Lejet e lindjes
Janë afro 29 mijë aplikimet e regjistruara gjatë muajit maj në portalin online “e-albania” për shërbimet e skemës së sigurimeve shoqërore. Me kalimin e të gjitha aplikimeve për përfitimet që mbulon kjo skemë vetëm nëpërmjet sportelit online, autoritetet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore bëjnë me dije se nga të dhënat e grumbulluara për muajin maj, rezulton se shërbimi më i kërkuar ka qenë ai i përfitimit të lejes së lindjes, ndjekur më pas nga aplikimet për rishikimin e masës së caktuar të pensionit, si dhe pensionet e pleqërisë.
“Plot 28,772 aplikime për shërbimet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore janë ofruar për qytetarët nëpërmjet platformës “e-albania” për muajin maj. Referuar të dhënave, shërbimi më i kërkuar ka qenë ai i kompensimit për barrëlindje me 6,670 aplikime, ndjekur nga aplikimet për rishikimin e masës së pensionit, si dhe pensione pleqërie. Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të vijojë të jetë i angazhuar për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve, në mënyrë që ata të marrin të gjithë ndihmën e nevojshme për shërbimet që ju nevojitet”, bëjnë me dije autoritetet e Institutit të sigurimeve Shoqërore. Duke filluar nga 1 maj, qeveria nisi zbatimin e reformës, ku në qendër ishte mbyllja e sporteleve fizike dhe ofrimi i të gjitha shërbimeve vetëm në rrugë elektronike. Për përfitimet në të cilat kërkohen dokumente plotësuese, qytetarët pasi përfundimit të aplikimit online do të duhet që në rrugë postare të dërgojnë edhe dosjen e dokumenteve origjinale të përcaktuara.
Procedurat online për lejen e lindjes
Kërkesa për sigurimin e pagesës së barrëlindjes prej më shumë se një muaji mund të bëhet vetëm online. Autoritetet e sigurimeve shoqërore kanë detajuar edhe një herë procedurën që do të duhet të ndjekin të gjitha përfitueset apo subjektet e punës, për të siguruar të ardhurat që takojnë nga barrëlindja.
Për të marrë këtë shërbim, duhet që fillimisht të hyni në portalin online www.e-albania.al, ku duhet të identifikoheni si subjekt me NIPT. Më tej do të duhet që të vijoni me zgjedhjen e shërbimit të listuar si: “Kërkesë për shpërblim lindje për personat e punësuar”, si dhe të klikoni butonin” Përdor”.
Pasi të bëni këtë veprim do të hapet formulari online, të cilin do të duhet që ta plotësoni me kujdes me të gjitha të dhënat e kërkuara sipas formatit të përcaktuar. Gjatë plotësimit të formularit duhet të ngarkoni në sistem edhe raportin mjekësor për barrëlindje, si dhe dokumente të tjera të nevojshme. Ndërsa dokumentet e tjera, siç janë: vërtetimi i derdhjes së kontributit si e vetëpunësuar në qytet/bujqësi/subjekt, listë pagesa e përfitimeve afatshkurtra, certifikata familjare, certifikata e lindjes do të ngarkohen vetë nga sistemi gjatë plotësimit të aplikimit online.
Më pas do të duhet që të klikoni butonin “Dërgo” që ndodhet në fund të formularit dhe të dhënat tuaja do të nisen për verifikimin pranë strukturave përgjegjëse të sigurimeve shoqërore.
Punonjësi i Institutit të Sigurimeve Shoqërore do të njoftohet elektronikisht për mbërritjen e dosjes se re, i cili më pas do të verifikojë edhe saktësinë e dokumenteve dhe kthen përgjigje me email për rezultatin e aplikimit. Sipas procedurave të përcaktuara, nëse nga verifikimet e dosjes rezulton se ka pasaktësi ose mungesë dokumentesh, punonjësi i ISSH-së njofton aplikantin për pasaktësitë dhe e udhëzon për të riplotësuar praktikën e aplikimit.
Edhe në këtë rast do të duhet të bëni shumë kujdes me dokumentet origjinale të kërkuara. Dokumentet origjinale që i keni bashkëlidhur gjatë aplikimit do të duhet të dërgohen edhe me postë pranë drejtorisë rajonale të sigurimeve shoqërore ku ju keni bërë aplikimin. Duhet të mbani në konsideratë që zarfi i përcjelljes së këtyre dokumenteve të shoqërohet me numrin e aplikimit tuaj, në të kundërt dosja nuk do të kalojë në proces verifikimi, duke vonuar kështu edhe marrjen e përfitimit që ju takon.
E ardhura për barrëlindje
E ardhura për barrëlindje i paguhet gruas së siguruar për barrën dhe lindjen e fëmijës, kur ajo ka 12 muaj periudhë sigurimi, për çdo rast përfitimi. Përjashtohet nga rregulli për periudhën e sigurimit rasti kur e drejta e pagesës për barrëlindjen e radhës ndodh brenda 24 muajve nga data e lindjes së fëmijës së mëparshëm. Periudha e përfitimit do të jetë 365 ditë kalendarike, duke përfshirë një minimum prej 35 ditësh para dhe 63 ditësh pas lindjes së fëmijës. Për gruan që do të ketë në barrë më shumë se një fëmijë, periudha e përfitimit do të jetë 390 ditë kalendarike, duke përfshirë një minimum prej 60 ditë para dhe 63 ditë pas lindjes së fëmijëve.
Masa e përfitimit për të gjitha kategoritë
Në ligjin për sigurimet shoqëror përcaktohet se e ardhura për barrëlindje për gruan e siguruar është: 80 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të dymbëdhjetë muajve të fundit nga data e lindjes të së drejtës për pagesë për periudhën e paralindjes dhe për 150 ditë kalendarike pas lindjes. Më pas pagesa do të jetë sa 50 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të dymbëdhjetë muajve të fundit nga data e lindjes së të drejtës për pagesë për periudhën tjetër në vazhdim.
Po në të njëjtën formë do të llogaritet edhe e ardhura për barrëlindje për gratë e siguruara si të vetëpunësuara në bujqësi. Për periudhën deri në barazimin e kontributeve që paguajnë të vetëpunësuarit në bujqësi me të vetëpunësuarit në aktivitete jobujqësore, e ardhura për barrëlindje caktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave.
Nëna, që birëson fëmijën e moshës deri në 1 vjeç dhe që ka qenë e siguruar jo më pak se 12 muaj, ka të drejtë për leje pas lindjes, e cila fillon ditën e birësimit, por jo më parë se mbas ditës së 63-të të lindjes së fëmijës, dhe vazhdon jo më shumë se 330 ditë nga dita e lindjes së fëmijës. Minimumi i lejes për birësuesen është 28 ditë. Kur një fëmijë është birësuar gjatë lejes së lindjes, nëna që ka lindur do të ketë një periudhë përfitimi deri në ditën e birësimit, por jo më pak se 63 ditë pas lindjes. Pas periudhës prej 63 ditësh pas lindjes, të drejtën e lejes për kujdes ndaj fëmijës e ka edhe babai ose birësuesi i siguruar, nëse këtë të drejtë nuk e ushtron apo nuk ka kushte për ta përfituar nëna”.
Kalimi i pagesave
Autoritetet e sigurimeve shoqërore sqarojnë se pagesa e barrëlindjes bëhet pasi punonjësi i financës në subjektin ku është e punësuar përfituesja kryen aplikimin online dhe dorëzon pranë drejtorive rajonale të sigurimeve shoqërore të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të bërë llogaritjen e pagesës. Procesi i dorëzimit të dokumenteve bëhet nga data 20-27 të çdo muaji, ndërsa pagesat nga ana e drejtorive kryhen deri në datën 30 të muajit, në llogaritë personale të përfitueses. Përjashtim nga kjo procedurë bëhet vetëm në qarkun e Tiranës, ku për efekt të lehtësimit të procedurave dorëzimi i dokumenteve dhe kryerja e pagesës bëhet çdo ditë. Përsa i përket pagesës, në drejtoritë rajonale të Tiranës, likuidimi i të ardhurave kryhet në llogaritë personale te përfituesit.
Procedura e aplikimit online:
- Identifikohuni si subjekt me NIPT në portalin online në adresën e-albania.al .
- Zgjidhni shërbimin “Kërkesë për shpërblim lindje për personat e punësuar” dhe klikoni butonin” Përdor”.
- Plotësoni formularin elektronik me të dhënat e nevojshme të kërkuara në formular dhe klikoni butonin “Dërgo” në fund të formularit.
- Punonjësi i ISSH-së njoftohet elektronikisht për mbërritjen e dosjes se re.
- Punonjësi i ISSH-së verifikon saktësinë e dokumenteve dhe kthen përgjigje me email për rezultatin e aplikimit.
- Nëse ka pasaktësi ose mungesë dokumentesh, punonjësi i ISSH-së njofton aplikantin për pasaktësitë dhe e udhëzon për të riplotësuar praktikën e aplikimit.
- Dokumentet origjinale që i keni bashkëlidhur gjatë aplikimit duhet të dërgohen me postë pranë DRSSH përkatëse. Ju lutem mbani në konsideratë që zarfi i përcjelljes së këtyre dokumenteve të shoqërohet me numrin e aplikimit tuaj.
E ardhura për kompensimin për shtatëzani
- Gruaja e siguruar, që me vendim të komisionit mjekësor kompetent ndryshon vendin e punës për arsye shtatëzanie, ka të drejtë të përfitojë kompensim të ardhurash për pakësimin që pëson nga ndryshimi i vendit të punës. Ky kompensim jepet në rast se është derdhur kontribut për një kohë jo më pak se 12 muaj.
- Shuma e të ardhurave që do të përfitohet për kompensim është e barabartë me diferencën ndërmjet pagës së vendit të punës të mëparshëm dhe pagës së vendit të punës së re. Ky kompensim nuk mund të jetë më shumë së 50 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të dymbëdhjetë muajve të fundit, nga data e lindjes të së drejtës për pagesë.
Kushtet e përfitimit të shpërblimit të lindjes:
- Shpërblimi për lindje fëmije i paguhet një personi të siguruar, i cili është nëna ose babai i fëmijës që lind, me kusht që njëri prej tyre të ketë kontribuar për një vit para lindjes së fëmijës.
- Shpërblimi bëhet i pagueshëm vetëm një herë dhe nëna do të ketë parësi në përfitimin e pagesës, në rast se ajo është e siguruar.
- Për të siguruar këtë shpërblim duhen certifikata e lindjes së fëmijës, libreza e periudhës kontributive, si dhe vërtetimi i vjetërsisë në punë dhe derdhjet kontributive.
- Shpërblimi për çdo fëmijë të lindur do të jetë një shumë e barabartë me 50 % të pagës minimale mujore, të miratuar me VKM, në momentin e lindjes të së drejtës.