Në ditëlindjen e gjuhëtarit të mirënjohur prof. Aleksandër Xhuvanit (14 mars 1880) dhe në nderim të punës së tij për pastërtinë e gjuhës shqipe, po sjellim për lexuesit e gazetës “Dita” këtë recension gati të panjohur të gjuhëtarit të shquar arbëresh Marco La Piana (1883 – 1958), botuar së pari italisht në revistën “Albania nuova”, që e nxirrnin me shumë përpjekje dashamirët dhe miqtë e Shqipërisë në Itali (Romë, viti VI 1958, nr. 1, fq. 33-35). Marco La Piana, autor i shumë studimeve për historinë e gjuhës shqipe dhe dialektet arbëreshe të Sicilisë, ka ndjekur me vëmendje zhvillimin e gjuhës letrare shqipe në periudhën e pasluftës si edhe botimet gjuhësore të Institutit të Shkencave në Tiranë. Recensionin e përshkon fryma e dashamirësisë dhe e vlerësimit të sinqertë për punën e vyer të kolegut bashkëkohës të Tiranë, prof. A. Xhuvanit.
Përgatiti për botimin në DITA Prof. Emil Lafe
Marco LA PIANA

Më 14 mars 1955 populli shqiptar kremtoi si festë kombëtare 75-vjetorin e lindjes së plakut fisnik Prof. Aleksandër Xhuvani, duke nderuar tek ai shkencëtarin e shquar që ia ka kushtuar të gjithë jetën e vet përparimit të kulturës kombëtare dhe në veçanti studimit të thelluar të gjuhës mëmë, duke i shqyrtuar të gjitha çështjet leksikore, morfologjike dhe stilistike të saj dhe duke nxjerrë në pah shprehjen e saj të gjallë e plot larmi, siç kumbon në gojën e popullit. Numri i botimeve të tij gjuhësore, të mëdha e më të vogla, është i jashtëzakonshëm, mbi 200 syresh, të gjitha me shumë vlerë për gjuhësinë shqiptare. Mund të thuhet me plot gojën se profesor Xhuvanin e mundon pa pushim pasioni për ngritjen dhe përsosjen e vazhdueshme të gjuhës së folur e të shkruar, për ta kthyer në një mjet të ëmbël dhe regëtues të jetës së brendshme për të shprehurit letrar dhe artistik të mendimit modern shumëformësh. Edhe sot, në librin Për pastërtinë e gjuhës shqipe (Tiranë, 1956), me një numër jo të madh faqesh, por me material gjuhësor të ngjeshur e të trajtuar rrënjësisht, ai sjell një ndihmesë shumë të vyer dhe thelbësore për çështjen shumë të diskutuar të pastërtisë së gjuhës.
Nëse për të gjitha gjuhët çështja e pastërtisë ka rëndësi të madhe, për gjuhën shqipe ajo ka rëndësi jetike (kursivi Red.). Në parathënie prof. Xhuvani jep një shpjegim të shkurtër mbi lindjen dhe rrënjosjen e këtij problemi në gjuhën shqipe dhe aspektet e ndryshme në të cilat ai u është shfaqur studiuesve që nga fillimet e letërsisë së shkruar e deri në ditët tona. Ai vë në dukje se gjatë periudhës së trishtuar të sundimit turk, kur çdo lëvizje kulturore shqiptare u ndalua, në gjuhë vërshuan mijëra fjalë nga turqishtja, nga gjuhët sllave, nga greqishtja, nga italishtja, të cilat kërcënonin seriozisht të mbizotëronin dhe t’i zinin frymën elementit gjuhësor vendas, të trashëguar nga stërgjyshërit. Por për fat shpirti mbrojtës i racës shqiptare ngriti krye dhe iu kundërvu rrezikut që e kërcënonte. Është befasues kushtrimi kundër zvetënimit të gjuhës që japin qysh në fillim të shekullit XVII Budi, Bardhi e Bogdani dhe vrulli i zjarrtë me të cilin përpiqen ta mbrojnë gjuhën shqipe e t’ua përcjellin të pastër brezave pasardhës.
Lufta kundër fjalëve të huaja fuqizohet edhe më tepër dhe bëhet më konkrete në periudhën e Rilindjes Shqiptare. Shkrimtarët e mëdhenj të asaj kohe pohojnë parimin se gjuha duhet të flitet dhe të shkruhet sa më pastër që të jetë e mundur, duke i dëbuar të gjitha fjalët e huaja, në veçanti ato të turqishtes të cilat e ndotnin më shumë shqipen dhe që ishin thuajse simboli shumëshekullor i skllavërisë së pushtimit turk, të cilin ata donin ta shkundnin me çdo mënyrë nga shpina e atdheut. Veprat e Samiut, Naimit, Kristoforidhit, Vretos dhe Çajupit janë modelet e mëdha të kësaj gjuhe të re letrare të pastruar nga fjalët e huaja dhe të përpunuar në mënyrë artistike.
Por, pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 1912, përhapja e shpejtë e shtypit të përditshëm dhe periodik, nevoja e ngutshme për t’u marrë me një numër të pafund çështjesh të reja politike, shoqërore, teknike, shkencore etj., si edhe përtacia dhe njohuritë e cekëta gjuhësore të shkrimtarëve të improvizuar sollën një vajtje prapa në gjuhën e shkruar, duke i hapur derën një vale të re përmbytëse fjalësh të huaja të marra nga çdo anë, pa qenë të nevojshme shumica e tyre, sepse me pak mundim do të ishte e mundur të gjendeshin në thesarin e gjuhës amtare të folur ose të shkruar fjalë të vetat për të zëvendësuar ato të huaja.
Por nuk kanë munguar edhe pas kësaj periudhe mbështetësit këmbëngulës të pastërtisë së gjuhës dhe i pari ndër ta, prof. Aleksandër Xhuvani, ka botuar artikuj të panumërt mbi këtë çështje, në revista dhe botime periodike letrare. Është kryesisht merita e tij që çështja gjuhësore, pas formimit të qeverisë popullore, është kundruar si një çështje me karakter kombëtar për të cilën njerëzit e shkolluar, populli dhe qeveria shqiptare kanë shprehur interes të gjallë dhe studimi i saj i është ngarkuar zyrtarisht një seksioni të veçantë të Institutit të Shkencave të Tiranës, tani i atashuar pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të sapo themeluar të Tiranës.
Tashmë, si për të kurorëzuar veprimtarinë e tij të gjatë dhe për të sjellë në duart e lexuesve një vepër organike dhe sistematike, prof. Xhuvani ka përmbledhur, duke e zgjeruar, korrigjuar dhe përmirësuar, gjithçka interesante që gjendej e shpërhapur në shumë artikuj të tij të botuar prej kohësh në revistat “Letrari i ri” dhe “Nëndori”. Kjo vepër ia ka arritur plotësisht qëllimit të vet. Ajo ndahet në dy pjesë. Në pjesën e parë, në rend alfabetik, janë dhënë shumë fjalë të huaja, rreth 200 syresh të parme e të prejardhura, që kanë hyrë pa nevojë në gjuhën e shkruar e krahas secilës prej tyre sillen dhe ilustrohen me shumë shembuj fjalë të shqipes që shprehin të njëjtin koncept dhe mund të përdoren fare mirë në vend të tyre. Në pjesën e dytë i nënshtrohen një kritike të rreptë fjalë dhe ndërtime që nuk përdoren saktësisht sipas përdorimit normal të gjuhës ose që janë përkthime të modeleve të gjuhëve të huaja. Edhe këto ballafaqohen me shprehje të barasvlershme të shqipes. Kjo është një punë e imtë dhe plot durim, me një pasuri të tillë leksikore dhe frazeologjike që shpërfaq njohuritë e gjera dhe të thella të Autorit për gjuhën e lashtë e moderne, të shkruar e të folur, edhe në hollësitë më të imëta, duke ngjallur admirim të madh për të.
Për të kuptuar më mirë rëndësinë e veprës së prof. Xhuvanit është me vend të sjellim këtu shpjegimet që ka dhënë për një numër argumentesh të trajtuara prej tij; për arsye vendi këtu do të mjaftohemi vetëm me tre shembuj:
- Favor, favorizoj, i favorshëm. Fjala favor, sipas kuptimit që mund të marrë në kontekst, mund të zëvendësohet nga fjalët dhe shprehjet: e mirë, dobi, ndér, të pasur me sy të mirë, të pasur ose të hyrë në zemër, dashamirësi. Kështu, në vend të ai është në favor të atij, mund të thuhet fare mirë ai është për të mirën e tij, ose ai e ka me sy të mirë punën e tij; në vend të jam në favor të asaj çështjeje thuhet e kam me sy të mirë atë çështje, ose e kam në zemër atë çështje, ose e përkrah atë çështje; në vend të këto masa janë në favor të fshatarsisë thuhet më së miri këto masa janë për të mirën ose në dobi të fshatarsisë; në vend të ata e kanë kuptuar se drithi që detyrohen t’i shesin shtetit shkon në favor të klasës punëtore, thuhet më së miri ata e kanë kuptuar se drithi që detyrohen t’i shesin shtetit shkon ose është për dobi, ose për ndér, ose për të mirën e klasës punëtore. Në vend të favorizoj mund të thuhet më së miri i mbaj anën, i mbaj pajë, ose i báj nder, ose e kthej së mbari, ose e përkrah, ose e marr me sy të mirë, ose e kam në zemër. – Kështu në vend që të thuhet shëmtuar shiu që ra i ka favorizuar mbjelljet, thuhet drejt shiu që ra i ktheu mbarë mbjelljet. – Në vend të mbiemrit i, e favorshëm thuhet drejt i mbarë, ose i, e volitshëm, ose i, e volitur, ose i, e pëlqyer; kështu në vend të kondita të favorshme thuhet kondita (ose më mirë kushte) të mbara, të volitshme, ose të volitura, ose të pëlqyera; në vend të ja një rast i favorshëm, thuhet ja një rasë e volitshme, ose e volitur, ose e mbarë; në vend të klima e Shqipërisë është e favorshme për një numër të madh bimësh thuhet më mirë klima e Shqipërisë është e volitur, ose e volitshme, ose e mbarë për një numër të madh bimësh.
- Evitoj. – Kjo fjalë ka hyrë prej kohësh në gjuhën letrare, por pa qenë aspak e nevojshme, sepse për të shënjuar të njëjtën ide kemi fjalë të pastra të shqipes, që mund ta zëvendësojnë fare mirë. Kemi shprehjet i shmangem ose i shtëmëngem, shpëtoj nga, iku nga, e praps. P. sh. në vend që të themi për të evituar këto të meta, këto dëme, thuhet më së miri për t’u shmangur, për t’u shtëmëngur këtyre të metave, këtyre dëmeve, ose për të shpëtuar, për të ikur nga këto të meta, nga këto dëme. – po ashtu, në vend të kështu evitojmë çdo rrezik mund të themi drejt kështu shpëtojmë, kështu ikim nga çdo rrezik, ose kështu i shmangemi, i shtëmëngemi çdo rreziku etj. Edhe emrin e prejardhur evitim mund ta mënjanojmë, sepse në vend të tij mund të përdorim fjalë dhe shprehje shqipe. Kështu, në vend të problemi i evitimit të lëmenjve të shumtë akoma nuk po gjen zgjidhje, mund të themi: problemi që të shpëtojmë nga lëmenjtë e shumtë, ose që të mos bëhen shumë lëmenj akoma nuk është zgjidhur. – Edhe mbiemrat i evitueshëm, i paevitueshëm mund të zëvendësohen me fjalë të shqipes: i shmangshëm, i pashmangshëm, i shtëmëngur, i pashtëmëngur, i paprasëm; p.sh. në vend të Lufta nuk është e paevitueshme mund të themi lufta nuk është e pashmangshme ose e paprapsme.
- Ndihmoj. Folja ndihmoj e përdorur drejt në shqip merr kundrinë të zhdrejtë; përdoret me dhanoren e personit apo sendit të cilit i jepet ndihmë apo përfitim; por sot shpesh shfaqet e përdorur jo drejt me kallëzoren e paraprirë nga parafjala në, si kjo punë ndihmon në rritjen e në shtimin e prodhimit; duhet thënë përkundrazi kjo punë i ndihmon rritjes dhe shtimit të prodhimit. Por ndonjëherë është e nevojshme një fjali e tërë qëllimore në vend të rrethanorit me në ose kundrinës së zhdrejtë në dhanore. P. sh. të gjithë po ndihmojnë në hedhjen e farës së pambukut dhe të misrit; këtu nuk mund të thuhet në shqipe të mirë të gjithë po i ndihmojnë hedhjes së farës së pambukut e të misrit; por është më mirë të thuhet: të gjithë po ndihmojnë që të hedhin farën e pambukut e të misrit.
Në vend të ndihmoj mund të thuhet me perifrazë i jap ndihmë, ose i vete për ndihmë; por nuk thuhet i vij në ndihmë me parafjalën në; kjo shprehje është kalkuar nga frëngjishtja venir en aide dhe nuk tingëllon mirë në shqip. Pra shprehja: bujqit që kanë pendë u kanë ardhur në ndihmë atyre që nuk kanë, duhet zëvendësuar me bujqit që kanë pendë, u kanë dhënë ndihmë, ose u kanë vajtur për ndihmë atyre që nuk kanë.
Në këtë mënyrë prof. Xhuvani, në rrugë praktike e të qëndrueshme i mëson brezit të ri të shqiptarëve si duhet ta shkruajnë dhe ta flasin gjuhën e vet me pastërti leksikore dhe saktësi stilistike. Ky vëllimth i tij është një vademekum shumë i çmuar e i pazëvendësueshëm dhe kushdo që dëshiron të shprehet mirë në shqip duhet ta mbajë gjithnjë mbi tryezën e punës.
Hora e Arbëreshëve, tetor 1957
Përktheu nga italishtja Dr.Phil. Genc Lafe
