5 vjet nga ndarja prej jetës e poetit, përkthyesit dhe publicistit Llambro Ruci (1946 -2018)
Ymer Çiraku
Bëhen 5 vjet, qëkurse u nda nga jeta poeti, përkthyesi dhe publicisti i njohur Llambro Ruci. Duke lënë tek ata që e njohën, pengun për humbjen e një miku të çmuar dhe krijuesi të palodhur në krijimtari. Por njerëzit e letrave, kanë privilegjin e tyre të veçantë. Sepse, sado që mund të mungojë prania e tyre fizike, vazhdon të përcillet komunikimi me kohët e mëpasme i veprave, që ata kanë lënë. Dhe kjo, duket se e bën të papërfillshëm faktin e largimit të tyre veçse fizik, prej jetës.
Llambro Ruci, me veprën që krijoi nëpër shumë vite në poezi, përkthime, publicistikë, na ka lënë një shteg të vetin drite, madje fort të dukur e të feksur mirë, si domethënie metaforike e vet emrit të tij, që nënkupton llamburitjen, përndritjen.
Djali i bregut të bukur jonian, lindur në Dhërmi, ishte mëkuar dhe e mbarti tërë jetën e tij dinjitetin e spikatur karakterial, miqësinë besnike për miqtë dhe shokët, krenarinë dhe mospajtimin me pokeritë e llogarive meskine. E po ashtu, shfaqi përgjërimin e sinqertë përpara bukurive të detit dhe perlave të shpirtit të njerëzve, të cilat, pastaj atij ia kishte ënda, që t`i derdhte ato në vargjet poetike.
Ja një akuarel i bukur poetik, endur mjeshtërisht në poezinë e titulluar “Mëngjes me Van Gogun”:
Gratë shkundin çarçafët si skajet e brigjeve
e lulet bien në prehrin e rrugicave e njerëzve,
çarçafët me aromat e pjeshkës, rrushit, luleshtogut,
mbushur me të kuqen, të bardhën, blunë e kafen
e Vinsent van Gogut.
Dhe në një poezi tjetër (“Prill”), përcillet një peizazh i kristaltë i zgjimit pranveror, si në tablotë e pikturave të Botiçelit:
Portokalle, limonë, ullinj – një qiell i gjelbër
që fsheh gurët, vijat e ujit, shtëpitë…
Prilli zbret tatëpjetë si një djalë me fyell
duke çelur dyert e oborreve, dritaret, saksitë…
Në këtë opus të pasur poetik, vërehet një larmi temash dhe përjetimesh të befta emocionale. Janë të pranishme edhe mjaft motive të qenësisë dhe vlerave tona kombëtare, të cilat, mbarten përmes detajeve dhe imazheve mbresëlënës. Në këtë rast (tek poezia “Flamuri dhe nusja”), kjo frymë përcillet përmes përshkrimit poetik të një dasme shqiptare me flamur:
Flamuri i kuq me shqipen krahënderur
Shpaloset në rrugë
Mes fushës, mes qafash.
Si një ogur i mbarë për ditët e çiftit,
Si nderim i madh për Nënën
Në hare dasmash…
Nuk mungojnë në këtë krijimtari dhe një varg poezish, që mbartin drama dhe përjetime metafizike të njeriut, në dilemat, dhimbjet dhe traumat e tij:
Dridhet pema, dridhet si puhizë shpirti im
Me një mal largësi, me një lumë trishtim…
Si punon dy vjet elektricist në hidrocentralin e Bistricës, kryen studimet në degën e gazetarisë të UT-së. Prej kësaj kohe, për disa vite do të jetë redaktor në revistën Nëntori, pastaj do të kalojë në disa organe letrare e gazeta të tjera si kryeredaktor në revistat: Ylli, Arbër, Art, në gazetën Drita, Zëri i popullit (ku boton edhe suplementin letrar “ABC”).
Llambro Ruci është autor i një vargu përmbledhjesh me poezi, duke nisur qysh nga libri i parë poetik “Jam elektriçist”(1967), e deri tek ai më i fundit Dikur deti (2011), duke iu rikthyer nga libri në libër, si ai detari i vjetër pas udhëtimesh të gjata, Itakës së vet, pra, motivit aq substancial e frekuent të detit – me blunë e thellë e smeraldin jonian, ku derdhen edhe hijet e rënda epike të shpateve të thepisura të maleve të Vetëtimës e të Çikës. Në brigjet e detit, endet me dhimbje dhe delikatesë vajza e bukur e valëve, kurse në shpatullat e maleve, qëndrojnë si në bedena, bijtë e Labërisë. Kjo marrëdhënie e ndërsjelltë, mes detit dhe malit, para së gjithash si domethënie substrati homogjen etno-kulturor, ndihet në mënyrë ciklike në mjaft krijime poetike të tij. Sigurisht, jo me tone retorike e deklarative, por si një raport natyral, ku harmonizohen nuancat specifike të tyre, por që krijojnë ndërkaq, mozaikun e bukur të së përbashkësës së kahmotshme mes tyre, të bregut të detit e të pasmalit.
Mpleksja dhe tretja e bukur estetike e motiveve të detit dhe atyre të malit, ndihet mjaft e pranishme në poezinë e këtij autori, si dëshmi e sugjerim urdhëror i vet konstruksionit natyror e shpirtëror të atyre anëve.
Shkel nëpër fshat e vilet e rrushit
Përplasen si deshtë nëpër stane…,
shkruan poeti me një vezullim të beftë detaro – baritor, në poezinë “Vjeshtë në Dhërmi”. Këtë univers vlerash të ndërlidhura natyralisht, ai e ka vrejtur dhe e ka ndjerë edhe në lirikat popullore të asaj zone, prej nga edhe ka marrë shpesh shtysat e frymëzimit. Madje, në një nga librat e tij, sikundër është ai me titull: “Himara, zëra e Akrokerauneve” (me rrëfime, përshkrime, dokumente) – 2011, autori ka përfshirë këtu edhe një cikël të gjerë me këngë popullore të titulluar: Kënga himariote, ku qysh në krye, vë shënimin e tij autorial:
“Këto këngë himarjote, i kam zgjedhur kur punoja në revistën “Nëntori”, për një studim për figuracionin e këngës popullore, por edhe në se janë përzier me krahinat përqark, prap nuk besoj se është ndonjë faj, përderisa ato (krahina Y. Ç), dikur përfshiheshin në provincën e Himarës. Bukuria dhe hijeshia e këngës lirike himarjote, është e pashembullt, me thjeshtësinë e komunikimit, fjalën e kursyer, figuracionin magjepsës dhe dridhjet e trazimet shpirtërore të dehur nga kaltërsia, tejdukshmëria dhe dashuria. Çdo koment do të ishte i tepërt para dritës së këtyre këngëve…”
Në të tetë përmbledhjet poetike, si edhe në mjaft cikle të tjera, të cilat i botoi nëper vite të ndryshme, në revista e gazeta letrare, Llambro Ruci shfaqi një profil të vetin, të cilit, i qëndroi besnik, si shenjë kjo origjinaliteti. Është një poezi e prirjes së peizazhit, buruar prej motiveve të natyrës, ku përthyhet natyrisht vet “peizazhi” i shpirtit të njeriut, brenda një spektri të larmishëm dhe një spiraleje estetike, me kahje aspak statike por veçse dinamike. Kjo poezi, mund të thuhet se ka shumë dritë e shumë ajër, që shkon në simetri me tonet gjallëronjëse të atyre tablove jetësore të përshkruara. Ato nuk kanë shkëlqimin zbukurues prej ideve të jashtme veçse autoriale, por kanë para së gjithash: ngjyrën, hapësirën, horizontin, melosin, klorofilën e detit jonian, të ullishtave, të cfakës e të fyejve dhe longareve të maleve. Kanë aromën e konceptuar bukur të historisë dhe të bashkëkohësisë sonë. Të cilat, poeti ka mjeshtërinë që t`i zbulojë plot magjepsje prej hireve të tyre dhe pastaj t`i endë në strukturat e krijimeve të veta.
Llambo Ruci e ka patur pjesë të pandarë të krijimtarisë së tij edhe përkthimin në shqip të mjaft veprave, kryesisht nga letërsia greke. Ka përkthyer nga letërsia antike greke mjaft vepra si psh krijime të Homerit, Safos, por edhe të autorëve të traditës letrare greke më të vonshme, si dhe ata të bashkëkohësisë. Mes tyre, mund të përmenden përkthimet nga poezia e Kostandin Kavafis, Odisea Elitis, Janis Ricos, Tasos Livadhitis, Nikos Engonopulos etj. Sidomos përkthimi i veprave të botës antike si “Iliada” dhe “Odisea” të Homerit, janë punë jete, të përballura me shumë mund – për t`iu siguruar atyre zërin dhe frymën e magjishme filozofike dhe arstistike në gjuhën shqipe. Këto përkthime, të realizuara sistematikisht në shumë vite prej këtij autori, kanë përcjellë gjithashtu edhe një kumt kulturor mes dy popujve, jo vetëm si më të lashtët e Ballkanit, por që përmes shekujve, kanë përjetuar mes tyre, histori dhe realitete lidhjesh mjaft të thella.

Në interesat e Llambros nuk kanë munguar edhe mbledhja dhe hulumtimet në dokumente, që lidhen sipas rastit me historinë, me folklorin, sidomos me ato që lidhen me krahinën e vendlindjes së tij, Himarën. Që në krye të njërit prej librave të tij, me modesti i rrëfehet lexuesit se nuk është historian, por se dëshiron të japë ndihmesë, që të shmangen keqkuptimet dhe deformimet, që shpesh i janë bërë kësaj krahine të Shqipërisë. Nuk merr përsipër të bëjë definicione, por rendit vargun e pasur të dokumenteve, qofshin historike, apo të natyrës zakonore e folklorike. Dhe ato flasin vet, si psh vendosja qysh në faqet e para të librit e letrës autentike të Pleqësisë Krahinore të Himarës, drejtuar Ismail Qemalit, pak kohë pas krijimit të qeverisë së drejtuar prej tij (1912), ku ata së toku, i dëshmojnë atij se në mbledhjen e tyre, kanë dhënë besën për shpëtimnë e mëmëdheut.
Autori i librit e thekson bukur metaforikisht se janë mermerëzuar edhe në shumë këngë popullore himariote këto lidhje vëllazërore, të cilat, janë edhe dëshmia më e autoritetshme, që e përcjell këtë realitet të pandarë mes visesh e krahinash shqiptare.
Dhe përfshihen këtu psh vargje, ku populli i këtyre anëve këndon:
E sa herë kamte hallë
Më ndihn` burrat me pallë
Burrat në Akroqeraunë
Dhe prapa malit mat`anë…
Dhe siç shkruan më tej autori i librit, kjo lidhje vëllazërore, “…vjen që nga Gjergj Kastrioti – gjer te Gjoleka dhe kjo, për shkak të ndërgjegjes së përbashkët për liri, pavarësisht nga forcat ushtarake dhe politike të fuqive të mëdha që shkelnin”.
Dhe kjo vëllazëri shprehet qartazi po ashtu, në një këngë për Gjolekën e Kurveleshit:
Gjolekë t`u zu shtegu:
-Mua të më rrojë Bregu,
Të më rrojë miqësia,
Shtëpitë janë të miat.
Të më rrojë Bregu i Detit
Muri i gjithë vilajetit…
Sikundër vërehet edhe në këta vargje, vet populli e ka vulosur me dekretin e vullnetit të shpirtit të tij, statusin e këtij muri të paepur, të lidhjeve e të qëndresës, kudo ku ai jetonte.
Prej vendlindjes e zonave përreth ka mbledhur dhe mjaft lirika popullore, disa prej të cilave i ka përfshirë në librin me rrëfime, përshkrime e dokumente “Himara, Zëra e Akrokerauneve” (2011). Siç shkruan vet Ll. Ruci në hyrje të këtij cikli të gjerë, bukuria dhe hijeshia e këngës himariote është e pashembullt, me thjeshtësinë e komunikimit, fjalën e kursyer, figuracionin magjepsës dhe dridhjet e trazimet shpirtërore të dehur nga kaltërsia, tejdukshmëria dhe dashuria. Çdo koment do të ishte i tepërt para dritës së këtyre këngëve. Ja njëra prej tyre:
Orëziu ç`kam parë sot,
di thëllëza në një gropë,
qëllova s`i vrava dot.
Mbusha shaminë me lot,
mbusha shaminë time
për tij, o zëmëra ime.
Një nga libra e viteve të fundit të këtij autori, me poezi, me përkthime dhe esè, mban titullin: “Pëshpërima për vete dhe për të tjerët”. Pa dukje, në mënyrë shumë të sinqertë, Llambro Ruci, përmes këtij titulli libri (Pëshpërima…), dëshmon edhe njëherë qartazi natyrën e tij njerëzore: modestinë, që e karakterizinte si n jeri e si krijues. Do të thoshnim një modesti prekëse, që në fakt, sot nuk ndeshet aq shumë në mjediset tona. Sepse është bërë një vyrtyt fort i rrallë.
Por, përkundër shpalljes së tij autoriale të këtyre kontributeve letrare dhe eseistike, si pëshpërima, do të shprehesha i sigurt se, e gjithë kjo bibliotekë e vyer e lënë pas nga Llambro Ruci, është një zë fort i dëgjueshëm e fort i dallueshëm dhe i çmueshëm, që do të ndihet gjatë ndër lexuesit e kohrave, ashtu si melodia e valëve të pandalura të Jonit, në brigjet e Drimadhes së tij të dashur.
Vendi, ku e ka vendlindjen edhe shkrimtari i shquar i kohërave Petro Marko. I atyre anëve është edhe Neço Muka, krijuesi dhe interpretuesi i perlave bregdetase, që shkoi deri në Paris për t`i regjistruar disa prej tyre në pllaka gramafoni. E po ashtu edhe bardi dhe legjenda e polifonisë Lefter Çipa, që u dha krahë atyre këngëve “vënçe”, që ai i pagëzoi për vlerat e larta si “fosforina shqiptare”, pra, “yjëzit” që ndrijnë hijshëm në qiellin e botës shpirtërore shqiptare.

