Prof. dr. Bardhosh Gaçe
Pjetër Meta vazhdon të ketë një komunikim të vazhdueshëm me lexuesin shqiptar përmes librave të tij. Tashmë ai ka një varg librash të botuar, dhe pse ndonjërin e ka shkruar para viteve ’90 dhe i është botuar pas disa vitesh. I njohur për marrëdhënien e ngrohtë dhe shumë të afërt me vendlindjen Nikaj-Merturin dhe Tropojën, lidhja e tij shumëfishohet akoma më shumë për shkakun e pranisë së kësaj treve në të gjithë krijimtarinë e tij, qoftë ato monografike, studimore dhe ato artistike. I lidhur me traditën e hershme të Nikaj-Merturit, një krahinë e cila kurrë nuk iu nënshtrua pushtuesve, regjimeve dhe tendencave për t’i shkatërruar identitetin etnografik dhe të besimit, në optikën e librave të tij ka histori luftërash, profile njerëzish të rëndësishëm si frymëzim për brezat, humor, mençuri dhe kulturë, sakrificë për dije, por dhe një marrëdhënie të fortë me kujtesën e jetës së tij, ku përmes qindra ngjarjesh të vogla fëmijërore dhe më vonë, kronika e jetës atje merr një njohje të mirë dhe të rëndësishme.
Do të veçoja disa nga librat e Pjetër Metës, të cilët janë nyje të forta jo vetëm të jetës së tij prej intelektuali apo shkrimtari, studiuesi apo jetëshkruesi, por dhe si njohje që vijnë përmes tyre në një dimension më të gjerësishëm dhe më të komunikueshëm. Romani “Ka thënë Pal Kokrri”, një libër që e përshkon një ndjesi e brendshme humori, por si një njohje e thellë e psikologjisë së malësorit nikaj-merturas, është një shembull i mrekullueshëm i këtij lloji; libri “Fundi i Kalvarit” një dëshmi e rëndësishme e vetëdijes së malësorëve nëpër kohët e errëta të pushtimeve të huaja; libri “Gruaja që sfidoi fatin” një roman realist që i kushtohet një gruaje nikaj-merturase (Drane Jaku) për të cilin do të duhet të flasim në çdo rast dhe në këtë për romanin e fundit të tij; libri “Tranzicioni politik shqiptar”, një libër mes publicistikës, esesë dhe analizës politiko-ekonomike-sociale dhe kulturore; libri studimor i gjerësishëm dhe i thellë “Nikaj-Merturi nga lashtësia deri sot” në dy vëllime, i cili detyrimisht duhet komentohet në çdo rast; libri monografik kushtuar gjimnazit të parë të Tropojës në përvjetorin e tij, ku Pjetër Meta ka qenë nxënësi dhe maturanti i parë, si dëshmi e dëshirës e pasionit të malësorëve për shkollim dhe libra të tjerë që ai i ka në proces botimi. Libri “Agmia e jetës sime” është i fundit i botuar nga autori Pjetër Meta.
Libri “Gruaja që sfidoi fatin” është i një lloji gati novele, ku shfaqen elementët e romanit në “sagën” e vuajtjeve të jetës së saj dhe të monografisë, pasi ka në qendër të vëmendjes një personazh të njohur të krahinës së Nikaj- Merturit. Profili i gruas, bashkëshortes dhe nënës nikaj- merturase e sintetizuar në sakrificën, rezistencën dhe mbijetesën e Drane Jakes, gruas nga Btosha e Nikaj Merturit, mendoj se është një profil mjaft domethënës për të gjithë gratë e nënat e Nikaj- Merturit. Mendoj se perceptimin që kritika i ka bërë këtij libri dhe personazhit të romanit realist të Pjetër Metës e përmbush atë që mund të thuhet më gjerësisht në një qasje të veçantë. Kritika shënon për Drane Jakun e Btoshës:” Kanë kaluar shekuj dhe Drande Jaku e “kujton” dhe “risjell” në një variant emblematik këtë raport dhe rastësi të lashtë. As Ajkuna, as Doruntina dhe as Drande Jaku nuk janë gratë që flijohen në kala apo ura, por shpleksin kohërat në variantin më ekzistencial. Drande Jaku e kupton shenjtërinë e varrit, e merr me vete djalin e vdekur si një mishërim i shenjtë më së pari dhe si një simbolikë e thellë dhe e fortë, se ai nuk duhej të vdiste dhe se vdekja e tij është një padrejtësi, si “shtatorja e fëmijës së ngrirë” të Migjenit në shekullin e kaluar. Atë do të treste të qetë vetëm vendi i tij, Btosha…
Libri tjetër, ndoshta më i rëndësishmi në kujtesën, dhimbjen dhe dashurinë e Pjetër Metës është studimi shumëplanësh dhe mjaft i mundimshëm që titullohet “Nikaj-Merturi nga lashtësia deri sot”, një libër mbi njëmijë faqe, i shkruar për të sjellë në një këndvështrim të gjerë burimorë etnografik, historik, etnologjik, social, kulturologjik, krahinorë, fisnorë, familjarë dhe në portrete të caktuara të njerëzve të Nikaj Merturit nëpër kohë dhe ditët e sotme, si një detyrim dhe një dashuri pa kushte që Pjetër Meta ka treguar për vendlindjen. Për të qenë serioz, korrekt dhe i besueshëm autori përdorë shumë burime, dëshmi të vendit dhe nga autorë të huaj, burime etnografike, rite, doke, zakone, ngjarje, kuvende, luftëra, histori njerëzish që i kapërcejnë kufijtë e Nikaj- Merturit, skema familjare, fisesh dhe fshatrash, rrugëtimet e shumta që nga hershmëria deri sot të nikaj- merturasve dhe dëshmi të ditëve të sotme.
Në parathënien e librit “Nikaj-Merturi nga lashtësia deri sot” shkruhet: Nikaj-Merturi ka qenë një magje bujare, në të cilën ka pasur gjithmonë miell për të gatuar bukë, për të ushqyer kohë pas kohe dhe në mënyrë të vazhdueshme shpirtin tradicional kulturorë të shqiptarëve. Shqiptarët duhet t’ua dinë për nder nikaj-merturasve, të cilët kanë ruajtur për to vlera dhe dëshmi të lashta identiteti, të cilët kur kanë sakrifikuar për veten kanë sakrifikuar dhe për shqiptarët, kështu që historia e Nikaj- Merkurit dhe në këtë botim të gjerë përbën një histori në vetvete, ndërkohë ajo është dhe një histori kombëtare. Jo në të gjithë rastet ndodh kështu. “Nikaj-Merturi nga lashtësia deri sot” është një vepër analitike, pasi në të ka një numër të konsiderueshëm zërash, çështjesh në të cilat ka një përpjekje të pazakontë nga autori për të sjellë njoftime të reja, veçmas nga kultura shpirtërore, nga mjedisi familjarë dhe organizmi shoqërorë, besimi dhe ajo që është më e rëndësishme formimi i kësaj treve, që sot quhet Nikaj-Mertur. Këmbëngulja për të shkuar tek njeriu i parë i Nikaj-Merturit, pastaj baticat dhe zbaticat historike dhe rrethanave të tjera, është një nga momentet më të rëndësishme të gjithë kësaj pune voluminoze dhe hulumtuese…” ku kuptohet qartë se koncepti që krijon libri në fjalë përmbush të gjithë dashurinë dhe shenjtërinë që vendlindja dhe krahina e Pjetër Metës ka brenda asaj që ai mund të bëjë për to.
Ky libër është një sakrificë sublime që autori ka bërë në një kohë të gjatë pune, studimesh dhe hulumtimesh jo vetëm në Nikaj-Mertur dhe me nikaj-merturasit, por në të gjithë vendin, Kosovë, Shkodër, Mbishkodër, Lezhe, Kruje, Dibër, Has, Korçë, Tepelene, Delvine, Durres e gjetkë jashtë vendit ku kanë shkuar kohë pas kohe ata.
Një vlerë të çmuar autori Pjetër Meta ka sjellë në publicistikën politike shqiptare. Libri “Tranzicioni politik shqiptar”, është një libër i shkruar me një kulturë të qartë sociale dhe politike, ku përmes një këndvështrimi të thellë të dukurive, fenomeneve, tranzicionit politik-ekonomik-ligjor dhe administrativ të Shqipërisë që nga viti 1990 e në vazhdim, autori arrin të referojnë përmes një analize të hollë ekonomike-politike, dukuri dhe fenomene të rëndësishme. Përmes kësaj analize, Pjetër Meta shpërfaq figura politike të tranzicionit në Shqipëri, parti politike, fenomene të mbartura dhe fenomene e dukuri të reja të krijuara gjatë tranzicionit të gjatë të Shqipërisë për të ndërtuar një shoqëri të lirë, demokratike, konkurruese dhe të vlerave.
Duke mbajtur qëndrim kritik për të shkuarën, kryesisht të ligjit ekonomik, të cilit i mungonte konkurrenca e brendshme, shkenca dhe mekanizmat për të krijuar hapësirë të madhe tregu, Pjetër Meta njeh mirë dhe praktikat e dobësitë e ekonomisë së tregut, e cila në Shqipëri nuk është ndërtuar mbi mekanizma funksionalë.
Në libër ka një galeri personazhesh të kohës së sotme, të cilët në këndvështrimin e publicistit janë protagonistët e të mirës dhe të keqes në Shqipëri. Të gjitha vërejtjet, kritikat, kontestimet, praktikat e gabuar që ai sjell në vëmendje kanë gjetur shprehje në sugjerimet që autori jep si një njohës i mirë jo vetëm i ekonomisë, por dhe shoqërisë e politikës.
Po ashtu, ndryshe shumë librave të tjerë të publicistikës politike që janë botuar me shumicë në Shqipëri pas viteve 1990, libri “Tranzicioni politik shqiptar” përbën publicistikën, analizën dhe raportimin më të mirë të këtyre lloje librash, qoftë nga kultura e të shkruarit, përzgjedhja fenomeneve, shtrirja e problemeve të shumta dhe gjithë mjedisin social-shoqëror në të cilin ka kaluar tranzicioni shqiptar. Krijimi i raporteve, se në disa raste kohën e shndërrojnë në fenomen individët dhe në disa raste zhvillimet ekonomike, e kanë bërë librin në fjalë të lexueshëm në çdo kohë.
Ardhja tek lexuesi me romanin “Agmia e jetës sime” është një sprovë tjetër e shkrimtarit, monografistit dhe publicistit Pjetër Meta. Siç është thënë dhe më parë, autori shquhet për ndjesitë e holla dhe elegante në të gjithë atë që ai ka shkruar dhe ka botuar. Ai ka provuar dhe më parë të sjellë krijimtari të gjatë, kryesisht të zhanrit të romanit, por në një profil të vetin krijimet e këtij lloji, janë ato të natyrës realiste dhe të komunikimit biografik, qoftë nga pikëpamja historike, qoftë e personazheve të caktuara, siç është Pal Kokrri dhe Drane Jaku, të cilët janë bërë të njohur për lexuesin përmes dy romaneve realistë të Pjetër Metës. Romani i fundit është një prozë mes monografisë, letërsisë artistike dhe një lloj memuaristike të jetës së tij bashkë me bashkëshorten e tij, të cilët kanë mbi 60 vite që jetojnë bashkë, duke përçuar një lloj adhurimi dhe dashurie tek njëri-tjetri në mënyrën më romantike dhe të natyrshme dhe pse familja e tyre tashmë është e madhe me nipër e mbesa.
Romani “Agmia e jetës sime” është një jetëshkrim bashkëshortor, një rrugëtim gjashtëdhjetëvjeçar i autorit të librit me bashkëshorten Agen. Është një rrugëtim i bukur, ku vështirësitë jetësore përballohen nga energjia jetike, dashuria dhe fuqia që zgjon brenda njeriut familja, fëmijët dhe vullneti për të ardhmen, brenda së cilës qëndrojnë kaq vite të një familjeje, e cila sot është e fortë, e qëndrueshme, e degëzuar në disa fole të lumtura të fëmijëve të suksesshëm në jetë të Pjetër Metës dhe bashkëshortes së tij, Ages, e cila është e njeriu i shenjtëruar në marrëdhëniet që familja Meta mbart dhe përcjell brenda vetes dhe me brezat që ajo ka në gjirin e saj, nga bijtë e deri tek nipërit dhe mbesat, por edhe në tërë mjedisin e shoqërisë shqiptare.
Një rrugëtim gjashtëdhjetëvjeçar është i mbushur me ngjarje, episode, gëzime, trishtime, dhimbje, triumfe, ankthe, pritje dhe ecje drejt të ardhmes. Romani sharton një roman dhe një monografi, një roman për shkakun se atë e përshkon një ndjenjë dashurie, një pasion “naiv” për shkakun e çiltërsisë dhe një romantizëm që përcjellin situata të shumta, por dhe një monografi (jetëshkrim) përderisa brenda tij është shtrirë jeta e dy personazheve të tij. Përmes një kujtese brilante, vibruese dhe me një koloritet të bukur ngjyrash Pjetër Meta sjell fëmijërinë e tij, një djalë plot pasion për vendlindjen, veçmas shkollën, aq sa çuditërisht, ai në një moment “arratisjeje” nga fshati i lindjes ka “thyer” shenjtërinë e fjalës së babait (se do të shkollohet), një fëmijë i brishtë, i mbushur brenda vetes me ndjesi poetike, i cili nuk kthen pas për të shkuar dhe arritur ëndrrën e shkollimit në qytet. Një aventurë e bukur, që e ka përballuar një fëmijë i brishtë dhe delikat në një kohë të çuditshme të viteve ’50 të shekullit XX.
Në gjithë rrugëtimin jetësor ka një pasion të çuditshëm, i cili jo pak raste krijon drama, lot, dhimbje, sakrifica, lëkundje të ekuilibrit dhe kërkon domosdo një mbështetje, në rrugëtimin që nga koha e brishtë e deri në ditët tona të Pjetër Metës. E kështu, në këtë rrugëtim, duhet sjellë në vëmendje momentet jetësore të Pjetër Metës dhe Ages, për të kuptuar atë mbështetje që njeriu e gjen rrallë në jetë:
Në rrugëtimin jetësor të çiftit ka pasur dilema, momente kur ata mund të humbitnin njëri- tjetrin, siç ndodh kur shkohet në luftë, pasi jo pak rrethana kanë qenë kundër tyre: Pjetër Meta ka tentuar të ndjekë sfidat e kohës, por në momente të caktuara ata e kanë goditur rëndë deri në ekstrem, pastaj sfidat për të krijuar një familje të shëndetshme, më pas i gjendur në “kurthet” e gabimeve të veta dhe të tjera, për të qëndruar ka pasur vetëm një mbështetje, pikërisht tek bashkëshortja e tij. E kjo mirënjohje, gati epike e përcjell gjithë librin “Agmia e jetës sime”.
I gjithë ky rrugëtim është treguar me kaq shumë sinqeritet, gati me një brishtësi “naive” për të qenë afër të vërtetës, duke e bërë librin të bukur, real, jetësor, frymëzues dhe motivues, në fund të fundit çdo libër shkruhet për një qëllim të caktuar, duke i përcjellë kohës dhe njerëzve mesazhe dashurie dhe fisnikërie.
Dhe pse romani “Agmia e jetës sime” ngjan me një monografi për shkakun e personazheve dhe ngjarjeve të vërteta, ai është shkruar mjaft mirë, pasi në të vizatohen ngrohtë dhe me kolor mjediset familjarë, ku shpalosen raportet me babanë, dashuria për nënën, mjediset shkollore, mjediset e punës dhe ata sociale. Shkrimtari shpërfaq mjeshtërisht dhe me detaje interesante psikologjinë e bashkëshortes dhe personazheve të tjerë që ai ka takuar në jetë dhe që kanë pasur qasje me të. Romani është gati një hulumtim etnologjik në mjedisin e fshatit, mjedisin familjarë, raportet që krijon një martesë, zakone, kode burrërore e familjare. Në roman koha ka një dimension interesant, kryesisht përmes ngjarjeve, marrëdhënieve, duke u bërë dëshmi e saj.
Romani “Agmia e jetës sime” përçohet nga një sens artistik specifik për shkakun e natyrës së subjektit, i cili është mes realizmit dhe një personazhi tipik romani. Pjetër Meta ka një perceptim poetik dhe në shumë ngjarje jetësore, veçmas në përshkrimin dhe mënyrën si ai sjell personazhet e caktuara. Përveç raportit real që një fëmijë ka me prindërit, mënyra si ai sjell portretin dhe personalitetin e babait, ndjesinë dhe fuqinë e dashurisë që përcjell nëna, hyjnizimi, prania femërore dhe bashkudhëtare e bashkëshortes, lumturia dhe drita e re, e ngrohtë që sjellin fëmijët në një familje, ngjajnë si detaje dhe burime poetike, të cilat përcjellin mjaft episode të romanit.
Përveç raportit mes dy bashkëshortëve, romani krijon një dritare të madhe dhe mbart në vetvete lexime të tjera të marrëdhënieve shoqërore, të karaktereve të shumtë, veçmas të shoqërisë së kohës, pra, krijon mundësinë e një leximi të shumëfishtë. Romanet e kësaj natyre janë të tillë, pasi kanë një kompleks elementësh realistë, psikologjik dhe subjektiv. Pjetër Meta ka një gjuhë të aftë për të përshkruar situata psikologjike, për të vizatuar karaktere, për të sjellë dialogë të zhdërvjellët dhe lakonik, për të përshkruar mjediset, natyrën dhe krijuar deduksione të nevojshme. Romani “Agmia e jetës sime” sjell një model të rëndësishëm të kodit të familjes, jo vetëm nga treva nga vjen Pjetër Meta, por për shoqërinë shqiptare në përgjithësi. Në faqet e këtij romani blatohet dashuria njerëzore me botën e saj universale në malësitë shqiptare.
Tiranë, mars 2023