Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, prezantoi disa prej pikave të reformës që, sipas tij, synojnë të adresojnë problematika të hershme në administratë dhe në raportin e shtetit me qytetarin.
Rama tha se reforma do të fokusohet në katër pika kyçe: mënyrën se si funksionon shteti, mënyrën se si shumica qeverisëse dëgjon qytetarin, mbajtjen e fjalës së dhënë përmes ligjit dhe zakonit, si dhe hapjen e derës së shërbimit publik ndaj meritës.
“Sot kemi tre plagë që ushqejnë njëra-tjetrën. Njëra plagë është plaga e shtetit labirintit, qytetari nuk di kur dhe kush duhet t’i përgjigjet. Plaga 2 është mungesa e memories institucionale. Premtohet, flitet, vendoset, por nuk mbahet regjistër llogarish për atë që u bë, për atë që nuk u bë, për atë që u vonua apo për atë që ndryshoi rrugës. Memoria institucionale nuk është protokolli i institucionit. Është shumë më tepër. Mungesa i kushton shtetit dhe qytetarit shumë herë më tepër sesa mund të imagjinohet. E treta është plaga e derës që nuk duket, të cilën e sheh dhe mund ta prekësh tek ndjenja shpeshherë e drejtë e çdo njeriu në Shqipëri që, për një shërbim, për një vend pune, njohja vlen më shumë se merita dhe fati vlen më shumë se ligji. Pasqyra Albania, Prania Besnike, Besa dhe Shkalla e Meritës janë pjesë të pandashme të përpjekjes për t’i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve dhe për të kuruar këto plagë”, deklaroi Rama.
Nga mbledhja e grupit të PS, kryeministri Edi Rama u ndal te platforma “Pasqyrë Albania”, e cila synon të ndjekë në kohë reale problemet e qytetarëve dhe t’u japë zgjidhje brenda dy javësh.
Rama tha se, përveç qeverisë, pjesë e saj do të ishte mirë të bëheshin edhe pushteti legjislativ dhe ai gjyqësor, por theksoi se kjo është tërësisht vendimmarrje e tyre.
“Pasqyrë Albania është hapësirë e re ku, falë teknologjisë dhe mundësisë së jashtëzakonshme që na jep në këtë fazë të zhvillimit tonë IA, mund të bashkëjetojnë e gjithë qenia publike e shtetit dhe e drejta e plotë e çdo qytetari për të kontrolluar shtetin e vet, për ta pyetur shtetin dhe për të kërkuar mbështetje nga shteti. Do të jetë hapësirë ku qeveria do të jetë tërësisht aty, por patjetër që e mira e do që te Pasqyrë Albania të jenë edhe dy pushtete të tjera, pushteti legjislativ dhe gjyqësor, por kjo është vendimmarrje e tyre”, tha Rama.
Pasqyrë Albania do të jetë një sistem ku qytetari mund të mbikëqyrë shtetin, tha kryeministri Rama në mbledhjen me ministrat dhe grupin e PS. Në këtë platformë, ai do të gjejë çdo dokument të nevojshëm për të mësuar gjithçka dëshiron të dijë mbi punët publike.
Sipas Ramës, kjo shmang dezinformimin e qytetarit dhe çdokush i përfshirë ekspozohet në (pa)përgjegjshmërinë e tij.
“Pasqyrë Albania është një kontratë kushtetuese e qytetarit me shtetin, ku ai nuk gjen vetëm çfarë tha qeveria sot, madje s’e gjen fare, por gjen çfarë po bën qeveria në emrin tim, pse qeveria po bën këtë apo atë, kush e ka në dorë këtë apo atë çështje që mua më intereson, mbi cilin dokument unë mund të provoj apo konsultoj këtë që më thuhet se do të bëhet, ku gjendet sot ecuria e procesit (për çdo proces).
Një qytetar sot nuk mund të fajësohet pse bie pre e dezinformimit lidhur me punët publike, sepse nuk e ka mundësinë që t’i referohet drejtpërdrejt kantierit, shërbimit përkatës. Pasqyrë Albania do të jetë vendi ku qytetari mund t’i referohet vetë çdo gjëje që po bëhet me taksat e tij.
Nëse një portal mediatik i thotë që rruga u shemb sepse u gërrye baza përtej asaj që duhej dhe u bë një krim, qytetari nuk mund të fajësohet për këtë dhe as nuk mund të pritet që të ndërrojë mendim duke bërë nga ana e vet institucioni apo qeveria një komunikatë apo konferencë për shtyp.
Qytetari duhet të ketë mundësinë që të gjejë me dokumente, me procesverbale çfarë ndodhi realisht dhe çfarë po ndodh. Kjo e ndryshon plotësisht pozitën e qytetarit nga një viktimë potenciale e informacionit te një mbikëqyrës i shtetit, por te Pasqyra mund të gjejë të gjithë bazën faktike, dokumentare, shifrën, provën, procesverbalin, mendimin e ekspertit, arsyet e vonesës dhe të gjithë personat përgjegjës lidhur me çfarë nuk shkon, janë nën dritën e diellit.
Ose janë të larë sepse nuk lidhet me përgjegjësinë e tyre të drejtpërdrejtë rrëshqitja e një kodre, ose janë aty të pajustifikueshëm me deklarata apo postime të rastit”, tha Rama.
j.l./ dita
