qytetarët dhe fshatarët e këtij vendi.

Krizë legjitimiteti

Vendi gjendet në një situatë fermentimi politik e shoqëror me karakter revolucionar, çka dëshmon një krizë të thellë legjitimiteti të qeverisë që drejton ky kryeministër, i cili, pas largimit të Orbanit në Hungari, është kryeministri më jetëgjatë në detyrë në mbarë Europën.

Kjo krizë legjitimiteti mund të jetë imagjinare për kryeministrin, pasi ai vazhdon të besojë se të drejtën për të qeverisur ia kanë dhënë votat e 800 mijë shqiptarëve. Në fakt legjitimiteti i qeverisë së tij dhe i tij si kryeministër duket se kanë rënë. Kriza e sotme e legjitimitetit është reale dhe protestat dëshmojnë pikërisht këtë krizë.

Shumë nga ata 800 mijë qytetarë sot janë në bulevard e në sheshe dhe protestojnë kundër mënyrës së qeverisjes së z. Rama dhe korrupsionit sistemik. Legjitimiteti i një qeverie, thotë Weber, bie kur një pjesë e administratës dhe atyre që e kanë votuar atë qeveri kanë humbur besimin tek ajo dhe kthehen kundër saj.

Kryeministri duket se ka vënë një bast të vështirë me protestuesit. Në fakt, është një bast me realitetin ekonomik e shoqëror të vendit. Sado kokëfortë të jetë kryeministri, realiteti është më kokëfortë. Realiteti është objektiv; kokëfortësia e kryeministrit është subjektive. Nga përplasja mes tyre lind e thellohet kriza, sepse realiteti nuk mund të ndryshohet me propagandë. Nga përplasja e tyre rrëzohen iluzionet që kokëfortësia ka ndërtuar mbi atë realitet, sado vonë ta pranojë njeriu humbjen e vet.

Arroganca e pushteti

Gjithnjë arrogant, deri më sot kryeministri i vendit nuk e ka menduar dot fundin e tij. Tani, pavarësisht retorikës, mund të ketë kuptuar, edhe pse ndoshta ende nuk mund ta pranojë, se fundi i tij dhe i mënyrës së qeverisjes së tij, nuk është as i pamundur, as larg. Dhe sa më shumë i provokon qytetarët që protestojnë paqësisht, sidomos më të rinjtë (mbrëmë ishte në Apolloni krah për krah me kryetëkorruptuarën Balluku, të cilën e mbron), aq më shumë rritet indinjata e tyre dhe aq më të forta bëhen kërkesat e tyre për dorëheqjen e tij.

Kryeministri është i fortë. Ai është dinak dhe manipulator, thonë shumë njerëz. Ka edhe nga ata që mendojnë se, si edhe në raste të tjera, ai do të dalë nga kjo situatë pa u lagur, pa i hyrë gjemb në këmbë. Mund të ndodhë edhe kështu, por unë nuk besoj dhe as dëshiroj të ndodhë kështu.

Vendi ka nevojë për ndryshim. Jo për çdo lloj ndryshimi, sidomos jo për anarki dhe jo për drejtues si këta që kemi pasur e kemi deri më sot. Por për një qeverisje më të mirë e më përfaqësuese, që këto protesta kanë potencialin t’i mundësojnë nëse qytetarët—sidomos rinia e arsimuar—nuk i lëshojnë Bulevardin e Madh, sheshet dhe rrugët deri në dorëheqjen e qeverisë apo të çdo lloj zgjidhjeje që ata do të pranonin.

Nuk duam udhëheqës “të fortë”, i duam të mençur, të ndershëm e të drejtë

Kyeministri mund të ndihet vërtetë se është i fortë, i pathyeshëm. Ai, siç iu shpreh edhe vetë dje një gazetari të huaj, “bie në gjunjë vetëm para Giorgia Melonit”. Ai mund të besojë vërtetë se është një ndër ata liderë që lind një herë në 100 vjet dhe që shqiptarët nuk e kanë pasur qysh nga koha e Skënderbeut, ose e Ismail Qemalit. Mund të besojë edhe se një figurë gati mitike, që kërkon pavdekësinë, si Gilgameshi. Ky vetëbesim, ndoshta, e bën të bëjë “trimin”, “sypatremburin”, apo “garipin” përballë dhjetra mijëra qytetarëve që i kërkojnë dorëheqjen.

Forca e tij, sidoqoftë, është një iluzion. Iluzioni i çdo njeriu në pushtet që beson se populli e do, se ai është njeriu “i zgjedhur”, dhe i pasfidueshëm. Por historia na mëson se pushteti që ushqehet me iluzionin e forcës së pacenueshme e përjeton humbjen jo si një disfatë të zakonshme, por si një tragjedi. Në, Shqipërinë e dekadave të funidt, ky është rasti i Sali Berishës.

Jashtë Shqipërisë, Marcos në Filipine, më 1986, u rrëzua nga pushteti përmes revoltave të mëdha të popullit të vet, të njohura si “People Power Revolution”. Alberto Fujimori, në Peru,  u rrëzua nga pushteti në vitin 2000 pas një skandali të madh korrupsioni që tronditi regjimin e tij. A ju kujton diçka kjo histori në rastin Balluku? Hosni Mubarak në Egjipt, një mik i amerikanëve, u detyrua të japë dorëheqjen pas 18 ditësh protestash masive më 2011. Të tre këta, si dhe të tjerë, erdhën në pushtet përmes zgjedhjeve, por u shndërruar në autokratë pas zgjedhjeve. Mubarak mbeti në pushtet pa u zgjedhur në zgjedhje presidenciale konkurruese për plot një çerek shekulli. Ky është modeli që duam të krijojmë?

Unë mendoj se kjo është koha të reflektojmë seriozisht. Kryeministri nuk mund të fshihet e të mbrohet dot pas një retorike që sot bie në veshë të shurdhët mes qytetarëve. Korrupsioni dhe skandalit janë sheshit. Qytetarët kanë mbushur sheshet dhe rrugët.

Perëndimi dhe Lindja vështrojnë. Në dritën e diellit dhe në muzgun e mbrëmjeve të këtij fillimi qershori, e tërë bota sheh se çfarë po ndodh në këtë vend. Dhe ajo që shohin është më shumë sesa një protestë. Ajo që shohin është një lëvizje e gjerë qytetare, përmasat e së cilës po rriten vazhdimisht, tani edhe jashtë Tiranës e jashtë Shqipërisë—në Berlin e në Londër, në Frankfurt e Shtutgart, në Milano e Firence, në Torino e Bolonja, në Nju Jork e Toronto, në Kopenhagen dhe Oslo, në Madrid e Barcelonë. Si kurrë ndonjëherë më parë.

E tërë bota po flet për flamingot Sazanin e Zvërnecin. Në mbrojtje të tyre. Por edhe për Kushnerin dhe Ramën. Kundër tyre.

DITA

 

 

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • Bordi i Transparencës ndryshon sërish çmimet, ja sa do të shiten nafta e benzina
  • Basti i Kryeministrit. I humbur?
  • Do të zhvillohej më 12 qershor në Tiranë, shtyhet Ministeriali Ukrainë- Evropa Juglindore
  • Të shtëna me armë zjarri në një lokal në Shëngjin, një i plagosur
  • Rama reagon ndaj Iranit: Qeveria e ajatollahëve i është bashkuar zyrtarisht protestës

Komentet e Fundit

  1. nastradini on Zvërneci, Rama: Ka shumë gjysmë të vërteta që po bëhen gënjeshtra gjithnjë e më të mëdha
  2. tom on Letër e hapur për kryeministrin Edi Rama nga një socialiste: Pse ti dhe ne nuk jemi më një?
  3. TIRONA on Letër e hapur për kryeministrin Edi Rama nga një socialiste: Pse ti dhe ne nuk jemi më një?
  4. nastradini on Zvërneci, Rama: Ka shumë gjysmë të vërteta që po bëhen gënjeshtra gjithnjë e më të mëdha
  5. nastradini on Zvërneci, Rama: Ka shumë gjysmë të vërteta që po bëhen gënjeshtra gjithnjë e më të mëdha

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?