Bizneset që do të kërkojnë të rinovojnë në vitin 2027 marrëveshjen e Paqes Fiskale pritet të kenë më shumë kohë në dispozicion për aplikimet, pasi afati i procedurës parashikohet të zgjatet. Afati i zbatimit të marrëveshjes është 1 vjeçar, por mund të rinovohet deri në 2 herë. Edhe afati i zbatimit nëse marrëveshja rinovohet zgjat 1 vit.
Burime nga administrata tatimore bëjnë të ditur se, ndryshe nga viti i parë i zbatimit kur aplikimet u kufizuan në rreth 20 ditë, vitin e ardhshëm periudha e aplikimit pritet të zgjatet deri në rreth një muaj.
Në vitin e parë të zbatimit të ligjit “Për marrëveshjen e Paqes Fiskale”, aplikimet nisën më 15 Maj dhe përfunduan më 5 Qershor 2026, duke vendosur një afat të shkurtër për bizneset që të përfshiheshin në skemë.
Sipas burimeve, për vitin e dytë të zbatimit të marrëveshjes, në vitin 2027 aplikimet parashikohen të hapen më 15 Maj dhe të përfundojnë më 15 Qershor, duke krijuar një periudhë rreth 30-ditore për dorëzimin e kërkesave.
Në kuadër të marrëveshjes, bizneset përfitojnë gjithashtu të drejtën për të korrigjuar pasqyrat financiare të tre viteve të mëparshme, ndërsa rivlerësimi aplikohet vetëm në vitin e parë të marrëveshjes.
Ekspertët kërkuan më herët shtyrje të afatit për aplikimet e marrëveshjes së Paqes Fiskale, pasi afatet e kufizuara të zbatimit mund të krijojnë vështirësi në implementimin e procesit.
Ndërkohë, përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve në një takim me bizneset kanë sqaruar, si këtë vit çdo zgjatje e mëtejshme e afateve do të ndikonte në shkurtimin e periudhës minimale 1-vjeçare të zbatimit të marrëveshjes për tatimpaguesit.
Por nga të dhënat paraprake mësohet se interesi i bizneseve ka qenë i ulët për lidhjen e marrëveshjes së Paqes Fiskale.
Ligji parashikon që në marrëveshjen e Paqes Fiskale mund të përfshihen bizneset me të ardhura bruto mbi 14 milionë lekë në vit, ndërsa përjashtohen subjektet ndaj të cilave është hapur procedim penal për evazion fiskal apo mashtrim tatimor.
Në këtë marrëveshje me afat 1-vjeçar (me të drejta rinovimi deri në 2 herë), biznesit me të ardhura bruto mbi 14 milionë lekë në vit, do t’i llogaritet parapagimi i tatimit mbi një bazë të tatueshme të rritur.
Pra biznesi nuk do të parapaguajë një tatim të çfarëdoshëm, por që do të llogaritet mbi bazën e tatueshme, e përbërë nga fitimi i tatueshëm i vitit të mëparshëm, plus 18% rritje. Nëse fitimi i vërtetë në fund të vitit tejkalon kufirin (duke llogaritur fitimin e vitit të mëparshëm plus një marzh shtesë prej 18%), mbi këtë shtesë do të paguhet 5%.
Në thelb, marrëveshja nuk e ndryshon normën e tatimfitimit që është 23% për bizneset me të ardhura neto mbi 14 milionë lekë, por rrit bazën e tatueshme, pasi tatimi do të llogaritet mbi fitimin e vitit të kaluar plus një marzhi shtesë prej 18%. Vetëm për fitimin që tejkalon këtë nivel të vlerësuar, paguhet një tatim shtesë 5%.
Në këmbim, bizneset do të përfitojnë moskryerje të kontrolleve tatimore për periudhën e zbatimit të marrëveshjes.
Përveç parapagimit të tatimit kundrejt moskontrollit tatimor për 1 vit, bizneset e mëdha që do të lidhin Marrëveshjen e Paqes Fiskale me administratën tatimore gjithashtu do të kenë mundësinë të rideklarojnë pasqyrat financiare të tre viteve të fundit, kundrejt tatimit 5%.
Tatimi 5% do të aplikohet për ndryshime të tilla si: rivlerësimi i gjendjes së parasë cash, fshirja e aktiveve apo detyrimeve fiktive, deklarimi i pasurive të patreguara më parë, rideklarimi i fitimeve të mbartura dhe shpërndarja e tyre si dividend.
Për të gjitha këto raste nuk do të ketë gjoba, interesa apo kamatëvonesa, me kusht që tatimpaguesi të deklarojë paraprakisht se do të përfitojë nga marrëveshja.
Monitor.al
