Nga Petrit Nika
Botuar në DITA
Në shkollën time kam patur mësuese që i thoshte nxënësit “t’preft sharra” për gabimin më të vogël.
Kam patur mësues që në mbledhje prindërish, babai i nxënësit më problematik, i thoshte “shkërdhatë”.
Prindërit tanë na thoshin se kur shihnin mësuesin në rrugë fshiheshin diku sepse i zinte turpi t’i dilnin përballë.
Të dyja këto metoda janë të gabuara, dua pak vëmendje t’ju bind me atë që ndodhi sot.
16 vjeçari nuk gjuajti me karrige mësuesen…
…por gjithë sistemin arsimor. Gjimnazi “Hydajet Lezha” në të gjitha mediat e vendit doli për keq sot.
Gjimnazi pra, që nxori prej dyerve te veta personalitete dhe figura që kane pasuruar kulturën dhe shkencën e gjithë kombit, shumë prej tyre gjallë, të dënuar sot të shohin nga ekranet e shtëpisë sesi një nxënës shkallmoi mësuesen.
Tek gjimnazi pra, nga ku dolën brilantët e kulturës, vendi ku Bukurije Vuji përdorte metodat e mësimdhënies të cilat pas dy dekadash do të bëheshin modeli didaktik edhe në ShBA.
Gjimnazi i një qyteti që këtë vit ia kaloi gjitha qyteteve të Shqipërisë me plot 18 nxënës nga Lezha që kaluan provimin me të vështirë të vitit, atë të mjekësisë. Lezhjanët që sivjet i dhanë mjekësisë nxënës sa dyfishi i Shkodrës, trefishi Elbasanit, Vlorës, Korçës e me radhë, sot i mori nami për krejt të kundërtën.
E vërteta e hidhur është se: ai nxënës nuk ia gjuajti karrigen as mësueses, as gjimnazit, as Lezhës, por ia gjuajti krejt sistemit arsimor ne Shqipëri.
Një nxënës që ngre karrigen për të goditur mësuesen është fotografia fituese e konkursit “Arsimi Sot” në Shqipëri.
Është revolta e një nxënësi kundër një sistemi represiv që po i shtyp, shkatërron të tashmen e të ardhmen, një sistemi arsimor me ca kurrikula që të përgatisin për të shkuarën e jo për të ardhmen. Ku nxënësit detyrohen të ulen 5 orë në banka dhe të shndërrohen në drunj që dëgjojnë dikë që u flet për gjëra të cilat edhe atëherë kur i kuptojnë nuk dinë se ku do t’i aplikojnë ndonjëherë.
Në klasa ku akoma përdoret metoda e notave, mungesave, detyrave të shtëpisë, dhe kërcënimit me përsëritje viti. Ndërkohë atje jashtë dritares kalojnë Mercedes AMG, BMË X6, apo RSQ8 që notojnë si peshkaqenë në ujërat e lejuara përreth oborrit të shkollës, e që me marmitat e tyre mund ta përdhunojnë në distance harmoninë e çdo ore mësimi në çdo klase, përnjëherësh.
Si mundet një nxënës në 2023 të qëndrojë cung për orë e orë me radhë përpara mësuesit që shpjegon se kateti përballe këndit 30 gradë është sa gjysma e hipotenuzës ndërkohë që moshatarët e tyre në tik tok e instagram po lahen në dollarë duke bërë postime virale.
Edhe nxënësi me idiot në botë e kupton se ky sistem arsimor është skizofren, s’ka lidhje me realitetin.
A e dini kush e ka sistemin më të përparuar arsimor sot?
Jo Amerika, jo Kina, as Gjermania, por Finlanda e vogël, pas saj Estonia. Një nxënës në Finlandë ka detyra shtëpie gjatë gjithë javës aq sa ka një nxënës ne Shangai në një ditë, dhe prapëFinlanda është ku e ku në renditje më lart.
Pse?
Sepse sekreti i Finlandës dhe Estonisë nuk është tek detyrat e shtëpisë, por diku tjetër, sekreti i tyre është investimi tek ajo që quhet afrimiteti nxënës-mësues. Nxënësit atje kalojnë të paktën 6 vite me të njëjtin mësues apo mësuese e cila rikthehet në vite të ndryshme të shkollimit. Pra mësuesi specializohet me nxënësit. I njohu kush ishin, si u bënë, çfarë i mundon, ça i pengon, ça i shpengon, përgjatë këtyre viteve mësuesi kalon nga instruktor, në trajner, në mentor.
Pak vite më parë rastësia më përballi me një orë mësimi në Barcelonë, atje nxënësit e klasës së parë apo të dytë nuk i kishin lidhur me këmisha force në bankat e shkollës por bashkë me mësuesen po ecnin në rërën e plazhit… e ndërsa mësuesja u shpjegonte aspekte te ndryshme të diturisë mbi natyrën ata ndërkohë të gjithë mblidhnin shishe plastike, letra çokollatash, lugë e gota plastike, sende të hedhura dhe kështu ata nuk ushqeheshin vetëm me dashuri për natyrën.
Nuk është zor për të kuptuar se nxënësit e klasës së dytë nuk kanë fuqinë të pastrojnë gjithë vijën e bregdetit POR, kjo lloj mësimdhënieje i bënte ata që jo vetëm të krijonin afrimitet me mësuesen, ta ndiejnë sikur vërtet të ishte një prind i dytë, por edhe sepse gjatë pushimeve verore ai nxënës nuk do ta lejonte kurrsesi babain e tij të gjuante lëkurat e bostanit në rërë, apo vëllai kaushin e akullores më larg se babi lëkurat.
Që nxënësi ta shohë mësuesin si prind duhet që së bashku të zhvillojnë aktivitete të cilat tjetër ndryshe do t’i bënte me familjen.
Imagjinoni për një moment nëse në shkollat tona fëmijët do të çliroheshin nga bankat e shkollës dhe do të riktheheshin në natyrë.
Cila shkollë në Shqipëri apo ne Lezhë i nxjerr fëmijët të mësojnë të mbjellin pemë, pisha nëpër kënde të ndryshme të Lezhës, kur të rriteshin ata nxënës nuk do ta dëmtonin kurrë një të tillë në qytet.
Cili mësues në Lezhë i nxjerr nxënësit në lagunën e Vainit, në zonën me të pasur të Evropës për dendësi shpendësh për sipërfaqe, por që fatkeqësisht ka nxënës që s’njohin as tre emra speciesh të ndryshme shpendësh, lëre pastaj t’i dallojnë në fluturim.
Cila shkollë ka lëndën e edukatës financiare, ndërsa nxënësit tanë marrin edukatë financiare nga reklamat në TV dhe kanë arritur deri në pikën sa thonë e mendojnë se kredia është kur bankat të falin lekë.
Cila shkollë në Lezhë u mëson nxënësve peshkimin, dhe llojet e peshqve?
Cila shkollë u mëson notin?
Cila shkollë ka orë kërcimi, këndimi, pikture në natyrë?
Cila shkollë ka ore përformance teatrale apo dramaturgjie?
Cila shkollë u mëson fëmijëve të krijojnë, rrisin e mirëmbajnë, një faqe instagrami, youtube apo facebook?
Cila shkollë u mëson nxënësve si filtrohet një lajm në internet për të kuptuar nëse është fake apo i vërtetë?
Cila pra cila, u mëson të shkrepin fotografi profesionale me iPhone-t që kanë në xhep?
Cila shkolle ka në programin e saj sinjalistikën bazë rrugore?
Cila shkolle u mëson të kodojnë lojëra bazike për iOS dhe Android?
Këto aktivitete pra jo vetëm që u japin nxënësve mundësi krijuese me vlera por gjithashtu janë vetëm fillimi që shkollat tona të dalin nga skizofrenia, e ndoshta një hap shumë i rëndësishëm drejt mbylljes së asaj humnerës nxënës – mësues.
Nxënësit janë si bima, nuk i rrisim dot duke i tërhequr nga veshët, por duke krijuar parakushtet që ata të lulëzojnë.
Shkollat duhet t’i përshtaten kërkesave të kohës dhe t’i hapin rrugën zhvillimit të potencialit njerëzor në të gjitha mënyrat e shfaqjes së tij. Dikush që nuk ka qenë i mirë në algjebër është sot hidrauliku më i mirë në qytet.
Ajo që nuk ka qenë e mire në biologji është sot me dyqan bizhush në Dubai, ai që nuk merrte notë më të mirë se 7-ta, është sot këngëtar me famë jashtë kufirit… Dilni pra nga skizofrenia me ato kurrikula të prapambetura ose do prodhoni vetëm skifterë që vjedhin nëpër shtëpitë e botës e të vetes në rastin e më guximtarëve, dhe zombie të drobitura prej hashashit në rastin e atyre që nuk ia dolën ndryshe.
—-
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
