Komisioni Evropian, në mbledhjen e nivelit të lartë të Procesit të Berlinit këtë 16 tetor në Tiranë, pritet të shpallë një paketë të gjerë me investime nga buxheti i Bashkimit Evropian.
Paketën në detaje do ta paraqesë Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në fillim të muajit nëntor, kur edhe do të publikohet programi vjetor i zgjerimit me raportet e progresit për vendet që u janë hapur bisedimet për anëtarësim, si Serbia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, si dhe vendet kandidate për anëtarësim, si Kosova dhe Bosnje-Hercegovina.
Axhenda e Konektivitetit (Ndërlidhjes) e Procesit të Berlinit
Procesi i Berlinit është një nismë e ish-Kancelares Angela Merkel të Gjermanisë në vitin 2014, për të ndihmuar në zhvillimin ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në përafrimin e tyre me korridoret evropiane të ndërlidhjes, pas pasigurisë së krijuar nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në po atë vit.
Procesi i Berlinit ka si plan kryesor planin e quajtur Axhenda e Konektivitetit (Ndërlidhjes). Kjo axhendë ka si objektiv përgatitjen dhe financimin e një numri projektesh të rëndësisë strategjike midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, që synojnë të lidhin ato më fort me njëra-tjetrën dhe me Bashkimin Europian.
Fokusi është kryesisht në projekte të transportit, por dhe të ndërlidhjes energjetike. Një theks të veçantë ka marrë ndërlidhja dixhitale dhe tregu dixhital.
Deri në shtator 2023, në vlerë totale, Shqipëria përfaqësonte rreth 13% të projekteve të Axhendës (nga 7% në fund të vitit 2019 dhe 11 përqind në fund të vitit 2020), duke përmirësuar pozicionin e saj, për shkak të miratimit të dy projekteve të reja në samitin e Sofjes, për rehabilitimin e HEC-it te Fierzës dhe By-Pass-it të Tiranës.
Shqipëria ka edhe shpërndarjen më të gjerë të investimeve në bazë sektori, duke përfshirë transportin, energjinë dhe sektorin dixhital.
Instrumenti i Investimeve për Ballkanin Perëndimor
Procesi i Berlinit ofron për vendet e Ballkanit Perëndimor një instrument financues, që është Instrumenti i Investimit të Ballkanit Perëndimor. Instrumenti siguron mbështetjen e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nga Komisioni i Bashkimit Europian, me grante dhe bashkë-financime nga institucione të tjera financiare, siç janë bankat e zhvillimit (Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim BERZH, Banka Gjermane KfW, Banka Botërore, etj.), përmes kredive te buta.
Së bashku me përfituesit në Ballkanin Perëndimor, Instrumenti i Investimit i Ballkanit Perëndimor është pjesë e një partneriteti unik që përcakton përparësitë dhe paketat e ndihmës për investime strategjike dhe reformë institucionale në rajon.
Që nga viti 2010, instrumenti ka dhënë 1.3 miliardë euro grante për mbi 230 projekte dhe 20.8 miliardë euro investime në transport, energjetikë dhe rrjetet digjitale, në energjinë e ripërtëritshme dhe efiçiente, në furnizimin me ujë dhe sistemin e menaxhimit të ujërave të zeza, në mbrojtjen nga përmbytja, në arsim, qendra kërkimi shkencor dhe të kulturës, në institucionet shëndetësore dhe gjyqësore, të cilat janë thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm në rajon.
Në këtë proces, Shqipëria qëndron në vendin e dytë, pas Serbisë, me 36 përqind të fondeve të përthithura.
Projektet e Shqipërisë:
- Mbështetje në ndërtimin e by-pass-it të Tiranës 150.9 mln euro
- Hekurudha Tiranë-Rinas-Durrës 91.5 mln euro
- Interkonjeksioni Shqipëri-Maqedoni e Veriut 70 mln euro
- Internet broadband (me bazë të gjerë) 40 mln euro
- Kalatat 1 dhe 2 Porti i Durrësit 62.4 mln euro
- Rehabilitimi HEC i Fierzës 42.7 mln euro
p.c. / dita
