Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave shpreh dhimbjen e thellë të anëtarëve të saj për humbjen e akademikut Rexhep Qosja, President Nderi i kësaj akademie
Me hidhërim të thellë mësuam lajmin e ndarjes nga jeta të akademikut Rexhep Qosja, njërit prej lëvruesve e përfaqësuesve më të shquar të letrave dhe studimeve shqiptare, një atdhetari të flaktë dhe një intelektuali publik të angazhuar në çështjet e mëdha të kombit shqiptar.
Jeta dhe vepra e akademikut Rexhep Qosja ishin ato të një dijetari erudit, të mbrujtur me tipare të çmuara njerëzore, me dashuri për atdheun, për njerëzit e kësaj toke, për historinë dhe kulturën shqiptare, të një intelektuali e qytetari të ndershëm, me adhurim e përulje ndaj së vërtetës, ndaj vlerave e virtyteve më të mira të kombit e të demokracisë, të cilat qytetarët shqiptarë—të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës—por edhe shqiptarët e Diasporës ia kanë njohur dhe çmuar shumë.
Rexhep Qosja ishte bir i një treve me kontribute të veçanta në historinë e luftërave e të përpjekjeve të popullit shqiptar për liri e për shtet kombëtar. Ai lindi në fshatin Vuthaj të Gucisë, që i përket trevës më të gjerë të Kelmendit dhe, siç shprehej ai vetë, u detyrohej shumë vendlindjes dhe banorëve të saj malësorë. Krijimtaria shkencore e letrare e akademikut Qosja dhe veprimtaria e tij atdhetare e shoqërore nuk mund të kuptohen pa marrë në konsideratë këtë lidhje të ngushtë të tij me tokën e të parëve.
Objekti i studimeve dhe i krijimtarisë së tij letrare ka qenë kryesisht Rilindja Kombëtare, me luftërat për liri, për shkollë shqipe, për kulturë e për shtet kombëtar. Punimi me të cilin ai mbrojti doktoratën i kushtohej figurës së Rilindësit të madh, autorit të tekstit të Himnit Kombëtar, Asdrenit (1972).
Monografitë që pasuan, në një pjesë të mirë të tyre i kushtohen pikërisht asaj periudhe: Panteoni i rralluar (1973), Shkrimtarë dhe periudha (1975), Anatomia e kulturës (1976), Nocione të reja albanologjike (1983), Historia e letërsisë shqipe I-III (1984-1986), Antologjia historike e letërsisë shqipe (1985), Porosia e madhe (1986), Populli i ndaluar (1990), Prej letërsisë romantike deri te letërsia moderne (2007), etj.
Shqetësimi qytetar, intelektual dhe atdhetar i akademikut Rexhep Qosja për demokracinë dhe shtetin ligjor, për marrëdhëniet ndërshqiptare, zhvillimin e shkencës e të kulturës, ka gjeneruar një numër të madh esesh dhe botime të natyrës publicistike, të tilla si: Dialog me shkrimtarë (1968), Kontinuitete (1972), Mite të zhveshura (1978), Morfologjia e një fushate (1980), Strategjia e bashkimit kombëtar (1992), Çështja shqiptare: Historia dhe politika (1994), Fjalor demokratik (1997), Ideologjia e shpërbërjes (2006), Realiteti i shpërfillur (2006), Shqipëria dhe Kosova: Si janë dhe si do të duhej të jenë (2013), etj.
E begatë ka qenë edhe krijimtaria letrare e tij, duke lëvruar me sukses gjini të ndryshme të prozës: romanin, tregimin, dramaturgjinë. Për t’u veçuar janë romanet e tij: Vdekja më vjen prej syve të tillë (1974), Një dashuri dhe shtatë faje (2001), Bijtë e askujt (2010), Të fshehtat e treguara (2020), ku me një qasje e mjete moderne të artikulimit letrar ka trajtuar në plan shumëdimensional temën kombëtare.
Luftës për liri dhe pavarësi të popullit shqiptar të Kosovës, të studentëve e të intelektualëve të tij patriotë, ku ai zë një vend qendror si protagonist, akademiku Rexhep Qosja i ka kushtuar nënyë vëllimet e veprës së tij monumentale Dëshmitar në kohë historike, 1966-2005. Në këtë vepër janë skalitur ngjarjet dhe personazhet e një periudhe 40-vjeçare të historisë së Kosovës, gjatë së cilës u poq dhe u materializua aspirata për liri dhe pavarësi e popullit të saj. Me rëndësi të posaçme historike është edhe libri i tij Paqja e përgjakur, që i kushtohet bisedimeve të Rambouillet, në të cilat akademik Qosja mori pjesë si anëtar i delegacionit shqiptar dhe luajti një rol të rëndësishëm në organizimin, argumentimin dhe pozicionimin e duhur të delegacionit shqiptar në atë forum ndërkombëtar, që përcaktoi zhvillimet historike të mëtejshme në favor të shqiptarëve të Kosovës.
Gjatë kohës kur akademik Rexhep Qosja ishte drejtues i Institutit Albanologjik të Prishtinës (1972-1981), ai institucion u kthye në një vatër të dijes kombëtare, ku u artikuluan me kurajë edhe idetë për një Kosovë të lirë, të pavarur e demokratike.
Nuk ka çështje madhore kombëtare, nuk ka ngjarje dhe as dilema të natyrës historike, politike e shoqërore për të cilat akademiku Rexhep Qosja nuk ka thënë me kuraje qytetare e me ndershmëri intelektuale fjalën e tij të pjekur e të mirëpeshuar.
Në vlerësim të këtij kontributi kolosal në fushën e shkencës, të letërsisë e të kulturës kombëtare, si dhe të angazhimit të tij të pashembullt në zhvillimet politike e demokratike të botës shqiptare, akademiku Rexhep Qosja është vlerësuar e shpallur “Qytetar Nderi” dhe “Kryetar Nderi” i disa bashkive dhe i disa shoqatave kulturore e atdhetare në Republikën e Shqipërisë dhe jashtë saj. Në vitin 2000, ai është nderua nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Prof. Dr. Rexhep Meidani, me Urdhrin “Nderi i Kombit”.
Po për këto merita, Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave e zgjodhi akademikun Rexhep Qosja anëtar dhe President Nderi të saj. Anëtarët e kësaj akademie shprehin dhimbjen e tyre të thellë për humbjen e këtij personaliteti të shquar në historinë e mendimit shkencor, letrar e kombëtar shqiptar në këto gjashtë dekada të fundit dhe i shprehin familjes, të afërmve dhe kolegëve të tij në Kosovë e kudo gjetkë konsideratën më të thellë dhe ngushëllimet më të ndjera.
Tiranë, 23 prill 2026

RIP atdhetari Rexhep Qosja., nje ze i fuqishem i kombit shqiptar!
Ngushëllime families.Shqiptari i cili prodhonte ,kujdesej,edukonte,kthjellonte e pasuronte bukur idetë , qëllimet,vlerat akademike,patriotike të çdo shqipfolësi në glob i mpreht i dashuruar me gjuhën largpamës e vlerë kombëtare.U preht në paqe dielli i mendimit shqiptar.
Edhe Akademia paska “President” e jo kryetar? Shqipove u duket se u rritet vlera po u the president. Me duhej te komunikoja nje here me ate te Kryqit te Kuq, Subashin, shume kohe ne pare, dhe me thanë: Mos iu drejto me “kryetar”, por me “president”.
Pa lidhje me shkrimin.
Na thuaj ti ndonje gje ne lidhje me shkrimin.
Nje figure shume e shquar e kombit tone,u largua nga kjo bote ,pa len pas jo shume meteore,shkencetar atdhetar,studjes ,pishtare te arsimit.Jeta eshte kjo per te gjithe njelloj.Por akademiku kombit tone i la shume vepra ,punime shkencore ku kombin tone ,gjuhen,identitetin kombetar sebashku me plote gjigand te tjere,e ngriti,(e ngriten)ne piedestalin me te larte,per tua bere me dije armiqeve se ky komb ka merita te vecanta,ky komb ka lindur ,ka rritur Gjergj Kastrioti,Dede Gjo Luli Mihal Grameno,vellezerit Frasheri ka shkruajtur historine e vet me heroj qe bota eshte habitur..Ky eshte thesari qe akademiku si nje Rilindes i fundit pishtar i arsimit shkences,ja la kombit tone.I perjeteshem qofte kujtimi jeta vepra e keti kolosi te kombit tone.