Nga Fatos TARIFA
Botuar në Dita
Shënimet e mëposhtme janë mendime që më erdhën në kokë ndërsa bëja dushin e mëngjesit. Ndaj mos prisni që ato të jenë të sistemuara në ndonjë rend logjik a kronologjik, siç do të bëja nëse do më duhej të debatoja me autorin e një polemike me mua, botuar sot në gazetën DITA.
Polemisti quhet Sadri Ramabaja, ndërsa polemika e tij titullohet “Federata Shqiptare si domosdoshmëri! Replikë me shkrimin në DITA të Fatos Tarifës për Albin Kurtin dhe bashkimin”.
Nuk e kam njohur, as dëgjuar këtë emër deri më sot, por nuk u çudita aspak që ai—ndoshta do të ketë dhe të tjerë si ai—do të reagonte në atë mënyrë. Kur shkruaj për çështjen e madhe të bashkimit kombëtar, këtë e bëj, ndër të tjera, edhe për njerëz si ky Ramabaja, që i thonë këmbës dorë.
Gjithmonë e kam mirëpritur çdo kritikë publike, çdo replikë të informuar dhe çdo debat konstruktiv për çështje me interes shoqëror që kam trajtuar në librat dhe në artikujt e mi. Sidoqoftë, “replika” e Sadri Ramabajës nuk është asnjëra nga këto, nuk është as kështu, as ashtu, as kështu-ashtu.
Në fakt, edhe pse e lexova me vëmendje, nuk e mora vesh se ç’është. Një tekst panegjirik “patriotizmi naiv”, nëse huazoj fjalët e politologut amerikan Patrick Deneen, ku realiteti shihet me sytë fshehur pas lentesh që pengojnë të shohësh pikërisht atë realitet që thua se sheh.
Është e drejta e tij, e drejta e fjalës së lirë dhe e lirisë së shprehjes, të cilat unë i çmoj dhe i mbroj si të drejta dhe liri esenciale të çdo njeriu. Por do të bija në nivelin e Ramabajës nëse do të replikoja me ato çfarë ky person—e theksoj, deri më sot krejt i panjohur për mua qoftë si individ, qoftë si emër dhe aq më pak si një “ekspert” në çështje të marrëdhënieve e të së drejtës ndërkombëtare—ka shkruar sot në Dita. Do të ishte nën dinjitetin tim akademik e intelektual.
Me kënaqësi do të debatoja me këdo studieus dhe intelektual të vërtetë, por jo me dikë me arsim të dyshimtë dhe me idées fixes. Për të do të thoja po ato që kam thënë dhe do të jepja po ata argumente që kam shtjelluar në esenë time. Ai nuk është marë me asnjë prej argumenteve të mia, absolutisht me asnjë prej tyre, sepse ose i ka refuzuar ato en bloc, ose i ka gjetur shumë të vështirë për t’i kuptuar.
Sa për kolegun dhe mikun tim të nderuar, Prof. Rexhep Qosja, të cilin e përmend si argument, ai nuk arrin të kuptojë se Prof. Qosja është e kundërta e argumentave që replikuesi jep. Nëse do më kishte lexuar sado pak me vëmendje, do ta kishte kuptur një gjë kaq të thjeshtë.
Nëse do më kishte lexuar sado pak me vëmendje, ky njeri do të kishte kuptuar pse bashkimi i Gjermanisë nuk mund të jetë një “shembull” ose një “model” për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, siç mendojnë Albin Kurti dhe vetë ky replikues VVist.
Realiteti nuk është ideja në kokën tonë, por ai që ekziston jashtë nesh. Për ta ndryshuar këtë realitet, nuk mjafton ta duash apo ta ëndërrosh ndryshimin, por të përgatitesh për t’i realizuar ndryshimet e dëshiruara kur krijohen rrethanat e volitshme dhe kur vjen koha për ta bërë këtë. E kundërta do të ishte një aventurë e rrezikshme. Loloja, në një nga veprat e Shekspirit, thotë se “duhet të jesh gomar që të mos dish se kali e tërheq karrocën e jo së prapthi”.
E pra, të thërrasësh sot, siç bën replikuesi i pikëpamjeve të mia, se pa humbur kohë, Shqipëria dhe Kosova duhet të bashkohen në një federatë, si Gjermania, si Zvicra a ku ta di unë se ç’ka në mendje ai, nuk është patriotizëm. Është aventurizëm politik, ose një politikë aventureske.
Bashkimi kombëtar është një ide dhe një projekt madhështor. Ai do të ishte rezultat i një përpjekjeje dhe i një procesi që do të vareshin nga krijimi i kushteve dhe i rrethanave të favorshme për realizimin e tij.
Sentimentet patriotike, vetëm ato, nuk sjellin transformim të realiteve politikë, që nuk janë vetëm gjeodemografikë, por edhe gjeopolitikë, gjeoekonomikë, pra realitete gjeostrategjikë dhe, si të tillë, nuk varen nga sentimentet dhe nga dëshirat tona. Janë premisat ato që çojnë në rezultatin e dëshiruar dhe jo ky rezultat që krijon premisat. Për këdo që mendon ndryshe, do të kishin vend fjalët e Gëtes se ata “kuptojnë më pak nga sa kupton macja matematikë”.
E siguroj replikuesin se jam një patriot shumë më i mirë, shumë më i përkushtuar dhe më i angazhuar se ai për çështjen kombëtare dhe i “shpall garë”, siç do thoshte Epikuri i lashtë, jo në lumturi, sepse unë kam mënyrën time për të qenë i lumtur, siç mud të ketë edhe ai të tijën, por në patriotizëm.
Unë i dua Shqipërinë, Kosovën, shqiptarët dhe gjuhën shqipe (që e flas dhe e shkruaj më mirë se ai), më shumë se sa replikuesi i esesë sime. Më tej e konsideroj humbje kohe të merrem me idetë pa ide të tij dhe, me këto fjalë, e konsideroj të mbyllur “debatin” me të.
—-
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
