Kryeministri Edi Rama, duke iu referuar protestave të fundit, u shpreh se përtej asaj “kores së zezë” të tubimeve, ku sipas tij janë mbledhur “dështakët dhe zemërakët”, ekzistojnë shqetësime reale qytetare.
Gjatë fjalës së tij në edicionin e tretë të Javës së Administratës Publike, Rama nënvizoi se këto pakënaqësi të sinqerta përbëjnë “ujin e pastër” të protestës, nga i cili politika dhe administrata duhet të reflektojnë për të nxjerrë mësime të nevojshme.
Rama gjithashtu vlerësoi se, transformimi i administratës mbetet një proces kompleks, duke theksuar se qeveria përballet sot me një sfidë të madhe për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve.
“Transformimi i administratës është një proces mjaft kompleks. Nuk bëhet fjalë për krijimin e mekanizmave që lidhen me shumë njerëz dhe po të kthehemi për një moment mbrapa dhe të kujtohemi se ligji i parë themelor i administratës sonë publike është aprovuar një dekadë më parë, atëherë ne mund të kuptojmë se çfarë ka ndodhur. Ndërkohë që në numrin e përgjithshëm të administratës kemi dhjetëra mijëra.
Ne kemi sot një kualitet të ri në administratën shtetërore, ne kemi sot një sfidë shumë të madhe përballë qytetarëve. Duke qenë se jemi në një moment specifik, intensiv, të rrugëtimit tonë si shoqëri, më lejoni që të sjell këtu një episod nga shumë episode që ne po përpiqemi të lexojmë protestën e bulevardit. Përveç shqetësimeve të qytetarëve që unë e quaj ujin e pastër të protestës, nën atë koren e zezë ku janë mbledhur të gjithë dështakët dhe zemërakët. Në atë rrjedhë ka shumë për të mësuar”, tha Rama.
“Këta nuk janë shumica për fat të mirë, ne nuk mjaftohemi me çfarë shikojmë në raporte. Bëjmë përpjekje për të kuptuar administrata. Me strukturën e antikorruipsionit dhe me ndihmën me mekanizmave të tjerë, ministrja ndjek ecurinë e këtyre marrëdhënieve. Nuk rezulton që në spitale, norma ose normalja është kjo që thashë. Mjafton t’i ndodhë dikujt, nuk ka nevojë të tërhiqen zvarrë të gjithë njerëzit që kanë diçka për të thënë, siç ndodhi në atë momentin skandaloz. Kërkojnë shërbimin minimal. Ta kontstatosh është e rëndësishme dhe të jesh i vetëdijshëm, është gjëja më e rëndësishme. Të veprosh për ta ndryshuar, është shumë më komplekse sesa mendohet. Ashtu si lufta ndaj korrupsionit, nuk është vetëm çështje burgu. Duhet që sistemi të të mbrojë. Ajo që po ndodh sot në Shqipëri dhe që humbet në mjegullën dhe tymit e gjërave, sistemi për herë të parë, po lufton me korrupsionin.
Sistemi po lufton korrupsionin dhe jo volumtarizmi këtu dhe atje. Faktikisht, kjo gjë po ndodh. Po hyhet aty ku nuk është hyrë kurrë, kjo nuk është një arsye për të kërkuar gijotinën. Kjo e demokracisë dhe e balancimit të pushteteve, është e vetmja rrugë për të garantuar brezat. Dua të jem shumë i qartë. Besoj se e kam sot mundësinë, nga maja e asaj eksperience, të them që në fund të ditës, e rëndësishme për shtetndërtimin është tërësia e hapave që hidhen me durim dhe pa zhurmë. Episodet e zhurmshme nuk e bëjnë sistemin. Besimi im pse Shqipëria mund ta kapërcejë me shpejtësi të pazakonshme, lidhet me faktin që Shqipëria sot ka fatin të jetojë në epokën e teknologjisë dhe inteligjencën artificiale. Ne jemi në embrion dhe kërkojmë të jemi sot një vend që pranohet në BE se ka administratë me standardet e BE. Ne kemi digjitalizimin”, theksoi ai.
Rama ka deklaruar ditën e sotme se qytetarët nuk dalin në protestë vetëm për halle, por edhe sepse ndihen të fyer nga administrata. Gjatë fjalës së tij në edicionin e tretë të Javës së Administratës Publike, ai tregoi rastin e një të moshuare e cila kishte marrë pjesë në protestën, ku kërkesa kryesore e qytetarëve mbetet dorëheqja e tij.
Në lidhje me këtë, ai tha se nëna e mikut të tij kishte dalë në protestë pasi thelbi i zemërimit të shumë njerëzve është administrata shtetërore. Rama tha se dikush mund të ndihet i poshtëruar nëse nuk merr shërbimin e duhur nga shteti dhe nga njerëzit që paguhen për t’i shërbyer popullit.
“Nëna e një shokut tim kishte dalë në protestë dhe i biri ishte alarmuar kur i thanë, sepse ajo është në një moshë të caktuar. Ishte kthyer në shtëpi dhe e kishte pyetur të ëmën në protestë dhe ajo i tregon thelbin e zemërimit të shumë njerëzve me administratën shtetërore. Kjo grua në moshë del në protestë sepse është e fyer.
Ky është një poshtërim dhe ndjenja e poshtërimit nga shteti yt dhe nga njerëzit që paguhen për të të shërbyer ty, është një ndjenjë që të bën të kuptosh që është kulmi. Njerëzit nuk ndjehen të fyer e të poshtëruar jo vetëm sepse nuk zgjidhin dot një hall. Por përtej faktit që e zgjidh apo nuk e zgjidh, ai mjeku është i detyruar që atij njeriu të sëmurë t’i ofrojë gjithë komoditetin që vjen nga njerëzillëku”, thotë Rama.
j.l./ dita
