Pesticidet janë substanca ose kimikate që përdoren për të shkatërruar dhe kontrolluar dëmtuesit, barërat e këqija ose organizma të tjerë që ndikojnë në rritjen e bimëve. Edhe pse efektive, pesticidet përmbajnë kimikate toksike që mund të kenë efekte të mëdha, dhe ndonjëherë kronike, tek shqisat dhe sistemin nervor të njeriut.
Pesticidet gjithashtu mund të hyjnë në zinxhirin ushqimor, përmes një procesi të njohur si bioakumulim. Kjo ndodh kur një substancë grumbullohet në trup për shkak të paaftësisë tonë për ta “zbërthyer” atë. Shumë pesticide mund të përfundojnë duke u bioakumuluar në dhjamin e trupit tonë.
Kjo mund të ketë një ndikim të dëmshëm në shëndetin e njeriut. Pavarësisht rregulloreve globale për përdorimin e pesticideve, një studim vlerëson se rreth 385 milionë raste të helmimit të paqëllimshëm, akut nga pesticidet ndodhin mes punëtorëve të fermave çdo vit.
Kur spërkaten, pesticidet prodhojnë avuj që mund të kthehen në ndotës të ajrit. Në SHBA, 37-54% e sëmundjeve të lidhura me pesticidet midis punëtorëve të bujqësisë i atribuohen spërkatjeve. Simptomat mund të jenë dhimbje koke, të vjella e deri te ndjesia e djegies në lëkurë.
“Simptomat e ekspozimit ndaj pesticideve mund të përfshijnë dhimbje koke, të vjella, marramendje dhe probleme me frymëmarrjen”, thotë Michelle Perro, studiuese e ndikimit të kimikateve tek njerëzit.
Ajo thotë se mënyra dhe kohëzgjatja e ekspozimit ndaj kimikateve ndikojnë në sistemin tonë nervor dhe në shqisat tona.
“Ekspozimi duke thithur pesticide përmes mushkërive mund të jetë më toksik, sepse zorra jonë përmban mikrobe që ndihmojnë në detoksifikimin e ndotësve”, thotë Perro.
Ekspozimi ndaj pesticideve ka qenë gjithashtu i lidhur me përkeqësimin ndijor. Një nga incidencat më të hershme të njohura ndodhi në vitet 1960 në rajonin bujqësor Saku të Japonisë. Banorët e rajonit u zbulua se kishin një incidencë të lartë të defekteve vizuale pas ekspozimit ndaj organofosfateve.
Ekspozimi shkaktoi turbullim të shikimit, çrregullime të lëvizjes së syve dhe miopi.
Një studim i banorëve të zonës zbuloi se përveç fermerëve, gratë e fermerëve, të cilët mund të jenë ekspozuar nga ndotja në shtëpi ose nga largimi i pajisjeve të përdorura për spërkatjen, gjithashtu vuanin nga humbja e shikimit.
“Kur ‘aplikuesit’ e pesticideve kanë mbetje pesticidesh në lëkurën ose veshjen e tyre, ata përreth tyre mund t’i thithin këto mbetje dhe ekspozimi dytësor gjithashtu mund të çojë në efekte të dëmshme për shëndetin”, thotë Honglei Chen, epidemiolog.
Chen është pjesë e një studimi të Universitetit Shtetëror të Miçiganit të vitit 2019 që heton efektin e ekspozimit ndaj pesticideve në funksionimin e nuhatjes. Studimi monitoroi 11,232 fermerë për një periudhë 20 vjeçare. Nga fermerët e studiuar, 10.6% përjetuan një ngjarje të ekspozimit të lartë ndaj pesticideve (HPEE). Një HPEE nuk është përcaktuar zyrtarisht dhe varet nga interpretimi i fermerëve për ashpërsinë e ekspozimit të tyre ndaj pesticideve. Fermerët me një histori të HPEE kishin një shans 49% më të lartë për të patur një ndjenjë të dobët nuhatjeje.
Një studim i vitit 2020 zbuloi se nga rreth 860 milionë punëtorë bujqësorë në mbarë botën, 44% preken nga helmimi me pesticide çdo vit. Kjo është për shkak të mungesës së pajisjeve mbrojtëse ose pajisjeve të dëmtuara, gjë që rrit ekspozimin.
Shumë studime kanë zbuluar gjithashtu një lidhje midis përdorimit të pesticideve dhe sëmundjeve neurodegjenerative.
Ekspozimi ndaj pesticideve është shoqëruar me probleme si çrregullimi i hiperaktivitetit të deficitit të vëmendjes (ADHD) dhe sëmundja e Parkinsonit.
Fëmijët janë veçanërisht të prekshëm ndaj pesticideve për shkak të fiziologjisë së tyre, ritmit më të shpejtë të metabolizmit dhe sjelljeve.
“Fëmijët janë shpesh më afër tokës për shkak të gjatësisë së tyre, ata gjithashtu shfaqin aktivitet të shpeshtë dorë më gojë, kështu që ata kanë një rrezik më të lartë për të gëlltitur aksidentalisht pesticide në krahasim me të rriturit”, thotë Perro. Sipas një punimi të botuar në revistën Environmental Toxicology, fëmijët rrezikojnë të thithin doza më të larta të pesticideve për shkak të marrjes më të madhe të ushqimit ose lëngjeve për kilogram të peshës trupore.
Si pjesë e strategjisë së BE-së për të kaluar në një sistem ushqimor më të qëndrueshëm, Komisioni Europian është zotuar të përgjysmojë përdorimin dhe rrezikun e pesticideve deri në vitin 2030. Por disa komunitete bujqësore ende e shohin këtë objektiv të pamjaftueshëm. Një grup punonjësish bujqësorë dhe konsumatorë kanë formuar nismën “Save bees and fermers”, duke kërkuar një reduktim prej 80% të përdorimit të pesticideve deri në vitin 2030 dhe një largim të plotë deri në vitin 2035.
Burimi: BBC