Ksenofon Krisafi*
Në të gjitha kuptimet titulli i këtij shkrimi duket sikur shpreh një të vërtetë të pamohueshme, atë që, pothuajse gjithmonë, tik-taku i Orës historike të Kosovës, si shqetësimi i madh i të gjithë shqiptarëve, ndjehet edhe në Tiranë, sikurse dhe gjithëçka që ndodh në Tiranë, përjetohet në Prishtinë dhe në gjitha trevat shqiptare në Ballkan.
Në këtë rast titulli i mësipërm synon të tregojë brenda kufizimeve të veta se shkrimi në krye të të cilit ai është vendosur i kushtohet një ngjarjeje që bëri bashkë personalitete të politikës, të fushës akademike e universitare, studiues etj, nga Tirana dhe Prishtina. Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë organizoi këto ditë promovimin e librit më të fundit të ish-presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, Ora e Kosovës, pavarësia dhe shtetndërtimi.
Presidentja aktuale e Kosovës, Sh.S.Znj. Vjosa Osmani, duke folur gjatë promovimit të tij në Prishtinë, tha se titulli i librit ka të bëjë me mitologjinë shqiptare, ku Ora është një qenie e padukshme, që sjell mbarësi dhe fat. “Ora jonë, saktësoi ajo, me të drejtë, ishte më 17 shkurt 2008”.
***
Duket se është kthyer në një rit pozitiv zakoni i disa drejtuesve të shteteve, qeverive, ministrave e politikanëve etj, që, pas mbylljes së veprimtarisë së tyre zyrtare, i rikthehen memories, shfletojnë dokumentacionin e prodhuar gjatë mandatit të vet dhe shkruajnë kujtimet. Duket e lehtë dhe e thjeshtë, por jo dhe aq, sepse kërkohet ndërthurja korrekte mes memorialistikës, arkivit, politikës, pse jo edhe letërsisë. Nuk përjashtohet që, ndonjëherë ajo të shndërrohet në koleksionim episodesh të rëndomta, të lodhshme, veçanërisht kur dominon prirja e autorit për demonstrimin e protagonizmit fals. Në këto raste prodhohen botime diletanteske, herë-herë naïve, me shtrembërime të të vërtetës, çka, në vend që të shërbejnë për mirë, shkakton pasoja negative.
***
Janë botuar me mijëra publikime të kësaj natyre, një pjesë e të cilave, përveç kënaqësive estetike që i sjellin lexuesit, kontribuojnë edhe për shkrimin e saktë të historisë. Mund të përmenden fjala vjen si një shembull mjaft domethënës, kujtimet e Winston Churchillit, burrë shteti, orator, biograf, historian, autor dhe fitues i çmimit Nobel, një prej protagonistëve, nga më të rëndësishmit e Luftës së Dytë Botërore. Ai rrëfen me elegancë të admirueshme zhvillimet e kohës së vet.
Pa pretenduar nivelet, peshën, përmbajtjen, dimensionet, stilin, vlerat, kontributet e veprës së tij madhore dhe pa guxuar të vihen shenja barazimi, nuk mund të mohohet megjithatë se edhe në literaturën shqiptare, ka botime të kësaj natyre nga disa prej politikanëve shqiptare. Përveç kujtimeve të Ismail Qemalit, në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore, mund të përmenden ato të Haxhi Lleshit, Ramiz Alisë, Rexhep Mejdanit, Alfred Moisiut, Bamir Topit, Hashim Thaçit, Behgjet Pacollit etj. Së fundi vjen libri i Fatmir Sejdiut, Ora e Kosovës, pavarësia dhe shtetndërtimi.
***
17 shkurti i vitit 2008 erdhi majft i ftohtë në Ballkanin Perëndimor, por në tokat shqiptare të Kosovës, ishte veçanërisht i akullt, me temperatura shumë të ulëta. Sikur donte t’iu thoshte shqiptarëve se nuk kishin mbaruar ende betejat me të shkuarën dhe me ata që nuk e donin progresin e tyre. Por më kot, sepse stina e stërzgjatur e dimrit të egër të pushtimit serb, kishte marë fund. Vendin e saj po e zinte një pranverë e paparë, gjithë ngrohtësi, shkëlqim, dritë e shpresë, e cila gjithë shqiptarëve kudo ku jetonin, do t’iu sillte një nga ngjarjet më të bukura historike, me rëndësi epokale, shtetin e pavarur të Kosovës, ditët e lirisë, pavarësisë dhe sovranitetit për motrat dhe vëllezërit tanë të përtej kufirit.
Ishin bërë përpjekje që lajmi i shpalljes së pavarësisë, e cila pritej të ndodhte, të mos përhapej para kohe. Por, sekreti kishte dalë, madje kishte mbërritur edhe në këtë anë të rrjedhës së Drinit. Qarkullonin zëra se më 17 shkurt, do të shpallej pavarësia e Kosovës. Duke sfiduar acarin e motit, u derdhën në Prishtinë disa mijëra njerëz nga e tërë Kosova, por edhe nga Tirana, Durrësi, Vlora, Gjirokastra, Kukësi, Korça, Lezha, Shkodra, Tropoja, etj, nga gjithë Shqipëria dhe trojet shqiptare përreth, për t’u bërë dëshmitarë të një ndodhije që, si rregull, rastis një herë në jetë. Më kujtohet se një a dy ditë përpara, një nga kolegët dhe miqtë tanë, Adri Nurellari, fliste me zë të lartë, gjithë kënaqësi e krenari se rasti nuk duhej humbur. Ai me disa miq të vetët do të udhëtonte drejt Prishtinës. E vendosa të shkoja edhe unë, por një temperaturë tepër e lartë në mëngjesin e ditës së nesërme, ma hoqi kënaqësinë dhe privilegjin e pranisë në këtë zhvillim historik.
***
Në pasditen e 17 shkurtit 2008 Kosova u bë shtet i pavarur dhe sovran. Midis 109 deputetëve të Kuvendit të saj, nga 120 që duhet të ishin gjithsej, të cilët patën përgjegjësinë historike, ta shpallnin, ishte edhe presidenti i asaj kohe, Fatmir Sejdiu, autori i librit Ora e Kosovës, pavarësia dhe shtetndërtimi.
E kishte përjetuar hap pas hapi luftën për liri dhe rrugëtimin e gjatë e të vështirë të procesit të shtetndërtimit të Kosovës. Ndër të tjera edhe sepse, siç shkruan në libër, babai i vet, arsimtar me profesion, i arrestuar dhe i torturuar mizorisht nga autoritetet serbe për veprimtarinë patriotike, para se të fillonte gjykimi, i kishte kërkuar bashkëshortes së vet, nënës së autorit, që t’i shkonte për vizitë në burg, duke marë me vete edhe djalin, Fatmirin disamuajsh. Në takim, i tha, ndër të tjera, se “mua nuk dihet se sa vjet do të më dënojnë, ti je e re”, (pa i mbushur ende të 20-tat), “mos e humb rininë tande. Për mua mund të jesh e lirë, djalin shpresoj se ka kush e rrit”! “Mos i thuaj ato fjalë, fati yt, ȃsht fati im”, ishte përgjigja e saj.
Pra, ende foshnjë ai do të “përleshej” me pushtuesin serb dhe, më pas, duke u rritur, do të bëhej pjesë e luftës së popullit të vet dhe do të kontribuonte realisht për fitoren e madhe.
Kështu nis pak a shumë historia e një prej presidentëve të Kosovës, që jehon nga faqet e librit të tij, i cili ndalet posaçërisht në etapën e pasluftës plot sfida si dhe në hapjen e procesit për emancipim politik e shoqëror. Ajo erdhi pas epopesë së lavdishme të historisë së Kosovës, përfundimit të Luftës, më 12 qershor 1999, për të cilën autori shprehet se “ishte rezultat i rezistencës politike dhe asaj të armatosur, si dhe i ndërhyrjes ndërkombëtare me bombardimet e NATO-s në caqet ushtarake e kriminale të Serbisë, për 78 ditë pareshtur”.
Ajo shënoi gjithashtu rinisjen e jetës së një vendi gati tërësisht të shkatërruar dhe të një populli që kishte njohur vazhdimisht të tilla fatkeqësi gjatë gjithë shekullit XX nga po i njëjti armik i lirisë.
***
Libri, siç u përmend, nuk është shkruar nga një historian i mirëfilltë, por nga një prej protagonistëve të rëndësishëm të historisë së Kosovës së pavarur. Autori ka avantazhin dhe privilegjin që nuk flet bazuar vetëm mbi dokumente arkivore e bibliografike as edhe si një spektator i zakonshëm i asaj çka ndodhi në vendin e vet në ato kohë. Ai ishte autor dhe aktor në një nga rolet më kryesore. Ishte presidenti i parë i shtetit të parë të pavarur të Kosovës.
Jurist në profesion, nga më të mirët, akademik, shkencëtar dhe studiues skrupuloz, intelektual i spikatur, atdhetar dhe veprimtar i palodhur. Duket se fati e kishte thirrur në skenën e historisë, që, së bashku me patriotë dhe luftëtarë trima të Kosovës, të kurorëzonin luftrat dhe përpjekjet për liri të qindra mijëra burrave e grave kosovare, të bënin realitet dhe të institucionalizonin aspiratën e tyre për të jetuar të lirë e të pavarur në trojet e veta stërgjyshore.
Ai mori drejtimin e Kosovës së lirë, të pavarur e sovrane, subjektit më të ri të së drejtës ndërkombëtare, që do të pranohej si i tillë nga bashkësia botërore, nëpërmjet akordimit të njohjeve ndërkombëtare nga një numër impresionues shtetesh.
***
Liria rikthen jetën në Kosovë thotë autori që në rrjeshtin e parë të faqes së parë, për të vazhduar më tej me shtjellimin e çështjeve të tilla të rëndësishme si kontributet e administrimit ndërkombëtar civil dhe ushtarak, organizimin e zgjedhjeve dhe ndërtimin e institucioneve të Kosovës, fillimin e bisedimeve për statusin politik, dhimbjen për ndarjen nga jeta të presidentit Rugova, zgjedhjen e autorit në postin e Presidentit të Kosovës, bashkëpunimin me përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare, ankthin e vazhdueshëm për të papriturat e radhës, praninë e përfaqësuesve të Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, mbështetjen dhe ngurrimet, takimet me Kofi Ananin, Ban Ki Moon, George W. Bush, Barack Obamën, kancelaren Merkel, Papa Benediktin XVI dhe me një numër të konsiderueshëm personazhesh ose personalitetesh ndërkombëtare.
Trajton në vijim skenarin e shpalljes dhe zyrtarizimit të pavarësisë, hartimin dhe miratimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, njohjet ndërkombëtare, lidhjen e marrëdhënieve diplomatike, themelimin e institucioneve të reja shtetërore etj. të cilat mund të konsiderohen edhe si mbyllja formale e ciklit juridiko-kushtetues dhe juridiko-ndërkombëtar, që çuan në themelimin e shtetit të pavarur të Kosovës.
Libri Ora e Kosovës është një version original i historisë së saj në një nga periudhat më të rëndësishme, në kapërcyellin nga koha e pushtimit serb në pavarësi, kur për herë të parë në historinë e kombit shqiptar, të gjithë faktorët relevantë, të brendshem dhe të jashtëm, konvergonin dhe vepronin, thuajse në sinkron të plotë, në dobi të të ardhmes së tij politike.
Është fjala për veprimtaritë largpamëse të presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, që ndikuan në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Është fjalë gjithashtu për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila doli në skenë gjithë madhështi, heroizëm e lavdi, kur egërsia e shovinizmit serb arriti në ekstreme të paimagjinueshme. Këta dy faktorë, së bashku me ndihmën e mërgatës kosovare jashtë vendit, mbështetjen dhe përkrahjen e pamohueshme të Shqipërisë dhe sidomos rolin vendimtar të SHBA, NATO-s, vendeve anëtare të BE etj, krijuan Kosovën e sotme.
***
Formimi i shtetit të dytë të shqiptarëve përfaqësonte hedhjen e një hapi gjigand drejt zgjidhjes së çështjes shqiptare, edhe pse nuk është zgjidhja tërësore. Me këtë ngjarje, që ishte po aq madhore sa 28 nëntori i 1912, nisi ringjallja dhe ringritja e shqiptarëve. Këtë herë, ndryshe nga më parë, shqiptarët kishin tërhequr mbi vete proteksionin, miqësinë dhe përkrahjen e hyperfuqisë së kohës, SHBA, por edhe të BE. Këtë faktor presidenti Sejdiu e nxjerr veçanërisht në evidencë dhe e trajton duke i kushtuar vëmendjen e duhur. Analizon gjithashtu raportet e Kosovës me Shqipërinë zyrtare, duke vlerësuar kontributet e pamohueshme të shtetit shqiptar, flet me mirënjohje dhe veneracion të thellë për ndihmën dhe mbështetjen ndaj Kosovës të shteteve dhe organizatave ndërkombëtare si dhe të personaliteteve të shumta ndërkombëtare.
Në libër qartësohet edhe më shumë se në rrugëtimin e Kosovës drejt të ardhmes së saj euroatlantike, kanë ndikuar ndjeshëm edhe urtësia, vendosmëria, personaliteti, formimi, kultura e gjerë, vizioni i qartë dhe stili modern institucional i drejtimit i z. Sejdiu, kur ishte në krye të shtetit.
Libri Ora e Kosovës, pavarësia dhe shtetndërtimi është edhe një dedikim personal i tij ndaj Kosovës.
Duke vazhduar shfletimin e librit, ku flitet për ngjarje që janë zhvilluar diku rreth dekadës së fundit të shek të kaluar dhe në dy dekadat e para të shekullit tonë, mendimet e mia zbritën rreth 45 vjet më herët, kur në vitin 1979, rastësia më bashkoi me autorin e tij në Tiranën e asaj kohe. Ai, së bashku me një koleg tjetër, serb, nga Universiteti i Prishtinës, kishte ardhur për leksione, në kuadrin e Protokollit të shkëmbimeve akademiko-shkencore ndërmjet dy universiteteve, siç do të shkoja edhe unë në Prishtinë, pas rreth një viti. Rrinim shumë kohë me njëri tjetrin, sepse së bashku edhe me kolegët e dashur, profesorët Aleks Luarasi dhe Skënder Begeja, ishim caktuar për të qenë në shërbim të tyre. E përmenda këtë hollësi për të treguar diçka që atëhere te miku dhe kolegu im i asaj kohe, Fatmir Sejdiu, dallohej përnjëherësh dhe pa vështirësi intelektuali i kultivuar, me dije e kulturë të gjerë, me shumë humor, tepër social, me sjellje të përkorë, me mprehtësi e zhdërvjelltësi mendimi, njeri social, me karakter dhe temperament të veçantë. Ne, por besoj se edhe vetë ai, në atë kohë, nuk mendonim që, jo më vonë se gati një çerek shekulli, në vitin 2006, ai do të bëhej presidenti i Kosovës, madje nuk besonim dot se edhe vetë Kosova do të çlirohej nga zgjedha serbe e do të shpallej shtet i pavarur.
Me dinjitet, personalitet të spikatur, urtësi, maturi, mënçuri, ekuilibër dhe vizion largpamës është shfaqur ai edhe si politikan dhe president, në marrëdhëniet me ndërkombëtarët, të cilët e vlerësuan që në fillimet e karrierës. Gjermani Joachim Reucker, Kryeadministrator i Kosovës në vitin 2006, në librin Standards and status, shkruan se “Ai është një person shumë i pëlqyeshëm, modest, me këmbë në tokë, më një të folur të butë, me një intelekt të mprehtë dhe një sens të mirë të humorit. Me fjalë tjera, ai është e kundërta e politikanit klishe të Ballkanit.”
Të gjitha këto që unë vetëm sa i ceka, por edhe shumë e shumë çështje të tjera, mjaft interesante, që kanë të bëjnë me zhvillimet në Kosovë, së paku në tre dekadat e fundit, do t’i gjeni trajtuara në mënyrë të shkëlqyer në këtë libër. Është shkruar mjaft bukur. Përshkohet nga qartësia e mendimit, gjuha e pasur dhe e përpunuar, stili tërheqës, karakteri i padyshimtë shkencor, paraqitja gati letrare, çka e bëjnë që të lexohet me endje dhe me një frymë. Është një libër i mrekullueshëm.
* Autori është dekan i Fakultetit të Drejtësisë dhe shkencave humane në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë