Kuvendi ka vendosur të zhvillojë me dyer të mbyllura shqyrtimin e marrëveshjes së huasë direkte mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara për një financim ushtarak prej 302 milionë dollarësh.
Më herët gjatë paradites, Konferenca e Kryetarëve vendosi që marrëveshja të shqyrtohej me procedurë të përshpejtuar. Pas përfundimit të mbledhjeve të komisioneve parlamentare, seanca plenare rifilloi, por Partia Socialiste kërkoi që debati të zhvillohej pa praninë e publikut dhe medias, me argumentin se dokumenti përmban të dhëna sekrete.
Kërkesa u kundërshtua nga deputetët e Partisë Mundësia, Agron Shehaj dhe Erald Kapri, të cilët kërkuan që seanca të ishte publike. Megjithatë, me votat e mazhorancës u vendos që diskutimet të zhvillohen me dyer të mbyllura. Sipas procedurës, vetëm votimi final pritet të jetë i hapur.
Shefi i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, e cilësoi marrëveshjen historike dhe tha se ajo përbën një dëshmi të besimit të SHBA-ve ndaj Shqipërisë. Sipas tij, fondet do të përdoren ekskluzivisht për modernizimin e Forcave të Armatosura sipas standardeve të NATO-s.
“Ky është një financim historik për Shqipërinë, me rëndësi të veçantë për sigurinë kombëtare të vendit që konfirmon fuqishëm marrëdhëniet e shkëlqyera të Shqipërisë me SHBA-të. Është dëshmi konkrete e besimit të SHBA-ve ndaj Shqipërisë. Shqipëria ka një angazhim të shtuar në rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen. Shqipëria mbështet objektivin e ri për të arritur objektivin 5% të NATO-s. Ky financim do të përdoret ekskluzivisht për modernizimin e Forcave të Armatosura, pajisje dhe shërbime të mbrojtjes sipas standardeve më të larta të NATO-s”, deklaroi Balla.
Ai bëri të ditur se Shqipëria do të ketë 48 muaj kohë për të aktivizuar fondet dhe deri në 12 vjet për shlyerjen e huasë, ndërsa çdo përdorim i fondeve do të miratohet nga Agjencia Amerikane e Mbrojtjes.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se opozita nuk është njohur me përmbajtjen e marrëveshjes dhe se procedura e ndjekur bie ndesh me Kushtetutën.
“Marrëveshja është e mirëpritur sepse Shqipërisë i duhen investime të tilla. Ne nuk e disponojmë marrëveshjen, nuk na është vënë në dispozicion. Qeveria po përpiqet të korrigjojë me nxitim dëmin që i shkakton besueshmërisë së Shqipërisë”, tha Bardhi.
Edhe Partia Demokratike reagoi me një deklaratë zyrtare, ku shprehet se mbështet marrëveshjen me SHBA-në, por kundërshton mënyrën e miratimit të saj në Kuvend.
“PO marrëveshjes me SHBA! JO mënyrës antikushtetuese se si Edi Rama kërkon ta miratojë brenda ditës në Parlament”, thuhet në deklaratë.
PD akuzon qeverinë se po përdor procedura të përshpejtuara dhe po shmang debatin parlamentar, ndërsa thekson se marrëveshje të tilla strategjike kërkojnë transparencë dhe respektim të Kushtetutës.
Sipas demokratëve, qeveria kishte pesë javë kohë për ta sjellë marrëveshjen në Kuvend dhe nuk kishte asnjë urgjencë për miratimin e saj brenda një dite. Opozita propozon që deputetët të njihen fillimisht me dokumentin, ndërsa votimi të zhvillohet në një seancë të posaçme ditën e premte.
j.l./ dita
