Në këtë pjesë të dytë të intervistës me profesor Tarifën, botuar në DITA, flitet për raportet me politikën dhe politikanët veçanërisht për zhvillimet e fundit, pas miratimit menjëherë pas zgjedhjeve të rritjes galopante të pagave të tyre.
“Testi moral dhe ai human i një qeverie është mënyra se si ajo shoqëri i trajton qytetarët më në nevojë të saj, të moshuarit, pra pensionistët, dhe më të varfrit, pra më të dobtit dhe më vulnerablit”, – thotë sociologu dhe diplomati i njohur.
Me profesor Tarifën bisedoi gazetari Xhevdet Shehu:
Prof. Tarifa, kam marrë këto ditë shumë telefonata dhe mesazhe urimi nga miq e dashamirës, miq të mi dhe miq tuajt, që ju përgëzojnë për pjesën e parë të kësaj interviste, botuar në gazetën DITA. I çmojmë pikëpamjet dhe qëndrimet tuaja dhe, veçanërisht, kurajën tuaj intelektuale e qytetare për t’u shprehur hapur kundër padrejtësive, edhe nëse këto padrejtësi bëhen nga partia për të cilën ju votoni, pra nga Partia Socialiste…
Më vjen mire nëse ajo intervistë është pëlqyer dhe të falënderoj që më jep përsëri mundësinë të shprehem në gazetën tuaj, e vetmja gazetë sot me te cilën gjej nje “lidhje gjaku”, apo një afinitet dhe solidaritet politik, kulturor e social.
Karriera e gjatë dhe arritjet tuaja të shumta e të vlerësuara brenda dhe jashtë vendit në fushën akademike dhe në diplomaci kanë bërë që të jeni një figurë e mjaft e spikatur në jetën publike të vendit dhe, pa dyshim, ndër miqtë tuaj keni edhe shumë që janë politikanë. Jam kurioz të di se si e shohim sot ata pozicionin tuaj dhe ç’qëndrim mbajnë ndaj jush?
Kjo është një pyetje për ata, jo për mua, i dashur Xhevdet. Është e vërtetë se kam miq që kanë qenë ose janë politikanë. Shumë prej tyre nuk do i quaja miq, por të njohur. Më të shumtët janë socialistë. Por kam njohur dhe njoh edhe politikanë “të djathtë”, çfarëdo që mund të kuptohet me këtë term, sepse “të djathtët” dhe “të majtët” në këtë vend janë, përgjithësisht, një dikotomi e pakuptimtë, së cilës i mungon çdo përmbajtje ontologjike.
Njëri prej tyre, fjala vjen, një mik i vjetër dhe i çmuar, ka qenë dhe mbetet Bamir Topi, ish presidenti i vendit. Dashamir Shehi është një tjetër, të cilin e respektoj për mprehtësinë dhe integritetin e tij.
Por, më të shumtët, siç thashë, janë ndër radhët e socialistëve. Mes tyre mund të përmend znj. Lindita Nikolla, kryetaren e kuvendit, deputetët socialistë Luljeta Bozo, Fatmir Xhafa, Erjon Braçe, Laert Duraj, Ditmir Bushati e ndonjë tjetër. Këta individë që përmenda janë treguar gjithnjë dashamirës dhe unë e kam ndjerë vazhdimisht respektin dhe vlerësimin e tyre.
Më të shumtit e deputetëve socialistë nuk i njoh dhe nuk e di nëse janë vërtet të tillë, pra socialistë. Edhe nëse thonë se janë (dhe në atë parlament janë ulur si socialistë), nuk e di se çfarë i bën një pjesë të tyre të ndihen dhe të jenë socialistë.
Sepse karrikja e deputetit nuk të bën as demokrat, as socialist—dhe, për këtë arsye, nëse nuk je një demokrat ose një socialist i vërtetë, nuk mund të pritet as të gjykosh, as të sillesh ashtu siç nuk je.
Në radhët e politikanëve socialistë dhe, sidomos, në radhët e deputetëve të PS-së dhe të anëtarëve të kabinetit qeveritar që drejton vendin, ka shumë prej tyre që nuk më është dhënë rasti t’i njoh. Jo vetëm ndër ata që janë shumë më të rinj në moshë, por edhe ndër ata që janë pranë ose mbi të pesëdhjetat. Fatmirësisht, nuk i kam pasur miq—dhe as i kam njohur—politikanë apo deputetë socialistë, ose “të majtë”, si Saimir Tahiri, Arben Ahmetaj, Alqi Bllako apo Lefter Koka. Me ta nuk më ka lidhur asnjëherë asgjë.
Unë nuk i njoh—dhe nga sa i kam dëgjuar të shprehen, nuk i vlerësoj—disa prej anëtarëve të kabinetit qeveritar që drejton z. Rama aktualisht, si Bora Buzhaqi, Edona Bilali apo ndonjë tjetër. Por individë si ato janë zgjedhja e tij. Ato punojnë për kryeministrin. Si një qytetar i këtij vendi, mua më intereson të di se si ato dhe anëtarët e tjerë të kabinetit qeveritar punojnë për popullin.
Unë nuk i njoh—dhe s’kam se si t’i njoh—shumicën e anëtarëve të kuvendit. Por, kur i dëgjoj të flasin në kuvend, shumë prej tyre më habisin—dhe më indinjojnë—me paditurinë dhe me vokabularin e tyre cliché e shumë të varfër.
Si socialist, unë nuk identifikohem me shumicën prej tyre dhe, në fakt, nuk e di se çfarë i lidh njerëz të tillë, me partinë socialiste: idetë, bindjet, tradita familjare, interesat, dëshira për karrierë politike, shpresa për t’u bërë zengjinë përmes politikës?
Por, që t’i kthehem pyetjes suaj: si e shohin politikanët e majtë shqiptarë pozicionin tim dhe ç’qëndrim mbajnë ndaj meje? E di çfarë, miku im? Nëse do më shqetësonte opinioni i tyre, nuk do të isha ky që jam, por një komformist, një intelektual mendjendrydhur dhe gojëmbyllur, një reptil politik, që zvarritet pas njerëzve me para dhe me pushtet. Ky njeri as kam qenë, as jam dhe as mund të bëhem.
Këtë e di dhe e çmon kushdo që ju ka njohur dhe ju njeh. Por, fjala vjen, me qëndrimet tuaja konsekuente kohët e fundit, duke kundërshtuar rritjen nga vetë deputetët të pagave të tyre dhe të ministrave, ju pa dyshim keni shkaktuar zemërim dhe mëri te mjaft prej tyre, sepse jeni shprehur publikisht kundër interesave ekonomike të tyre. Ç’mund të kenë menduar, fjala vjen, kryeministri Rama, zonja Nikolla, miqtë juaj socialistë në kuvend—Bozo, Xhafa, Braçe, Duraj, Bushati e ndonjë tjetër? Po ata që nuk i njihni personalisht?
Shumicës së deputetëve, sigurisht, nuk u ka ardhur mirë që kundërshtimin tim për veprimin e tyre egoist, të pamoralshëm e të dënueshëm e bëra publik përmes gazetës suaj në një “letër të hapur” për ta. Të gjithë ata i duan paratë. Kush nuk i do. Çështja është sa dhe në kurriz të kujt?
Nëse pagat e deputetëve dhe të ministrave do të jenë këtej e tutje shumë herë më të mëdha sesa paga mesatare e vendit dhe nëse ato para, që dalin nga buxheti i shtetit, rëndojnë mbi shpinën e qytetarëve taksapagues, pjesa më e madhe e të cilëve jetojnë me të ardhura shumë të pakta, të pamjaftueshme, atëherë çështja merr një dimension moral. Dhe këtu bëhet fjalë për një veprim të pamoralshëm.
Me veprimin e tyre, deputetët tanë i kanë thënë popullit, pensionistëve të varfër dhe shtresave në nevojë, as më pak, as më shumë se sa kështu: “Ne nuk pyesim për hallet tuaja. Ne kemi hallet tona dhe dyfishuam pagat tona, pasi pagat që merrnim nuk na mjaftonin. Ishin të vogla për atë çka ne përfaqësojmë (si “përfaqësuesit” tuaj) dhe për punën që bëjmë (si “shërbëtorët” tuaj). Ju duhet të përpiqeni t’i zgjidhni vetë hallet tuaja.
Në fund të fundit, ju jeni demosi, zoti i vërtetë këtij vendi, burimi i pushtetit që ju e keni në dorë ndërsa ne vetëm e përfaqësojmë dhe e ushtrojmë”.
Mos vallë këta deputetë kanë pritur që populli t’u thotë: “Si të dëshironi ju, zonja e zotërinj. Ju e dini se ç’duhet bërë, prandaj edhe ju kemi votuar. Ju të jeni mirë, juve të mos u mungojë asgjë, sepse keni nevoja dhe përgjegjësi të mëdha për të na përfaqësuar ne, popullin e varfër, sa më mirë, Ne jemi mësuar të jetojme në varfëri, do bëjmë si do bëjmë edhe këtej e tutje”.
I ndjeri profesor i ekonomisë Deko Rusi, kur ishte sekretar i komitetit të Partisë së Punës në Universitetin e Tiranës, në vitet 1970, u thoshte me humor punëtorëve të atij universiteti, që kërkonin një atorizim për të blerë një televizor, një frigorifer apo një lavatriçe për familjet e tyre: “Ç’ju duhen juve, puntorëve, televizorët, frigoriferët dhe lavatriçet? Lerini t’i marrin ato profesorët. Ata s’kanë në këtë vend asgjë tjetër, ndërsa ju, ju keni tërë pushtetin”.
Më thuaj, Xhevdet, a mund të qëndrosh i heshtur para kësaj padrejtësie! Ju thoni ç’mund të ketë menduar Edi Rama pas reagimeve të mia? Pse duhet të më preokupojë kjo gjë? Kur ka shprehur ndonjëherë interes kryeministri Rama për mendimet e të tjerëve? Anketat e tij? Një mashtrim i madh. Nga maja e Olimpit, ku qëndron i patrazuar, ai vetëm bën sehir. A nuk e ka quajtur Ramën njëra prej ministreve të tij “Zeus”? (duke shtuar: “akoma jo, por do të bëhet”).
Përse duhet ta vrasë mendjen kryeministri se ç’mendojnë dhe ç’thonë të tjerët? Ai vetë i di të gjitha. Ç’vlerë kanë sentimentet dhe mendimet e të tjerëve? Po njohuritë e tyre? A nuk është ai vetë më i dituri nga të gjithë? Më i talentuari dhe më i zoti nga të gjithë, më i forti nga të gjithë, më i gjati nga të gjithë dhe, qoftë edhe vetëm për këtë arsye të fundit, më largpamësi nga të gjithë.
Legjenda thotë se zoti i bëri hollandezët më të gjatë sesa popujt e tjerë, në mënyrë që, duke jetuar në një vend pa male, madje në pjesën më të madhe nën nivelit e detit, ata të mund ta dallonin armikun (gjerman) nga një distancë e largët dhe të përgatiteshin për t’u mbrojtur prej tij.
Dhe znj. Nikolla? Ç’mund të thoni për të? Ju keni një marrëdhënie shumë të mirë me të. A duhet mbajtur përgjegjëse ajo, si kryetare e kuvendit, që i përket mazhorancës, për miratimin ligjit që rriti pagat e deputetëve dhe të ministrave?
Unë ruaj një respekt të veçantë për znj. Nikolla qysh nga koha kur, dhjetë vite më parë, e kam njohur si ministre e arsimit. Jam i sigurt se ajo më kupton—ndoshta edhe më jep të drejtë—por, si kushdo tjetër në kryesinë e partisë së z. Rama, edhe ajo është e detyruar të shkojë pas liderit të saj. Të tjerët që ju përmendi, gjithashtu, me nja dy përjashtime, që kanë votuar kundër rritjes së pagave të tyre si deputetë në këtë legjislaturë.
Për ata deputetë socialistë që as i njoh, as më njohin, nuk kam ç’të them. Ata i kam cilësuar si ushtarë të regjimentuar të kryetarit të partisë dhe do të ishte një “çudi për t’u çuditur”, nëse i huazoj këto fjalë nga Shekspiri, nëse dikush prej tyre do të ngrinte zërin, ose kartonin kundër vullnetit të Zeusit, pa pasur frikë prej rrufeve të tij.
A mendoni se shumë prej deputetëve socialistë që njihni mundet edhe të mos ju përshëndesin kur të shiheni në këtë qytet?
Nuk e besoj se do të shkojnë deri këtu. Mundet të mos ma harrojnë qëndrimin kritik dhe kundërshtues që kam mbajtur ndaj interesave të tyre, por jo, nuk besoj se do më mbajnë mëri. Por, nëse veprojnë siç thoni ju, provojnë pikërisht atë që unë kam thënë për ta. Në fund të fundit, kushdo është i lirë të veprojë siç dëshiron dhe është përgjegjës për veprimet e veta. Ata për të tyret, ju për veprimet tuaja dhe unë për të miat.
Më shumë nuk mund të them, por di këtë: nëse ndodh—dhe sigurisht do të ndodhë—që disa prej tyre dhe unë të shihemi ballë për ballë, kokëulur do të jenë ata, jo unë.
Vërtet besoni se do ta ndiejnë ndonjëherë peshën e veprimit të gabuar që kanë kryer?
Intuitivisht, po. Disa prej tyre, të cilët i njoh më mirë. Për shumicën, interesi i tyre personal është shumë më ngulmonjës dhe më i fortë sesa interesi publik, e mira publike dhe mirëqenia për të gjithë. Këta të fundit janë nën dinjitetin tim dhe nën dinjitetin e popullit tim, para të cilit do të duhet të shpjegohen dhe të japin llogari përse vendosën t’i dyfishojnë pagat e tyre, duke shpërfilluar në mënyrë poshtëruese qindra mijë pensionistë dhe njerëzit më të varfër të këtij vendi.
Sot, këto mund të duken thjesht fjalë. Por unë besoj se polarizimi më i madh ekonomik i shoqërisë shqiptare do të ketë reperkusione politike, në radhë të parë për Partinë Socialiste. Por, deri atëherë dhe me pensionet e majme që do të marrin më vonë, deputetët dhe qeveritarët e sotëm do ia kenë arritur qëllimit që të sigurojnë një mirëqenie shumë herë më të lartë sese pjesa dërrmuese e popullsisë për sot dhe për nesër, kur të mos jenë më në politike.
Fjalët tuaja përcjellin shumë zhgënjim prej ngjarjeve të fundit dhe ligjit që votuan deputetët socialistë, apo s’është kështu, profesor…
Unë jam vetëm një prej mijra të zhgënjyerve nga qeverisja e socialistëve të z. Rama. Dhe këtë e them pa drojtje. Si sociolog, unë nuk e mas zhvillimin e një shoqërie dhe shkallën e mirëqenies së popullsisë së një vendi me pagën mesatare, siç bën kryeminitri ynë, por me shkallën e barazisë sociale, me çka kuptoj jo thjesht të drejta dhe liri politike të barabarta për të gjithë qytetarët, por edhe mundësi dhe akses të barabartë në resurset publike, në të mirat publike dhe shërbimet sociale, me fjalë të tjera, drejtësi sociale dhe ekonomike. Njëra pa tjetrën nuk mund të ekzistojnë.
Rritja shpërpjestimore e pagave për kategori të caktuata të popullsisë—si deputetët dhe ministrat (pa rritur njëherësh, ose më parë pagën minimale, pagat më të ulta dhe pensionet), rrit nivelin mesatar të pagës në një vend, por nuk i përmirëson mjetet dhe kushtet e jetesës për pjesën më të madhe dhe, sidomos për shtresat më në nevoje të popullsisë së atij vendi.
Këtë e kupton edhe një mace që nuk merr vesh nga matematika, do të thoshte Gëte. Testi moral dhe ai human i një qeverie është mënyra se si ajo shoqëri i trajton qytetarët më në nevojë të saj, të moshuarit, pra pensionistët, dhe më të varfrit, pra më të dobtit dhe më vulnerablit.
Jam plotësisht dakord me ju dhe nuk do i hiqja një presje kësaj që thatë. Por, nuk thatë një fjalë për Taulant Ballën, kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, e cili duhet të ketë luajtur një rol të rëndësishëm në orkestrimin e votave të deputetëve socialistë me këtë rast. E harruat apo…”
Shpresoja të mos ma bëje një pyetje si kjo për të mos e ulur nivelin e bisedës. Ç’mund të ketë në dorë Taulant Balla si kreu i mazhorancës në parliament, kur kreu i vërtetë, kreu i vetëm dhe fuqiplotë jo vetëm i qeverisë, por edhe i mazhorancës parlamentare në këtë republikë kryeministrore është kryeministri Rama. Balla, njëlloj si shumica e deputetëve tanë, s’është veçse një doulos që i shërben besnikërisht eprorit të tij.
Pra, ç’mund të them për të? Pavarërisht karrierës së gjatë në PS dhe në kuvend, Balla nuk gëzon aspak respektin tim. Kur e kam njohur, rreth 20 vite më parë, më ka lënë përshtypjen e një servili në politikë por, kur kam mësuar (dhe kam parë të dokumentuar) se doktoratura e tij është plagjiarizëm, figura e tij është zvetnuar krejtësisht. Ai vetë kurrë nuk u prononcua për ta përgënjeshtruar akuzën publike dhe provat për plagjiarizëm ndaj tij. Kjo, për mua, si qytetar dhe si një eksponent i botës akademike, mjafton për të mos i kushtuar asnjë rëndësi figurës së tij.
Besoj se me këto fjalë e shova kureshtjen tuaj. Ah, edhe diçka e fundit, meqë më pyetët. E keni vënë re se sa komik bëhet ky njeri kur merr pozat e një lideri të madh ndërsa flet para gazetarëve?
Profesor, ta lëmë këtë subjekt. Me siguri do të kemi rast të bisedojmë sërish mbi tema të ngjashme. Më shuani, tani, ju lutem, një kuriozitet intelektual. Energjitë tuaja krijuese duken të pashterrshme. Unë nuk njoh një tjetër intelektual si ju, që të krijojë kaq shumë dhe me këtë cilësi. Ju shkruani çdo ditë. Keni botuar deri më sot rreth 60 libra. Ju shohim në televizion (edhe pse do të donim t’ju shihnim më shpesh). Polemizoni në shtyp. Vetëm gjatë këtyre tre muajve të fundit keni botuar dy vëllime: Për të mirën publike dhe librin tuaj të jetës, memuarin diplomatik Afrimi i Madh. Jam i sigurt se edhe sot që bëjmë këtë bisedë ju keni në dorë një libër të ri, apo jo. Mundet tu thoni lexuesve çfarë duhet të presë nga ju këtë vit apo vitin e ardhshëm?
Nuk e di pse njerëzve që krijojnë gjithnjë u pelqen t’i pyesin se cila është vepra që kanë në dorë, ose botimi i radhës. Ose, ndoshta, edhe jo, mund të jem i gabuar. Marrëdhënia ime me shtypin—këto dhjetë vitet e fundit kryesisht me gazetën DITA, ndërsa më parë me gazetat MAPO, me Gazetën Shqiptare dhe me revistën JAVA—janë krijuar dhe ruajtur si pjesë e marrëdhënieve dhe angazhimeve të mia qytetare dhe akademike me realitetin shqiptar dhe atë ndërkombëtar.
Në televizion jam shfaqur rrallë, pasi nuk kam dashur dhe nuk dua të “konsumohem” në studio dhe për biseda që s’kanë të bëjnë me fushat e mia të ekspertizës. Ndryshe nga ata “opinionistë”, që nuk e di se kush, me një saktësi whip-smart, siç do të thonin anglezët, i ka quajtur “gjithologë”, unë kam refuzuar dhe refuzoj të flas për subjekte mbi të cilat nuk jam i mirinformuar, ose kam pak njohuri. Të mos flasësh për gjëra që nuk i di, nuk është padituri, por urtësi, apo s’është kështu. Për mua, urtësi do të thotë të flasësh vetëm atëherë kur ke diçka për të thënë dhe jo sepse do të thuash patjetër diçka.
Sa i përket planeve krijuese, ato janë disa: Botimi i vëllimit të pestë, titulluar Pro tanto, të një kolane vëllimesh polemikë—pas vëllimeve Bona fide (2014), Sapere aude (2016), Carpe diem (2018) dhe Scripta manent (2020). Përfundimi i një studimi sociologjik titulluar Erosi dhe demokracia. Një vëllim argëtues, në trajtën e një përsihatjeje sociologjike, që mendoj ta titulloj Humori si ekologji sociale e gjirokastritëve dhe në të cilin përpiqem të shpjegoj pse thuen kaq shumë anekdota për gjirokastritët dhe pse argëtohemi kur i dëgjojmë dhe i themi ato ☺. Këta libra shpresoj t’i përfundoj dhe botoj brenda dy viteve të ardhshëm.
Para tyre mendoj se do të botoj një vëllim që e kam shumë për zemër dhe që e kam titulluar Ditar i ndjenjave dhe mendimeve (A Diary of Feelings and Thoughts). Ky vëllim (në shqip dhe anglisht) përmban, në rend kronologjik, përsihatje dhe ndjesi të këtyre gjashtë ose shtatë viteve të fundit, gjithçka që e ka vënë në punë mendjen dhe shpirtin tim, për mirë a për keq—nga Aristofani dhe Epikuri te Bertrand Russell te Wilhelm Reich te Moikom Zeqo te Leondard Cohen te Donald Trump te Edi Rama te babai im dhe deri te Heru dhe Olivia Sofia, nipi dhe mbesa ime e shtrenjtë. Shpresoj që këtë vëllim ta botoj brenda këtij viti. Këto që përmendja janë projekte në proces e sipër. Planet e tjera janë ende plane.
—–
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.