Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar hartimin e një ligji të ri për pagat e magjistratëve, duke deklaruar se qeveria ka nisur konsultimet me Këshillin e Europës për një mekanizëm të ri të përcaktimit të pagave në sistemin e drejtësisë.
Rama tha në Kuvend se problemi lidhet me mënyrën se si u konceptua reforma në drejtësi dhe me faktin se në atë moment nuk u përcaktua se kur do të duhej të rishikohej raporti mes pagave të magjistratëve dhe pjesës tjetër të administratës.
“Ligj të ri për t’i dhënë fund kësaj historie”, deklaroi Rama, duke argumentuar se gjatë reformës në drejtësi u vendos që magjistratët të merrnin paga shumë më të larta, por sipas tij kjo nuk duhej të shndërrohej në një mekanizëm ku çdo rritje page në administratë sjell automatikisht edhe rritje për gjyqtarët dhe prokurorët.
Sipas kryeministrit, rritja e pagave të magjistratëve ishte pjesë e një vendimi të vetëdijshëm gjatë reformës, pasi synohej krijimi i një grupi magjistratësh të motivuar dhe forcimi i sistemit të ri të drejtësisë. Por ai theksoi se ky vendim ka sjellë një ndryshim të fortë në raportin mes pagave në shtet.
“Kemi rritur pagat e magjistratëve në mënyrë stratosferike për normat dhe nivelin e pagave tona, me vullnet të plotë dhe me arsyetimin se një reformë në drejtësi dhe nevoja për të vendosur në barrikadën e drejtësisë së re një grup magjistratësh të motivuar e bënte të domosdoshme”, tha Rama.
Ai vijoi argumentin e tij duke kundërshtuar kërkesën që çdo rritje page për administratën apo funksionarë të tjerë të shtetit të shoqërohet automatikisht me një rritje për magjistratët. Sipas Ramës, kjo do të kthente në rregull një mekanizëm që nuk ishte parashikuar si i përhershëm.
“Me cilën logjikë ju kërkoni, dhe kushdo tjetër kërkon, që sa herë të rriten pagat këtu, të rriten edhe te ju? Të thuash që mua më ulet paga pse nuk më rritet edhe mua, ndërkohë që unë jam në nivelin këtu, mbi piramidën, dhe të thuash ‘sa herë u rritet të tjerëve, do të më rritet edhe mua’”, u shpreh kryeministri.
Rama tha se pikërisht ky mekanizëm duhet të ndryshojë përmes një ligji të ri, duke e lidhur çështjen me atë që ai e cilësoi si nevojën për të rikthyer një ekuilibër në piramidën e pagave.
Sipas tij, nuk mund të ketë një sistem ku pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve të ecin automatikisht në të njëjtin ritëm me çdo rritje të pagave të kategorive të tjera. Ai argumentoi se reforma kishte sjellë një rritje të jashtëzakonshme të pagave të magjistratëve pikërisht për shkak të specifikës së sistemit të drejtësisë.
“Pikërisht për arsye se pushteti legjislativ është i pavarur, çdo kushtetutë demokratike ka përcaktimin: paga e gjyqtarëve nuk mund të ulet. Pse? Sepse Kushtetuta ka parasysh tensionin që krijohet mes pushteteve”, tha Rama.
Kryeministri u ndal edhe te raporti mes pagave të gjyqtarëve dhe pjesës tjetër të piramidës shtetërore, duke e konsideruar të pazakontë që gjyqtarët të qëndrojnë në mënyrë të përhershme në majë të kësaj piramide.
Në këtë kuadër, ai solli edhe një argument historik për të kundërshtuar idenë se gjyqtarët duhet të jenë gjithmonë mbi të gjitha kategoritë e tjera të funksionarëve.
“Më sillni në 2 mijë vjetët e fundit një sistem ku gjykatësit kanë qenë mbi të gjithë. Nuk ndodh, është nonsens”, deklaroi Rama në Kuvend.
Pjesë e debatit është bërë edhe roli i Gjykatës Kushtetuese në përcaktimin e mënyrës se si duhet të zgjidhet çështja e pagave. Rama argumentoi se Gjykata Kushtetuese mund të konstatojë nëse Kuvendi ka shkelur Kushtetutën, por nuk mund t’i diktojë ligjvënësit se çfarë formule duhet të përdorë për hartimin e një ligji të ri.
“Është e pabesueshme se si përfaqësues të një pushteti të pavarur, vetëm për shkak të inatit me palën tjetër, dorëzojnë pushtetin e tyre”, tha Rama, duke e lidhur debatin me përgjegjësinë e institucioneve të pavarura për të ushtruar kompetencat e tyre.
Ai e krahasoi Gjykatën Kushtetuese me një arbitër, i cili sipas tij mund të konstatojë shkeljen e rregullave, por nuk mund të marrë përsipër të vendosë vetë zgjidhjen që duhet të miratojë ligjvënësi.
“Gjykatës Kushtetuese i përket kompetenca për të interpretuar normat. Me fjalë të thjeshta, Kushtetuesja është arbitër. Ajo s’mund të ndajë lojën, mund të konstatojë shkeljen, por nuk mund ta marrë topin dhe të thotë: ‘Topi është imi, penalltinë do ta gjuaj unë’”, u shpreh kryeministri.
Rama tha se Gjykata Kushtetuese mund të rrëzojë një zgjidhje ligjore nëse ajo bie ndesh me Kushtetutën, por sipas tij nuk mund t’i tregojë Kuvendit se si duhet ta hartojë zgjidhjen e re.
“Kushtetuesja, si një pushtet tjetër i pavarur, është e pavarur prej nesh këtu si pushtet ligjvënës dhe është e pavarur prej nesh si pushtet ekzekutiv, për të na treguar se kur e ngremë dorën gabim”, tha Rama, duke shtuar se vendimmarrja për formulën e re i takon ligjvënësit.
Në fund, kryeministri konfirmoi se procesi për një ligj të ri tashmë ka nisur dhe se qeveria është në kontakt me strukturat e Këshillit të Europës që merren me eficiencën e drejtësisë.
“Kur flas për ligjin e ri, ne kemi nisur kontaktet me atë komisionin për eficiencën e drejtësisë dhe i kam takuar këta që i kishit ju në komision, sepse kërkuan takime dhe ne organizuam takime. Jemi të angazhuar të bëjmë ligj të ri”, deklaroi ai.
Rama e mbylli qëndrimin e tij duke përsëritur se synimi i ligjit të ri është të ndryshojë mekanizmin aktual dhe të përcaktojë se kur dhe si duhet të balancohet piramida e pagave.
“Kjo historia ‘sa herë rritet një pagë atje, të rritet edhe këtu’ duhet të marrë fund”, tha kryeministri.
j.l./ dita
