Dori Xhima
Ish-drejtuesja e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hyseni, është vetëdorëzuar mbrëmjen e djeshme te autoritetet shqiptare në pikën kalimtare kufitare të Morinës, pasi ndaj saj është caktuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Hyseni ndodhet nën hetim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nën akuzën për nxjerrje të sekretit shtetëror.
Masa e sigurisë konsiderohet e ekzekutuar në momentin e paraqitjes së saj në pikën kufitare.
Pas kësaj, ajo do të shoqërohet drejt Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, ku pritet të kryhen veprimet vijuese, përfshirë edhe kontrollin e banesës së saj pranë zonës së stadiumit “Arena”, ish-“Qemal Stafa”. Në ditët në vijim, ish-drejtuesja e SHISH do të merret në pyetje nga prokurorët e SPAK-ut.
Rrethanat e largimit dhe itinerari i udhëtimit
Sipas raportimeve të gazetarëve dhe konfirmimeve nga strukturat e policisë, Hyseni ndodhej jashtë Shqipërisë prej disa ditësh. Hetimet e policisë kishin çuar efektivët për verifikim në banesën e saj në Tiranë, por ajo nuk u gjet aty.
Detaje mbi udhëtimin e saj bëjnë me dije se Hyseni kishte udhëtuar drejt Bakuut në Azerbajxhan, ku ka marrë pjesë në një takim zyrtar të krerëve të shërbimeve sekrete të disa vendeve. Nisja e saj nga Baku ishte parashikuar më 22 shtator, me mbërritje të planifikuar në Tiranë rreth orës 00:30 të mesnatës.
Më pas, ajo ka hyrë në territorin e Kosovës, ku ka qëndruar gjatë ditës. Lidhur me kalimin e saj nga Azerbajxhani në rajon, dyshohet të jenë shfrytëzuar linja ajrore të ndërmjetme përmes aerorporteve evropiane si ai i Vjenës, për shkak të mungesës së fluturimeve direkte mes Bakuut dhe Prishtinës.
Roli i autoriteteve të Kosovës
Sa i përket pretendimeve fillestare për përfshirjen e policisë kosovare, burime zyrtare dhe raportime nga Prishtina sqarojnë se autoritetet e Kosovës nuk kanë kryer asnjë veprim ndalimi apo arrestimi. Për sa kohë Hyseni ndodhej brenda territorit të Kosovës, nuk ka pasur ndonjë urdhërarrest apo fletëkërkim ndërkombëtar nga ana e autoriteteve shqiptare dërguar palës kosovare.
Dorëzimi i saj ka qenë tërësisht vullnetar në anën shqiptare të kufirit në Morinë (Vërmicë), ku ajo ka kaluar drejtpërdrejt në dorëzimin e policisë së Shqipërisë.
DITA
