Ing. Erion Periku
Botuar në DITA
Në fillimin e viteve ’90, si rrjedhojë e ndryshimeve politike, Shqipëria u pat përballur me një mungesë domethënëse juristësh.
Qeveria e kohës vendosi ta adresonte çështjen me një zgjidhje sui generis, si ishte çelja e një kursi 6-mujor, i njohur gjerësisht si kursi i “Plepave”, subjekt anekdotash tranzicioni dhe problematikash me ndikim edhe sot.
Nisma u kundërshtua, që në krye të herës, nga specialistët e fushës dhe, më pas, nga pothuajse gjithë shoqëria shqiptare, ndërsa studentët e Fakultetit të Drejtësisë asokohe do të kenë pyetur veten pse studionin për vite me radhë, kur 6 muaj te “Plepat” qenkan të mjaftueshme.
E ndonëse kursi në fjalë gjithëherë u justifikua si një zgjidhje e përkohshme në një situatë të jashtëzakonshme, me sa duket, “plepizimi’ është kthyer në një problem endemik i arsimit të lartë në vendin tonë.
Para pak kohësh Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) shpalli programin për vlerësimin e aftësisë mbajtëse të ndërtesave me moshë mbi 50 vjeç, certifikim që u la në monopolin e Institutit të Ndërtimit (IN).
Në dijeni të fakteve, pata ngritur publikisht shqetësimin tim në lidhje me numrin, cilësinë dhe njohuritë teknike të stafit inxhinierik që punon apo do të punojë për llogari të IN. Ky shqetësim, që i përket çdo profesionisti të mirëfilltë, dukshëm, edhe këtë here si ngahera po zgjidhet me “plepizim”.
Miratimi i një ligjit me emër të veçantë një ditë para se një Institucion i Arsimit të Lartë (IAL) të hapë një program a kurs certifikimi të caktuar është hile e vjetër, e përdorur gjerësisht nga vendimarrësit tanë. Sigurisht, sapo IAL preferencial hap programin, një shumicë IAL-ësh bëjnë të njëjtën gjë pa u mbyllur semestri.
E prej kësaj qasjeje, ndër vite, e pësuan degët e drejtësisë, më vonë shkencat mjekësore teknike, mësuesitë dhe, tani, inxhinieritë.
Në fushën e inxhinierisë së ndërtimit, së pari u hap “Kursi i Vlerësimit dhe Investimit në Pasuritë e Paluajtshme”, i cili u ndoq nga “Kursi i Auditimit të Energjisë në Ndërtesa”. Ndonëse është ende e paqartë – edhe për ata që i përfunduan këto kurse – se çfarë vlere teknike a shkencore i shtuan ata inxhinierit të ndërtimit, ajo që dihet me siguri është se nga ana monetare, si ata që i ofruan si ata që u certifikuan, përfituan dhe përfitojnë mjaftueshëm.
Lektori i cili “shpiku” “Kursin e Vlerësimit dhe Investimit në Pasuritë e Paluajtshme” ka formim inxhinierik në disiplinën e materialeve të ndërtimit. E ndonëse kjo është disiplina që prodhon më shumë risi teknike e shkencore, deri më sot, lektori në fjalë, veç kursit, nuk ka publikuar qoftë edhe një artikull të vetëm shkencor.
Jo se materialet e ndërtimit nuk sigurojnë të mira monetare, përkundrazi! Mirëpo, për të prodhuar, certifikuar dhe bërë markë tregtare një material kërkon dije shkencore, orë të zgjatura pune dhe bashkëpunim ndërdisiplinër, ndërsa për të vlerësuar pasuritë mjafton kartoni i kursit, një aparat fotografik dhe një raport i kopjuar apo i përkthyer me gabime.
Kjo e fundit, qartazi, na rri imunologjikisht më për shtat. Aq e vërtetë është kjo sa studenti i parë i doktaraturës së lektorit shpikës ndoqi hap pas hapi shembullin e profesorit. Ndryshe nga udhëheqësi i vet, ai e botoi një artikull, “për të prishur syrin”. Madje, prej kontributit “të jashtëzakonshëm” u gradua profesor dhe iu dha post drejtues në universitet.
Meqenëse dy kurset e shpikura rezultuan me leverdi ekonomike, nuk kërkojnë dije akademike, kohë a bashkepunim ndërdisiplinor, IN-së po i kthehet në huq të kërkojë ekspertë për diçka ca si shpesh. E sapo ai përmes MIE-së shpreh nevojën, një IAL shpall hapjen e një kursi, ku më i fundit është ai për certifikimin e ekspertëve si Inxhinierë Sizmikë.
Nuk dihet nëse MIE dhe IN ia kanë kërkuar IAL-it në fjalë të hapë këtë kurs, meqë atyre u duhet të kryejnë vlerësimin e aftësisë mbajtëse të ndërtesave apo IAL-i i ka kërkuar MIE dhe IN të kryejë vlerësim të aftësisë mbajtëse të ndërtesave meqë ai e ka hapur tashmë kursin.
IAL në fjalë, në faqen e tij zyrtare shkruan se ky kurs është i licensuar nga MIE dhe MAS, dhe se ai do të formojë brezin e parë të ekspertëve të certifikuar si Inxhinierë Sizmikë. Kursi mban emrin “Shake It Up”, si duket huazuar nga një serial amerikan për adoleshentë a nga reklama e një uji me sheqer. Në të kanë të drejtë të regjistrohen të diplomuarit në degët e inxhinierisë së ndërtimit, hidroteknikës, mjedisit dhe arkitekturës.
Sesi mund të bëhet një inxhinier mjedisi a arkitekt ekspert i certifikuar në inxhinierinë sizmike këtë vetëm IAL-i në fjalë dhe MIE, MAS e IN “made in Albania” mund ta shpjegojnë, por, do Zoti, janë pakicë në këtë brez të parë.
Stafi akademik i fakultetit të inxhinierisë së IAL që do e ofrojë kursin përbëhet nga 22 lektorë: 5 profesorë, 2 profesorë të asociuar, 6 doktorë shkencash dhe 9 lektorë që kane përfunduar vetëm ciklin e dytë të studimeve, njohur ndryshe si MSc.
Asnjë syresh nuk është i specializuar në inxhinieri sizmike. Produkti shkencor i lektorëve të lartpërmendur të marrë së bashku, përgjatë aktivititetit te tyre akademik, është gjithsej 9 artikuj të cituar 48 herë.
Me dashamirësi të tepruar, mesatizimi i këtyre vlerave për stafin akademik qe do ofrojë kursin është 0.40 botime/lektor dhe 2.18 citime/lektor, cilësi këto që i ka çdo gjysëm student doktorature në universitetet perëndimore një ditë para se të mbrojë tezën. Por nuk i mungon guximi këtyre lektorëve të hapin një kurs në disiplinën më të vështirë të inxhinierisë së ndërtimit.
Inxhinieria e Ndërtimit së bashku me Inxhinierinë Kimike, Mekanike dhe Elektrike përbëjnë katërshen e inxhinierive themelore. Si të tilla, formimi i vazhduar i inxhinierëve që kryejnë aktivitet është domosdoshmëri. Prandaj kursi në fjalë do të merrte kuptim nëse do të organizohej nga profesorë a inxhinier me cilësi dhe ekspertizën përkatëse që vendit tonë nuk i mungojnë dhe, pa kaluar në emra të përveçëm, që vijojnë të kontribuojnë me standarte.
Nëse ajo që shkruan IAL është e vërtetë dhe individët që do e përfundojnë me sukses këtë kurs do bëhen ekspertë të certifikuar në inxhinieri sizmike, atëherë kjo nuk është gjë tjetër veçse “plepizimi’ i profesionit të inxhinierit të ndërtimit.
Njëlloj si juristët e mirëfilltë të viteve ’90, inxhinierët do pyesin veten përse u investuan minimalisht 5 vjet në profesion kur ka IAL që të bëjnë ekspert të certifikuar në vetëm 16 ditë, edhe nëse nuk ke studiuar as edhe ditë në asnjë degë të inxhinierisë. E nëse MIE dhe MAS vërtet e kanë licensuar kursin, përgjegjësia është fillimisht e tyre dhe të paktën një shpjegim shqiptarëve i detyrohen.
Çdo program, kurs a leksioni që zhvillohet nga lektorë me zero kontribut në shkencë dhe me qëllimin e vetëm për të blerë ekspertizë të paqenë, prodhon vetëm karton. E ndonëse kartonat e marrë nga kurset pararendëse në këtë fushë shkaktojnë vetëm dëme materiale, kartoni i “Shake it up” perveç pronës rrezikon edhe jetë.