Nga Ndoc Logu
Ka të gjallë dhe ka të vdekur. Mbitoka jonë mban, ndër të tjera, edhe frymorë që jetojnë në dekompozim, depersonalizim total vlerash, pothuajse si të vdekur. Por, ka edhe të vdekur, të tretur në dheun e tokës sonë, që rrojnë si të gjallë. Ose me të gjallë se disa frymorë të mbitokës. Por, të gjallët që rrojnë si të vdekur, dhe të vdekurit që rrojnë si të pavdekshëm, nuk përcaktohen nga mosha, as nga pasuria, as nga pozita shtetëtore, apo nga angazhimi politik i tyre.
Edhe pse prej 35 vitesh i vdekur, Gjon Marashin nga Brashta e Dukagjinit të Shkodrës, nuk po e lënë të qetë! Nuk e di përse? Kanë frikë se ngjallet? Kanë frikë nga shembulli i tij? Apo duan të mohojnë vlerat e një të vdekuri qelibar për të pastruar njollat e turpeve të veta, dhe ato të përgjakur të etërve të tyre biologjikë e shpirtërorë?
Disa vite më parë, një grupim mbetjesh septike, nga ao të së kaluarës antishqiptare, që tentojnë të ripërtërijnë etërit e tyre të përgjakur si Çelo Hoxha, Agron Tufa dhe Uran Butka e të tjerë, publikuan në një libër, listën emërore, që këta vagabondë i quajnë kriminelë, edhe emrin e xhaxhait tim Gjon Marashi, krahas 265 kuadrove që drejtuan LANÇ. Sapo u njoha me këtë botim, unë, reagova me një shkrim në gazetën “Dita” me datën 7 qershor 2019 në faqen 16-17, me titull “Pyesin malet e Dukagjinit, përse e akuzoni këtë farë trimi?”, dhe nëntitullin: “Reagim dhe përgjigje për fashistët shqiptarë Agron Tufa dhe Çelo Hoxha dhe tërë mbetjet septike të nazifashistëve”.
Lidhur me marrëzinë e mësipërme, ndër shumë të tjerë, na paska reagur edhe Prel Milani. Por, si për ironi dhe “burrërinë“ e tij të pashoqe, reagimi fillon me mua, autorin e shkrimit kundërshtues të këtyre horrave. Ai sapo prezanton problemin, shkruan: “…Ndoc Logun e njoh si njeri me karakter të vrullshëm, por në atë shkrim pashë se ka reaguar bajagi qetësisht në raport me atë përbaltje të ulët që i bëhet xhaxhait të tij të dashur…”
Eshtë disi pa vend, dhe e çuditshme, kjo ironi me mua, kur problem nuk jam unë. Në se Prel Milanin e hante meraku, për të mbrojtur Gjon Marashin, “Mikun e mirë të gjyshit Bal Markun”, duhej ta bënte më parë, sepse, botimi i Çelos, ishte publikuar përpara shkrimit tim. Veçanërisht, Prel Milanit, i takonte të bënte këtë. Jo për të mbrojtur Gjon Marashin. Gjon Marashi, nuk ka bërë asnjë krim, vetëm se mori pushkën për të çliruar atdheun nga pushtuesit. Prel Milani, duhet ta bënte këtë për diçka tjetër. Për ta thënë të vërtetën për Gjon Marashin. E kishte për detyrë morale ta bënte këtë. Vetëm në dy raste, Gjon Marashi, ia ka shpëtuar “gjyshin e mirë” nga vrasja e sigurt. (Kujto: ngujimin e gjyshit në shpellën e Masbranikut, dhe mbledhjen në breg-Lumi në Shalë). Po përse nuk reagoi më para Milani? Po analizojmë reagimin e tij, se çfarë fshihet në atë reagim, pas, gjoja dashamirësisë e lajkave banale.
Prel Milani, dikur e paska njohur Ndoc Logun, “Me karakter të vrullshëm, e në këtë shkrim, paskam reaguar bajagi qetësisht, në raport me atë përbaltje të ulët që i bëhet xhaxhait të tij të dashur”. Meqenëse, filozofi Milani, nga studimi i shkrimit tim paska gjetur, se karakteri im nuk qenka më i vrullshëm, dhe qenkam bërë frikacak, në raport me përbaltjen e ulët të xhaxhait tim, së pari, duhet sqaruar si Prel Milani, milanët dhe tërë milenti tjetër si ai, se, xhaxha im Gjon Marashi, nuk guxoi ta përbalte askush sa ishte gjallë. As nuk besoi se ka aq trima të çartun për ta përbaltur pas vdekjes. Ai, as në librin në fjalë, Gjon Marashi, nuk përbaltet, siç thotë Prel Milani. Atij, Gjon Marashit, i është vënë emri si drejtues i një formacioni ushtarak luftarak, në përbërjen e ushtrisë LANÇ, krahas 265 drejtuesve të tjerë të luftës dhe kaq, që këta vagabondë, i quajnë kriminelë. Me këtë term, dhe të tjerë si: luftë terrosite, luftë civile, drejtuesit terroristë, kundërshtarët politikë dhe bashkëpunëtorët e pushtuesit, i kanë quajtur të gjithë pas 29 Nëntorit 1944. Po, këtë përcaktim i kanë bërë tradhtarët tanë.
Këtu nuk ka përbaltje individi. Këtu ka vetëm një akuzë politike në bllok, pa fakte konkrete për individin Gjon Marashi. Këtë akuzë politike për vete, për bashkëkohësit, për bashkëluftëtarët, Gjon Marashi, i ka dëgjuar sapo filloi veprimtarinë çeta luftarake e Dukagjinit edhe nga Komiteti Qëndror i Besëlidhjes së Dukagjinit, dhe disa dukagjinas që ishin vënë në shërbim të pushtuesit. Por, as këta nuk guxuan ta përbaltnin Gjon Marashin. Më pas, edhe pse kundërshtarë të egër, ata, kundërshtarët, u detyruan të pranojnë dhe t’iu nënshtrohen triumfit të idelave për të cilat luftoi Gjon Marashi, në përbërjen e LANÇ.
Lidhur me karakterin tim, që tani, “Nuk e paskëm më të vrullshëm”, dhe se reagimin e paskam “bërë bajagi qetësisht”, dua t’i them P. Milanit, duke e mëshiruar, se, jeni tepër i gabuar. Ke qënë i gabuar edhe më parë për personin tim. Je futur shumë thellë në konsiderata të gabuara për fisin tim, pa të autorizuar askush. Ke marrë përsipër një mision që do të rezultojë i dështuar. Jo vetëm i dështuar, por edhe tepër i dëmshëm. Ironia juaj, që lënë të kuptohet se unë qenkam bërë një frikacak, nuk është e vërtetë. Të pavërtetat nuk të nderojnë. Të poshtërojnë. Ose, ti, vetëposhtërohesh, aq më keq kur ato janë publike. Në shkrimin në fjalë, në mbrojtje të axhës tim, jam treguar më i vrullshëm se thua ti.
Por, ka edhe diçka tjetër, që P. Milani, nuk e thotë, e mohon, e aq më keq, në se nuk i di. Më datën 17 shtator 2019, po në gazetën “Dita”, në faqen 2,4 e 5, plot tre faqe gazete, botova shkrimin me titull “ Të pa fytyrë, sa pa dinjitet paskeni qënë…” dhe nëntitullin: “Për dy çetat e këmishëzinjve me cuba shpellash të bordit drejtues” dhe të “Këshillit Shkencor” të ISKK që akuzojnë krenarinë kombëtare, luftëtarët e lirisë“. Ky shkrim ishte vijim i atij të 7 qershorit për Gjon Marashin. Por, këto dy shkrime, si duket P. Milani nuk i ka lexuar, ose i mohon. Se po t’i lexonte, nuk besoj se do më quante frikacak. Por, duhet ta dinë Prela dhe tërë ironikët e tjerë se, asnjë nga meshkujt e fisit tim nuk kanë lindur me lepur në bark. Por, as nuk ia ka futur gjatë jetës, pavarësisht nga rrethanat që janë përballë. Të shkruash dhe t’i publikosh dy shkrime, plot pesë faqe gazete, në mbrojtje të asaj pjese lufte, sakrificash dhe vlerash që na takonte ne si familje, në numrin prej 265 të tjerëve, nuk janë pak, aq më tepër në kushtet e sotme, e në një gazetë private. Dhe, kjo nuk është e gjitha. Përsëri me datën 23 dhe 24 tetor 2019, dy ditë rresht, 4 faqe gazete, botova studimin (një pjesë) me titull “Perversitetet e mbretit tradhtar” po në gazetën “Dita”. Prel Milani duhet ta dijë mirë se ç’kujtime ka gjyshi i tij nga ky tradhtar. Nuk e di a e ka trajtuar ndonjëherë, të paktën sa u muar me mua. Ka akoma.
***
Lidhur me konsideratat e shprehura për Gjon Marashin, ai, P. Milani, vihet në kundërshtim, jo vetëm me të vërtetat, por disa herë edhe me vetveten.
“Gjon Marashi mbështeti Vidin, qe partizan i Gurakuqit dhe Nolit….” – thotë Milani. Kjo nuk është plotësisht e vërtetë. Gjon Marashi, në asnjë çast të jetës së vet nuk ka mbështetur asnjë individ, sundues, qeveri, as pushtues të huaj, siç kanë vepruar shumë të tjerë, edhe dukagjinas, që Prela i ka për zemër. Në rastin kur Gjon Marashi, akuzohet dhe i vihen epitete, se rreshtohet në një listë si të quajtur “kriminelë”, Prel Milani, lëshon ironinë tjetër më helmuese, kur thotë: “Për rrjedhojë të dokeve e zakoneve tona të vjetra e detyruan të qesi pushkë…” Eshtë e njëjta ironi a budadallëk therrës si ajo broçkulla që në shtëpinë e të vetëvarurit ju tregohet litari! Këtu Prela sikur ju konfirmon “Po-në, se Gjon Marashi – ka vrarë?! Dhe, këtë na shet si dëshmi, respekt, mbrojtje, por, ai konfirmon, me dinakëri, ato që thonë akuzuesit. Dhe ai, vazhdon me broçkullat e tjera “Si mik dhe adhurues i grave”! Unë, nuk e kuptoj se si dhe me çfarë e kundërshton Çelo Hoxhën dhe mbron Gjon Marashin, Prel Milani, kur thotë dy broçkullat e mësipërme? Apo desh të na i shesi këto si dy pamje të fytyrës së vet? Nga njera anë na shitet se po e mbron, e nga ana tjetër, i thotë Çelo Hoxhës: “Po ky ka vrarë“. Kjo është dyfytrësi e neveritshme!
Nga papërgjegjësia, nga mungesa e inteligjencës, apo me vetëdije të plotë, duke u përpjekur t’i pastrojnë “përbaltjen” Gjon Marashit, atij Perl Milani, i bënë një përbaltje të dytë më të madhe se të Çelo Hoxhës. Dhe, kjo është, përdorimi si vlera, në reagimin e vet, të thenieve poshtëruese të fratit pervers fashist Zef Pëllumbi. Dhe këtë e bën Prel Milani për “mikun e gjyshit”. Që në fillim duhet thënë se nuk ka përbaltje me poshtëruese se t’i quash shënimet e fratit pervers si Zef Pëllumbi, si vlera. Duhet ta them me sinqeritet se, me librin e Zef Pëllumbit, unë, kam bërë një gabim jo të vogël. Pasi u botua dhe ribotua, unë nuk e lexova. E nënvlerësova, duke menduar se, ai, mban erë myku burgu, shpirti dhe politike të një antishqiptari. Pas disa viteve kur Zefi kish shkuar për të qarë hallet e luftës kundër komunizmit, me monstrën tjetër, me kryefashistin tjetër të katolikëve shqiptar, P.A.Arapi, dikush nga njerëzit e mi më thotë: “Lexoje një herë atë libër, se ai, libër ka të pavërterta, jo vetëm për Gjon Marashin, por edhe për shumëçka tjetër”. Dhe pas leximit, më rezultoi se, në të, ka një mal me mashtrime, gënjeshtra, poshtërime individësh e tërë krahinës së Dukagjinit dhe mbarë vendit.
Antishqiptari Zef Pëllumbi, u bë meshtar pa u kompletuar me arsimin akademik fetar. Atij iu dha e drejta e meshtarit në një kohë dhe në kushtet të pafavorshme të klerit katolik, pas LANÇ, ku shumë nga komuniteti i tyre iu bashkuan pushtuesit, edhe me detyra deri në regjencën fashiste, si P.A. Arapi, Pal Doda i Palçit, Berdinat Palaj, Zef Pëllumbi, Frano Ilia e shumë të tjerë. Zef Pëllumbi, shumë pak qëndroi si meshtar në Lekbibaj dhe në Shosh të Dukagjinit. Ai më tepër veproi si diversant legal me rol të dyfishtë, i cili punonte shumë për të realizuar diversionin midis popullit dhe pushtetit pas luftës. Ose akoma më qartë: të ngrinte popullin kundër pushtetit porsadalë nga LANÇ, si kundërshtar politik, dhe jo se i hante meraku për popullin. Lidhur me shënimet e tij për Gjon Marashin, të cilat, Prel Milani, na i rikujton dhe i përdor si vlera, por me ironi, ato janë tërësisht gënjeshtra, akuza dhe fyerje të një të pafytyri.
Frati fashist thotë se: “Çova dhe thirra një farë Gjon Marashi, e ai, m’u paraqit…”. Ky pohim është një mashtrim i ndyrë. Askush nga ata të asaj kohe, të partisë as të pushtetit në Dukagjin, nuk e kishte tagerin, as nuk e praktikonin, për të thirrur Gjon Marashin, e jo më një palo frat si Zef Pëllumbi. Lidhur me këtë takim të tij, me Gjon Marashin, e vërteta është kështu. Zef Pëllumbi, i çon një mik të tij, Gjon Marashit, e i thotë: “A ka mundësi të vi e të kaloj një natë në kullën tënde…?” Gjon Marashi e pranoi, jo se frati ishte burrë i mirë. Gjon Marashi, nuk kishte frikë as detyrim ndaj askujt, as dyshim, as arsye për ta refuzuar mikun që i çon mikun për ta pranuar. Pastaj, edhe në se vjen pa leje paraprake, Gjoni, nuk do ta nxirrte jashtë. Tradita e mikëpritjes, besa buka në sofër dhe formimi i Gjon Marashit, ishin pjesë e jetës me dinjitet.
Atë natë, frati mashtrues, i kërkoi Gjonit përkrahje. E midis të tjerave i tha edhe për kyqet e thyera mbi Palaj dhe një tjetër në shkallën e Thethit. Vetëm dy kryqe ishin dëmtuar. Por siç rezultoi më vonë, vetë Zef Pëllumbi, kishte futur njerëzit e tij, ndoshta edhe të paguar, për t’i thyer kryqet, edhe në fshatin ku ishte vetë meshtar, me synimin për të revoltuar popullin, si luftë kundër fesë, nga partia dhe shteti. Zbulimi i faktit se, kryqet i thyen me dijeninë dhe porosinë e Zef Pëllumbit, frati fashist u tremb dhe kryqet nuk u thyen më.
***
Gjon Marashi, nuk e takoi Enver Hoxhën se e dërgoi frati antishqiptar. Rastisti që Gjon Marashi, u thirr në Tiranë, për një ngjarje që duhet të ishte patjetër. Si zakonisht Enveri e pyeste Gjonin:
-Si po punojnë djemtë e rinj në Dukagjin?
Gjoni i përgjigjet: – Mirë po punojnë, por mund të punojnë më mirë se deri tani. Disa punë, është më mirë të mos i bajnë hiç se me i ba keq.
Në vijim, Gjoni i thotë Enverit, për disa kërkesa të papranueshme si: kërkesa për të mos festuar fetat fetare, për këngët dhe rritet në dasma e morte, për uniformat kombëtare veçanërisht tek gratë etj… Në fund, i tregon, por jo si problem jetik, edhe për dy kryqe të thyer në vendpushimet e udhëtarëve…
Enver Hoxha, si për tërë problemet e jetës në Dukagjin, reagoi mjaft pozitivisht.
-Nuk ka asnjë ligj as direktivë nga partia që mund të dëmtojnë marrëdhëniet e qeverisë e shtetit me popullin. Këto nuk do të ndodhin më -i thotë Enveri Gjonit. Zakonet e mira, rrobet, këngët dhe çdo gjë të bukur duhet t’i ruajmë si sytë e ballit – i tha ai Gjonit.
Kuptohet, se ishim në vitet e para të pasçlirimit. Në të vërtetë, këto nuk u përsëritën më. ( Për takimet, problemet dhe zgjidhjet që kërkonte Gjon Marashi, tek Enver Hoxha dhe Hysni Kapo, në monografin e plotë për Gjon Marashin, do të jenë të plota).
Kështu Zef Pëllumbi, mashtron kur thotë: “… Thirra një far Gjon Marashi, e i thashë shko tek Enveri se rrugën ta paguaj unë…” Diku, në këtë paçavure, ai thotë edhe se, e thirra shefin e sigurimit të Dukagjinit,e i thashë ashtu e kështu… Mashtrim banal. Në atë gjendje që ishte kleri katolik, fill pas LANÇ, as Ernest Çoba, që ishte kreu i kishës katolike shqiptare, nuk guxonte për të thirrur as një pastruese zyre shteti e jo më një palo frat pervers si Zef Pëllumbi.
Por, nuk janë vetëm këto. Pjesën më të madhe të librit, Zefi, nuk i ka shkruar për njerëzit e kohës 1945-1990. Ai e zbrazi thesin e broçkullave me mashtrime, për atë kategori lexuesish, të një kohe si të merhumit zogollist. Sikur të kishin aftësinë e të folurit, edhe dhitë e malit të Rencit, atje në fshatin e Zefit, do të qeshnin.
Frati mashtrues, shkruan në kujtimet e veta, për atë takim me Gjon Marashin në shtëpinë e tij, jo në kishë- siç mashtron ai, “…Desha me dijtë prej Enverit, se si këta papagajt e majmunët e politikës sonë po na sjellin revolucionin kinez” e tjera. Jo, ky vagabond, atëherë nuk guxonte t’i përmente emrin Enverit, e jo më të raportojnë ty për ato çështje. Ai, Enveri, nuk pyeste as për Papën e Romës, që kishte bekuar ushtrinë fashiste për të sulmuar Shqipërinë, jo për një frat antishqiptar. Revolucioni kinez, është zhvilluar rreth 25 vjet më vonë. Fill pas LANÇ, kur Zefi takoi Gjonin, për kryqet, as Gjoni, asnjë fetar, as Papa i Zefit, as Enveri, nuk kishin nga ta dinin se çdo të ndodhë në Kinë dekada më vonë, kur edhe vetë Kina nuk ishte çliruar akoma?!!! Kur u zhvillua revolucioni kulturor kinez, edhe vetë Zefi kishte shkuar me “pushimet” e dyta të gjata për ndërtimin e rafinerisë së thellë të naftës në Ballsh. Ai nuk ishte në Dukagjin. Bashkimi i ngjarjeve të viteve 1970 të shekullit të kaluar, me ato të viteve të para pas luftës, është ose lajthitje, ose degradim total, ose një idiotësi e vetë Zefit, që nga mllefi për të akuzuar gjithçka e cilindo që është si ai. Por, me këto ai, poshtëron veten, dhe bënë të pavlerë edhe në se ka diçka të vërtetë. Si duket Zefi, e dinte popullin shqiptar, të pas viteve 1990 si në kohën e merhumit Zog, dhe vetë Zefi si të kohës së Migjenit, kur i thonin të varfërit: “Lutju Zotit” dhe i shtrinin dorën për t’ia puthur. Por këto marifete mashtrimesh fetare, njeriut të varfër, nuk ia largonin urinë, as nuk ia ndriçonin mendjen për të kuptuar se nga vjen varfëria dhe mjerimi i jetës. Ndërsa Zefi, mjaftohesh me “Zoti të dhashtë“ !!!
Kulmin e mashtrimit, ky frat pervers, në kujtimet për Gjon Marashin, e arrin kur thotë “…Ai që në rininë e vet bëri disa veprime për të cilat u quajt prej disave kriminelë, ndërsa prej disa të tjerëve burrë“. I cili “ … përveç shkathtësisë kishte siguruar edhe shtëpia, stane, shpella, guva e pyje ku mund të luftonte e të jetonte…” Jo, o pervers. Nuk është kështu. Këto akuza që s’kanë asgjë të vërtetë, askush nuk ka guxuar, për t’ia bërë Gjon Marashit, gjatë tërë jetës së vet. Kjo akuzë nuk iu bë kurrë, sepse, Gjon Marashi, nuk përfitoi as shtëpi, as tokë, as pyje, asgjë dhe askurr diçka që i takonte dikujt tjetër. Gjithçka kishte Gjon Marashi me vëllezërit, e kishte të trashëguar me kufi shekullorë, të ditur nga e tërë mëhalla, fshati e krahina. Tërë akuzat, janë të gjitha të pavërteta. Tërë poshtërimet, ky pervers, i bënë për individë e çështje, që kur i shkruante ai, nuk kishte asnjë të gjallë për të dëshmuar të kundërtën. Kështu veproi edhe me kujtimet për Gjon Marashin, pas rreth 30 viteve, kur Gjoni nuk jeton.
Zef fashisti, thotë se, ai, Gjoni, doli koçak prej bajraktarit. Jo, ky është një mashtrim. Gjon Marashi, doli koçak se kundërshtonte pushtuesit e vendit. Doli se e dënoi me vdekje në mungesë krimineli dhe tradhtari A. Zogu, Gjon Marashi, doli malit për të luftuar dy pushtuesit: italo-gjermanë, që iu bashkuan dhe u shërbyen Zef Pëllumbi e të tjerë fetarë dhe jo fetarë. Gjon Marashi, ishte kundërshtar i bajraktarit për të ardhmen e qeverisjes së Shqipërisë. Për këtë arsye Gjoni zgjodhi LANÇ. Bajraktari zgjodhi pushtuesit. Ata mbeten kundërshtarë politik, por jo armiq për t’u vrarë. Por, mashtruesi frat pervers, nuk tregon se, kur ushtria e LANÇ, u fut në Dukagjin triumfalisht, bajraktarin e arrestuan. E lidhën dhe po e dërgonin në komandën e operacionit luftarak. Gjon Marashi, që ishte njeriu më me autoritet absolut, për shumë arsye që do t’i them më vonë, e liroi bajraktarin nga arrestimi i ushtrisë dhe e ktheu në shtëpi.
Frati fashist, thotë se kaçakët, Gjonit i vranë djalin. Jo, o faqezi. Djalin, Gjonit, ia vrau një bandit i urdhëruar nga kreykrimineli i fesë katolike, anëtari i Regjencës Fashiste, P.A.Arapi, pasi lufta kishte mbaruar.
Ja pra, deri ku arrin Prel Milani, që përveç lajkave pa shije, broçkullave banale, të pavërtetave ironike, na përdor edhe akuzat e një të pafytyri, të fratit fashist Zef Pëllumbi, i cili u shërbeu dy pushtuesve, gjoja për të mbrojtur “mikun e gjyshit” Gjon Marashin. Por duke i analizuar këto tre publikime të Zef Pëllumbit, Çelo Hoxhës, të ashtuquajtur reagim të Prel Milanit, për mua që jam njohësi më i mirë i tërë jetës së Gjon Marashit, të krijohet përshtypja se, që të tria janë vazhdim i njëra- tjetrës, një marrëzi në tre episode, një pisllëk në tre pjesë, një padituri shembullore e përbashkët, një helm gjarpëri që u përpoq për ta injektuar Zef Pëllumbi, e vazhdoi Çelo Hoxha dhe e konfirmoi me padituri e vetëdije Prel Milani. E nga balta e moçalit shpirtit e jetës së tyre e shikonin ziliqarët shpirtzinj, Gjon Marashi, që tentonin ta njollsin dhe ta shkurorëzojnë nga vlerat. Këtë synim kanë dhe tani mbas 35 viteve të ndarjes nga jeta, tre fallxhorët e katundit. Por, axha im, Gjon Marashi, i ngjante shqiponjës që fluturonte vetëm në lartësi. Ai nuk u njollos nga asnjë veprim i padinjitetshëm. As nuk e njollosi askush dhe asnjëherë në tërë jetën e vet, edhe pse kaloi jo pak turbulence të çdo lloji e mjaft të rrezikshme. Ai, Gjon Marashi, u shfaq në fillimin e dekadës së parë të shekullit të kaluar, jetoi deri në prag të vitit 95 të jetës, rrugëtoi për 77 vite, rrugëve, maleve e shtigjeve të Dukagjinit e Shqipërisë, mbrojti me sakrifica jetën dhe lirinë, punoi e luftoi për lirinë, punoi për konsolidimin e sovranitetit, kontribuoi shumë për rritjen dhe përmirësimin e mirëqenies, kulturës e dijes Dukagjinit, për t’i mbrojtur e forcuar vlerat e jetës, dhe u largua nga jeta reale pa i hyrë askuj në hak, pa i pasur askujt borxh. Gjon Marashi, me punën e sjelljen, luftën e sakrificat në shërbim të lirisë, sovranitetit dhe përparimit Dukagjimit, mbeti shembull dhe referencë për tërë ata që i duan vlerat e mësipërme.
Duke folur për këtë familje, dhe për Gjon Marashin, poeti dhe shkrimtari i njohur Hysni Milloshi, në librin e vet me titull “Atdheu” shkruante ndër të tjera: “… Një familje patriotësh të mëdhenj në Dukagjin të Shkodrës, bashkëluftëtar të Bajram Currit, e më vonë edhe të Enver Hoxhës, siç ishte Gjon Marashi, pra nga një fole malësore titanike, me bij të lidhur me fatet kombëtare si malet me tokën, inteligjent nga natyra e luftëtar i paepur, qe edhe vetë Zeusin e Olimpit do ta kapnin për fyti e ta flaknin në humnerë, po t’iu rrezikoheshin kufijtë…”
Vigan i tillë, edhe sot, mbas 35 vitesh nga ndarja nga jeta, akuzohet nga dy pervers antishqiptar si Zef Pëllumbi e Çelo Hoxha, dhe ironizohet nga polici Prel Milani, është qesharake. Eshtë qesharake e përzier me padituri, dhe me një zili inatçore e pa justifikuar me asgjë. Gjon Marashi, ishte si i lindur e rritur prej “Nënës Ore”….Dhe se prej Dukagjinit rrjedh dielli, dhe dukagjinasit janë bijtë e Diellit, që e ka emrin Atdhe.
Ulakët, zvarranikët, shpirtzinjtë, tradhtarët dhe ata që e deshën Dukagjinin dhe Shqipërinë, jo si Atdhe, por si çiflik, nuk mund ta përbaltin atdhetarin e florinjtë, kreshnikun Gjon Marashi, i cili i qëndroi Dukagjinit për 77 vjet si ORË…
