Ing. Erion Periku
Pak ditë më parë u bë publik në media një peticion i cili ngrinte shqetësimin se një numër sharlatanësh dhe të pagdhendurish – të paditur po se po – shëtisnin nëpër shfaqje televizive, duke artikuluar si të vërteta ide të rreme dhe të pabazuara në as edhe një fakt shkencor. Po ashtu, sharlatanët në fjalë baltosnin pa të drejtë figura shtetërore e kombëtare me kontribute te spikatuara në shkencë.
E sipas peticionit, ky fenomen mund të kultivojë psikoza të rrezikshme në opinionin publik. Me fjalë të tjera, peticion-shkruesit shqetësohen se qëndrimet e sharlatanëve janë si ai guri që një budalla hedh në pus.
Peticioni u mbështet nga 153 individë, 47% e të cilëve mbajtës të gradave më të larta shkecore. Autorët dhe mbështetësit e këtij teksti e cilësojnë veten dhe njihen gjerësisht si studiues, intelektualë, studentë e qytetarë, ndërkohë që mediat i pagëzuan si “elita intelektuale shqiptare”.
Në vija të gjera, peticioni i sugjeron drejtuesëve televizive, nëpërmjet Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), që burimet dhe studimet shkencore të identifikohen e të prezantohen në mënyrë të qartë në të gjitha raportimet shkencore. Por teksti i peticionit nuk ngjason shumë me atë çfarë një studius shkruan, a, më saktë, me atë çfarë pritet që një studiues të shkruajë, e shumë më pak me çfarë një grupim i tërë studiuesish sëbashku do shkruanin.
Aq e vërtetë është kjo sa një nga mbështetësit e peticionit, me gradën shkencore profesor, vetëm dy ditë pas publikimit u detyrua të bënte një shkrim në gazetë për të shpjeguar përmbajtjen dhe synimin e peticionit.
Shkrimi në fjalë përbëhej nga nëntë kapituj, secili më i gjatë se vetë peticioni. Kapitulli i parë i këtij shkrimi titullohej “Peticioni dhe synimi i tij”, por çuditërisht autori në asnjë rresht nuk e ka cekur synimin. E megjithatë, pyetja e ngritur në titullin e këtij shkrimi: “Kush u shqetësua prej peticionit dhe pse?!” qëndron.
Në pergjigje të pyetjes, një prej të shqetësuarve jam unë. Shqetësimi im parësor nuk lidhet drejtpërdrejt as me tekstin e peticionet e as me problematikën që ai ngre. Edhe sugjerimi që programet televizive të bëjnë detyrën e katedrave të universitetit nuk më prek thellësisht, paçka se arsyet nuk janë të qarta.
Mua më trishton fakti se teksa askush nuk shqetësohet se katedrat dhe auditoret e universiteteve janë në një gjendje shumë më të mjerë se programet televizive, ajka e intelektualizmit shqiptar merret me disa “sharlatanët mediatikë”.
Për ta ilustruar po i referohem sektorit të ndërtimit, për të cilin pretendoj të kem njohuri të barazvlefshme me secilin prej firmëtarëve të peticionit në fushën e vet.
Haptazi, mua nuk më duken aq shqetësues disa individë që në media vizive, dhe jo vetëm, deklarojnë, fjala bie, se toka është e sheshtë dhe se tërheqja gravitacionale nuk ekziston, por, më lebetit dhe duhet të shqetosojë gjithësecilin pohimi i Institutit të Ndërtimit (IN), në një shkresë të vitit 2020 dërguar Bashkisë së Tiranës.
Në këtë shkresë, IN shprehet se strukturat e Teatrit Kombëtar (TK) kanë masë të lehtë. Pasojat e deklaratave të të parëve shumë-shumë janë tallje e zbavitje, ndërsa fjalët e të dytit çuan në prishjen e TK.
Ndërsa fjalët e të parëve mund t’i hedh poshtë një fëmijë i klasës së tretë fillore, shkresat e IN nuk janë të hapura ndaj ndonjë kritike, pasi IN është plot me intelektualë, doktorë shkencash e inxhinierë. Paçka se masa vazhdon të jetë e ndryshme nga pesha dhe si e tillë s’mund të jetë as e lehtë as e rëndë.
Nuk më shqetëson fakti së në fillim të këtij shekulli, në Shqipëri, ca pseudo-institucione private të arsimit të lartë gjendeshin thuajse në katin e parë të çdo pallati. Por, gjithësecilin nga ne duhet ta shqetësojë fakti se FIN, pjesë e Universitetit Politeknik të Tiranës (UPT), 65 vjet pas themelimit të tij, për vite me radhë i mungonin lektorët me gradën shkencore profesor, çfarë, në këtë shekull, nuk haset as në vende që janë në luftë a në konflikte.
Por as kjo nuk mund të kritikohet, aq më pak në studio televizive, pasi ata që e sollën FIN në këtë gjendje janë intelektualë, profesorë, doktorë shkencash, “legjenda të gjalla” që shpallen persona të vitit, deputetë dhe, së fundmi, mbështetës të peticionit.
Nuk më shqetëson fakti se regjistrimet e individëve pa arsimin e mesëm në IAL publike e jopublike vijon të përflitet si një fenomen i paadresuar. Gjithësesi duhet të shqetësojë ndonjë intelektual të zëshëm njoftimi i 1 Nëntorit 2023 nga UPT, kur në faqen e vet zyrtare postoi hapjen e regjistrimeve për kursin e “Vlerësimit të Pasurive të Paluajtshme”.
Por kriteret e shpallura, në kundërshtim me ligjin dhe me një doze qesëndieje diskriminuese i mohuan mundësinë për t’u regjistruar në këtë kurs profesionistëve shqiptarëve të cilët NUK kanë përfunduar studimet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, paçka se diplomat i janë njohur dhe njëhsuar nga organet përkatëse, në përputhje me ligjin.
Nuk më shqetëson aspak se drejtori i Arkivin Qëndror Teknik të Ndërtimit (AQTN), gjatë kohës që mbante këtë detyrë, ka botuar 13 libra. Në fund të fundit, të lexosh dhe të botosh libra është më mirë se të luash Solitaries në zyrë.
Por, dikush duhet të jetë shqetësuar nga fakti se që nga 1 Maj 2022, AQTN ia ka mohuar të drejtën çdo inxhinieri të marrë informacionin e nevojshëm për zhvillimin e vet profesional a shkecor (kuptohet, nëse nuk e njeh drejtorin).
E kjo të bën të mendosh nëse drejtori e ka paguar faturën për fletët e projektit që ka përfshirë në librat e hedhur në treg. Por as këtë, nuk besoj se e verifikojmë dot, se AQTN është gjithashtu institucion intelektualësh.
Në fakt, ajo që më shqetëson më fort është se raste të tilla intelektualë –peticionshkrues a jo -, aspirues e njerëz të thjeshtë i hasin përditë e kudo, por askush nuk bën zë.
Më shqetëson se kur një budalla hedh një gur në pus bëhen bashkë elita intelektuale e kombit për ta adresuar e kundërshtuar. Po, po plot 153 firmëtarë e mbështesin peticionin dhe zëri i budallallekut nuk dëgjohet. Por kur gurin në pus e hedhin intelektualët bëhen sytë qorr dhe veshët shurdh, heshtet e … gurët bëhen mullar.
