DR. Jorgji KOTE
Intensifikimi i marrëdhënieve tona ndërkombëtare ka ndikuar që bashkë me temat, në politikën, opinionin publik dhe sidomos në median tone të jenë përherë e më të pranishme edhe termat/frazat e ndryshme diplomatike.
Natyrisht, ka dhe fjalë me origjinë të huaj, të cilat kanë fituar me kohë “qytetarinë“, duke zenë vendin e tyre në leksikun e shqipes; ndaj po aq kujdes kërkohet dhe për shmangien e prirjeve puritaniste, për të zëvendësuar me vend dhe pa vend çdo fjalë të huaj, çka mund të cënojë komunikimin publik dhe në fushën e diplomacisë.
Duke qëndruar larg teorizimeve boshe, për ta qartësuar më konkretisht nevojën e një hopi cilësor në këtë fushë, le t’i referohemi disa prej rasteve nga më të zakonshmet që hasen në praktikë. Pa dashur të humbas modestinë, e njoh këtë fushë si i diplomuar për gjuhë shqipe dhe angleze, përkthyes/interpret për dekada, njohjen e gjuhëve të tjera kryesore, përvojën e gjatë diplomatike dhe si autor i disa librave dhe shumë shkrimeve.
Po e fillojmë me shqipërimin e qartë dhe të kuptueshëm, jo thjesht “fjalë për fjalë”, siç ndodh rëndom, mbasi ajo ngatërron dhe më shumë, por duke njohur e shpjeguar kuptimin e koncepteve dhe praktikave diplomatike ku hasen vështirësi.
Në këto raste zbatohet ajo që njihet si “zgjerim i kuptimit“ dhe përkthimi pëmbajtësor mbi bazën e shpjegimit të gjithë kornizës përkatëse.
Kështu, ndër format më të shpeshta të diplomacisë së sotme të krizës është e ashtuquajtura “shuttle diplomacy“.
Në median tonë gjen përkthime të pasakta dhe të gabuara për shkak të moskuptimit të këtij koncepti, prejardhjes dhe përmbajtjes së tij. Për sqarim, “shuttle service“ janë shërbimet vajtje – ardhje me autobuz/taksi nëpër aeroporte ose hotele ku zhvillohen konferenca ndërkombëtare, ku sigurohet transporti i shpeshtë për pasagjerët, delegatët e konferencave, etj.
Prej këtu e ka marrë kuptimin ky term i shpikur 50 vite më parë nga emblematiku Kisinger, meqenëse ishte pothuajse çdo ditë në udhëtime dhe fluturime, duke i rënë botës “kryq e tërthor“.
Duke patur të qartë këtë kornizë, përkthimi më i mirë në shqip i “shuttle diplomacy“ do të ishte “diplomacia e ec e jakeve“ e cila gjithsesi do shoqëruar me termin origjinal, për ta patur të lehtë dhe në përkthimin shqip – anglisht.
Një term tjetër mjaft i përdorur në marrëdhëniet ndërkombëtare është “appeasement diplomacy“ që shqipërohet ”diplomacia qetësuese“. Në kuptimin që nëpërmjet përpjekjeve diplomatike, pa trysni, ajo synon uljen e tensioneve dhe “qetësimin e gjakrave” deri në një zgjidhje paqësore, duke shpresuar se kështu do të shmanget ndonjë sulm apo agresion i mundshëm ushtarak nga pala ndaj të cilës ushtrohet kjo lloj diplomacie.
Sa për kujtesë, diplomacia qetësuese perendimore dështoi tragjikisht në vitin 1939 ndaj Hitlerit, në vitet ’90 me dështimin e paqes me Milosevicin në Bosnie dhe me 1999 në Rambuje; në vitin 2015 me dy marrëveshjet e Minskut dhe së fundi ndaj Putinit, i cili jo vetëm nuk u bë “good guy”, siç shpresohej me naivitet politik në Perëndim, por më 24 Shkurt ndërmori agresionin e paprovokuar ushtarak ndaj Ukrainës, duke “e hedhur ne erë“ politikën qetësuese perendimore.
E kundërta e diplomacisë qetësuese është e ashtuquajtura “ coercive diplomacy“ përkthimi më i mirë i saktë i të cilës do të ishte ”diplomaci shtrënguese“ ose dhe imponuese/kërcënuese/detyruese”
Shembull i qartë i nevojës për “zgjerim kuptimi“ është fjala “ mid-term elections“ në SHBA“ – e cila me të drejtë përkthehet “zgjedhjet afat-mesëm“. Por, kjo në media kërkon shpjegim, se kështu dëgjuesi/shikuesi nuk kupton gjë, duke e shoqëruar atë me sqarimin se bëhet fjalë për votimet midis zgjedhjeve presidenciale dhe atyre të Kongresit amerikan.
Dhe tani le të ndalemi pak te koncepti dhe themeli i demokracisë liberale “shteti i të drejtës“, “shteti ligjor“ apo “sundimi i ligjit” siç përdoret shpesh. Në fakt, mes tyre nuk ka asnjë dallim, janë e njëjta gjë. Përdorimi i panevojshëm i këtyre tre termave, kur mjafton “shteti i të drejtës“ vjen nga fakti se vetëm në anglisht përdoret termi “rule of law” i përkthyer fjalë për fjalë si “sundimi i ligjit ose “shteti ligjor”.
Ndërsa në frëngjisht, gjermanisht dhe gjuhë të tjera përdoret termi “shteti i të drejtës“ ( état de droit, rechststaat) Më kujtohet në vitin 1989, kur përkthenim Aktin Final të Helsinkit të OSBE-së, i cili në ato vite ishte kryefjala e jetës politike ndërkombëtare, mbasi pyetëm juristë të njohur e përkthyem jo fort saktë “sundimi i ligjit“ sepse i kishim në anglisht materialet.
Mirëpo, termi ”shtet ligjor apo sundimi i ligjit“ nuk është i saktë, sepse në anglisht “law“ i referohet ligjit në kuptimin specifik, por në një plan më të gjerë ai nënkupton “të drejtën“ – private, publike dhe ndërkombëtare. Veç kësaj, ndryshe nga “shteti i të drejtës“, “shtetin ligjor/sundimin e ligjit“ në kuptimin e ngushtë të fjalës pretendojnë se e kanë patur dhe e kanë dhe vende autoritariste ose totalitare, madje dhe Shqipëria në monizëm.
Ndaj, është më e drejtë që në praktikën tonë të përditshme në shqip të përdoret termi “ shteti i të drejtës” duke hequr dorë nga dy termat e tjera.
Ndërkohë, një fjalë tjetër shumë e përdorur dhe që ka nevojë për shpjegim/ shqipërim të saktë është “Samit“ e cila dhe në gjuhë të tjera do të thotë “ maja më e lartë (e malit)“. Kjo fjalë me të drejtë në median tonë përkthehet me zgjerim kuptimi, si “Takim i Kryetarëve të Shtetit/Qeverive të vendeve anëtare të BE-së, NATO-s, KiE-s dhe forumeve të tjera sipas rastit.
Mund të thuhet dhe “Takimi i nivelit më të lartë” ( top level) Ndërkohë, dhe në ndonjë media serioze ajo përkthehet jo saktë si “takim i nivelit të lartë “ Mirëpo, mungesa e “më“ e cënon fjalën Samit. Sepse “takime të nivelit të lartë“ janë ato të ministrave ose zyrtarëve të tjerë si ata.( senior/high level ) ndërsa “Samite“ janë vetëm takimet e Kryetarëve të Shtetit ( Presidentë/Mbretër) dhe Kryeministrave të vendeve të ndryshme.
Gjithsesi, nuk ka pse të kihet frikë nga përdorimi dhe në shqip i kësaj fjale, të cilën nuk e di përse nuk e përdornim gjatë periudhës së monizmit, duke e përkthyer “nga halli“ “gjatë e gjatë“ si më sipër. Mirëpo sot bëhet vërtet e bezdishme sidomos në media që në vend të fjalës “ samit” të zgjatesh sa herë pa kuptim me fjali të tëra. Ca më tepër ajo ka zenë vend në gjuhën shqipe, ndaj le ta përdorim pa droje.
Lidhur ngushtë me “Samit“ është dhe fjala “lider“. Përkthehet masivisht dhe jo gabim “udhëheqës“. Mirëpo, në fakt, më e saktë është që ajo të përkthehet “kryetar ose kreu i shtetit / qeverisë / partisë”.
Kjo sidomos për ne shqiptarët dhe vendet ish lindore totalitare në përgjithësi, për shkak të ngarkesës negative që ka krijuar “udhëheqësi dhe “ udhëheqja”“ si fjala më e përdorur dhe në emër të së cilës janë kryer dhe shumë të këqia. Në Gjermani psh, nuk përdoret në asnjë rast, as në media termi “udhëheqës ( fϋhrer-fyrer) pikërisht për shkak të ngarkesës tejet negative të saj në kohën e Hitlerit; në vend të saj gjen fjalët “Kancelar“ dhe “kreu i shtetit/qeverisë.
Veç kësaj, në fakt, sidomos në demokraci, presidenti dhe kryeministri i vendit nuk mund të jenë e të quhen “udhëheqës“, por drejtuesit më të lartë apo dhe më saktë akoma „krerët e shtetit/qeverisë“, ndonëse pas viteve 90 edhe fjala “lider“ ka zenë vendin e vet të natyrshëm në fondin e shqipes.
Në vijim, për të qenë dhe më konkretë, po vazhdojmë duke përmendur një katalog me shqiptimet në shqip të rreth 40 fjalëve të huaja, të cilat hasen më shpesh në diplomaci dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, të shqipëruara saktë dhe drejt.
Marrëdhënie bilaterale/multilaterale – dy dhe shumëpalëshe; progres – përparim; akses – qasje, approach – përqasje, preferoj – parapëlqej, apdejtoj – përditësoj, relevant – përkatësor, koincidoj – përkoj, poll – anketim, test – provë, procedoj – ndjek penalisht, implementoj – zbatoj, reduktoj – pakësoj, inkriminoj – viktimizoj, eksplozion – shpërthim, ekstrem – i skajshëm, start – filloj, benefit – përfitim – apendiks – shtojcë, lançoj – lëshoj, tensionoj – tendos, eskalacion – përshkallëzim, ranking/ rating – renditje; potencial – mundësi, marzhi – kufiri, monitorim – vëzhgim, trend – prirje, konkluzion – përfundim, prezencë – prani, mazhorancë– shumicë, tranzitor – kalimtar, ekspoze – paraqitje/parashtrim, equivalent – i barazvlefshëm, diversifikim – shumëllojshmërim, impact – ndikim, elektoral – zgjedhor, komercial – tregtar, suspendoj – pezulloj, ekskluzivisht – përjashtimisht.
Së fundi, në këtë drejtim vazhdon të ketë mangësi, probleme dhe vështirësi me tepërime të panevojshme në huazimin dhe përdorimin e fjalëve të huaja.
Megjithatë, në përgjigje të vërejtjeve dhe kritikave të shumta, ka përpjekje të shtuara nga media që dhe termat e ndryshme diplomatike të përcillen te publiku me një “shqipe“ të pasur, të pastruar nga huazimet gjuhësore.
Në këtë drejtim përse të mos e themi se shquhet gazeta “DITA“ në të gjitha rubrikat e saj. Këtu vlen të përmendet shqipja e kulturuar dhe dinjitoze në shkrimet te kjo gazetë të personaliteteve të mirënjohura intelektuale, historianit elitar, Akademik Pëllumb Xhufi, profesorit dhe “asit“ tonë të së drejtës ndërkombëtare, Ksenofon Krisafi, profesorit të formatit ndërkombëtar të sociologjisë, Fatos Tarifa, dhe kryeanalistit, Ambasador Shaban Murati.
Në respekt të mediave e gazetarëve të tjerë të mirënjohur, këtu do të përmendja me theks të veçantë përvojën e madhe të Seksionit shqip te “Zëri i Amerikës“. Si dhe një numër i madh bashkëatdhetarësh të tjerë, e kam ndjekur atë rregullisht këto 35 vitet e fundit, në rubrikat me lajme të përditësuara dhe te DITARI.
Një ndër arritjet e veçanta dhe me vlerë në 8 dekadat e veprimtarisë së saj është shqipja e pastruar dhe e pasuruar letrare. Shembullin e kanë dhënë qysh në fillim drejtuesit e saj të mëparshëm dhe veçanërisht dy legjenda të gazetarisë, Frank Shkreli dhe Elez Biberaj; ndonëse të larguar nga vendi mbi 5 dekada më parë, krahas cilësive të shumta elitare dhe sidomos ngulmimit të tyre te vërtetësia e lajmit, ku kanë treguar me vepra se nuk bëjnë kompromis, këta zotërinj të vërtetë të qytetarisë, demokracisë dhe gazetarisë shqiptaro-amerikane janë shquar dhe për shqipen letrare.
Shquhet në këtë fushë me ndjeshmëri të madhe publike edhe pasardhësi i tyre i denjë, zoti Arben Xhixho, si gazetar dhe folës i mirënjohur në 31 vitet e fundit dhe Shefi i Seksionit nga viti 2006 e në vazhdim.
Në gjurmët e kësaj tradite atdhetare kanë ecur gazetarët e mëparshëm, “zonja dhe zotër“ të mikrofonit/ekranit, si Laura Konda, Zamira & Elisabeta Islami, Ilir Ikonomi, etj. Stafetën e kësaj trashëgimie domethënëse po e çojnë më tej redaktorët dhe gazetarët e saj të sotëm; kjo duket qartë kur ndjek gazetaren Keida Kostreci, me përvojë mediatike në Shqipëri dhe në 20 vitet e fundit në Uashington, bashkë me gazetaren dhe moderatoren tjetër të mirënjohur në ekranin tonë dhe këto vitet e fundit në Uashington, Menada Zaimi; ka një vit që atyre u është bashkuar natyrshëm me freskinë dhe përvojën televizive 15 vjeçare, gazetarja dhe folësja Klementina Cenkollari.
Bie lehtësisht në sy se kjo “trio“ prestigjioze tregohet “fanatike“ kur flet dhe shkruan me shqipe të pastër dhe të pasur. Me siguri që VoA shqip dhe mediat e tjera do t’i forcojnë dhe më shumë këto tradita të mira për pastrimin dhe pasurimin e gjuhës sonë të bukur shqipe.