Klubi i Chelseas është një hap larg fillimit të punimeve për rinovimin e stadiumit” Stamford Bridge” me investimin që në total do të kapë shifrën e 2 miliardë paundë.
Klubi ishte përballur me një numër të madh pengesash për rinovimin e stadiumit dhe rritjen e kapacitetit të tij , në kohën kur drejtohej nga rusi Roman Abramovich për shkak të kostove të larta.
Por fondet për rindërtimin e stadiumit të “Bluve” u arritën si pjesë e marrëveshjes për marrjen e pronësisë së klubit nga dyshja Tod Boehly dhe “Clearlake Capital” në maj të vitit 2022, ku operacioni për ndërrimin e pronësisë kapi shifrën e 4.25 miliardë paundë.
Fokusi do të jetë më shumë në rinovimin e stadiumit aktual prej 40341 vendesh, gjithashtu klubi do të kërkojë dhe blerjen e një pjese të territorit që rrethon stadiumin, ku presidenti Boehly do të mbulojë 60% të shumës që llogaritet të shkojë rreth 50 milion Euro.
Sipas “Mail Sports”, Chelsea ka arritur të mbledhë 157 kompani të cilat do të ndihmojnë jo pak në zbatimin e projektit dhe do të mbulojnë rreth 40% të shpenzimeve. Tratativat me kompanitë kishin filluar më herët, por ato ishin ndërprerë në kohën kur presidentit të atëhershëm, Abramovich, i ishte ndaluar hyrja në Britaninë e Madhe.
Përveç rinovimit të kapacitetit aktual pritet rritja e kapacitetit në 60 mijë vende. Ky projekt pritet ta mbajë Chelsean për 5 vite jashtë stadiumit të tyre. Dhe besohet që presidenti i klubit Tod Boehly të jetë futur në bisedime me pronarin e Fulhamit, Shahid Khan, rreth një mundësie që Chelsea t’i zhvillojë aty ndeshjet si pritës. Me stadiumin “Craven Cottage”, që ka një kapacitet prej 25700 vendesh.
Nisur nga fakti që punimet mund të nisin me vonesë dhe frikës se punimet mund të zgjasin më shumë se 4 ose 5 vite, parashikohet që Chelsea të rikthehet në stadiumin e tij vetëm në vitin 2030.
