Nga Gjikë Kurtiqi
Kurbeti ka qënë dhe mbetet kurbet, edhe pse shkenca ka bërë mrekulli të paimagjinueshme me zbulimet e saja në kohën e sotme, për shkurtimin e distancave, transportin dhe komunikimin midis njerëzve me avionë supersonikë, prurjen e imazheve nga njera anë e botës në anën tjetër, me kompjuterat, internetin, skypen etj.
Pra, edhe pse kurbeti i sotëm nuk mund të krahasohet me atë para një shekulli, kur niseshin për në Amerikë dhe Austarli gjyshrit tanë, kurbeti përsëri mbetet kurbet, i shkëput njerzit nga vendlindja, nga vatra familjare, nga shokët, miqtë dhe i përndan në vise të tjera, në vendeve dhe kontinente të ndryshme. “Guri rëndon në vendin e vet”, ka thënë mençuria popullore dhe këtë thënie s’ka gur që e luan.
Krahas shumë të këqijave kurbeti ka edhe ndonjë të mirë, do të thosha unë. Kjo e mirë lidhet me mallin, dashurinë, krenarinë dhe përkushtimin që lind në zemrat e mërgimtarëve që kanë zemër. Dhe janë pikërisht këto ndjenja që i bëjnë mërgimtarët që kanë talent e janë krijues, të ulen dhe të shkruajnë poezi dhe prozë për atdheun dhe vendlindjen që u mungon, për prindërit, vëllezërit, motrat, shokët, miqtë, për jetën e kaluar në vendet ku kanë lindur, janë rritur, edukuar e arsimuar dhe për jetën në mërgim, për vështirësitë që përballojnë e kalojnë.
Vetëm kur jeton larg tij e kupton se ç’është malli dhe dashuria për Atdheun tënd, për vatrën familjare, për familjarët e tu, për shokët dhe miqtë që të mungojnë.
Më ka rënë rasti të lexoj shumë krijime të mërgimtarëve. Krijimin e parë që kam lexuar dhe më ka habitur, ka qënë një poemë e shkruar në shqip, nga një bashkëfshatari im, i pashkollë, i quajtur Miti Gjilo dhe botuar në Amerikë në vitin 1910, me titullin: “Vojtjetore Amerika, sa e mirë Shqipëria”. Në atë poemë ai shkruan me hollësi për “cfilitë”, siç shprehet ai, që heqin mërgimtarët që kur nisen për kurbet, per udhëtimin e gjatë me vapor dhe tërë kohën e tyre në emigrim.
Kam lexuar edhe shumë krijime të tjera për mërgimin, veçanërisht nga Naimi, Çajupi dhe Noli. Dhe ja tani së fundi më ra në dorë edhe ky libër, me titullin: “Mërgimtari”, i shkruar nga Lavdosh Isufi. Duke qënë libër me poezi dhe unë si një lëvrues dhe dashamirës i saj, e fillova leximin dhe e mbarova pa e lëshuar nga dora.
Përshtypja e parë që të krijohet kur mbaron leximin e këtij libri, është se padyshim ke në dorë një botim me vlera të spikatura ideore dhe artistike. Në të ka krijime shumë të bukura, shkruar me frymëzim e mjeshtëri të lartë nga autori, për atdheun, për historinë e tij të lavdishme, për luftrat e zhvilluara në shekuj për liri e pavarësi, ka krijime të arrira më sëmiri për familjarët, figurat e shquara atdhetarësh, poezi që rimojnë e kalojnë natyrshëm, me figura artistike të gjetura dhe të vendosura në vendin e tyre.
Ndër krijimet më të realizuara unë do të radhisja: “Mërgimtari”, “Malli për mëmëdhenë”, “Nënë mjo më ka marë malli”, “Respekt për brezin tim”, “Pavarësia”, “Viti i mbrapësht”, “Vaçe Zela”, “Dritëro Agolli”, “Enver Hoxhës”, “Vlora”, “Nëna labe”, “I pa harruari”, “Nostalgji për Fierin” etj. poezitë për fshatin e lindjes dhe fshatrat e tjera të zonës, Gorisht e Sevaster, si dhe dy poemat: “Bota në vargje” dhe “Labëria”.
Në poezinë “Mergimtari” autori shpreh dhimbjen e thellë që mërgimi ka shkaktuar në zemrën e tij, ngaqë jeton dhe e ngys jetën larg atdheut të vet:
“Ku kam lerë dua të vdes,
Toka ime le të më tresë,
Do t’i shkoj varrit serbes.”
Vendin tim s’e pres në besë!”
Dhe më poshtë në poezinëtë: “Nëna Shqipëri” dhe “Malli për mëmëdhenë” ai duke vënë në raport atdheun me mërgimin shkruan:
“Ti moj nëna Shqipëri,
Mblidhi fëmijët në gji,
I rrite me bukë e hi,
T’u përndanë si me magji”…
“Shqipëri deti me valë,
Mua fryma s’do më dalë,
Po s’të pashë nuse mbi kalë,
Porsi hëna përmbi malë”.
Këto poezi të Lavdoshit të kujtojnë vargjet e Çajupit: “Ku është balta,/
Me ëmbël se mjalta? / Po njeriu vetë,/ Ku kërkon të jetë?/ Në vendin e tij…”, pyet dhe përgjigjet Çajupi i malluar në mërgimimin e largët.
Si në këto pak vargje edhe në gjithë poezitë e tjera frymëzimi dhe dashuria rrjedhin si uji i kulluar i burimeve të Labërisë. Në to shkëlqen frymëzimi dhe talenti i autorit. Po këtë vlerësim do të bënim edhe për poezitë: “Fshati Sevaster”, “Për Gorishtin”, “Nostalgji për Fierin” etj.
“Majë e Hites për karshi,
Shikon fshatin me zili,
Tym i bardhë mbi çati,
Në sofër mish e raki…
“Që nga maja e Toganit,
Dëgjohet cyla e çobanit,
Bishtin tund qeni i stanit,
Kur ndjen erën e tiganit”
Me shumë dashuri e nostalgji autori shkruan edhe për nënën labe në poezinë me këtë titull:
“Ç’të shkruaj për laben nënë,
Eshtë si dritë, është si hënë,
Kam plot gjëra për të thënë,
Sa dhe malet nuk i nxënë”.
Te poezia “ShqiptarëT e Amerikës” autori ndjen zemërim e dhimbje për bashkëatdhetaët e tij të shpërndarë në 40 shoqata dhe shkruan:
“O Shqipetarë mos u përçani,
Se dhimbjet i ndjen vatani,
Si thotë bibela dhe kurani,
Rrini bashkë, mos u ndani.”
Ashtu si Pashko Vasha që thoshte: “Feja e shqipëtarit është Shqipëria…”, Lavdoshi u drejtohet bashkëatdhetarëve në Amerikë me këto vargje:
“Shoqata jonë është Shqiptaria,
E ardhur nga Iliria,
Me origjinë nga Pellazgia,
E bekuar nga Perendia”.
Urrejtja për Europën plakë, që është sjellë si njerkë e keqe me Shqipërinë dhe në vitin 1913 e coptoi për të kënaqur oreksin e fqinjët e saj, e ka bërë autorin e ketij vëllimi të shkruajë poezinë “Europa”. Poezia është një satirë e mprehtë që demaskon ghithë pazarllëqet dhe intrigat e Europës ndaj Shqipërisë:
“Zakon të vjetër ka Europa,
Prish kështjella dhe hap gropa,
Gjuan me mitrolozë e topa,
Si nga termeti dridhet toka.”
Dhe më poshtë:
“Kush kish Shqipërin në dorë,
Që e ndau si të ishte lakror,
Në pesë shtete mbretërorë,
Në çdo stinë acar e borë?!”
Po me këtë urrejtje ai shkruan edhe për pseudohistorianët e tipit Plasari, Butka, Biçoku e Meta, që për interesa të ngushta personale, pas viteve 90’, u vunë në shërbim të forcave regresive për të shtrembëruar historinë e lavdishme të LANÇ që:
“Historinë bënë politikë,
Thonë se janë akademikë,
Kanë ngrohur vezë në furrik,
Se postet i zunë me mik”.
Me urrejtje ai shprehet edhe për figurat e errta, njerzit që shohin vetëm interesin e tyre, që përfitojnë pa të drejtë, të cilët i tipizon me gjëmbaçët dhe për satrapët e tradhëtarët si mbreti Zog, në poezitë: “Gjëmbaçët”, “Njerz të liq” dhe “Mretit Zogollian”:
“Gjëmbaçet shumë janë shtuar,
Nga prezenca të shëmtuar,
Thumbimin kanë të helmuar,
Sa më shpejt do vaksinuar”…
“Dhe Ahmet Zogu i parë,
Del i gjithi i pa larë,
Si hajdut e tradhëtar,
Me Sërbin bëri Pazar”…
Sa me indinjatë dhe urrejtje shkruan për Europën, pseudohistorianët, tradhëtarët, satrapët dhe “gjëmbaçët” aq me zell e dashuri shkruan poeti për Shqipërinë dhe qytetet e saj, e veçanërisht për Gjirokastrën, Fierin e Vlorën:
“Gjirokastër vend i nderit,
Je vendelindja e Enverit,
Ndriçon si dritë e fenerit,
Lëshon ngjyrat e ylberit”.
Për Vlorën:
“O moj Vlora legjendare,
Je zhgabonjë dy krenare,
Fluturon e s’ndalesh fare,
Me ato vajza behare. “
Po me këtë frymëzim e dashuri autori ligjëron edhe për figurat e shqiptarëve që kanë bërë epokë,si Ali Pasha, Ismail Qemali dhe Enver Hoxha në poezitë: “Ali Pasha”, “Enver Hoxhës”, “I pa harruari” dhe të atyre që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinëdhe jetën e Shqipërisë, siç janë poezitë: “Dritëro Agolli” e “Vaçe Zela”:
“Ti linde nga kënga,
Me këngën u rrite,
Si ylli i mëngjezit,
Vendin seç e ndrite…”,
Shkruan ai për Vaçe Zelën. Kurse për Dritëro Agollin:
“Dritëro të qofsha falë,
Thuaju shqiptarve dy fjalë,
Se shiponjat janë për malë,
Zhabat janë për moçalë…”
Fjalët më të mira do të thoshim edhe për dy poemat që mbyllin vëllimin “Mërgimtari” të Lavdosh Isufit. Në poemën “Laberia” mbizotëron nostalgjia e poetit për krahinen e tij, për cilësitë e saj të rralla si trimëria, besnikëria, mikpritja, kënga tradicionale polifonike që me të drejtë është futur në thesarin e kultures boterore dhe mbrohet nga UNESKO. Dhe poeti shkruan:
“Laberi shkembi mbi mal,
Çdo çoban një gjeneral,
Nga ai shkëmb dhe unë kam dal’,
Do te te vdese me ideal”.
Kurse në poemën “Bota në vargje” autori vë në dukje dhe qesëndis polarizimin e thekesuar të shoqërisë në të pasur dhe në të varfër, luftrat e pa drejta e shkatërimtare që s’kanë të mbaruare, mbajtjen e njerëzimit nën presion, nëpërmjet terrorizmit të sajuar dhe propagandës së shfrenuar, degjenerimin moralo – politik të shoqërisë nëpërmjet korrupsionit në qeverrisjen e vendit, drejtimin e botës nga forcat e pa dukura të iluminatit dhe të bankierëve të mëdhenj, si Rrothçildët e Anglisë etj.
Janë këto tema që kanë trubulluar ndienjat e poetit në megrim dhe e kanë frymëzuar që të shkruaj një poemë për botën, nga fillimi deri në ditët e sotme. Prej saj kemi shkëputur tre strofa që na japin një opinion të qartë artistik të gjithë poemës:
“Kapitalizmit për merak,
Mos t’i hamë të shkretin hak,
Eshtë furrnaltë me oxhak,
Kullon djersë e pikon gjak…
Bota keq është mbarsur,
Njëmijë veta të mbipasur,
Shtatë miliardë buzë plasur,
Përmbi gur kokën përplasur
Bote e ndyre, bote e palar
Ligjin bejn ca kusar
Skan te ngopur as ne varr
Han si krimba cdo lloj far”.
Poeti mergimtar mban mi supe kohen e gjate ne emigrim prej dy dekadash, dhe me eksperiencen e punes dhe te jetes ne dy sisteme dhe ne dy kontinente ka arrituj te bej nje analiz letrare fenomeneve te ndryshme te shoqeris ku ka jetuar dhe ku jeton sote. Si nje njohes i mire i realitetit ka arritur te bej autopsine gjithe regjimeve dhe sistemeve politike duke filluar qe nga lashtesia. Kete e tregon me se miri fakti ku pershkrimin qe u ben luftave qe nga ajo me e vjetra, Lufta e Trojes, deri ne luftat e sotme qe nuk kan per te mbaruar kurre.
“Luftat behen per fitime
Mafia shet armatime
Tregu ben spekullime
Bota mbushet me mashtrime”
Autori ka nje merit te vecante qe nepermjet nje filozofie popullorete nxjerre te verteten nga errersira mijevjecare qe mbulon historin e njerezis.
“Nuk ka rastesi ne kete bote
Cdo gje e kurdisur me komplot
Nga ata qe sundojn dije dhe sot
Qe hambarit e tyre ti mbajn plot
Ne cdo kohe keshtu ka ndodhur
Pasuroheshin pa u lodhur
Ta merrnin grurin te korrur
Benin shkak nje miz te ngordhur
Përfundimisht e përshëndes dhe e përgëzoj autorin e këtij botimi dhe uroj që pena e tij të vazhdojë të na japi edhe në të ardhmen krijime të tilla të ndjera dhe të realizuara me mjeshtëri.