Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Universiteti shqiptar: kapitulli u mbyll, por jo hendeku
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Lajmi i fundit > Universiteti shqiptar: kapitulli u mbyll, por jo hendeku
Lajmi i funditopinion

Universiteti shqiptar: kapitulli u mbyll, por jo hendeku

Published: August 10, 2026
Shpërndaje

Shënim i redaksisë: Në këtë analizë të thellë e shteruese mbi gjendjen e arsimit të lartë në Shqipëri, Prof. Tarifa tërheq vëmendjen mbi një të vërtetë sa të thjeshtë, aq edhe të rëndësishme: mbyllja e përkohshme e kapitujve që lidhen me arsimin dhe kërkimin shkencor në negociatat me Bashkimin Europian nuk do të thotë se universitetet shqiptare janë bërë universitete europiane. Mes përmbushjes së kritereve formale të një procesi negociues dhe europianizimit real të universitetit—në standarde, kërkim shkencor, cilësinë e profesoratit, kulturën akademike dhe prodhimin e dijes—mbetet ende një hendek që nuk mbyllet me një vendim në Bruksel.

Nga Fatos Tarifa

Tre kapituj u mbyllën! Ç’do të thotë kjo?

- Publicitet -

Rreth një muaj më parë, Shqipëria mbylli përkohësisht tre kapitujt e parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian: Kapitullin 25, mbi Shkencën dhe Kërkimin Shkencor; Kapitullin 26, mbi Arsimin dhe Kulturën; si dhe Kapitullin 30, mbi Marrëdhëniet me Jashtë.

Edhe pse lajmi u bë i njohur në kulmin e një vale të gjerë protestash qytetare kundër qeverisë së Kryeministrit Rama, ky i fundit u përpoq ta paraqiste këtë zhvillim thuajse si një fitore vendimtare në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Protestat dhe zemërimi qytetar, sidoqoftë, nuk i lanë shumë hapësirë euforisë zyrtare dhe as i dhanë mundësi qeverisë ta “shijonte” gjatë lajmin e mirë.

Në një vend ku politika është mësuar prej kohësh ta paraqesë procedurën si arritje dhe dokumentin si realitet, edhe një fazë teknike e procesit të integrimit mund të shitet si triumf politik. Por, ndërsa kapitujt e negociatave mund të hapen e të mbyllen në Bruksel, problemet reale të një shoqërie nuk zgjidhen me të njëjtën lehtësi.

Mbyllja e përkohshme e kapitujve të parë është, padyshim, një hap përpara, por jo ajo fitore e madhe për të cilën foli kryeministri. Nga 33 kapituj negociues, vetëm tre janë mbyllur përkohësisht; 30 të tjerë mbeten ende për t’u mbyllur. Vetë cilësimi “përkohësisht” kërkon një lexim më të matur të këtij zhvillimi dhe nuk e përligj triumfalizmin politik që e shoqëroi atë.

Mund të flisja për secilin prej këtyre tre kapitujve, por këtu zgjedh të ndalem te Kapitulli 26, ai mbi Arsimin dhe Kulturën dhe, më konkretisht, te problemet e arsimit të lartë, një fushë që lidhet drejtpërsëdrejti me vokacionin tim kryesor profesional.

Një episod i një dekade më parë që flet edhe sot

Për ta vendosur çështjen në një kontekst më të gjerë, dëshiroj të sjell në vëmendjen e lexuesit një episod të 11 viteve më parë. Në vitin 2015, në prag të miratimit të Ligjit për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor, u ftova në studion e TV Klan, së bashku me z. Arbjan Mazniku, në atë kohë zëvendësministër i Arsimit dhe Sportit. Unë e kisha mbështetur publikisht platformën për reformimin e arsimit të lartë, si edhe projektligjin që pritej të miratohej, duke botuar madje, pak kohë para atij episodi, librin Arsim i lartë për një shoqëri të hapur, por mbeta thellësisht i habitur dhe i zhgënjyer kur z. Mazniku deklaroi në atë emision se, me miratimin e ligjit të ri, “pas tre vitesh, universitetet shqiptare do të jenë njëlloj si universitetet europiane”.

Ky mund të ketë qenë mendimi personal i zëvendësministrit të Arsimit dhe jo një qëndrim zyrtar i qeverisë, por për mua, atëherë—sot edhe më shumë—një pohim i tillë ishte tërësisht absurd dhe i papranueshëm. Miratimi i një ligji të ri për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor nuk mund të nënkuptonte se, si me magji, universitetet shqiptare do të transformoheshin rrënjësisht dhe, brenda tre apo pesë vitesh, do të bëheshin “njëlloj si universitetet europiane”. Universitetet nuk transformohen sa hap e mbyll sytë dhe cilësia akademike nuk krijohet me dekret.

Deklaratën e z. Mazniku e konsiderova demagogjike dhe shprehje të një konceptimi thellësisht të gabuar mbi mënyrën se si reformohen universitetet dhe sistemet arsimore. Në atë emission, vura në dukje një të vërtetë fare të thjeshtë: atë se universitetet europiane nuk janë të gjitha njëlloj. Mes tyre ka universitete të shkëlqyera, universitete të mira e mesatare, por edhe universitete të dobëta, madje shumë të dobëta. Për këtë arsye, vetë pohimi se universitetet shqiptare do të bëheshin “si universitetet europiane” nuk thoshte, në të vërtetë, thuajse asgjë. Ai linte pa përgjigje pyetjen më të rëndësishme: si cilat universitete europiane dhe sipas cilave standarde?
Si Oxford dhe Cambridge, Imperial College London dhe LSE, apo si Spiru Haret University në Bukuresht? Si ETH Zürich, apo si European Polytechnical University në Pernik të Bullgarisë? Si University of Amsterdam dhe TU Delft, apo si Kazimieras Simonavičius University në Lituani? Si École Polytechnique dhe Sorbonne, apo si Università per Stranieri “Dante Alighieri” në Reggio Calabria? Si Technical University of Munich, Ludwig Maximilian dhe Heidelberg në Gjermani, apo si University of Nova Gorica në Slloveni?

Të flasësh për “universitetet europiane” si për një kategori homogjene, me një standard të vetëm cilësie, është jo vetëm një përgjithësim i pambështetur, por edhe një keqkuptim i vetë realitetit të arsimit të lartë europian. Europa nuk ka një model të vetëm universiteti dhe, aq më pak, një nivel të vetëm cilësie universitare.

Së dyti, argumentova se universitetet nuk mund të reformohen në tre ose pesë vjet dhe se edhe universitetet më të mira shqiptare do të mund t’i afroheshin nivelit që kishin atëherë universitetet e kategorisë së mesme në disa vende të Bashkimit Europian vetëm pas një periudhe shumë më të gjatë—ndoshta pas një çerek shekulli—dhe vetëm nëse reforma do të ishte e thellë, konsekuente dhe e pandërprerë.

Theksova se rezultatet e një reforme të vërtetë do të mund të bëheshin të dukshme vetëm atëherë kur fëmijët që do të nisnin klasën e parë në vitin 2016 të përfundonin studimet universitare, pasi të kishin kaluar nëpër një sistem arsimor të reformuar rrënjësisht dhe në mënyrë koherente, nga arsimi parashkollor deri në universitet. Kjo do të kërkonte të paktën 16 deri në 20 vjet, pra do të na çonte diku në vitet 2032-2036. Sot, 11 vite më vonë, duke parë gjendjen në të cilën vazhdon të ndodhet arsimi ynë i lartë, edhe ajo perspektivë që atëherë e shihja të mundshme, më duket shumë e largët.

Atëherë, por sot edhe më shumë, isha dhe mbetem i mendimit se sistemi i arsimit të lartë nuk mund të reformohet vetëm me një ligj, sado i mirë të jetë ai. Universiteti është maja e një sistemi arsimor pyramidal dhe cilësia e tij varet, në një masë të madhe, nga gjithçka që ndodh shumë kohë përpara se studenti të hyjë në auditor: nga cilësia e arsimit parashkollor, fillor e të mesëm; nga formimi i mësuesve dhe i pedagogëve; nga kultura e leximit dhe e të menduarit kritik; nga mënyra e përzgjedhjes dhe e promovimit të profesoratit; nga standardet e studimeve doktorale; nga cilësia e kërkimit shkencor; nga infrastruktura akademike dhe, mbi të gjitha, nga krijimi dhe konsolidimi i një kulture të meritës, të përgjegjësisë dhe të integritetit akademik.

Asnjëra prej këtyre nuk krijohet me ligj dhe as brenda një apo dy mandatesh qeverisëse. Ato kërkojnë kohë, vazhdimësi, institucione të qëndrueshme, investime serioze dhe, mbi të gjitha, breza të tërë akademikësh që formojnë brezat pasardhës. Universitetet e mëdha nuk lindin të mëdha; ato bëhen të tilla përmes një procesi të gjatë historik të akumulimit të dijes, traditës, standardeve dhe kulturës akademike. As Universiteti i Berlinit i konceptuar nga Wilhelm von Humboldt, as Harvard, as Oxford apo Cambridge nuk u bënë në një dekadë të vetme ato institucione që janë sot. U janë deshën shumë dekada, madje shekuj, për të krijuar traditën, reputacionin dhe kulturën akademike që i dallon si universitetet më të mirë në botë. Një universitet mund të themelohet me një akt juridik brenda një dite, por një universitet shumë i mirë ndërtohet nga breza të tërë.

E njëjta mendësi: euforia e djeshme si triumfalizm i sotëm

E solla në vëmendje këtë episod sepse euforia e zëvendësministrit të atëhershëm të Arsimit, sot anëtar i kabinetit qeveritar, ngjan si dy pika uji me euforinë që përshkon sot retorikën e qeverisë. Në të dyja rastet shfaqet e njëjta mendësi e ngushtë dhe triumfaliste: prirja për ta paraqitur një hap formal apo institucional si transformim real dhe një arritje të pjesshme si sukses të madh.

Mentaliteti që prodhoi atë deklaratë demagogjike optimiste në vitin 2015 duket se rishfaqet sot, në një formë tjetër, në mënyrën se si qeveria paraqet mbylljen e përkohshme të kapitujve që lidhen me arsimin dhe shkencën në negociatat me Bashkimin Europian. Edhe kësaj here ngatërrohen dy gjëra thelbësisht të ndryshme: përmbushja e kërkesave të një procesi negociues me europianizimin real të universitetit shqiptar.

Duhet bërë një dallim thelbësor. “Mbyllja e përkohshme” e kapitujve 25 dhe 26 nuk do të thotë se Bashkimi Europian ka certifikuar cilësinë e universiteteve shqiptare, standardet e tyre akademike apo nivelin e kërkimit shkencor në Shqipëri. Ajo do të thotë vetëm se, në kuadër të procesit të negociatave, vendet anëtare të BE-së kanë vlerësuar se janë përmbushur kushtet e nevojshme për mbylljen e përkohshme të këtyre kapitujve. Ky është një vlerësim që i përket një procesi negociues; nuk është një certifikatë europiane e cilësisë së universitetit shqiptar.

Një kapitull negociatash mund të hapet dhe të mbyllet. Një ligj i ri mund të miratohet. Një strategji mund të hartohet e të miratohet. Një institucion mund të akreditohet. Mund të hartohen standarde, të nënshkruhen marrëveshje, të prodhohen raporte dhe të plotësohen me sukses formularët e Brukselit. Por asnjëra prej këtyre, më vete, nuk krijon në Shqipëri një universitet europian.

Sepse universiteti nuk bëhet europian nga dokumentet që prodhon, as nga procedurat që përmbush apo nga vulat që merr, por nga cilësia e dijes që krijon dhe transmeton, nga standardet akademike që zbaton dhe nga kultura institucionale që ndërton. Kapitujt e negociatave mund të mbyllen me procedura institucionale; hendeku akademik ngushtohet dhe mund të mbyllet me dije, meritë, integritet, kërkim shkencor, investime dhe kohë.

Njëmbëdhjetë vite pas atij debati dhe tetë vite pas afatit që atëherë u shpall me aq siguri nga një zëvendësministër i Arsimit, pyetja është fare e thjeshtë: A janë sot universitetet shqiptare më europiane? Dhe, nëse jo, çfarë na jep të drejtën të festojmë sot mbylljen e një kapitulli negociues sikur kjo të dëshmonte se arsimi ynë i lartë është europianizuar?

Një mal me probleme

Në atë kohë, dhe vazhdimisht më pas, kam theksuar se problemet e arsimit të lartë në Shqipëri janë të shumta e serioze dhe se ato nuk burojnë thjesht nga mangësitë e ligjit për arsimin e lartë. Ato janë, në radhë të parë, probleme konceptuale, strukturore, kulturore, metodologjike dhe njerëzore. Për këtë arsye, nuk mund të zgjidhen vetëm duke përmirësuar legjislacionin apo duke prodhuar akte të reja normative. Një ligj më i mirë mund të krijojë një kuadër institucional më të përshtatshëm, por nuk mund të prodhojë vetvetiu kulturë akademike, integritet profesional, mendim kritik, standarde të larta të mësimdhënies dhe kërkim shkencor cilësor.

Reformimi i vërtetë i arsimit të lartë dhe i kërkimit shkencor në Shqipëri duhet, pra, të shkojë shumë më thellë: të ndryshojë vetë kulturën dhe praktikën universitare, mënyrën se si universiteti e kupton dhe e përmbush misionin e vet, si përzgjedh dhe promovon profesoratin, si formon studentët dhe studiuesit e rinj dhe, në fund të fundit, si krijon, transmeton dhe vlerëson dijen. Pa një transformim të tillë, çdo reformë rrezikon të mbetet kryesisht në letër: mund të ndryshojë ligji, pa ndryshuar universiteti.

Universitet pa kërkim shkencor!

Universiteti modern nuk është thjesht një institucion mësimdhënieje. Që nga modeli kërkimor humboldtian—të cilin në Shtetet e Bashkuara e institucionalizoi i pari në mënyrë sistematike Johns Hopkins University—ideja e universitetit modern është mbështetur në lidhjen organike mes mësimdhënies dhe kërkimit. Misioni i profesorit nuk është vetëm t’u transmetojë studentëve atë që tashmë dihet; ai duhet të marrë pjesë vetë në procesin përmes të cilit krijohet dije e re, pra zbulohet dhe shpjegohet ajo që ende nuk dihet. Pa kërkim shkencor, universiteti pushon gradualisht së qeni universitet në kuptimin modern të fjalës dhe rrezikon të shndërrohet thjesht në një shkollë të nivelit të lartë.

Në Shqipëri, kërkimi shkencor vazhdon të jetë një nga hallkat më të dobëta të arsimit të lartë. Financimi i tij është jo thjesht i pamjaftueshëm, por tragjikisht i tillë. Infrastruktura kërkimore mbetet e varfër, koha institucionale që u lihet pedagogëve për kërkim është tepër e kufizuar, ndërsa kultura e kërkimit shkencor mbetet ende larg standardeve të atyre universiteteve europiane me të cilat pretendojmë të krahasohemi dhe të integrohemi.

Por problemi nuk është vetëm financiar. Ai është edhe institucional e kulturor. Në mjedisin tonë universitar, pyetja që zakonisht i bëhet një profesori është: “Çfarë lënde jep?”. Në universitetet serioze kërkimore, kjo është vetëm njëra prej pyetjeve. Po aq të rëndësishme—dhe më përcaktuese për profilin akademik të një profesori—janë pyetje të tjera: Me çfarë problemi shkencor merresh? Çfarë studimi po kryen? Çfarë ke zbuluar apo çfarë argumenti të ri ke propozuar? Çfarë ke botuar dhe ku? Në cilat debate shkencore ndërkombëtare merr pjesë? Kush i lexon, kush i diskuton dhe kush i citon studimet e tua?

Kur pyetje të tilla nuk bëhen, ose bëhen rrallë, kërkimi bëhet dytësor. Dhe kur kërkimi bëhet dytësor, universiteti humbet një pjesë thelbësore të identitetit dhe të misionit të vet. Sepse një universitet që vetëm transmeton dijen e prodhuar nga të tjerët, por nuk kontribuon vetë në krijimin e saj, mbetet universitet kryesisht në emër, jo plotësisht në funksion. Me ndonjë përjashtim të rrallë, të tillë janë sot thuajse të gjitha universotetet shqiptare.

Vijmë te klasa më e re e akademikëve shqiptarë—studentët doktorantë—prej të cilëve do të formohet profesorati i nesërm. Shumica e tyre dhe një pjesë e madhe e pedagogëve botojnë artikuj, por botimi i një artikulli nuk do të thotë domosdoshmërisht se kemi të bëjmë me një punim shkencor. Shumë prej këtyre botimeve nuk sjellin një kontribut origjinal, nuk mbështeten në kërkime empirike serioze, nuk zhvillojnë apo sfidojnë një argument teorik dhe nuk i nënshtrohen atij procesi rigoroz vlerësimi nga kolegë dhe ekspertë të fushës që, në botën akademike, përbën një prej mekanizmave themelorë të kontrollit të cilësisë.

Një pjesë e konsiderueshme e këtyre artikujve përfundojnë në revista periferike, të panjohura ose krejt fantazmë, botime që ekzistojnë më shumë për të prodhuar “publikime” sesa për të prodhuar dije. Kështu krijohet paradoksi i një universiteti në të cilin numri i artikujve mund të rritet, ndërsa prodhimi real shkencor mbetet i varfër.

Publikimi shndërrohet në një kërkesë burokratike për marrjen e gradës “Doktor”, në një pasaportë të domosdoshme për të hyrë në radhët e personelit akademik e të kërkuesve të kualifikuar, për t’u promovuar akademikisht apo për të fituar një titull, në vend që të jetë rezultati i natyrshëm i një procesi të mirëfilltë kërkimor.
Edhe më domethënës është fakti se rezultatet e studimeve të kryera në universitetet tona shumë rrallë bëhen pjesë e asaj dijeje që qarkullon në tregun ndërkombëtar të ideve, të zbulimeve dhe të inovacioneve shkencore e teknologjike. Me disa përjashtime të respektueshme, sidomos në fusha të caktuara, mbeten ende të pakta studimet e realizuara në bashkëpunim organik me studiues të universiteteve, instituteve dhe qendrave kërkimore të huaja.

Po aq problematike është prania e dobët e profesoratit shqiptar në jetën e organizuar akademike ndërkombëtare. Janë relativisht të rralla pjesëmarrjet aktive në kongreset dhe konferencat kryesore të shoqatave akademike dhe organizatave profesionale ndërkombëtare të disiplinave përkatëse. Krahas kësaj, është përhapur një industri konferencash të dyshimta, shpesh obskure, ku pranimi i një kumtese kalon përmes një filtri minimal intelektual dhe ku kriteri më i sigurt i pjesëmarrjes është pagesa e tarifës. Në mjedise të tilla paraqiten shpesh punime me peshë të pakët shkencore, ose pas asnje vlerë të njëmendtë akademike, të cilat më pas regjistrohen në CV si “pjesëmarrje në konferenca ndërkombëtare”, duke krijuar përsëri dukjen e një veprimtarie akademike që jo gjithmonë i përgjigjet përmbajtjes së saj reale.

Kjo kulturë e simulimit akademik, e cila duket se është rrënjosur thellë te ne, është, në një kuptim real të fjalës, edhe më e dëmshme se vetë mungesa e kërkimit, sepse krijon pamjen e një universiteti që boton, organizon konferenca, bashkëpunon ndërkombëtarisht dhe prodhon shkencë, ndërkohë që një pjesë e këtyre veprimtarive mbeten kryesisht formale dhe pa ndonjë vlerë. Krijohet kështu një cilësi fiktive—e dokumentuar me dosje, formularë, certifikata, lista botimesh dhe raporte institucionale, por shumë më pak e verifikueshme përmes kontributit real që universitetet shqiptare dhe studiuesit tanë japin në krijimin dhe zhvillimin e dijes.

Pikërisht këtu qëndron një prej kontradiktave më të mëdha të procesit tonë të europianizimit. Shqipëria mund të përmbushë kritere formale, të harmonizojë legjislacionin, të ndërtojë institucione dhe të avancojë në negociatat me Bashkimin Europian, por universiteti europian nuk krijohet me akte normative dhe as certifikohet nga përmbushja e një procedure burokratike. Ai ndërtohet përmes një kulture akademike që vlerëson meritën, origjinalitetin, konkurrencën intelektuale, kërkimin, kritikën dhe integritetin shkencor.

Ndërkohë, vetë institucionet europiane vazhdojnë të vërejnë se financimi i arsimit dhe i kërkimit shkencor në Shqipëri mbetet nën nevojat e sistemit, se infrastruktura kërkimore është e pamjaftueshme dhe se investimet në kërkim duhet të rriten ndjeshëm. Kjo na rikthen te dallimi themelor mes përmbushjes formale të kritereve të integrimit dhe transformimit real të universitetit. Pa këtë të fundit, “europianizimi” i arsimit tonë të lartë rrezikon të mbetet ai që, në shumë aspekte, është ende sot: europian në formularë, provincial në praktikë.

“Si këmbët e dhisë”

Një problem esencial është niveli i profesoratit. Në një sistem universitar serioz, titulli “profesor” nuk është thjesht një shkallë administrative në hierarkinë e karrierës. Ai duhet të kurorëzojë një histori të gjatë kërkimi shkencor, botimesh me peshë, kontributesh origjinale në një disiplinë, pjesëmarrjeje aktive në debatin shkencor ndërkombëtar dhe aftësie për të formuar studiues të rinj. Profesorati është, para së gjithash, një status intelektual; vetëm më pas është një titull formal.

Tek ne, për fat të keq, formalizmi e ka cenuar rëndë kuptimin dhe vlerën e gradave e të titujve akademikë. Doktoratura, titulli “profesor i asociuar” dhe, më pas, ai “profesor” perceptohen gjithnjë e më shumë si shkallë pothuajse të parashikueshme të një karriere burokratike që duhen ngjitur sa më parë, dhe jo si dëshmi të një kontributi shkencor të dallueshëm. Kur titulli bëhet objektiv në vetvete dhe jo njohje e një arritjeje intelektuale, hierarkia akademike fillon të humbasë kuptimin e saj. Një profesor dhe koleg i nderuar, i doktoruar jashtë vendit dhe autor i shumë librave e artikujve të botuar në Shqipëri dhe në Perëndim, më thoshte një ditë, me një ironi të hidhur, se në akademinë tonë u bëmë “si këmbët e dhisë”: të gjithë doktorë, të gjithë profesorë, të gjithë njëlloj.

Kur një sistem prodhon shumë grada e tituj shkencorë, por pak ose aspak dije të re, kemi të bëjmë me inflacioni akademik. Dhe, si çdo inflacion, edhe ky zhvlerëson monedhën që qarkullon. Në këtë rast, monedha janë vetë gradat dhe titujt akademikë. Për një kohë të gjatë, mundësia për të marrë gradën “Doktor” u zgjerua aq shumë, sa ajo u bë e arritshme edhe për njerëz pa asnjë lidhje me arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor dhe pa një karrierë të mirëfilltë akademike—nëpunës, mësues shkollash të mesme, deputetë, ministra, apo profesionistë të fushave të tjera. Legjislacioni i mëvonshëm është përpjekur t’i kufizojë dukuri të tilla, por ligji, siç e dimë, nuk mjafton kur kultura institucionale gjen mënyra për ta anashkaluar atë.

Kështu krijohet një paradoks i dukshëm: mund të rritet numri i profesorëve dhe i doktorëve pa u rritur në të njëjtën masë cilësia e universitetit; mund të shtohen botimet pa u shtuar kontributet shkencore; mund të plotësohen formularët, kriteret dhe pikët e kërkuara, ndërsa substanca intelektuale mbetet e varfër. Një sistem mund të duket gjithnjë e më i kualifikuar në letër, ndërsa bëhet gjithnjë e më pak konkurrues në realitet. Cilësia formale nuk është domosdoshmërisht cilësi reale.

Natyrisht, universitetet shqiptare kanë pedagogë të aftë, studiues seriozë dhe individë me përvojë të çmuar akademike, të fituar brenda dhe jashtë vendit. Do të ishte e padrejtë dhe intelektualisht e pasaktë të mohohej kjo. Problemi, sidoqoftë, është sistemik. Ai ka të bëjë me standardin mesatar të profesoratit dhe, sidomos, me mekanizmat përmes të cilëve formohet, përzgjidhet, vlerësohet dhe riprodhohet elita akademike.

Nuk duhet harruar se universitetet “prodhojnë” jo vetëm dije dhe njerëz të arsimuar, por edhe ata që nesër do të “prodhojnë” më shumë dije dhe të tjerë njerëz të arsimuar. Prandaj, në kushtet e Shqipërisë, thelbi i çdo reforme në arsimit të lartë dhe sekreti i suksesit të saj qëndron jo vetëm në mënyrën sesi prodhohen dija dhe njerëzit e arsimuar por, sidomos, në mënyrën se si “prodhohen” prodhuesit e dijes dhe të njerëzve të arsimuar, pra profesorati i ardhshëm.

Askush nuk e vë në dyshim se kushtet për zhvillim dhe progres intelektual dhe akademik janë shumë më të mira e më stimuluese për ata studiues e kërkues shqiptarë që japin mësim në universitete perëndimore me reputacion ose kryejnë kërkime në institute, qendra kërkimore dhe laboratorë të njohur. Mjedisi akademik në të cilin punojnë, infrastruktura kërkimore, mundësitë për bashkëpunim, konkurrenca intelektuale dhe, mbi të gjitha, financimi i qëndrueshëm i kërkimit krijojnë kushte që e përshpejtojnë zhvillimin profesional dhe rrisin cilësinë e prodhimit shkencor.

Këtë e kam provuar si një përvojë personale kur jetoja dhe punoja në Hollandë dhe në Shtetet e Bashkuara. Kushtet e punës dhe mjedisi akademik në International Institute of Social Studies (ISS) në Hagë, në University of North Carolina at Chapel Hill, si edhe në Eastern Michigan University, ku dhashë mësim në vitet e fundit para se të vendosja të kthehesha në Tiranë, ishin jashtëzakonisht stimuluese për veprimtarinë time kërkimore.

Në ato kushte dhe në atjë mjedis intelektual inkurajues arrija të botoja, mesatarisht, tre-katër artikuj shkencorë në vit në revista akademike të rëndësishme. Kjo nuk ndodh në të njëjtën masë në Tiranë, edhe pse kultura akademike e fituar në Perëndim dhe motivimi im personal nuk kanë ndryshuar. Ndryshimi qëndron, në një masë të madhe, te mjedisi dhe kushtet në të cilat zhvillohet puna akademike këtu.
Pikërisht këto kushte dhe ky mjedis mungojnë, në një masë të konsiderueshme, në universitetet dhe në institucionet kërkimore shqiptare. Dhe, kur mungojnë kushtet, nuk është domosdoshmërisht talenti ai që mungon; mungon mundësia që talenti të shndërrohet në arritje shkencore të qëndrueshme dhe ndërkombëtarisht konkurruese.

Shqipërisë, siç theksova më sipër, nuk i mungojnë profesorët, studiuesit dhe kërkuesit e talentuar. Të tillë ka dhe disa prej tyre kanë dëshmuar se mund të konkurrojnë denjësisht edhe jashtë vendit. Çështja është se sa shumë më përpara mund të shkonin ata—dhe, bashkë me ta, arsimi i lartë dhe shkenca shqiptare—nëse kërkimi shkencor do të financohej shumë më mirë dhe nëse universitetet tona do të krijonin kushtet institucionale, sociale dhe infrastrukturore që kërkojnë sot arsimi universitar cilësor dhe prodhimi serioz i dijes.

Një politikë e tillë do të kishte edhe një efekt tjetër vendimtar: do të ndihmonte në mbajtjen në vend të studiuesve të talentuar dhe, ndoshta, edhe në kthimin e një pjese të atyre që sot punojnë jashtë Shqipërisë. Nuk mund t’u kërkohet studiuesve të rinj të ndërtojnë një karrierë shkencore konkurruese ndërkombëtarisht vetëm me entuziazëm dhe sakrifica personale, kur u mungojnë laboratorët, fondet kërkimore, bibliotekat dhe bazat e të dhënave, mundësitë për të financuar kërkimin në terren, pjesëmarrjen në kongrese të rëndësishme ndërkombëtare apo krijimin e grupeve të qëndrueshme kërkimore me kolegë të huaj.

Kurrikula të djeshme për studentët e sotëm dhe kërkuesit e nesërm

Veçanërisht shqetësuese është gjendja e kurrikulave dhe e metodologjive të mësimdhënies. Në shumë programe universitare vazhdojnë të mbijetojnë struktura kurrikulare, bibliografi dhe praktika pedagogjike që nuk ecin me ritmin e zhvillimeve bashkëkohore të disiplinave përkatëse. Ndryshohen emërtimet e lëndëve, riorganizohen kreditet, hartohen syllabuse sipas modeleve europiane, por jo rrallë ndryshimet janë më shumë kozmetike sesa përmbajtësore dhe epistemologjike.

Një syllabus nuk bëhet modern thjesht sepse është shkruar në anglisht apo sepse përmban rubrikën “learning outcomes” apo “civic discourse competency”. Moderniteti i tij përcaktohet nga ajo që lexohet e studiohet, nga problemet që shtrohen për diskutim, nga mënyra se si studentët mësojnë të arsyetojnë dhe, sidomos, nga kontakti i tyre me zhvillimet më të fundit dhe me kufijtë e dijes në disiplinën përkatëse.

Modeli tradicional i leksionit, në të cilin pedagogu flet dhe studenti mban shënime për t’i riprodhuar më pas në provim, vazhdon të ketë një peshë që nuk duhet ta kishte më. Një ndër sfidat më të mëdha pedagogjike për universitetin e sotëm është ajo që profesori i Harvardit Louis Menand e ka përshkruar si nevojën për të ndryshuar modelin linear të transmetimit të dijes—leksionin monolog, që ndjek një vijë të vetme mendimi—për t’iu përshtatur një brezi studentësh të mësuar tashmë të marrin informacion me shpejtësi dhe nga burime të shumëfishta. Përballimi i kësaj sfide kërkon vëmendje, të paktën, në dy drejtime themelore.

Së pari, në përdorimin efektiv të metodave të mësimdhënies. Të mësuarit mekanik, i mbështetur kryesisht në memorizimin dhe riprodhimin e informacionit që pedagogu përcjell në auditor, është krejt i pamjaftueshëm për të formuar aftësitë analitike, kritike dhe praktike që kërkon universiteti bashkëkohor. Në shkollat dhe universitetet tona vazhdojmë jo rrallë të praktikojmë atë që studiuesi amerikan John Bransford e ka kritikuar, në thelb, si një nga mënyrat më të varfra të të mësuarit: “Ne u themi studentëve të njëjtën gjë njëqind herë. Herën e njëqind e njëjtë u kërkojmë atyre të thonë nëse e mbajnë mend çfarë u kemi thënë njëqind herët e para”, ndërkohë që, në shekullin e 21-të, testi i vëretetë i rigorozitetit është nëse studentët janë në gjendje të shohim një material që nuk e kanë parë më parë dhe të dinë ç’të bëjnë me të.

Studimet në psikologjinë konjitive dhe në neuroshkencë kanë treguar se dija bëhet më e qëndrueshme kur të mësuarit nuk kufizohet te memorizimi, por shoqërohet me angazhim aktiv me informacionin, me arsyetim analitik e kritik, zgjidhje problemesh dhe eksperimentim. Universiteti bashkëkohor kërkon seminar, debat, ese analitike, kërkim individual, punë në grup, analizë burimesh, mendim kritik dhe, jo më pak e rëndësishme, aftësinë e studentit për të vënë në dyshim dhe për të kundërshtuar me argument edhe profesorin e vet. Sepse misioni i universitetit nuk është t’i mësojë studentit çfarë të mendojë, por si të mendojë.

Së dyti, në shfrytëzimin inteligjent të mundësive që ofrojnë teknologjitë e reja të informacionit e të komunikimit dhe Inteligjenca Artificiale. Në të kaluarën, të ishe pedagog universiteti do të thoshte, ndër të tjera, të kishe një akses në burimet e dijes që studentët nuk e kishin: libra, revista shkencore, biblioteka dhe materiale të specializuara që nuk ishin lehtësisht të arritshme për këdo. Sot ky monopol i dijes është shembur. Një pjesë e madhe e informacionit që dikur ishte esoterica e një rrethi të kufizuar specialistësh mund të gjendet, sa hap e mbyll sytë, në biblioteka digjitale, arkiva elektronike, baza të dhënash, Internet Archive dhe, për informacionin fillestar e orientues, edhe në Wikipedia.

Për më tepër, informacioni i ri shkencor dhe teknologjik nuk është më privilegj ekskluziv i mësuesit, pedagogut apo kërkuesit shkencor. Studenti mund të ketë sot, në pak sekonda, akses në burime që dikur kërkonin ditë apo javë për t’u gjetur. Inteligjenca artificiale po e thellon edhe më tej këtë transformim. Në këto kushte, autoriteti i pedagogut nuk mund të mbështetet më kryesisht në faktin se ai “di” dhe studenti “nuk di”. Ai duhet të mbështetet në diçka shumë më të rëndësishme: në aftësinë për ta orientuar studentin mes një sasie të jashtëzakonshme informacioni, për ta mësuar të dallojë dijen nga informacioni, burimin serioz nga ai i pasigurt, argumentin nga opinioni dhe faktin nga manipulimi.

Pikërisht këtu qëndron edhe një nga sfidat më të mëdha për një pjesë të profesoratit tonë. Pedagogu që nuk rinovon vazhdimisht dijet e veta, që nuk ndjek zhvillimet e disiplinës, që nuk zotëron teknologjitë e reja dhe nuk përshtat mënyrën e mësimdhënies me realitetin e ri, rrezikon të humbasë jo vetëm avantazhin tradicional të informacionit, por edhe aftësinë për të drejtuar zhvillimin intelektual e profesional të studentëve të vet. Në universitetin e shekullit të 21-të, profesori nuk mund të jetë më thjesht transmetues i dijes. Ai duhet të jetë studiues, interpretues, kritik, mentor dhe udhërrëfyes në një botë ku problemi nuk është më mungesa e informacionit, por aftësia për ta përzgjedhur, kuptuar, vlerësuar dhe shndërruar atë në dije të dobishme, si një forcë transformuese.

Ndërkombëtarizimi si fasadë

Një problem tjetër serioz është mënyra se si kuptohet dhe praktikohet ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë në vendin tonë. Në narrativën e Kryeministrit, në dokumentet e Ministrisë së Arsimit dhe në raportet e vetë universiteteve shqiptare, fjala “ndërkombëtarizim” ndeshet sot gjithnjë e më shpesh. Numërohen marrëveshjet me universitete të huaja, memorandumet e bashkëpunimit, projektet europiane dhe mobilitetet në kuadër të programit Erasmus.

Të gjitha këto janë të dobishme dhe të nevojshme. Por asnjëra prej tyre, më vete, nuk është provë e ndërkombëtarizimit real të një universiteti. Një vizitë disaditore në një universitet europian nuk krijon përvojë të mirëfilltë akademike ndërkombëtare. As dhjetëra marrëveshje bashkëpunimi nuk e bëjnë një universitet ndërkombëtar, nëse ato mbeten kryesisht në letër, pa prodhuar bashkëpunim akademik të qëndrueshëm, kërkim të përbashkët dhe qarkullim real të ideve.

Ndërkombëtarizimi i vërtetë është organik, jo ceremonial; intelektual, jo thjesht administrativ. Ai nënkupton pedagogë që kanë studiuar, dhënë mësim ose zhvilluar kërkim për periudha të konsiderueshme në universitete dhe qendra kërkimore të huaja; ekipe ndërkombëtare kërkimore; projekte dhe botime të përbashkëta; profesorë të huaj që bëhen pjesë reale dhe e qëndrueshme e jetës akademike të universitetit; studentë të huaj që studiojnë në universitetet tona; programe të përbashkëta studimi dhe diploma të përbashkëta; përdorim më të gjerë të anglishtes si gjuhë mësimdhënieje; pjesëmarrje të vazhdueshme në rrjete shkencore ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, ekspozim të përhershëm ndaj standardeve dhe konkurrencës akademike ndërkombëtare.

Programet Erasmus janë një instrument i vlefshëm dhe një mundësi e rëndësishme për studentët dhe pedagogët tanë. Por ato nuk mund të shërbejnë si alibi për ndërkombëtarizimin. Një universitet mund të numërojë qindra mobilitete, dhjetëra marrëveshje dhe një varg projektesh europiane dhe, megjithatë, të mbetet intelektualisht provincial. Sepse ndërkombëtarizimi nuk matet me sa shpesh udhëtojmë jashtë, apo me numrin e marrëveshjeve të bashkëpunimit të nënshkruara, me fotografitë e delegacioneve universitare apo me vizitat disaditore në kuadër të programeve Erasmus. Ai matet me intensitetin me të cilin ne bëhemi pjesë e komunitetit akademik ndërkombëtar dhe e proceseve ku krijohet, debatohet dhe vlerësohet dija përmes projekteve të përbashkëta kërkimore, me laboratorë e grupe ndërkombëtare studimi, me artikuj të bashkautoruar, me ndikimin dhe citueshmërinë e tyre, si dhe me praninë aktive të studiuesve shqiptarë në ato rrjete ndërkombëtare ku krijohet dhe qarkullon dija e re.

Një kapitull i mbyllur, një universitet me probleme të hapura

Nëse integrimi europian kuptohet jo thjesht si përafrim legjislacioni dhe përmbushje kriteresh formale, por si europianizim real i institucioneve, i kulturës dhe i standardeve të tyre, universiteti shqiptar mbetet një nga ato fusha ku hendeku mes formës dhe substancës vazhdon të jetë i thellë.
Mund të kemi ligje të përafruara me standardet europiane, struktura institucionale të ngjashme me ato të universiteteve perëndimore, sistemin e krediteve, procedura akreditimi, programe Erasmus, marrëveshje bashkëpunimi dhe strategji ndërkombëtarizimi. Por pyetja thelbësore përsëri mbetet tjetër: Sa europian është realisht universiteti shqiptar? Sa i tillë është ai në cilësinë e profesoratit, në standardet e mësimdhënies, në kërkimin shkencor, në kulturën akademike, në meritokracinë institucionale dhe në mënyrën se si formohen studentët dhe studiuesit e rinj?
Pikërisht këtu nis problemi. Këtu qëndron edhe dallimi mes integrimit administrativ dhe integrimit organik në hapësirën europiane të arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor. I pari mund të arrihet përmes harmonizimit të legjislacionit, përmbushjes së kritereve dhe mbylljes së kapitujve të negociatave.

I dyti kërkon diçka shumë më të vështirë: që universitetet dhe institucionet tona kërkimore të bëhen pjesë aktive e rrjeteve ku prodhohet dija bashkëkohore; që studiuesit shqiptarë të bashkëpunojnë rregullisht me kolegët e tyre europianë; që të konkurrojnë për projekte të përbashkëta; që rezultatet e kërkimeve të tyre të botohen, të lexohen, të diskutohen dhe të citohen ndërkombëtarisht.

Vetëm atëherë mund të flasim për një afrim real me universitetet europiane. Jo sepse është “mbyllur” një kapitull negociatash, por sepse është ngushtuar realisht hendeku që na ndan prej tyre. Europa akademike nuk është një kapitull që mbyllet; është një hapësirë dijeje në të cilën duhet të hysh, të bëhesh pjesë organike e saj dhe të zhvillohesh bashkë me të.

Në këtë kuptim, sfida e vërtetë nuk është që arsimi i lartë shqiptar të duket europian në dokumente, por që të bëhet europian në standarde, në kulturën akademike, në kërkim dhe në aftësinë për të prodhuar dije. Dhe kjo, siç kam argumentuar më sipër, nuk arrihet me eufori politike, por kërkon investime serioze, institucione të besueshme, meritokraci akademike dhe një politikë zhvillimore afatgjatë që i trajton arsimin e lartë dhe shkencën jo si një detyrim që duhet përmbushur në negociatat me Bashkimin Europian, por si një nga kushtet themelore të zhvillimit të vetë shoqërisë shqiptare. Sepse asnjë shoqëri e sukseshshme nuk është zhvilluar duke neglizhuar arsimin, dijen, shkencën dhe formimin e brezave të rinj.

Këtu qëndron edhe ironia e mbylljes së kapitujve të negociatave. Integrimi europian është i domosdoshëm për Shqipërinë dhe çdo hap real drejt anëtarësimit duhet përshëndetur. Por siç vura në duke edhe në krye, do të ishte gabim të ngatërronim progresin procedural me transformimin real të shoqërisë. Europa nuk është një seri kapitujsh që hapen dhe mbyllen. Nuk është një tabelë ku vendosen shenja pasi plotësohen kërkesat. Dhe, mbi të gjitha, Europa nuk është formular.

Europa, në kuptimin institucional dhe kulturor të fjalës, është standard. Për universitetin, ky standard matet me cilësinë e profesoratit, seriozitetin e gradave dhe titujve akademikë, origjinalitetin dhe peshën e kërkimit shkencor, lirinë akademike, meritokracinë, konkurrencën intelektuale, ndërkombëtarizimin real dhe aftësinë për të formuar njerëz që dinë të mendojnë në mënyrë kritike e të pavarur. Prandaj, mund të mbyllim një kapitull negociatash në Bruksel dhe, përsëri, të kemi shumë kapituj të hapur në universitetet tona.

Madje, këta janë kapitujt më të vështirë për t’u mbyllur. Për ta nuk mjafton një vendim në Bruksel, një raport pozitiv, një ndryshim ligjor apo një deklaratë qeveritare. Duhet të ndryshojë vetë kultura institucionale e universitetit shqiptar. Dhe kjo kërkon kohë.

Kërkon investime, por edhe standarde.

Kërkon hapje ndaj botës, por jo turizëm akademik.

Kërkon më shumë kërkim shkencor dhe më pak formalizëm.

Kërkon më pak tituj të fituar lehtë dhe më shumë autoritet akademik të fituar përmes dijes.

Kërkon kurrikula që ndryshojnë jo vetëm në letër, por në përmbajtje dhe në filozofinë e tyre.

Mbi të gjitha, kërkon që universiteti shqiptar të mos kënaqet duke u matur me kriteret që prodhon vetë, por të pranojë të matet me standardet e botës akademike europiane dhe ndërkombëtare.

Vetëm atëherë mbyllja e kapitujve do të marrë një kuptim tjetër. Sepse kapitulli më i rëndësishëm i integrimit europian nuk mbyllet në tryezën e negociatave. Ai mbyllet vetëm kur standardi europian bëhet standardi ynë. Me fjalë të tjera, Europa mund të na mbyllë një kapitull negociatash, por kapitullin e prapambetjes sonë akademike duhet ta mbyllim vetë ne, shqiptarët.

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • Universiteti shqiptar: kapitulli u mbyll, por jo hendeku
  • Drejtoria e Burgjeve refuzon në heshtje, i dënuari Ardian Çapja nuk merr pjesë në varrimin e nënës së tij
  • Shqipëria i përgjigjet Vuçiç, pas kërcënimeve se do lejë pa ujë Kosovën
  • Qytetarët paguajnë, por s’kanë ujë 24 orë! Dokumente e ID me çmimet më të larta në rajon
  • Po ndërtonte pa leje një objekt 5-katësh, arrestohet pronari 39-vjeçar në Himarë

Komentet e Fundit

  1. nje shqiptar on “Ishim krah Ukrainës që ditën e parë” – Kosova i përgjigjet Zelenskyt, pas deklaratës në takimin me Vuçiç
  2. marrem chaka on Ambasada e SHBA ndan mesazhin e Rubios: Një vend që nuk prodhon dot anije dhe ilaçe, nuk mund të mbrojë popullin e tij
  3. nastradini on Zelensky tha në Serbi se nuk e njeh Kosovën, reagon Ministria e Jashtme e Shqipërisë
  4. SHBA, NA DI GJË BUDALLENJ?! on Ambasada e SHBA ndan mesazhin e Rubios: Një vend që nuk prodhon dot anije dhe ilaçe, nuk mund të mbrojë popullin e tij
  5. Dajti on Pamjet e ndotjes në Gjirin e Lalzit, reagon UKD: Uji i errët u shkaktua nga sedimentet, jo nga ujërat e zeza

Kategori

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?