Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Letra Rama-Vuçiç dhe anëtarësimi në BE
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kryesore > Letra Rama-Vuçiç dhe anëtarësimi në BE
Kryesoreopinion

Letra Rama-Vuçiç dhe anëtarësimi në BE

Published: March 4, 2026
Shpërndaje

DR. JORGJI KOTE

Nga Brukseli për Dita

Ashtu siç edhe pritej, Letra e  Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e cila u botua më 28 Shkurt  në të pwrditshmen  prestigjioze gjermane ”Franfuhrter Allgemeine Zeitung” ka ngjallur komente, dyshime dhe kundërshti të shumta në Shqipëri, Serbi, Kosovë dhe më gjerë. Sepse në pamundësi sipas tyre të anëtarësimit të plotë ata propozojnë anëtarësim gjysmak në BE.

- Publicitet -

Meqenëse jam i lirë nga çdo konflikt interesi dhe e kam ndjekur këtë dosje nga fillimi në vitin 1998 për 15 vite rresht në Tiranë, në Përfaqësinë tonë Diplomatike në Berlin dhe në Bruksel dhe si autor i librit më të fundit ”Negociatat, sfida e fundit e integrimit”(Prill 2024) po shprehem pa asnjë paragjykim dhe preferencë partiake; aq më tepër se krahas profilit të majtë,  kohën më gjatë si diplomat jashtë vendit e kam kaluar me qeveritë socialiste dhe këtë të tanishmen. Ndaj, le të ndalemi në disa akte, fakte, aktorë dhe  faktorë specifikë që flasin qartë kundër këtij propozimi të pavend.

Së pari dhe shqetësimi më i madh  për besueshmërinë dhe efektin e pritshëm të kësaj kërkese ”sui generis” është bashkëautorësia me Presidentin serb,  Aleksander Vuçiç. Kjo për shumë shkaqe dhe faktorë të njohur nga publiku dhe politika jonë por jo vetem. Mbi të gjitha, le ta themi troç qysh në fillim se Beogradi dhe Vuçiç janë pjesë e vështirë e rebusit dhe jo e zgjidhjes së problemit të integrimit europian.

Krejt ndryshe do të ishte puna me bashkëautor Kryeministrin e Malit të Zi, si vendi aspirant me më shumë gjasa që të hyjë i  pari në BE së shpejti apo qoftë edhe me Shkupin, me të cilin kemi qenë çift integrues deri vonë. Por, të bësh diçka të tillë me Serbinë, sidomos tani kur ajo ka aq shumë probleme brenda vendit dhe me BE-në, me ligjet e reja të dyshueshme për pushtetin gjyqësor dhe drejtësinë, kjo nuk ka ku të shkojë. Ja shiheni, ajo ka mbi 13 vjet që i ka çelur negociatat dhe ende nuk po i mbyll dot,  se ajo do që të hajë në grazhdin perendimor dhe atë lindor!

Ca më keq akoma dhe ku na dhemb edhe më shumë, Vuçiç nuk po le gur pa lëvizur për ta bllokuar dhe për ta minuar dialogun me Kosovën; duke u betuar edhe ditët e fundit se nuk do ta njohë Kosovën dhe nuk do të lejojë pranimin e saj në organizata ndërkombëtare.

Kësisoj, sërish më 28 Shkurt  i dhamë oksigjen diplomatik, publik dhe mediatik Beogradit, madje duke e konsideruar në një farë mënyre  edhe viktimë të BE-së.

Ne diplomatët sidomos e kuptojmë se në Realpolitikë ka edhe detyrime apo borxhe qoftë edhe morale që duhen shlyer. Por në këtë rast është e pamundur të kuptosh se ç’borxhe të tjera i ka Zoti Rama pa i larë Vuçiçit gjatë viteve të fundit, mbasi ia ka bërë të gjitha hyzmetet si vëlla dhe shkuar vëllait!  E ka mbrojtur publikisht në Bruksel dhe gjetkë duke u lutur të mos i bëjnë trysni për Rusinë; me deklaratën kur u bë sulmi në Banjskë të cilën Vuçiç ende nuk e ka dënuar se Veriu i Kosovës është toka e askujt. Mbi të gjitha  me Ballkanin e Hapur, duke iu kundërvënë procesit të Berlinit, opozitës në Tiranë, politikës në Kosovë dhe gjetkë; sepse ajo u sajua pa asnjë konsultë me Prishtinën dhe aleatët, si një dhuratë e çmuar  për Beogradin, pikërisht  kur ai ishte në hall me të vetët dhe me BE-në.   Madje, duke i krijuar telashe BE-së dhe SHBA-së, të cilat të ndodhur përpara faktit të kryer nuk dinin se ”kujt t’ia prishnin dhe kujt t’ia ndreqnin”, etj. Në fakt borxhe, madje shumë Rama i ka Kosovës, lidershipit dhe popullit të saj. I ka borxh paditjen gjyqësore unikale në botë ndaj ish Kryeministrit Haradinaj edhe pse e tërhoqi;  i ka borxh dorëzimin në Bruksel pa njoftuar fare homologun e vet në Prishtinë dhe pa ia kërkuar askush të draftit të Asosiacionit, thirjen për një konferencë të rrezikshme ndërkombëtare për Kosovën, anullimin në çastet e fundit të mbledhjes së përbashkët të qeverive  katër vite më parë dhe në përgjithësi klimën ende të ngrirë dypalëshe. Mirëpo keto borxhe nuk lahen me një deklarata simbolike dhe as me elegji diplomatike qoftë edhe në Uashington por “ pas pilafit” për Thaçin me shokë. Sidomos kur për ta nuk la pa telendisur  as aleatët europianë si sponsorë, por ama asnjë fjalë për Vuçiç, ideatorin dhe nxitësin  e krijimit të Gjykatës Speciale. Ca më keq akoma me këtë propozim “ borxhet” e ramës ndaj Prishtinës shtohen, sepse po të realizohet projekti çyryk, atëhere Beogradi me ndihmën e Tiranës do ta shmangë sfidën e tij për njohjen e Kosovës dhe bashkë me të edhe vendet e tjera të BE-së.

Ja pse bashkëautorësia me Vuçiç ngjall alergji dhe kujtime të mëparshme të hidhura dhe dyshime të arsyeshme sidomos në Kosovë. Lind pyetja: Përse prapë bën prapë kauzë të përbashkët europiane me Vuçiç, kur megjithë politikat dhe diplomacinë e moderuar të Ramës qysh nga viti 2014, Beogradi jo vetëm nuk ka shfaqur asnjë shenjë përmirësimi por ka shkuar dhe më tej në politikën  tij agresive dhe kompromentuese ndaj Kosovës dhe rajonit në përgjithësi.

Së dyti, momenti i këtij demarshi nuk është i gjetur, përkundrazi. Sepse nuk kaluar ende as një vit kur Kryeministri Rama zhvilloi fushatën zgjedhore dhe  fitoi mandatin  e katërt rradhazi me objektivin madhor të përfundimit të negociatave me BE-në brenda vitit 2027 dhe anëtarësimin e plotë në BE brenda vitit 2030 apo edhe më herët. Madje thyem rekord për çeljen e të 6 grupkapitujve brenda një viti! Ndaj, tani që kanë kaluar mbi 16 muaj nga çelja e Grup Kapitullit të parë ose ” Themeloret” ajo çka të gjithë po presim është të dëgjojmë lajmin për mbylljen e tij, çka do t’i çelte rrugën  mbylljes sipas afateve të grupkapitujve të tjerë. Ca më tepër se ai Grup Kapitujsh, dmth 23&24 mbi gjyqësorin, drejtësinë dhe korrupsionin do të hapen sërish në përfundim të procesit, përpara traktatit të anëtarësimit, mbasi konsiderohen me të drejtë ”Thembra e Akilit” e gjithë procesit tonë të anëtarësimit për shkak të deficiteve të mëdha demokratike në këtë fushë. Gjithashtu, i kemi ende të freskëta në mendje premtimet e bujshme për pajisjen e shqiptarëve me pasaportën europiane në vitin 2030, edhe pse për shumë kjo dukej “hallvë e ftohtë”!

Ndaj natyrshëm lind pyetja se cili do të jetë fati i kësaj pasaporte dhe anëtarësimit tonë të plotë në BE, nëse do të dëgjohej kërkesa Rama – Vuçiç? A mos duhet atëhere të caktohet një datë tjetër se kur do të hyjmë tamam në BE, kur do të jetë ajo ditë dhe sa besim mund të ketë te ajo, kur me datat na ka ardhur në majë të hundës!

Së treti, shqetësimi tjetër është që edhe nëse pranojmë anëtarësimin gjysmak,  kurkush nuk jep garanci se pastaj gjërat do të lëvizin më shpejt drejt anëtarësimit të plotë. As nga BE-ja dhe ca më pak nga politikanët tanë që kanë treguar disa herë se më shumë se integrimi europian atyre u leverdis karrikja dhe karriera politike.

Së katërti, lidhur me pretendimin për një veto dhe bllokim të mundshëm nga Europa,  përse po trembemi ende pa filluar punën e vërtetë? Nëse do te jemi ok me kriteret e njohura të Kopenhagenit dhe kornizën e negociatave të cilën e kemi miratuar me vullnetin tonë, nuk ka Zot të na bllokojë. Pastaj me të gjithë këtë mbështetje nga vendet europiane dhe imazh pozitiv që kemi krijuar me arritjet e njohura në fushën e gjeopolitikës, përse kjo frikë? Po, mund të ketë veto dhe bllokim,  ama jo për teka të njerit apo tjetrit, por vetëm për dobësi dhe deficitet tona demokratike në zbatimin  e vlerave, parimeve dhe standardeve të BE-së.

Së pesti, propozimi Rama – Vuçiç  të le të kuptosh se synimi me integrimin e përshpejtuar është thjesht anëtarësimi në planin ekonomik dhe tregtar, pra përfitimet ekonomike kryesisht  nëpërmjet tregut të brendshëm dhe zonës Shengen. Pra, me fjalë të thjeshta, të kemi para, fonde, projekte, interesa; ndërsa për politikën, demokracinë, vlerat dhe parimet demokratike, sidomos shtetin e të drejtës, gjyqësorin, luftën kundër pandëshkueshmërisë që po ulëret për zgjidhje  t’i shtyjmë në kalendat greke  ose t’ua lemë në dorë qeverive të vendeve gjysëm anëtare!  Me fjalë të tjera, në BE të jemi teknikisht por jo politikisht! Ose të jemi në kategorinë/korsinë e dytë, pra qytetarë të dorës së dytë, diçka që kemi bërë çmos ta shmangim gjatë 25 viteve të fundit! Pastaj, ne që kemi 18 vite anëtar i plotë i NATO-s, ne që kemi shkëlqyer nëpër samite dhe forume, ne të jemi nuk dihet për sa kohë në periferi të BE-së dhe pa asnjë rol në procesin jetik vendimarrës! I bukur integrim! Mirëpo, shqiptarët 35 vite më parë dhe në vazhdim  nuk kërkuam me zë të lartë  “ Ta bëjmë Shqipërinë si Europa” për tregti dhe ekonomi, por mbi të gjiha për një frymë, mentalitet dhe jetesë europiane dhe me shtetin e vërtetë të së drejtës!

Shqetësimi tjetër jo më i vogël është se edhe sikur të miratohet ky projekt, kur gjasat praktike janë shumë të pakta, prapë edhe si gjysëm anëtarë mos kujtoni se do ta “kalojmë lumin” dhe aq lehtë. Se prapë  do të duhet të plotësojmë “një për një” kriteret e Kopenhagenit te vitit 1993 bashkë me kushtet dhe kërkesat e tjera politike dhe demokratike! Siç veprohet edhe tani me fondet e rritjes ekonomike dhe programet e tjera! Sepse le ta theksojmë, BE-ja nuk është më vetëm Tregu i Përbashkët Europian ( TPE) siç quhej deri në vitin 1992, por Bashkim i madh vlerash dhe standardesh demokratike dhe interesash themelore.

Së gjashti, lidhur me aspektin praktik, vërtet që reformimi dhe zgjerimi janë objekt diskutimi brenda BE-së, por miratimi i tyre është ende larg, veçanërisht në kushtet e tanishme të agresionit rus kundër Ukrainës dhe gjendjes në Lindjen e Mesme. Pastaj, është në traditën e punës së BE-së që zgjidhjen e një problemi nuk e bën me një të rënë të lapsit&shkopit, por shkallë shkallë,  në forume dhe debate të gjithanshme me  grupe interesi, think tanke, opinion dhe pastaj politikbërësit deri në vendimin përfundimtar, ose siç i themi ne “mat shtatë herë dhe prit njëherë“.  Sa për faktorin gjeopolitik, ai ka peshën dhe rëndësinë e vet ama vetëm ndihmëse dhe nxitëse, por pa kompromentuar vlerat dhe parimet themelore të BE-së. Ndryshe, edhe siguria nga Rusia ”mund të futet nga dera  por shpejt do të dalë nga dritarja”.

Së shtati, problemi tjetër shqetësues që del nga Letra në fjalë është se jepet perceptimi sikur Serbia dhe Shqipëria duan t’i lajnë duart nga përgjegjësia për mungesat dhe vonesat e tyre ” rekord” në procesin e anëtarësimit të deritanishëm në BE, duke ia lënë qyrkun e fajit kësaj të fundit; ndonëse realiteti flet krejt ndryshe. Pa mohuar kusuret e saj, në këtë rast BE-ja mund të fajësohet vetëm se e ka mbajtur Beogradin kryesisht me kulaç dhe ”si të nënës” ndërsa Kosovën ”me kërbaç dhe si të njerkës”. Me besimin naiv se duke përkëdhelur Beogradin  do ta mbanin atë larg “vathës” ruse. Çka ka rezultuar bllof i vërtetë. Ndërsa ndaj nesh, kusuri kryesor i BE-së është se deri tani vonë “ka bërë njerin sy qorr dhe njerin vesh shurdh“ ndaj aferave dhe skandaleve të paprecedentë! Vetëm tani ajo dhe Gjermania po japin alarmin duke na paralajmëruar fort “Stop, mjaft është mjaft“ !

Së teti, nisur nga këto dhe të tjera problematika dhe perceptime negative, do të ishte më e udhës që kërkesa e mësipërme të bëhej  në rrugë zyrtare, pa bujë dhe zhurmë, jo me Serbinë por mundësisht me ndonjë lider të një vendi të përparuar europian ose edhe  bashkë me vendet e tjera të rajonit. Dhe kjo të bëhej mbas konsultimeve me aktorë të tjerë politikë dhe institucionalë brenda vendit; se në BE, siç e ka thënë edhe vetë Kryeministri do të hyjë gjithë Shqipëria dhe jo vetëm Rama, Partia dhe Qeveria. Madje, më e mira do ishte që ky propozim të lihej për më vonë, kur të shihej se ku jemi me mbylljen e kapitujve dhe fatin e diskutimeve brenda BE-së.

Së  nënti, në vend të  qëndrimeve të lartpërmendura, ca më keq akoma  kur nuk na e ka kërkuar askush as nga BE-ja, qëndrimi ynë zyrtar duhet të jetë i qartë dhe i prerë: ”Jemi të vendosur të realizojmë objektivin për përfundimin e negociatave më 2027 dhe që brenda vitit 2030 të jemi anëtarë të plotë dhe ” pa bishta” në BE.”

Mirëpo kjo deklaratë solemne duhet të shoqërohet me një frymë dhe sjellje të re tipike europiane, nga të gjithë, edhe opozita, por sidomos nga shumica qeverisëse  dhe me zhvillimin e marrëdhënieve miqësore pa as më të voglin incident me të 27 vendet anëtare të BE-së, nga më i vogli te  më i madhi. Ndryshe, jo vetëm që mund të humbasim edhe atë gjysëm anëtarësim, të cilin gjithsesi nuk e dëshirojmë, por ka rrezik të na kthejnë mbrapsht, madje të ”biem edhe nga kategoria”. Më konkretisht kjo do të thotë që të realizojmë reforma dhe përmirësime cilësore, jo me fjalë, as me disa hapa por me hope të mëdha në treguesit e ndryshëm e sidomos në luftën kundër krimit dhe korrupsionit; sepse te ky i fundit sivjet humbëm 14 vende. Më e rëndësishmja, kauza jonë më e madhe me letra dhe me vepra të jetë lufta kundër pandëshkueshmërisë së zyrtarëve më të lartë; pa hezituar e pa vonuar asnjë ditë të vetme  të jepet  autorizimi parlamentar kur kërkohet arrestimi i tyre; madje, të bëhet zakon si gjithkund në Europë që sapo del sheshit një aferë ose skandal ku janë të përfshirë zyrtarët tanë  më të lartë të japin dorëheqjen ose të shkarkohen menjëherë; pa e përdorur prezumimin e pafajësisë si ” gjethe fiku”; pastaj përgjegjësinë penale le ta provojnë gjykatat me një proces të rregullt ligjor.

Nisur nga sa sipër, tani nuk është koha për mesazhe si ai Rama – Vuçiç, as për fjalime dhe ofensiva diplomatike, por t’i kthehemi punës e të përveshim llërët brenda vendit për mbylljen e grupkapitujve, se koha fluturon.  Dhe pastaj,  kur të vijë puna, nëse nuk do të na anëtarësojnë me të drejta të plota për shkaqe të ndryshme, atëhere këtu jemi gjykojmë dhe vendosim. Por jo sapo një propozim  hidhet në tregun politik nga kushdo qoftë, ne  të themi menjëherë PO dhe as JO!

Në përfundim, le ta themi me zë të lartë se rruga jonë më realiste mbetet anëtarësimi i plotë në BE! Të kërkosh tani vetëm gjysmën e saj është disfatizëm, e panevojshme dhe kapitullim pa kushte në betejën tonë historike për integrimin Europian!

—-

©️Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

 

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo
17 Comments
  • demo says:
    March 4, 2026 at 10:09 am

    Kote si te gjithe kuadrot e dale nga revolucioni leckamaneve,njesoj si i biri shokut Sevo edhe ti i biri nje partizani te sigurimit te shtetit,,mbushni romane me lloqe.Ja ta thote demo RREAKSIONARI,bejleri,agallari me dy fjale,
    PSE KETA DY BIRA KURVASH,njeri ne Beograd dhe tjetri ne Tirane,dore per dore i kane derguar letren e perbashket BE,,se???
    Sepse keta nuk duan te permbushin Kriteret e BE (juridike,ekonomike,te drejtat e prones,korrupsionin,pavarsine e gjyqesorit,kontrabanden me Ruset etj),por duan te perfitojne nga te mirat e BE (investime,grante,levizje shengen,emigracion te ligjshemetj,etj).Dmth.Nje dore n`pilaf,nje ne kabuni.

    Reply
  • Ramalluku i Surrelit says:
    March 4, 2026 at 10:41 am

    Sa here mua me Vuckon,
    krah per krah te me shikoni,
    – te shkruani per Sali-serbin,
    kete porosi mos ma harroni.

    se nje porosi na ka lene,
    ajo nana vjeter Parti kurdoher,
    ate qe kopilat qe pjellim vete,
    tua veme te tjereve ne preher!

    Reply
  • demo says:
    March 5, 2026 at 3:40 am

    Edi Ramen duhet ta kishin pritur me PROTESTA ne Kosove, jo ti shtronin qilimin e kuq,se shyqyr ka vene kujen hjeksi i Beogradit per ata te 4,qe i dergoi vete ne Hage. Demagogjite dhe hypokrizite infantile te Edi Rames me Kosoven duhen prere me sepaten e Dardharit. DUHET NDALUAR HYRJA E EDI RAMES NE KOSOVE.EDI RAMA DUHET SHPALLUR I PADESHIRUESHEM NE KOSOVE.
    Vjosa Osmani,ke qene nje Diplomare e shkelqyer ne ditet me te veshtira per Kosoven.Por te gjitha Arritjet e tua Diplomatike i perdore per ti dhene oksigjen Armikut me te rrezikshem te Kosoves ne diten e tij me te veshtire.Ne Atdhetaret shqiptare prisnim qe presidenti Trump ta shporrte me shqelma nga Forumi Edi Ramen,Ti vete nderhyn per te shpetuar ftyren e Armikut me te rrezikshem te Kosoves.Po te ka hudh trute e gomarit moj tarallake!Komuniteti Atdhetar ne Amerike e priste ne Washington t`ja cirrte maskat me protesta. E mbushe,e mbushe dhe i re me shqelm.
    Edi Rama eshte me i rrezikshem se Radoicici.
    Shkurt,prere,Qarte.Vetem nje Qendrim duhet te mbaje Kosova me Edi Ramen:Deren e Kosoves kokes.Kufirin tek thana.

    Reply
  • Toni says:
    March 5, 2026 at 4:13 am

    Ah ju diplomatet qe ju duket vetja si burra shteti vizionare,qenkeni mbledhur te gjithe tek DITA,nje bie mijera ngrihen, vete flisni,vete degjoni …thjesht po masturboheni bashke me filozofet
    Suksese ne jete.

    Reply
  • Vlora 97 says:
    March 5, 2026 at 7:25 am

    Rama.po krijon alibit sepse integrimin e qam tashmë
    N vend te integrimit zgjodhem te mbrojm bythen e Ballukut

    Shume shpejt edhe deti do tu jepet grekve
    Ferid Hoxha eshte arkitekti i mareveshjes se pare Berisha – Bakojanis qe e rrzoi Kushtetusja

    Jo me kot e ka emeruar aty ku legeni i neveritshem i Surelit

    Reply
  • prehistoriku says:
    March 5, 2026 at 7:27 am

    O Toni.po ti mos lexo o derëzi
    Ke faqe te tjera ku mubd te masturbohesh vetë

    Reply
  • Liu nga Wuhani says:
    March 5, 2026 at 7:33 am

    anëtarësimi gjysmak mund të kthehet në kurth të përhershëm
    mund të krijojë BE me dy shpejtësi
    mund të ulë presionin për reforma
    Ky është një argument serioz në debatet europiane

    Reply
  • Diplomati says:
    March 5, 2026 at 7:35 am

    Në realitet pikërisht ky model gradual mund të ndodhë në të ardhmen, sepse BE po mendon:
    Ukrainën
    Moldavinë
    Ballkanin Perëndimor
    Gjeorgjinë
    Të gjitha njëherësh.
    Prandaj ideja e integrimit me faza është shumë në tavolinë në Bruksel.
    Ta them edhe një gjë interesante:
    kjo letër Rama–Vuçiç në fakt nuk është ide e tyre.
    Është një ide që qarkullon prej kohësh në institucionet europiane dhe think-tank-et e Brukselit.
    Ata thjesht u perdorën si bedela e nxorën gjasme vet publikisht në debat.

    Reply
    • Patrioti says:
      March 5, 2026 at 1:09 pm

      Me dy rreshta po them që ky farë ambasadori, qenka një legen burrë dhe pa bosht, një servil i ndyrë që të vjen për të vjellë në çdo fjalë të shkrimit.
      Të krijohet ideja që shkrimin e ka shkruar Sali Berisha, antishqiptari më i madh i këtij vëndi.
      Ajo që më çudit është fakti se si mund të mbahet një personazh i tillë ambasador, i cili që në surrat duket që është një servil i shpifur, një lepe-peqe. Ky njeri më kujton Sali Berishën që me servilizmin e tij, lëpirës dhe maskim jo vetëm i mbijetoi rregjimit komunist, por arriti të hyjë në nivelet më të larta të kupolës komuniste. Tashmë që Berishës i ka dalë kallaji fare, të gjithë habiten me këtë kameleon që ka ndërruar ngjyrën sa herë ka qënë e nevojshme.
      Një Sali i vogël na doli dhe ambasadori.

      Reply
  • Kur përçmon fjalën e lirë says:
    March 5, 2026 at 7:37 am

    Diëlomati ka te drejt
    Në Shqipëri integrimi është shitur gjithmonë si një moment:
    “dita kur hyjmë në BE”.
    Ndërsa në realitet BE po shkon drejt një modeli tjetër:
    integrim me faza
    pjesëmarrje graduale
    anëtarësim i plotë shumë më vonë
    Ose zero

    Reply
  • Emigranti says:
    March 5, 2026 at 7:39 am

    shumë analistë shqiptarë nuk e kanë kuptuar ende:
    në Bruksel askush nuk beson më seriozisht se Ballkani do të hyjë në BE brenda vitit 2030.
    Dhe kjo është arsyeja pse po diskutohen modelet alternative të integrimit.
    Ramsi dhe ai krimineli serb kan ber cfar u kan kerkuar ata
    Qe ata t thon, ja po na i kerkojn vet

    Reply
  • mpj says:
    March 5, 2026 at 7:39 am

    Ore shikoni ate ferid hoxhen
    Se ju iku deti

    Reply
  • dashamirsi says:
    March 5, 2026 at 7:42 am

    Shkrimi ka ton profesorial dhe jo gazetarie. Duket më shumë si ligjëratë universitare apo ese akademike
    ndërsa publiku kërkon qartësi dhe goditje.
    argumenti eshr i vlefshëm.por struktura e dobët
    Kjo gazet ka patur dhe ka mjeshtra te fjales
    Mos e ulni nivelin

    Reply
  • erc111 says:
    March 5, 2026 at 7:44 am

    reagimi i fortë në Shqipëri nuk vjen aq nga ideja vetë, por nga dy elemente politike që e bëjnë atë të duket problematike.
    Pik se pari sepse u bë bashkë me Vuçiç
    Ky është faktori kryesor.
    Në shumë kryeqytete europiane Serbia shihet si problemi kryesor i zgjerimit në Ballkan për shkak t lidhjeve me Rusinë dhe refuzimit për të njohur Kosovën
    Plus tensioneve të vazhdueshme në veri të Kosovës
    Kur një propozim për reformimin e zgjerimit del bashkë me Vuçiç, shumë e lexojnë kështu: Serbia kërkon përfitimet e BE-së pa bërë koncesionin kryesor njohjen e Kosovës.
    Kjo krijon me te drejt alergjinë politike.

    Reply
  • Arber says:
    March 5, 2026 at 8:02 am

    Ky rrushi qe ka shkruar kete artikullin qenka kunder Rames , Kete kupton nga artikulli ,Argumente zero . Thjesht propagande .

    Reply
    • Dashi says:
      March 5, 2026 at 1:13 pm

      E di si është puna , Arbër ? Mjafton të shkruash kundër Ramës e qeverisë dhe dyert e Ditës i ke të hapura në të dy kanatat .

      Reply
  • Danti says:
    March 6, 2026 at 7:38 am

    Eh mor ti i nderuar diplomat, holle e ke tjerrur kete propozimin e Rames , por vetem me syrin e atij , qe kerkon te zbuloje me pa tjeter se ketu duhet te kete dicka qe nuk shkon. Une me doj se Rama e ka bere kete propozim per te shmangur ne radhe te pare friken e vetos qe egziston per anetaresimet e reja ne BE dhe se dyti perfitimet ekonomike per zhvillimin me te shpejte te vendit. Sa per ate sepse u bashkua me Vucicin ne kete propozim, nuk ka asgje te keqe , dhe mos e lidh fare me Kosoven se per kete Rama ja ka vene kufirin te thana Serbise dhe ja ja ka thene Vucicit publikishte ne mes te Beogradit, qe Kosova eshte shtet i pavarur dhe ska te beje me me Serbine.

    Reply

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajmi i Fundit

  • 18 qershor 2026
  • Kryeministri ynë “sociolog” – Të kërkosh llogari nuk është dhunë
  • Protestuesit marshojnë në ditën e 18-të të protestës
  • Largimi i deputetes Marjana Koçeku nga Partia Socialiste ka hapur një “Kuti Pandore”
  • Parlamenti Europian kërkon ‘moratorium ndërtimesh’ në zonat e mbrojtura në Shqipëri: A është kjo e detyrueshme për qeverinë shqiptare?

Komentet e Fundit

  1. K R on Qëndrimi i KE-së për Zvërnecin pritet me zhgënjim
  2. K R on Qëndrimi i KE-së për Zvërnecin pritet me zhgënjim
  3. Pensionisti i Porcelanit on Parlamenti Europian kërkon ‘moratorium ndërtimesh’ në zonat e mbrojtura në Shqipëri: A është kjo e detyrueshme për qeverinë shqiptare?
  4. Valbona on Largimi i deputetes Marjana Koçeku nga Partia Socialiste ka hapur një “Kuti Pandore”
  5. Deni on Qëndrimi i KE-së për Zvërnecin pritet me zhgënjim

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?