Nga Jovan Bizhyti
Lenka Çuko, një ish udhëheqëse në sferat e larta të shtetit komunist, nuk ka dashur asnjëherë të prononcohet për jetën e saj, pavarësisht provokimeve të herëpashershme që i kanë bërë figurës së saj opinionistë të ndryshëm në shtyp e në debatet televizive. Unë e njoh Lenka Çukon që në rininë e saj në Krutje të Lushnjës, jo pak por rreth 60 vite më parë. Dhe më pas, nga viti 1976 e deri në vitin e ndryshimeve demokratike 1990, kemi punuar së bashku si në Lushnjë dhe në Tiranë në KQ të Partisë. Ajo ka qenë dhe mbetet një shoqe dhe një grua dinjitoze, një burrneshë, që jo vetëm i ka kryer me kompetencë e me kurajo detyrat e përgjegjësitë që ka marrë mbi vete, por i ka përballuar ato me sukses, duke u ndeshur ballë për ballë me çdo trysni e mentalitet konservator, që kanë dashur ta ulin rrolin e gruas në shoqëri.
Lenka, së bashku dhe me Themije Thomain, ish Ministre e Bujqësisë, Tefta Camin, ish Ministre e Arsimit, e shumë shoqe të tjera në radhët e udhëheqjes së shtetit komunist në ato kohë, treguan forcën dhe aftësinë e tyre për detyrat e ngarkuara, në disa raste duke treguar aftësi organizative më të suksesshme se burrat.
Një ditë duke pirë kafe i thashë:
-Fol, jepu përgjigje atyre që flasin lartë e poshtë badihava, pa të njohur dhe pa ditur kush është Lenka Çuko.
-Jo,- më tha,- dinjiteti i njeriut nuk vihet në vend me intervista shtypi, apo me debate në studiot televizive. Unë jam kjo që jam. Shokët dhe shoqet që kanë punuar me mua, më njohin kush jam, e njohin nivelin tim, karakterin dhe dinjitetin, të cilat i kam formuar në punë e sipër. Edhe populli i rrethit të Lushnjës ku unë kam jetuar e punuar një kohë të gjatë, më njohin dhe më kanë vlerësuar për aq kohë sa kamë punuar e drejtuar në këtë rreth. Sa për shkollën, unë vërtetë kam qenë një vajzë fshati, por arsimi i mesëm bazë i imi ka qenë gjimnazi, ku fshati im Krutja e Lushnjës, pati privilegjin në fillimet e viteve 60-të që ishte ndër fshatrat e parë që ngriti arsimin e mesëm, gjimnaz, kur dhe qyteti i Lushnjes sapo ishte bërë me gjimnaz nga fundi i viteve 50-të.
Sigurisht, me kalimin e kohës, unë vazhdova studimet e larta, një kohë si studente e rregullt në Shkollën e Lartë të Partisë në Tiranë dhe më pas specializimet në filozofi dhe në ekonomi politike. Çfarë kanë më tepër politikanet sot? Gradat shkencore sot në mjaft raste, janë bërë si fletët e lavdërimit që jepeshin dikur në kohën tonë, pasi jepen me opinione dhe mbi bazën e karrierës e posteve që mbajnë. Në sistemin tonë, gradat nuk fitoheshin me poste, por me punë studimore-shkencore e me rezultate.
Deri në vitet 60-të e diçka më pas, në instancat shtetërore dhe partiake, dominonin kuadrot e dalë nga koha e luftës, që veç përvojës e pjekurisë së moshës, shumë prej tyre, sidomos të rangjeve të larta, kryen studime të larta kryesisht në fushat politike dhe në filozofi në vendet e lindjes komuniste dhe sidomos në BS. Unë i përkisja një brezi më pas, më të ri, të arsimuar në shkollat tona dhe që përgatitjen arsimore e kam kryer gradualisht në të gjitha shkallët e arsimit të mesëm e të lartë brenda vendit. Njerëzit që më njohin e kanë punuar me mua, e dinë kush është Lenka Çuko dhe jo më pak u takon dhe atyre të reagojnë, të flasin e të shkruajnë për këto të vërteta, që edhe njerëzit keqdashës që flasin lart e poshtë pa doganë, të mësojnë të vërtetën dhe të mos mashtrojnë me dinjitetin e të tjerëve.
– Është e vërtetë,- i thashë,- si një nga ata shokë dhe bashkëpunëtor i afërt me ty, kam qenë dhe unë, që duke dëgjuar këto shpifje e denigrime, sidomos ndaj një gruaje shumë të respektuar, jam ndjerë i keqardhur.
Në bisedë të lirë duke pirë kafe, ajo nëpërmjet ndërhyrjeve të mija, ka sqaruar shumë të vërteta të jetës së saj, detyrat që ka kryer në të gjitha shkallët e karrierës, arsimimin e lartë politik, rezultatet që ka arritur si drejtuese, që nga ekonomia bujqësore e Krutjes në Myzeqenë e Lushnjes, pastaj si drejtuese kryesore në rrethin e Lushnjes dhe deri në sferat e larta, si Sekretare e KQ të Partisë, pranë Enver Hoxhës.
Midis të tjerave, ka përmendur dhe disa momente të vështira që kaloi në jetën e saj pas viteve 90-të, akuzën që iu ngarkua për “Gjenocid”, së bashku me shokët e tjerë të ish Byrosë Politike, duke u dënuar me disa vite burgim. Ajo, si në hetuesi, në gjyq dhe në këto biseda të lira, ka sqaruar me këmbëngulje se:
– Personalisht nuk kam dënuar e nuk i kam cenuar lirinë askujt. Dënimet dhe internimet, i kanë dhënë organet e drejtësisë, një komision shtetëror në Tiranë, sipas ligjeve të asaj kohe. Sigurisht, ne si udhëheqës politikë kemi patur përgjegjësinë tonë morale e politike, por asnjëherë përgjegjësi e faje ligjore të drejtë për drejta, për të cilat na përfshiu dënimi kolektiv.
***
Megjithatë, ajo asnjëherë nuk ka shprehur pakënaqësi për çka ka ndodhur. Aktualisht jeton në Tiranë me burrin dhe me fëmijët. Gjatë bisedës sqaron se sistemi i kaluar nuk ishte komunist, siç thuhet shpesh, komunizmi është një arritje e madhe, një stad i lartë shoqëror, që duhet të arrijë shoqëria për të qenë komunizëm. Shqipëria pas çlirimit me luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, kaloi nga sistemi feudal me disa forma fillestare kapitaliste, në një sistem socialist, edhe ky fillestar, pasi në hapat e para ishte i gërshetuar me normat kapitaliste, sidomos në shtyllën e pronësisë, ku ekzistonin të dy pronat, edhe ajo private kapitaliste dhe fillesat e pronës kolektive socialiste. Dhe kjo ishte e nevojshme në hapat e para të ngritjes së shtetit të ri socialist të punëtorëve dhe fshatarëve. Këto terma kish në përmbajtje ai shtet, sepse fitorja e luftës Nacionalçlirimtare. solli një përmbysje të madhe, jo vetëm çlirimin nga pushtimi nazi-fashist, por solli përmbysjen edhe të klasës së bejlerëve e agallarëve, që administronin pjesën më të madhe të pronësisë së vendit, duke shfrytëzuar djersën e popullit. Shumë fshatra të Myzeqesë kanë qenë çifligje të bejlerëve e agallarëve që shfrytëzonin krahun e punës të fshatarëve.
Partia komuniste që udhëhoqi atë luftë çlirimtare e vetme, e meritoi marrjen e pushtetit, pasi partitë e tjera nacionaliste si, Balli Kombëtar dhe Legaliteti, e tradhtuan idealin e luftës dhe u bashkuan me pushtuesit deri në fund dhe ku krerët e tyre kolaboracionistë ikën bashkë me pushtuesit në arrati jashtë vendit. Pas çlirimit, pushteti u takonte atyre që bënë luftën, fitimtarëve, punëtorëve e fshatarëve dhe partia që i udhëhoqi ata në luftë, pas çlirimit nuk u quajt më “Partia Komuniste”, por “Partia e Punës e Shqipërisë” e punëtorëve dhe e fshatarëve. Bile dhe anëtarësimin në parti ajo në përqindjen më të lartë, e kishte nga radhët e punëtorëve dhe fshatarëve dhe më pak nga superstruktura intelektuale.
Shumë vite më pas, kur u mendua se u ndërtua baza sociale dhe ekonomike e shtetit socialist, u kalua gradualisht në mbizotërimin e pronës kolektive dhe venitjen gjithnjë e më tepër të pronës private kapitaliste. Në këto kushte. mbizotërimi i pronës kolektive, pati arritjet e veta, të cilat treguan të vërtetën e asaj që thotë populli se, “Bashkimi bënë fuqinë” dhe ai bashkim qoftë i pronësisë, qoftë dhe i krahëve të punës, bëri që të arriheshin dhe shumë suksese e përparime. Bujqësia veçanërisht, si shtylla kryesore e ekonomisë, arriti përparime, duke u bërë mbështetja e rëndësishme për ekonomin e vendit. Sot, as që mund të mendohet për të arritur ato përparime, qoftë në shfrytëzimin e sistemimin e tokës, qoftë dhe me rendimentet e kulturave e shfrytëzimin e sipërfaqeve bujqësore.
Edhe prona që ishte e përgjithshme kolektive e shtetërore, sot thuhet se është kthyer sërish tek i zoti, por nuk është kthyer plotësisht. Abuzohet shumë me këtë dhe e keqja është se kanë abuzuar vetë pushtetarët, që shumë prej tyre, sot janë bërë milionerë! Si mund të bëhesh milioner me rrogën e shtetit, sado e lartë të jetë ajo?! Ne vërtetë ishim në sferat e larta të atij pushteti që lamë pas, por ne e mbyllëm karrierën tonë vetëm me rrogën që merrnim jo më shumë se dyfishi i pagës mesatare të një punëtori të kualifikuar. Shumë nga ne të sferave më të larta, mbetëm dhe pa shtëpi, se banesave ku strehoheshim u doli pronari. U hodhëm në rrugë pa punë, pa të ardhura, duke u mbështetur vetëm tek fëmijët për strehim dhe me pensionin minimal që marim si gjithë qytetarët.
Sot, një pushtetar i lartë, nuk krahasohet me ne. Ai në këto 30 vjet të demokracisë, është bërë me dy apo tre shtëpi, ku njëra është në bregdet, ka dy-tre makina personale, ka biznesin e tij që i sjell të ardhura të larta, ka dhe fëmijët të shkolluar në universitetet e Europës e Amerikës. Dikush mund të thotë se këto arritje i solli sistemi që po jetojmë. Po, sistemi është për të gjithë popullin, jo vetëm për pushtetarët. Vërehet një diferencë e madhe midis klasës së pasur dhe të varfërve. Dhe kjo klasë e pasur si për çudi, përfshin sërën e politikanëve dhe çudia më e madhe është se përfshin edhe njerëz me të kaluar shumë ordinere, që janë pasuruar në mënyrë të dyshimtë, duke qenë njëkohësisht dhe miq të politikanëve!
Në këtë sistem, vërtetë ka më shumë liri fjale e veprimi, vërtetë të krijon edhe shanse të tregosh aftësitë për t’u pasuruar e për një jetë më të mirë, por jo të abuzosh në kurriz të popullit e të pasurisë kombëtare. Sistemi që lamë pas nuk i lejonte absolutisht këto abuzime, vepronte me dorë të hekurt. Ndaj dhe u bënë gjithë ato vepra të mëdha bujqësore e industriale, që shumë prej tyre janë dhe sot bazë e ekonomisë sonë. Unë i përjetoj me keqardhje këto qëndrime abuzive që vërehen në jetën e përditshme.
***

Kur unë theksova se në opinion flitet që ju i keni kaluar shpejt shkallët e karrierës, nga një vajzë e thjeshtë fshatare, në detyrat e larta si drejtuese politike, deri pranë Enver Hoxhës?!
Ajo buzëqeshi dhe pasi ktheu ngadalë filxhanin e kafes, shtoi më tej:
– Unë në fillimet e jetës sime, kështu kam qenë, një vajzë e thjeshtë fshatare. U rrita në një familje që e kishte lidhur jetën me bujqësinë, me tokën dhe siguronte të ardhurat me punën dhe djersën e ballit. Këtë edukatë mora dhe unë, që vetëm puna dhe djersa të sjellin të ardhura dhe mirëqenie. Në rininë time, kushtet e fshatit nuk ishin këto që janë sot, ishin vitet 50-të, kur vendi sapo kishte dalë nga lufta Nacionalçlirimtare, i djegur e i shkatërruar dhe shoqëria përjetonte nivel të ulët ekonomik e mentalitete të prapambetura. Në këto kushte, shumë familje fshatare në Myzeqe, e përqafuan pa hezitim jetën e re të sapo nisur në atë sistem të ri socialist. Bashkimi i krahëve të punës në kooperativë bujqësore, lindi për herë të parë si iniciativë në fshatin tim në Krutje bashkë me fshatrat për rreth. U krijuan brigadat e para të punës me djem e vajza të reja. Dhe kjo iniciativë nisi të shtrihej jo vetëm në Myzeqe, por në gjithë zonat fushore e kodrinore, më pas dhe në ato malore në shkallë vendi. Ne një grup të rinjsh dhe të rejash në Krutje, nxitëm e gjallëruam dhe lëvizjen kulturore, artistike dhe sportive në fshat, pasi kolektivizimi në punë, na shtynte të bashkoheshim dhe në grupet artistike e sportive.
Unë, bashkë me shumë shoqe të tjera në fshat, ngritëm skuadrën e parë të volejbollit të vajzave në Krutje, që vite më pas bëri emër me rezultatet e arritura deri më sot. Ishin ditë të bukura pune e jete, ku të rinjtë e të rejat i jepnin tonin arritjeve në punë dhe në emancipimin e mëtejshëm të shoqërisë, veçanërisht grave dhe vajzave.
Unë kam patur fatin të isha njëra nga vajzat që u ngarkova dhe me detyra të ndryshme partie e shtetërore në kooperativë, që nga brigadiere, përgjegjëse sektori dhe sekretare e byrosë së partisë në kooperativën e Krutjes. Sigurisht në detyrat që m’u ngarkuan, s’ishte vetëm puna dhe përpjekjet e mia për të arritur suksese, por ishte dhe puna e kuadrove, e specialistëve dhe e gjithë kooperativistëve, që e rreshtuan kooperativën e Krutjes ndër ekonomitë e përparuara të rrethit. Kam punuar në Krutje me shumë kuadro e specialistë, që me punën e tyre bënë emër, ndër ta ishin: Veterineri Viktor Puka, agronomët Dhimitër Papa, Argjir Prifti, Dhimitër Çili dhe disa nga specialistët, që më pas kaluan punonjës shkencorë në Institutin e Kërkimeve Bujqësore të Lushnjës, një Institut Shkencor me emër, i specializuar veçanërisht për grurin dhe pambukun.
Në vitin 1976, u emërova Sekretare e Parë e Partisë në rrethin e Lushnjës. Sigurisht ishte një përgjegjësi e madhe, Lushnja ishte një rreth me peshë në bujqësi e blegtori. Në këtë detyrë u mbështeta dhe me një staf të aftë drejtues partie dhe shtetërore, siç ishin: Kryetari i Komitetit Ekzekutiv, Mark Ndou, sekretarët e Komitetit të Partisë, Jovan Bizhyti, Gjergji Velo, Rudi Monari, drejtues të tjerë të pushtetit në rreth si, Themije Billo (Shtëmbari), Agim Gjermeni, Mynyr Çomo, Filip Boçi, Dodë Doda, Dhimitër Çili, Ilia Pali, Ristan Gorreja dhe shumë kuadro e specialistë të niveli të lartë shkencor, që Lushnja i krijoi ndër vite, të drejtuar shkencërisht dhe nga Instituti Shkencor i Bujqësisë që kishte Lushnja, ku militonin shkencëtarët më të mirë të vendit për bujqësinë.
Pjesa II
Më tej, Lenka Çuko vazhdon të tregojë:
– Lushnja krijoi baza shkencore jo vetëm në brigada dhe sektorë bujqësie e blegtorie, por u shquan dhe disa nga kooperativat bujqësore, që u bënë shkolla të zbatimit të shkencës në organizimin e punës dhe rendimenteve në bujqësi e blegtori si: Krutja, Këmishtaj, Gorreja, Divjaka, Çerma, Bubullima, Fiershegani, NB “29 Nëntori” e tjera. Kryetarja e kooperativës bujqësore e tipit të lartë të Këmishtaj, Themije Thomai, u emërua deri Ministre e Bujqësisë në qeverinë shqiptare, detyrë të cilën e kreu me shumë sukses për mbi një dekadë.
Rrethi i Lushnjes në vitet 70-80 kohë kur unë punova si drejtuese, pati shumë arritje në zbatimin e direktivës së Intensifikimit të lartë të bujqësisë, ku u arritën rendimente rekord, si në grurë 40-45 kv/ha në shkallë rrethi, në misër 70-80 kv/ha, në blegtori mbi 6000-8000 litra qumësht për lopë, kështu dhe në perime, frutikulturë e tjera. Gjatë një dekade të punës sime në Lushnje, rrethi u nderua me shumë stimuj nderi për rritjen e rendimenteve dhe realizimin e lartë të detyrave. Sigurisht këto arritje ishin një shtysë për emërimin tim në detyra më të larta. Më kujtohet kur u emërova Sekretare e Parë e Partisë në rreth, kur shkova në mbledhjen e Plenumit të KQ në Tiranë, Enver Hoxha më uroi për detyrën dhe më tha:
-Lenka, mos i dëgjo shumë ata me mustaqe të gjata deri tek veshi, por mbështetu tek djemtë e vajzat e shkolluar dhe tek specialistët. Dhe mos i hiq çizmet e punës nga makina kur të shkosh në fshat, se ajo baltë dhe ata fshatarë të sollën në atë karrige që je sot. Suksese!”
Unë e mbajta parasysh atë porosi. Motua e punës sime në gjithë ato vite, ishte lidhja e ngushtë me popullin si në fshat dhe në qytet, po ashtu dhe mbështetja tek specialistët për zbatimin e të rejave të shkencës në bujqësi, për të justifikuar atë që thuhej shpesh: “Myzeqeja, hambar i Shqipërisë”.
***
Në takimet me Lenka Çukon, midis të tjerave, biseda kalon dhe në problemet politike, në kritikat dhe mohimet e arritjeve dhe sukseseve që përjetoi populli dhe vendi ynë në sistemin që lamë pas. Ajo shpesh ndërhyn, duke sqaruar shumë gjera, deri dhe për akuzat ndaj drejtuesve të lartë të partisë e të shtetit, ku sigurisht përfshihet dhe figura e saj. Midis të tjerave ajo thekson:
-Dihet tashmë, që ai sistem i quajtur komunist, u godit në shkallë botërore dhe Shqipëria si vendi më i fundit që pësoi këto ndryshime, nuk mund t’i shpëtonte kësaj përmbysjeje dhe kritikave e mohimit të shumë arritjeve që u realizuan në ato dekada. Edhe ne drejtuesit e lartë të partisë e të shtetit, mbajmë mbi shpatulla përgjegjësitë tona, duke qenë pjesë e kritikave e përgojimeve, që në shumë raste na paraqesin dhe si njerëz të paditur e të prapambetur! Edhe sot dëgjojmë lloj-lloj akuzash e paranojash për drejtuesit kryesorë të shtetit të sotëm demokratik, që kur miqësohen e bëjnë aleanca, thonë se, “ishin akuza politike të pavërteta”. Kështu dhe kritikat ndaj nesh pas viteve ‘90-të, në shumë raste edhe ne i quajmë “Kritika politike”. Këto përfolje, i mbart urrejtja që shprehin një pjesë e opinionit për atë shoqëri që lamë pas dhe sigurisht edhe ne drejtuesit e lartë të asaj nomenklature na bëjnë fajtorë, që e lamë vendin tonë Shqipërinë të “prapambetur”, në një kohë që dihen realisht arritjet e Shqipërisë në ato dekada.

A mund të mohohen fabrikat dhe uzinat që punësuan popullin dhe zhvilluan ekonominë e vendit anembanë Shqipërisë, hidrocentralet gjigante që na ndriçojnë edhe sot, arsimi i ulët, i mesëm dhe i lartë, me shkolla të ngritura në çdo cep të vendit, shëndetësia falas dhe qendrat shëndetësore të ngritura deri në skutat më të largëta të veriut e të jugut, minierat dhe nafta shqiptare, bujqësia në një shkallë të lartë intensifikimi. Jo më pak dhe ushtria, që arriti nivele të larta në mbrojtje të territoreve dhe hapësirave shqiptare me të gjitha llojet e armëve, me këmbësori e artileri të nivelit të lartë, me flotë detare moderne dhe aviacion që mbronte gjithçka në hapësirën ajrore shqiptare, e tjera. Këto arritje në ato dekada, i bëri fuqia dhe djersa e këtij populli, ku dhe politika e njerëzit që e drejtonin, patën rolin e tyre mobilizues e drejtues. Mund të bënim më shumë? Sigurisht, kjo është përgjegjësia e politikës dhe e shtetit të asaj kohe.
Në shoqërinë tonë në gjithë ato vite, një rol të rëndësishëm ka lozur dhe masa e grave dhe vajzave, nga nivelet e ulëta të shoqërisë, deri në sferat më të larta të partisë e të shtetit. Në ato kohë gruaja mbështetej si një forcë e madhe aktive e shoqërisë. Në Myzeqe, por dhe në shumë rrethe të vendit, shumë brigada e sektorë bujqësie e blegtorie, drejtoheshin nga vajza e gra, që shquheshin në arritjet e punës së tyre. Disa ekonomi bujqësore e ndërmarrje industriale, drejtoheshin nga gra e vajza.
Sigurisht edhe unë isha njëra prej tyre, që i kam ngjitur shkallët e karrierës njëra pas tjetrës, nga brigadiere, drejtuese sektori, drejtuese në një nga ekonomitë bujqësore të shquara siç ishte Krutja në Myzeqe, sekretare e komitetit të partisë të rrethit të Lushnjës, deri dhe anëtare e Plenumit të KQ të Partisë. Pas gjithë këtyre hallkave drejtuese, mbështetur dhe në shkollimin tim, një ditë partia dhe pushteti në Lushnjë, më besuan detyrën e lartë të Sekretares së Parë të Partisë në rreth. Dhe këtë detyrë, unë u përpoqa së bashku dhe me gjithë kuadrot e specialistët shokë e shoqe që kisha në krahë, duke e justifikuar me punë e me përkushtim të palodhur.
Nuk kam qenë mjelëse, siç më thuhet në ndonjë rast, megjithëse ajo është një punë e nderuar, por e pranoj që kam qenë një bujkeshë e nderuar, që bashkë me shumë shoqe të mia ecëm shkallë-shkallë, duke rritur aftësitë në drejtimin e organizimin e punës, pa u ndarë dhe nga rritja e dijeve në shkollë.
Byroja Politike në vitet e para të pas çlirimit, e ka patur një shoqe në këtë forum të lartë drejtues, një grua që vinte nga radhët e luftës Nacionalçlirimtare dhe ajo e justifikonte përfaqësimin e gruas në atë forum të lartë, pavarësisht pasojave që lindën më pas. Në vitet 70-80-të më takoi mua fati e shansi të përfaqësoja gratë në atë forum të lartë. Sigurisht, nuk them se unë isha më e mira e të gjitha grave, por ja që unë u zgjodha njëra prej tyre dhe sa isha në atë detyrë, u mundova ta justifikoja me punë, përkushtim, me sjelljen dhe figurën time të pastër deri në fund, pa devijuar dhe pa shkelur normat e ligjet e shoqërisë dhe të shtetit tonë socialist.
***
Enver Hoxhën e kam parë për herë të parë në vitin 1946, kur ai erdhi për vizitë në Krutje. Unë atëherë isha shumë e vogël, nxënëse shkolle. Mbaj mend se ne e lamë shkollën atë ditë, edhe fshatarët e lanë punën për të pritur udhëheqësin, që vinte për herë të parë në Krutje. Ne sapo ishim bërë kooperativë e vogël në fillim, pastaj u bashkuam dhe me fshatrat e tjerë. Enveri na përgëzoi dhe na uroi për arritje të tjera. Dhe kooperativa e jonë u rrit e u forcua ekonomikisht, u bë një ekonomi që qëndronte në ballë të ekonomive të rrethit.
Enveri erdhi sërish në Lushnjë dhe në Krutje edhe në vitin 1966. Unë atëherë isha martuar dhe ai bëri një vizitë në familjen tonë të burrit. Unë isha brigadiere dhe aktivizohesha dhe me skuadrën e volejbollit të vajzave të Krutjes. Ai më takoi dhe më përgëzoi.
-Ju rinia do ta çoni përpara kooperativën dhe do emanciponi gratë dhe vajzat në Myzeqe,- më tha.
Dhe prej asaj kohe, Enverin e shihja veç në tribuna dhe në kongrese, duke e duartrokitur për sukseset që kish arritur vendi i ynë. Në një kongres partie, isha delegate e Lushnjës dhe Rrapi Gjermeni, ish sekretar i parë i rrethit, krijoi një mundësi takimi të shokut Enver me delegatët e Lushnjës.
-E mbani mend këtë vajzën nga Krutja, që e takuat në familjen që vizituat?- i tha Rrapi. Ai pasi u mendua pak reagoi:
-Po Lenka, brigadierja dhe sportistja e dalluar. Dhe më përqafoi.
Kjo ishte njohja me Enverin, pastaj jam njohur më nga afër shumë vite më vonë, kur u zgjodha si anëtare e Plenumit të KQ të Partisë. Shkallët e jetës i kam ngjitur vet, pa u ndikuar nga takimet spontane me Enver Hoxhën.
Në vitet 70-80-të rrethi i Lushnjës pati një sërë arritjesh që për mua qenë vlerësime për të kaluar në detyra më të larta, deri Sekretare e KQ të Partisë. Sigurisht, Lushnja ishte pikënisja ime, rrethi im ku linda, u rrita dhe u formova dhe si kuadër drejtuese. Unë në Lushnjë jo vetëm punova me përkushtim, por krijova dhe njohje e shoqëri me punëtorë, fshatarë, me shumë kuadro e specialistë, me shumë vajza e gra që u bëja dhe vizita në familje. Unë jetova në Lushnjë në një apartament shtetëror si gjithë populli në një hyrje tre dhoma dhe një kuzhinë se isha me 4 fëmijë. Edhe punët e detyrat në familje i përballoja vet, si të gjitha gratë e shoqet e mija familjare. Hyja e dilja me komshijet në pallat pa asnjë droje e distancë.
E gjithë familja ime, bashkëshorti dhe fëmijët, kemi jetuar në Lushnjë si të gjithë njerëzit e thjeshtë, pa u dalluar si kuadër të udhëheqjes së lartë të partisë e të shtetit. Në Tiranë vërehej hapur dallimi midis bllokut të udhëheqjes dhe pjesës tjetër të qytetarëve, apo dhe midis udhëheqësve të lartë, disa prej të cilëve jetonin dhe nëpër vila të veçanta, sigurisht me qera. Edhe Lushnja kishte vila, ku kanë jetuar më parë Sekretarët e Parë. Unë kam preferuar të jetoja në një apartament në pallat bashkë me të gjithë qytetarët e tjerë. Edhe kur erdha në Tiranë në detyrën e Sekretares së KQ të Partisë, unë nuk pranova të jetoja në bllok, nuk përshtatesha dot me atë jetë të mbyllur, isha mësuar të jetoja thjeshtë midis njerëzve, kisha dhe shumë vizita, hyrje e dalje jo vetëm të njerëzve të mi, por dhe shumë shokë e shoqe, miqësinë me të cilët e ruaj edhe sot.
Rezultatet e punës në Lushnjë, u bënë shtysë për ngritjen time në shkallët e karrierës, të cilat nuk erdhën as si anonime ashtu pa pritur, as dhe me miqësi të sëmura. Unë i kam kaluar të gjitha shkallët e karrierës dhe kur arrita në Byronë Politike dhe Sekretare e KQ, isha e njohur si njeri publik politik dhe isha e sprovuar në shumë detyra e përgjegjësi nga baza në rreth dhe deri në sferat e larta të KQ të Partisë. Dhe për të gjitha këto unë jam krenare, se kam punuar me nder, me pastërti morale, e kam ndërtuar jetën dhe ekonominë e familjes vetëm me të ardhurat e rrogës sime dhe të bashkëshortit, që ishte një ekonomist i thjeshtë. Nuk kam përfituar asgjë të padrejtë e korruptive nga shteti e djersa e popullit, përveç rrogës. Mbas ndryshimit të sistemit, unë jo vetëm dola e papunë si shumë qytetarë të vendit, por mbeta dhe pa shtëpi dhe sot jetoj në një apartament të vogël të fëmijëve dhe me një pension minimal si të gjithë qytetarët e Shqipërisë.
Kjo është e vërteta e jetës së Lenka Çukos, asaj vajzës e gruas së thjeshtë myzeqare, që arriti deri në sferat e larta të shtetit socialist të udhëhequr nga Enver Hoxha në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar.

***
Pastaj biseda kaloi për politikën e sotme dhe rrolin e politikanëve. Ajo vazhdon sqarimin më tej:
– Sot për politikën dhe politikanët që na drejtojnë, e kam vështirë të gjykoj, sepse sot opinioni është i ndarë sipas bindjeve politike dhe përkatësive partiake. Dikush pëlqen figurat e njërës parti dhe dikush tjetrës. Por në përgjithësi unë mendoj se politikanët e sotëm të çdo partie qofshin, nuk ecin në një korsi rruge me popullin. Ata ecin në korsinë e shpejtësisë, se duan të kapin kohën e mandatit në pushtet, që ikën shpejt, jo vetëm karriera me beneficet e saj të veçanta, por humbasin dhe shansin për të përfituar sa më shumë të jetë e mundur, qoftë edhe në rrugë korruptive. Mentaliteti i tyre nuk është si t’i shërbejnë sa më mirë popullit, por si të pasurohen për vete dhe si t’i shërbejnë klasës së pasur të borgjezisë oligarkike. E thonë dhe vetë në akuzat që bëjnë ndaj njeri-tjetrit.
Më pëlqen veprimi i Kryeministrit Rama, pas këtyre zgjedhjeve të fundit parlamentare, që ndërtoi një qeveri ku gratë kanë numrin më të madh të ministrive që drejtojnë. Shoqëria duhet të ketë më shumë besim tek gratë e vajzat, aq më tepër që ato sot janë të arsimuara në universitete prestigjioze brenda e jashtë vendit. Unë nuk dua të bëj nihilistin, për të mohuar arritjet në këto 30 vjet të ndryshimeve demokratike, por 30 vjet nuk janë pak për të parë modelet e një industrie prodhuese me fabrika dhe uzina, siç i kishim ato kohë, apo një bujqësi më intensive dhe më prodhuese për plotësimin e nevojave të popullit e të tregut social, ku në shumë raste mbizotëron importi i frutave, perimeve dhe drithërave të bukës nga vendet fqinje. Populli pret më shumë, bujqësia shqiptare ka kapacitete të larta prodhuese.
***
Ndërsa për dy udhëheqësit kryesorë që ka patur Shqipëria, Enver Hoxhën dhe Ramiz Alinë, që kanë drejtuar vendin jo pak, por rreth gjysmë shekulli, unë mendoj se ata kanë qenë udhëheqësit tanë, dhe ne i kemi respektuar dhe i respektojmë edhe sot që nuk jetojnë, duke ruajtur dhe respektin për partinë tonë të punës, që udhëhoqi luftën dhe ndërtimin e jetës socialiste në Shqipëri.
Enveri ishte burrë i madh shteti, një udhëheqës që rrallë lindin në popuj njerëz të tillë. Pas Skënderbeut, që i rezistoi 25 vjet hordhive turke dhe Ismail Qemalit, që shpalli pavarësinë e Shqipërisë në ato kushte të egra sundimi në 28 nëntor 1912 në Vlorën heroike, populli shqiptar në fillimet e shekullit XX lindi Enver Hoxhën, që e udhëhoqi popullin në kushte lufte e pushtimi nazi-fashist dhe ky udhëheqës suprem i luftës, e drejtoi me sukses dhe pas çlirimit për mbi 40 vjet, duke i ndryshuar faqen Shqipërisë. Sigurisht, në këtë rrugëtim kaq të gjatë, me presione, bllokada e kërcënime, Shqipëria edhe e vetme në ato kushte, ia doli të ekzistonte, të rritej e të ndërtohej me bujqësi e industri të zhvilluar, ku shumë vepra të asaj kohe, që i kanë rezistuar shkatërrimeve, i shërbejnë edhe sot ekonomisë së vendit.
Po të kishte jetuar edhe disa vite Enver Hoxha, kthesa e Shqipërisë do ishte më e sigurt dhe më demokratike. Këto kthesa drejt perëndimit, u dukën që në kohën e Enver Hoxhës. Ai u shkëput me kohë si nga BS dhe nga Kina dhe dihej që Shqipëria gradualisht do afrohej nga Europa Perëndimore. Hapjet e para u dukën që kur ishte gjallë Enveri, me hapjen e pikës kufitare të Kakavijës dhe vizitat e Ministrit të Jashtëm grek, Papuliasit, vizita e Kancelarit të Bavarisë gjermane, Shtrausit në Shqipëri, hapja me botën europiane nëpërmjet vizitave të personaliteteve të ndryshëm, vizitat në Shqipëri të arbëreshëve dhe personaliteteve tona në trevat arbëreshe të Italisë, vajtje-ardhjet me Kosovën dhe ligjërimet e profesorëve tanë e ata kosovarë në universitetet tona e anasjelltas e tjera. Edhe shumë specialistë të fushave të ndryshme, vizituan disa nga vendet perëndimore për teknologji, raca e lopëve laramane nga Hollanda e tjera. Enveri kish porositur vazhdimisht, që dhe punonjësit e aparatit të KQ, të marrin pjesë në mbledhjet e organizatave të partisë të ambasadave tona në vendet perëndimore, sigurisht atje u jepet mundësia të shohin dhe zhvillimet e botës perëndimore. Dhe ne e zbatuam këtë porosi. Ai edhe Byronë Politike nisi ta rifreskonte me kuadro të rinj për atë kohë. Unë kur u zgjodha në Byronë Politike isha rreth 40-45 vjeçe, po kështu erdhi dhe Muho Asllani nga Shkodra, Vangjel Çërrava nga Korça, Besnik Bekteshi, inxhinieri i hidrocentraleve të veriut, Inxhinieri Llambi Gegprifti nga Pogradeci, më pas dhe Xhelil Gjoni e Spiro Dede nga Tirana, pra të gjithë në mosha të reja.
Sa ishte gjallë Enveri, u ndërpre dhe direktiva e tufëzimit të bagëtive, kryesisht për zonat e vështira malore. Ai e mori informacionin se kjo direktivë nuk e dha rezultatin e duhur, përkundrazi, në zona të veçanta, e rëndoi situatën ndaj dhe e ndërpreu. Pra, Enveri i filloi reformat e hapjes dhe liberalizmit në Shqipëri sa qe gjallë në fillimet e viteve 80-të.
Sigurisht, sëmundja bëri të vetën dhe drejtimi i vendit kaloi pothuaj në dorë të Ramiz Alisë. Ramizi, nuk mund të themi se s’kishte përvojë dhe niveli intelektual nuk i mungonte, por ai donte të tregohej më i shtrënguar sa ishte gjallë Enveri, për t’i treguar se do vazhdonte të ishte besnik në rrugën e tij. Kjo u duk më hapur dhe pas vdekjes së Enverit, ku ai në vend ta zbuste disi kultin e Enverit, e rriti më shumë, duke u vënë emrin e Enverit, “Portit të Durrësit”, “Universitetit të Tiranës”, disa kombinateve dhe fabrikave, deri dhe “Pionierët e Enverit” e tjera.
Pra, Ramizi bëri disa gabime, që e rënduan më shumë situatën. Në dy vitet e fundit disa nga ne të udhëheqjes lëvizëm, unë shkova sekretare e parë në Fier, Themie Thomai, një nga ministrat me të suksesshëm, u dërgua në Lushnjë sekretare e parë, Muho Asllani u dërgua në Durrës sekretar i parë dhe më pas u shkarkua dhe vajti drejtor i fermës së Sukthit. Më pas lëvizi në Korçë dhe Vangjel Çërrava e tjerë. Në udhëheqje mbetën vetëm moshat e vjetra mbi 70 vjeçarë. Dhe Ramizi nisi lojën me opozitën, herë lëshonte dhe herë e shtrëngonte situatën. U tremb shumë dhe nga ngjarjet në Rumani dhe vuri në krye të opozitës dhe të partisë socialiste njerëz të besuar të tij, si Sali Berishën dhe Fatos Nanon. Pasi vuri përpara të gjithë shokët e tij të udhëheqjes në burg, sa mori pushtetin Saliu, e solli dhe Ramizin midis nesh.
Kjo ishte situata që u krijua pas vdekjes së Enverit dhe Shqipëria u fut në një krizë të thellë, që propaganda e perëndimit e shfrytëzoi dhe gradualisht erdhi përmbysja e atij regjimi. Është pozitive, që këto ndryshime erdhën pa shumë dhimbje, pa gjakderdhje dhe kjo është meritë e gjithë popullit tonë, është meritë dhe e klasës së të persekutuarëve, që nuk shfaqën shenja hakmarrjeje, por sigurisht ka meritë dhe opozita dhe qëndrimi i Ramiz Alisë, që me oportunizmin e tij “tërhiq e mos e këput”, i kaloi disi më butë ato situata.
FUND
