Nga Fatos Tarifa
- Publicitet -
Botuar në DITA
Kemi 32 vite që japim e marrim ta transformojmë këtë vend dhe këtë shoqëri. Plot një e treta e një shekulli. Arritjet e derisotme—që s’mund të mohohen—janë të shumta, por këto kompromentohen rëndë nga një klasë politike protodemokratike, e korruptuar dhe nga një sistem politik që vetëm në formë mund të quhet demokratik, por që realisht nuk funksionon si i tillë.
Berisha, një opozitë 200 metra dhe protesta e fundit e saj
Ky njeri, Berisha, është shkaku kryesor, figura politike më negative, më problematike, të cilën, edhe pas 32 vitesh e kemi nëpër këmbë si një ferrë gjëmbaçe që pengon ecjen përpara të një vendi dhe të një populli që duan të ngrihen përtej horizontit të ngushtë të së kaluarës dhe t’i bashkohen familjes europiane.
Pardje Berisha bëri një tjetër “protestë”. Me atë protestë ai tha (jo për të parën herë) se nisi një “revolucion paqësor”, i frymëzuar nga Mahatma Gandhi, për të përmbysur një qeveri socialiste në mandatin e saj të tretë (Ghandhi udhëhoqi një lëvizje për pavarësinë e Indisë nga sundimi kolonial britanik).
Këtë “revolucion” Berisha e ka nisur dhe rinisuar disa herë kohët e fundit, por ka humbur gjithnjë e më shumë “revolucionarë” nga ata që i besojnë dhe i shkojnë pas. Këtë herë, qytetarët që protestuan në bulevardin para kryeministrisë ishin më të paktët që kemi parë të protestojnë me të—dhe për të—kohët e fundit. Këtë herë opozita ishte 200 metra bulevard. Disa thonë 10,000 vetë, por mund të ishin edhe më pak se kaq.
Çfarë ndodhi ditën e shtunë nuk ishte as protestë, as demonstratë dhe aq më pak preludi i një “revolucioni paqësor”. Foli Berisha, foli Meta, folën edhe gjashtë a shtatë të tjerë. Nuk thanë asgjë që s’e kanë thënë më parë, asgjë që t’u ngjante thirrjeve për revolucion (veç refrenit shumëvjeçar “Rama ik!”), asgjë që qytetarët të kuptojnë se ç’farë premtojnë Berisha e Meta që nuk e kanë premtuar më parë por kanë dështuar ta realizojnë, asgjë që do të mund t’u ngjallte shpresë dhe do i frymëzonte e mobilizonte ata për të sjellë ndryshime pozitive në shoqëri.
Çdo fjalë që ata thanë kishte aromën dhe peshën e gënjeshtrës. Thirrjet që u bënë ishin bajate, shumë bajate. Bajate deri në bezdi, madje edhe kur dolën nga goja e një studenteje që podiumin e asaj proteste e mori si një skenë për të lexuar prozën poetike të saj. Kjo bezdi u vu re në mungesën thuajse të plotë të entuziazmit te njerëzit që kishin dalë të protestonin atë ditë.

Ku ishe? Hiçgjëkundi!
Ah, jo. Pas asaj “proteste”, Berisha, këtë herë pa Metën, mori rrugët e Tiranës. U soll si ai në lëmë. Bëri një shëtitje krejt të pakuptimtë rreth e qark qendrës së kryeqytetit: nga bulevardi Dëshmorët e Kombit, te Akademia e Shkencave, te sheshi pas ministrisë së brendshme, te hyrja e bashkisë së Tiranës dhe, më në fund, te Banka e Shqipërisë, prej nga iu drejtua me disa fjalë të përçarta mureve dhe dritareve të selisë të Partisë Socialiste.
Mesazhi i Berishës nga trotuari përballë selisë së PS-së nuk ishte për qytetarët protestues, as për “popullin demokrat”, por për ata që ai i cilësoi “të dashur socialistë të ndershëm”. Berisha e nisi përçartjen e tij me këto fjalë: “O shokë socialistë!”!!! Një thirrje kjo që psikanalistët do e shpjegonin si një element të pavetdijshëm në ndërgjegjen dhe kujtesën e Berishës për të shkuarën e tij komuniste, nga e cila ai nuk u nda kurrë—dhe nuk do të mund të ndahet kurrë.
Sa groteske e gjitha kjo!
Me pak fjalë, “protesta” e fundit e Berishës (ajo nuk qe aspak një protestë e opozitës shqiptare dhe aq më pak një protestë e “popullit opozitar”) nuk ishte as masive, as imagjinative, as efektive, as frymëzuese. Ajo thjesht u bë, ndodhi. Por nuk prodhoi asgjë. As ndryshim, as shpresë.
Çfarë nuk di opozita që unë e di
Ka kohë që Berisha dhe ata eksponentë të PD-së që i shkojnë pas (shumë prej tyre mezi presin fundin e tij për hesap të karrierës së tyre) përpiqen ta rrëzojnë Ramën. Por nuk kanë mundur dhe duket se nuk do të munden dot t’ia arrijnë këtij qëllimi me ato mënyra që dinë dhe me ato mjete që përdorin.
Ka një mënyrë për ta bërë kryeministrin aktual të dorëhiqet, por opozita këtë nuk e di. Unë e di, por nuk dëshiroj t’ua them pasi, edhe pse ka kohë që nuk më pelqen mënyra se si e drejton sot qeverinë e këtij vendi Edi Rama, nuk do të doja që të shihja nesër një qeveri të drejtuar nga kjo opozitë që kemi sot. Një opozitë që nuk di të sillet si opozitë, nuk premton se do të dijë të sillet më mirë nëse merr në dorë drejtimin e qeverisë.
Partitë si pronë private e kryetarëve
Një lider opozitar që partinë e tij e konsideron si të ishte prona e vet, do ta shohë edhe qeverinë, nëse fiton në zgjedhje, si pronën e vet dhe do të sillet me të si të ishte prona e vet.
Kësaj sindrome nuk i shpëtoi dot as Edi Rama. Që kur mori në dorë drejtimin e Partisë Socialiste 17 vite e gjysmë më parë Rama e ka trajtuar këtë parti, që është partia politike më e madhe në Shqipëri dhe që në këto 32 vite e ka drejtuar këtë vend për pjesën më të madhe të kohës, si të ishte prona e vet, jo prona atyre mbi 100 mijë socialistëve shqiptarë dhe e atyre qindra mijëra qytetarëve që kanë votuar dhe votojnë për të.
Ashtu si Berisha me Partinë Demokratike, Rama ka bërë me Partinë Socialiste çfarë ka dashur dhe si ka dashur ai vetë. Partia—pronë e kryetarit të saj! Partia—kryetar! (Majakovski: Kur themi Partia, nënkuptojmë Lenini; kur themi Lenini nënkuptojmë Partia). Ky mentalitet bolshevik dhe kjo praktikë politike kanë qenë dhe mbeten ndër patologjitë më rënda të tranzicionit demokratik në Shqipëri.
PD e Berishës! PS e Ramës! PL (LSI e djeshme) e Metës! PR e Mediut! Disa kryetarë partish madje edhe i kanë shitur partitë e tyre si t’i kishin, në kuptimin më real të fjalës, mallin e vet, çifligun e vet (dhe të tjerë i kanë blerë). Kanë shitur jo thjesht logon, vulën dhe historinë e partisë, por anëtarësinë e saj, pra kanë “shitur” qytetarët që u kishin besuar drejtimin e partisë së tyre.
Partitë, si mall në tregun politik, kryetarët e tyre i mbajnë për sa kohë përfitojnë prej tyre dhe mund t’i shesin, ose t’i japin hua (këtë bëri Berisha me Bashën më 2013) kur në këtë mënyrë fitimi është më i madh.
Përvoja e këtyre tri dekadave ka dëshmuar se kryetarët e partive politike nuk mendojnë për partitë që drejtojnë dhe për shërbimet e tyre në të mirë të interesit publik, të demokracisë dhe të interesit kombëtar, por kryesisht për interesat e tyre.
Për këtë arsye edhe nuk i duan, i largojnë ata individë që mendojnë ndryshe, ose që i shohim si rivalë të mundshëm dhe si rrezik për ta. Në asnje rast nuk kemi parë që ata të mbështesin e të inkurajojnë liderë të rinj.
Opozita si pasqyrë për qeverinë
Për fatin e keq të saj por, në radhë të parë, për fatin e keq të të gjithëve ne, qytetarëve të këtj vendi, kjo opozitë e drejtuar nga Berisha dhe Meta, dy figura të djegura të së shkuarës, po e ndihmon një qeverisjeje jo të mirë të Partisë Socialiste. Në çdo vend demokratik, cilësia e qeverisjes përcaktohet në një masë të madhe edhe nga cilësia e partive opozitare dhe qëndrimet e tyre.
Kjo opozitë, përveçse nuk i ka dhënë e nuk i jep vetes mundësi për të zgjeruar elektoratin e saj dhe për të marrë në dorë, përmes zgjedhjeve periodike, drejtimin e vendit, ia ka bërë shumë më të lehtë kryeministrit Rama të qeverisë siç ka dashur ai, pa u penguar dhe pa u rrezikuar nga kritikat e opozitës, pa pyetur për interesat e qytetarëve, pa dëgjuar sugjerimet e ekspertëve, madje edhe duke e nëpërkëmbur kabinetin e tij qeveritar.
Kur Rama fitoi zgjedhjet parlamentare në vitin 2013 premtimi i parë që u bëri qytetarëve ishte se do të qeveriste me ekip, pra me të gjithë anëtarët e kabinetit të tij. Ajo që kanë dëshmuar më qartë se çdo gjë tjetër këto dhjetë vite të qeverisjes së tij është fakti se ai ka qeverisur i vetëm.
Unë do të veçoja një a dy prej anëtarëve të kabinetit të tij, sidomos znj. Manastirliu, për punën e tyre shumë të mirë në dikasteret që kanë drejtuar, por pjesa më e madhe e anëtarëve në të tre kabinetet e z.Rama kanë qenë thjesht përcjellës dhe zbatues të urdhërave të tij, pa pasur ata vetë ekspertizën e duhur, pa bërë sugjerime që do të përmirësonin vendimmarrjen dhe punën e qeverisë, pa guxuar të shprehnin një mendim të ndryshëm nga ai i kryeministrit, kur shihnin se punët nuk shkonin mirë në sektorët e tyre dhe rrallë herë ka ndodhur që ndonjëra ose ndonjëri prej tyre të dorëhiqet me dëshirën e vet.
Personalizimi i qeverisjes
Rama sot, ashtu si Berisha dje, e ka personalizuar qeverisjen. Ai vërtet ka një kabinet qeveritar që punon për të, por në shumë raste është ai që bën edhe ministrin e jashtëm, edhe ministrin e kulturës, edhe atë të turizmit, edhe atë të arsimit, edhe atë të bujqësisë, edhe atë të energjisë; me një fjalë, bën siç di vetë dhe vendos siç do vetë për çdo gjë
Ekipi apo skuadra qeverisëse ka mbetur thjesht një metaforë. Qeverisja e tij është, në fakt, qeverisje e një personi të vetëm, ose një administrim personal i punëve të qeverisë. L’état, c’est moi, thoshte Luigji XIV; për Ramën, ai dhe vetëm ai është qeveria. Kjo është arsyeja që disa kohë më parë jam shprehur se një qeverisje e tillë rrezikon krijimin e një “despotizmi kryeministror”.
Pikërisht sot, kur botoj këto shënime në Dita, kjo gazetë organizon promovimin e librit tim Për të mirën publike. Është një vëllim, në të cilin janë përmbledhur një sërë letrash të hapura dërguar katër vitet e fundit kryeministrit Rama dhe disa prej anëtarëve efemerë të kabinetit të tij, që sot s’dihet ku janë dhe me se merren.
Në to, nga të njëjtat pozita të një intelektuali të angazhuar që më motivojnë të shkruaj edhe këto radhë, kam kritikuar pikërisht disa prej qëndrimeve dhe praktikave qeverisëse të kryeministrit, si dhe qëndrimet narcisiste e arrogante të tij për shumë çështje, që e kanë dëmtuar imazhin e tij publik dhe punën e qeverisë.
Një këshillë miqësore për z. Rama
Unë, si shumë intelektualë të tjerë që njoh – edhe ata të majtë si unë – me të cilët diskutojmë shpesh për çështje të politikës, do ta këshilloja z. Rama të mendonte e të përgatitej jo për mandatin e tij të katërt si kryeministër (edhe pse do të doja që Shqipëria të vazhdonte të qeverisej nga socialistët), por për largimin e tij nga posti i kreut të qeverisë.
Jo sepse këtë ia kërkon opozita, e cila, e paaftë që t’i mundë socialistët në zgjedhje, ka kohë që, i thotë Ramës “ik”, por për të mirën e qeverisjes së këtij vendi, për të mirën e rinisë së tij.
Edhe pse Rama nuk është Berisha apo Meta, madje as që mund të krahasohet me ta për nga qytetaria, intelekti dhe aftësitë pasi qëndron shumë më lartë se ata, ai, gjithashtu, është i konsumuar politikisht dhe në sytë e një pjese të madhe të publikut.
Afro një çerek shekulli në pozita drejtuese shtetërore në nivel qendror dhe lokal, mbi 17 vite në krye të partisë politike më të madhe të vendit dhe një dekadë në krye të qeverisë të konsumojnë, të korruptojnë ose të bëjnë miop ndaj korrupsionit në qeverinë që ti drejton dhe, sado i fortë të dukesh, të dobësojnë, të zvogëlojnë e të zhvlerësojnë.
Vetë Rama ndoshta nuk arrin ta kuptojë këtë, ose nuk do që ta besojë. Sidoqoftë, skandalet për të cilat flitet gjerësisht në media e në publik e implikojnë z. Rama në një mënyrë që asnjë rrethanë nuk e justifikon dot. Çdo kryeministër i një vendi demokratik do të kishte pranuar përgjegjësinë e vet dhe do të kishte lënë detyrën. Rama nuk ka arsye të hezitojë të japë dorëheqjen nëse nuk i trembet të qënit pa pushtet.
Për më tepër, ai nuk pse të merakoset shumë për të ardhmen e Partisë Socialiste pa të në krye të saj. Nëse deri më sot nuk kemi parë asnjë socialist, përveç Erion Veliajt, që do të jepte shpresë për ta çuar përpara këtë parti dhe do ta mbante në pushtet, kjo ka ndodhur për shkak se Rama vetë nuk ka dashur dhe nuk ka lejuar askënd të matej me të. Kjo, sidoqoftë, nuk mund të vazhdojë kështu edhe më gjatë.
Frika e kryetarëve të partive
Fatet e Berishës dhe të Metës janë tashmë të përcaktuara e të ditura. Pjesa dërrmuese e shqiptarëve nuk i duan ata; një pjesë e madhe nuk duan as t’ua dëgjojnë emrat dhe as t’ua shohim fytyrat. Edhe ata vetë e dinë këtë, por nuk duan ta pranojnë që fundi i bëmave të tyre “heroike” të ishte i tillë, i deheroizuar, ose edhe më keq. E vërteta i tremb. Ata qëndrojnë në politkë dhe në krye të partive “të tyre” nga frika, pa pasur asgjë të re që të mund t’i ofronin këtij populli dhe këtij vendi veç destabilitetit.
Por unë mendoj se edhe Rama qëndron në politikë – dhe nëse nuk do të ishte i detyruar, nuk do të hiqte dorë nga drejtimi i PS-së, edhe nëse eventualisht do të humbiste në zgjedhje) jo sepse mund të bëjë më shumë për këtë popull dhe për këtë vend, por sepse ka frikë. Politika për këta kryetarë partish është një lloj mburoje, ose të paktën kështu besojnë ata.
Nuk janë pasioni apo idealizmi që i mbajnë Berishën (fatkeqësisht edhe Ramën), Metën apo Mediun në krye të partive “të tyre”, por është frika – frika nga pasojat e sigurta ose të mundshme për gabimet që kanë bërë, shumë herë duke shkelur ligjet, ose për gjërat që nuk kanë bërë mirë.
Dhe një politikë që motivohet nga frika e jo nga vizioni, nga ndershmëria, nga dobia publike dhe nga interesi kombëtar nuk mund të sjellë ato ndryshime pozitive që qytetarët i aspirojnë dhe i kërkojnë.
Thelbi i krizës
Nëse shoqëria shqiptare sot është në krizë, kriza e saj nuk është kryesisht ekonomike, por një krizë morale, madje një krizë morale e thellë, që shprehet si një krizë besimi.
Nëse demokracia në këtë vend është në krizë, kriza e saj është jo një krizë parimesh apo institucionesh, por një krizë lidershipi. Ajo ka qenë një krizë lidershipi qysh nga fillimi i tranzicionit tonë demokratik. Një krizë lidershipi në të gjitha nivelet.
Mbajeni parasysh këtë sa herë shkojmë në zgjedhje. Njerëzit që zgjedhim janë ata nga të cilët varen cilësia dhe efektiviteti i institucioneve demokratike, fatet tona dhe mirëqenia jonë si qytetarë të këtij vendi, si edhe vetë fatet e shoqërisë sonë.
Nëse duam të vazhdojmë të kemi një kakistokraci, le të vazhdojmë të zgjedhim ata njerëz që nuk dinë (siç janë një pjesë e madhe e anëtarëve të parlamentit që kemi), ata që vjedhin, ata që s’duan të punojnë për ne, por shohin interesat e veta.
Nëse duam të kemi një demokraci që të funksionojë dhe një ekonomi që të garantojë rritjen e mirëqenies sonë, le të zgjedhim më të diturit, më të ndershmit, më të mirët dhe t’u kërkojmë atyre llogari nëse punët nuk venë mirë.
Për mirë a për keq, zgjedhja e tyre është përgjegjësia jonë.
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.