Pak orë na ndajnë nga mbyllja e fushatës për 14 majin. “Diferenca mes kandidates së PS-së Emiriana Sako dhe kundërshtarit të saj për Bashkinë e Durrësit, do të jetë me mijëra”. Kështu u shpreh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në mitingun përmbyllës të mbrëmjes së sotme, në sheshin kryesor të qytetit. Ndërsa shtoi se opozita në vitet në vijim, do të braktiset edhe nga ata persona të cilët deri më tani i kanë mbështetur pa kushte.
“Unë dua t’ua them atyre që bëjnë sondazhe që të marrin të numërojnë sa njerëz ka këtu sot dhe ajo do jetë diferenca e rezultatit ditën e dielë. Mijëra e mijëra vota diferencë mes Emiriana Sakos dhe atij që nuk po e zëjmë fare me gojë, sepse kemi folur dhe i dimë të gjitha. Këtë pamje kaq të bukur unë them mos ta prishim as nga ana akustike. Jam i bindur se do të shikohet edhe në zgjedhjet pas 2 vjetësh që jo shumica, por edhe pala tjetër, ajo pakicë, do t’i braktisë në kërkim të diçkaje tjetër”, tha Rama.
Durrësin, kryesocialisti e cilësoi pikë lidhëse të rajonit dhe lokomotivë të transformimit ekonomik për vendin. “Jam i bindur që Durrësi është lokomotiva e tranformimit ekonomik, të Republikës së Shqipërisë. Durrësi është kthyer në qendrën e gravitetit të një hapi tjetër, të një kapitulli tjetër sepse më në fund pas shumë përpjekjësh është vendosur baza dhe ndërkohë janë lidhur gjërat bashkë, me portin e ri, hekurudhën e re. Bëhet një pikë lidhëse për të gjithë hapësirën e rajonit tonë dhe do të rikthehet në historinë e largët, historia e asaj porte kryesore që romakët e përdornin për të hyrë dhe për t’u shtrire në territore të tjera. Pas këtij takimi ne do shkojmë te Amfiteatri dhe do bëjmë lançimin e fazës së tjetër. Durrësi ishte pasqyra e anës tjetër të Adriatikut dhe duke u dhënë jetë projekteve të mëdha që janë plane që kanë nisur të zbatohen, ne do t’u japim jetë dhe do të vëmë në lëvizje motorë të rinj me shumë më tepër kuaj fuqi dhe do krijojmë një hapësirë krejt të re për punësim cilësor. Padiskutim që do t’i japim jetë një historie krejt të re tregtie të Shqipërisë si një nyje lidhëse dhe Shqipëria do përfitojë padiskutim”, tha kryeministri.
Rama bëri thirrje që të Dielën, qytetarët të votojnë Emirjana Sakon, Artur Bushin dhe Elton Arbanën. Ai u shpreh me bindje për një fitore të thellë të kryebashkiakes aktuale të Durrësit ndaj kandidatit të “Bashkë Fitojmë”, Igli Cara. “Për të gjitha këto na duhet me patjetër jo vetëm që të shkojmë përpara, por një mbështetje shumë e madhe dhe një bashkëpunim i ngushtë mes qeverisë e bashkisë së Durrësit, Shijakut, Krujës. Dhe në këtë moment është shumë e rëndësishme që qytetarët durrsakë, edhe ata që janë rreshtuar në një kamp tjetër politik, atyre u bëj thirrje të votojnë për Anin ditën e dielë, për Turin, Tonin. Vota nuk është për të ndarë kush është më i fortë, por për të mbajtur në punë njerëzit e duhur, për t’i shërbyer këtij projekti të madh transformimi, që është dhe arsyeja pse jam shumë i pranishëm në Durrës”, e mbylli Rama.
