Nga Johana Lubonja
Në nderim të 30 tetorit, ditëlindjes së shkrimtarit dhe studiuesit të shquar, të ndjerit Nasho Jorgaqi, vajza e tij, Kristina, na sjell përmes këtyre radhëve një dritare të ngrohtë dhe të mallëngjyeshme nga kujtimet e pabotuara të tij, me titull “Jeta ime siç e kujtoj”. Në këtë fragment, ne zhytemi në atmosferën e Fierit të viteve të Luftës, një kohë e turbullt ku njerëzillëku, integriteti dhe miqësitë e vërteta viheshin në provë çdo ditë. Përmes syve të vogëlushit të atëhershëm dhe kujtesës së kristaltë të të atit, teksti na zbulon portrete njerëzish që shkonin përtej ngjyrimeve politike: patriotë, intelektualë, gjyqtarë, tregtarë e deri te bejlerët e fuqishëm të Myzeqesë. Shtëpia e gjykatësit ishte kthyer në një lloj “avokatie të popullit”, ku hallet e qytetarëve dëgjoheshin me shpirt, dhe ku parimet e ndershmërisë dhe të karakterit mbeteshin thesari më i çmuar i familjes. Një rrëfim që ruan gjallë erën e kohës, shpirtin qytetar dhe dashurinë për të vërtetën. Ju ftojmë ta lexoni:

“….Babai vijonte në detyrën e kryetarit të gjykatës të nënprefekturës së Fierit. Qeveritë kuislinge shkonin e vinin, por ai dhe disa nga kolegët e tij vazhdonin punën duke u marrë me cështje të zakonshme civile dhe penale. Babai, siç dëgjoja, gëzonte emrin e njeriut të ligjit. Si të tillë e njihnin autoritetet zyrtare të Tiranës, po dhe qarqet politike, sidomos ata të Ballit Kombëtar, disa prej anëtarëve të të cilit i kish patur kolegë.
Në kushtet e luftës, për interesat e larta të atdheut, pati shumë njerëz si im atë që, pavarësisht funksionit zyrtar, u aktivizuan në fshehtësi në veprimtari kundër pushtuesit. Ishte kjo arsyeja që ai u zgjodh, sic e kam përmendur, anëtar i Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar të Fierit nga konferenca ilegale e qytetit.
Në sytë e mi babai ishte, ndër të tjera, edhe njeriu me njohje, lidhje dhe miqësi të shumta. Ndër miqtë e tij asokohe qe Kryetari i Bashkisë së Fierit Arshi Shehu nga Tepelena, një patriot i vjetër, burrë me shumë personalitet, i mençur e që gëzonte simpati në popull. Të gjithë djemtë i kish partizanë, madje kuadro drejtues. Përveç miqësisë së babait, ne kishim dhe hyrje-dalje familjare, gjatë të cilave unë bëhesha dëshmitar i bisedave të tyre politike. Edhe pse në pozita të dyfishta, ata i shërbenin kauzës së çlirimit të vendit.
Një mik tjetër i vërtetë i babait në këtë kohë ishte dhe nënprefekti Zef Pepa, një burrë me karakter dhe trim nga Mirdita. Qëndrimi i tij dëshmohej në raportet, që i dërgonte Ministrisë së Brendshme për situatën politike të nënprefekturës së Fierit, ku shkruante se në qytet e në krahina mbizotëronte “nacionalçlirimtarja” dhe se forcat e saj luftonin fort kundër gjermanëve. Disa nga këto raporte pata rastin t’i lexoja më vonë në Arkivin e Shtetit.
Në rrethin e tim eti bënte pjesë dhe kryesekretari i gjykatës, Nihat Lekdushi, nga Kurveleshi, një burrë trupvogël, por i zgjuar e tepër energjik. Në dukje marrëdhëniet mes tyre ishin zyrtare, por në të vërtetë nuk qenë vetëm të tilla. Nihati ishte komunist dhe kryente detyra, që ia ngarkonte celula e partisë, për të cilat herë pas here kërkonte dhe ndihmën e babait. Pas çlirimit ai e mbështeti babain duke dëshmuar aktivizimin e tij gjatë kohës së Luftës.

Mes miqve të babait ishte dhe Zoi Xoxa, avokat e publicist i njohur, me një të kaluar zogiste, por që gjatë Luftës u tërhoq nga jeta politike. Ishte njeri me kulturë, polyglot, autor i disa veprave letrare e juridike. Nuk shihej me sy të mirë nga autoritetet fashiste, cka coi në arrestimin dhe internimin e tij në kampin e Porto Romanos. Atje shkroi librin me kujtime “Nga Tirana në Porto Romano”. Kur u lirua, u vendos në Fier dhe aty do ta mbanin gjallë miqësinë përmes bisedave e librave, prej nga do të përfitoja edhe unë.

Një intelektual tjetër myzeqar, me të cilin babai kishte miqësi dhe ruante shumë respekt, ishte dr. Jakov Milaj, që kish studiuar për veterinari në Itali. Ai kish qenë pjesëmarrës në kryengritjen antizogiste të Fierit, kurse gjatë pushtimit fashist kish mbajtur për disa muaj funksionin e Ministrit të Bujqësisë. Pasi e la këtë detyrë, iu kushtua punës shkencore. Fryt i saj ishte botimi i studimit “Raca shqiptare”, që shënoi një gur themeli në fushën e antropologjisë sonë. Kur erdhi kjo vepër në qytetin tonë, babai e bleu dhe unë mora ta lexoja. Sigurisht që nuk kuptova gjë, por u emocionova për faktin se e kishte shkruar një mik i babait. Pas Çlirimit ai u dënua nga gjyqi special me një burgim të lehtë dhe, kur u lirua, u rikthye sërish në Fier, ku punoi si veteriner, koleg me tim vëlla, Aleksandrin. Në vitet e fundit të jetës së tij, kur shkoja në Fier, e takoja dhe bisedoja, duke përfituar nga kultura e tij dhe kujtimet që ruante nga miqësia me Migjenin.

Dr. Kallogjeri, fierak, mjek shumë i talentuar në disa fusha të mjekësisë, që jetonte e punonte mes Fierit dhe Bukureshtit, ishte një tjetër mik i babait. Me familjen e tij kishim edhe krushqi. Ai ishte, gjithashtu, mik i ngushtë i dajës sim, Mihalit, me të cilin qenë lidhur në Bukuresht gjatë kohës së studimeve dhe që të dy qenë martuar me gra rumune. Ai kish ndërtuar një shtëpi të madhe në lagjen “Pasha”, përpara së cilës qëndronte vazhdimisht një varg i gjatë pacientësh, që prisnin të vizitoheshin prej tij. Dr. Kallogjeri ishte hijerëndë, tepër serioz dhe i përkushtuar në profesionin e tij. Ai qe mbështetja kryesore për shëndetin e gjithë familjes sonë.
Në rrethin e miqve të babait bënin pjesë dhe dy oficerë me emër e autoritet. Njeri prej tyre ishte kapiten Vas Kiri nga Dukagjini, që kish qenë udhëheqës i një kryengritjeje antizogiste. Pas shumë peripecive politike, ishte vendosur në Fier dhe jetonte në një lagje me ne. Kapiten Kiri njihej si njeri trim dhe që i thoshte hapur mendimet e tij. Oficeri tjetër qe major Idriz Ruka, njeri i rreptë, por shumë i zgjuar e i kulturuar. Nacionalist në bindje dhe qendrime, ai u burgos pas Çlirimit. Në burg kishte hartuar, sic thonin, një fjalor voluminoz anglisht-shqip. Më vonë, pasi doli nga burgu, ai bënte një jetë të izoluar. Mbaj mend që çdo mbrëmje shëtiste i vetëm e me hap të rëndë nëpër rrugët e qytetit.
Miqësitë e babait ishin edhe nga rrethi i bejlerëve të Fierit. Një nga ata qe dhe Bahri bej Resuli. Një burrë me karakter, që nuk spekullonte me titullin bej dhe me faktin që Zogun e kish kushuri të parë. Ishte modest, zemërmirë, hokatar i madh, sa unë i prisja me shumë gëzim takimet e babait me të. Qe invalid nga një këmbë dhe mbante bastun. Pas Çlirimit, kur binte fjala për reformën agrare, që ia kish marrë të gjitha tokat, thoshte se fjalët e ligjit të tokës “Toka i takon atij që e punon”, duheshin skalitur. Dhe po vetë shtonte menjëherë: “S’kam si të punoj, kur jam sakat-bej”, dhe i binte me dorë këmbës së majtë prej druri e shpërthente në gaz me atë zërin e tij kumbonjës.

Detyra si gjykatës e kish bërë babain të njihej nga afër e të kish kontakte dhe me bejlerët Vrionas të Fierit. Ata ishin disa, por derën e tyre e përfaqësonin, në radhë të parë, Sami bej Vrioni dhe Qemal bej Vrioni. I pari ishte më i pasuri i tyre dhe me emër në ngjarjet historike e politike të tre dekadave të para të shekullit XX. Kishte kryer studime universitare dhe ishte sa inteligjent aq edhe djallëzor. Qe natyrë e mbyllur dhe hijerëndë. Rrallë dilte në vende publike dhe njerëzit i priste në shtëpi. Ishte martuar me një nga bijat e Esat Pashë Toptanit, por, pasi ajo kishte vdekur, ishte martuar me motrën e saj. Sarajet e tij, rrethuar me mure të larta, zotëronin në qytet mbi të gjitha ndërtimet. Zakonisht autoritetet lokale do të paraqiteshin tek ai para se të fillonin nga detyra. Kështu ndodhi dhe me babain. Vizitat tek ai qenë vizita kortezie ose kur e ftonte për t’u këshilluar për punët e tij. Babai nuk i kish me qejf takimet me të, por detyra ia diktonte që formalisht ta respektonte. Qe njeriu më i fuqishëm i Myzeqesë, madje dhe më tej.
Sami beu kishte vetëm një djalë, që mbante emrin e gjyshit, Omer. Për edukimin e tij i ati kish sjellë disa guvernante të huaja, sidomos franceze. Ai kish pak a shumë moshën time, por, duke bërë jetë të mbyllur brenda sarajeve te veta, nuk kish shoqëri. Vetëm pas Çlirimit, pasi i vdiq i ati, ai hyri dalëngadalë në shoqërinë e moshës së tij, dhe shkak për këtë u bë futbolli. Ai u bë një futbollist i talentuar dhe fitoi admirimin e ne të rinjve.
Nuk mbaj mend se si u njoha me Omerin, por im vëlla, Kujtimi, qe i pari nga ne vëllezërit që u shoqërua me të. Më vonë atë e larguan nga skuadra përfaqësuese e qytetit dhe ai u zhvendos në Kavajë te njerëzit e nënës. Rrallë e rastësisht e takoja kur isha student e ai vinte në Tiranë, por e takoja me shumë kënaqësi. Ishte djalë shumë i mirë, i zgjuar dhe tepër modest, i matur, i sinqertë, i dashur, pavarësisht se si ishte rritur. Nuk fliste kurrë për politikë. Temat e bisedave të tij qenë për futbollin dhe filmat. Në atë kohë jetonte në Shijak, ku punonte herë si murator, herë si karpentier për të përballuar jetën. I kishin dhënë një dhomë të vogël, ku jetonte vetëm me nënën. Një periudhë kohe ndenjëm gjatë pa u takuar, veç kur një ditë u ndeshëm rastësisht në sheshin Skënderbej. U gëzova sinqerisht kur e takova, por më bëri përshtypje pamja e tij. Ishte dobësuar dhe nuk qeshte e bënte shaka siç e kish zakon. Pasi u ulëm në një lokal, më tregoi se i kishte vdekur nëna. Me sytë e përlotur me tregoi se kishte qenë një vdekje e tmerrshme.
Omeri punonte diku larg si murator dhe teksa po kthehej pas dy javësh në shtëpi, duke u afruar, ndjeu një kutërbim të rëndë. Sikur e parandjeu se ç’mund të kishte ndodhur. Sapo kishte hapur derën, gati sa nuk i ishte zënë fryma. Kufoma e nënës, e rrëzuar përdhe dhe e shfytyruar, kish zënë krimba. Falë ndihmës së dy njerëzve të deklasuar, kish gjetur një arkivol dhe bashkë me ta e kishin varrosur. Më tregoi se që atë ditë e deri në momentin që po flisnim, nuk i ndaheshin nga koka lloj-lloj pyetjesh. “Kaq gjynahe të mëdha kishin bërë bejlerët e fisit të tij sa të ndëshkoheshin edhe me llojin e vdekjes?!”, ishte thelbi i mendimeve të pafundme të Omerit. U preka tmerrsisht nga ngjarja, por dhe nga sinqeriteti i tij. Kujtoj se, përvec se e ngushëllova me shpirt i urova fat, pasi e njihja dhe e çmoja për mirësinë dhe shpirtin human që kishte.
Pas viteve 90 Omeri iku në Itali dhe u vendos në Agrigento në Siçili, ku u martua me një italiane. Do të vinte herë pas here në Shqipëri vetëm për pronat. Me atë natyrën e tij të butë e fisnike, ashtu i padjallëzuar sic ishte, ai u gjend në xhunglën e frikshme të viteve ’90, duke u bërë viktimë e sekserëve mafiozë, që e mashtruan dhe i përvetësuan shumë nga pronat. Vuajti dhe u përpoq për vite me radhë, po, kudo ku trokiti, e përcillnin me fjalë e premtime boshe dhe si përfundim përfitoi fare pak gjë. Im vëlla, Kujtimi, si shokë të vjetër që kishin qenë, u mundua ta ndihmonte duke i treguar lojën që luhej me të, por Omeri i gjorë s’kish as besim e as fuqi që t’i zgjidhte problemet. I lodhur dhe i zhgënjyer thellë u kthye nga kish ardhur, ku dhe vdiq pas pak kohe. I ruaj ende disa prej kartolinave të tij, që m’i dërgonte nga Sicilia çdo vit të ri me urime të ngrohta.

Beu më aktiv në politikën e Fierit ishte Qemal bej Vrioni. Ndryshe nga të tjerët, sarajet e tij qenë qendra, ku bëhej politika e madhe në qytetin tonë. Qemal beu ishte politikan i zgjuar, me njohje të vjetra dhe lidhje të shumta, djallëzor, njeri i prapaskenave dhe shumë konservator, gjithnjë në mbrojtje të klasës së tij. Në sarajet e Qemal beut hynin e dilnin politikanë të kohës për t’u këshilluar dhe informuar. Ai ishte i pamartuar dhe bënte një jetë të veçuar. Gjatë Luftës, tok me pushtuesit, ai organizoi çetën e Isa Toskës, që i solli fatkeqësi popullit të Fierit, Beratit, Lushnjes e fshatrave. Babai i rrinte larg Qemal beut. Përveç vizitave për kortezi, ai rrallë shkonte në klubin e tij politik. Problemet që kishin të bënin me gjykatën, ai i zgjidhte me një qehajajin e tij besnik. Me pushtimin fashist, Qemal beu u bë ministër dhe më vonë u bashkua me Ballin Kombëtar. Pas çlirimit u dënua nga gjyqi special me vdekje.

Babai do të kishte miqësi dhe me Kahreman bej Vrionin, një miqësi që kish lindur në punë e sipër, pasi beu kishte qenë disa herë kryetar bashkie i qytetit. Ndonëse nuk shquhej për ndonjë inteligjencë të veçantë, babait i pëlqente si njeri, pasi ishte i ndershëm dhe me zemër të madhe. Kahreman beu kish patur fatin të martohej me vajzën e vetme të Abdyl Frashërit, Eminenë, një grua e zgjuar dhe e kulturuar, por me shumë disnivel nga i shoqi. Ata kishin tre vajza, të cilat u martuan respektivisht, njera me shkrimtarin Tajar Zavalani, tjetra me piktorin Shantor Toptani dhe e treta me oficerin Tomas Stefani, kryetar i misionit ushtarak amerikan pranë Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë Nacional-Çlirimtare. Emineja mbante dhe ruante në shtëpinë e saj një pjesë të rëndësishme të arkivit të babait dhe të Samiut, tok me objekte të familjes, që ia kish sjellë i vëllai, Mit’hati. Mirëpo gjatë Luftës së Parë Botërore shtëpia e saj u godit rëndë nga artileria austriake dhe gjithë ajo trashëgimi aq e çmuar u asgjësua.
Martesa e Kahremanit me Eminenë nuk vajti mbarë dhe ata u ndanë. Ajo mori me vete tri vajzat dhe u kthye në Stamboll. Kahremani u vra shumë shpirtërisht. Im atë tregonte se ai kish shumë mall për të bijat dhe i ankohej atij se Emineja, si grua liberale që ishte, do t’i prishte vajzat. Për këtë i ankohej edhe vëllait të Eminesë, Mit’hatit, në letrat që i dërgonte. Kulmi arriti kur ajo filloi të punonte si nëpunëse në Ministrinë e Jashtme të Turqisë, për të cilën ai s’ish dakord. Babai e këshillonte që të hiqte dorë nga këto ndërhyrje dhe të martohej rishtas. Dhe kështu ndodhi. Ai krijoi një familje të re, me një grua jo të rangut të tij, me të cilën bëri një tufë me fëmijë, por që, për fat të keq, nuk i gëzoi, sepse u nda nga jeta shpejt pas Çlirimi. Familja e re do të largohej pastaj në Tiranë, ku me dy nga fëmijët unë do të kisha rastin të takohesha e të kujtonim prindërit tanë.

Miqësitë e babait ishin dhe me disa nga tregtarët e Fierit. Një ndër këta ishte Nebi Gjata, me origjinë nga Kruja, një burrë i urtë e serioz, njeri i besës e zemërmirë, i suksesshëm në tregti tok me vëllezërit e tij. Ne patëm me ta dhe miqësi familjare. Mamaja me gratë dhe ne me fëmijët e tyre ishim të lidhur me njeri-tjetrin. Babai kishte miqësi edhe me vëllezërit Spiro dhe Gaqi Papa, tregtarët më të pasur të Fierit, që kishin punuar për disa vite në Amerikë. Spiroja në kohën e Zogut kishte qenë dhe deputet.
Tregtarë të tjerë, si Koçi Kusta, Vasil Tase, Lili Gjini, Maj Nito, Sotir Bitri, Ligor Panajoti do të ishin edhe ata njerëz të rrethit të babait.
Shtëpia jonë, për shkak të detyrës që kryente babai, por dhe të natyrës së tij të thjeshtë e dashamirëse, e kish derën hapur për miqtë dhe nevojëtarët. I kam të shumta e të ngulitura mirë në kujtesë mbresat nga ai varg njerëzish, që vinin te babai për t’u këshilluar, ankuar apo qarë hallet. Ai sikur ishte kthyer nga gjykatës në avokat të popullit. Qytetarë dhe fshatarë i hapnin zemrën dhe ai i dëgjonte me vëmendje e respekt pa kurrfarë interesi, i gatshëm për t’i ndihmuar. Mbaj mend që asokohe dëgjova për herë të parë të flitej për çështje penale e çështje civile, për ligje e nene, për paditës e të pandehur, për dënime e falje, për betime e dëshmitarë, për avokatë e noterë. Ishin këto fjalë që hynë në jetën time ashtu pa i marrë vesh, por me kohë do t’i mësoja. Sallat e gjyqit, ku zhvilloheshin proçeset dhe drejtoheshin shpesh nga babai, unë i kisha shkelur që kur isha i vogël në Tropojë dhe Peqin. Atëherë shkoja më tepër nga kurreshtja dhe dëshira për t’u argëtuar, kurse në Fier, nga që isha më i rritur, i dëgjoja me interes gjithë c’thuhej atje. Momenti që më bënte më shumë përshtypje ishte kur të pandehurit apo dëshmitarët betoheshin se do të thoshin të vërtetën dhe vetëm të vërtetën duke vënë dorën e djathtë mbi Ungjill apo Kuran. Kujtoj një herë kur një nga të pandehurit i dredhonte përgjigjes dhe nga trupi gjykues i thanë: “Atëhere betohu me fjalët “Mbeça në pleqëri pa grua, në qoftë se nuk them të vërtetën”. I pandehuri u shtang dhe, pasi u mendua një hop, tha: “Jo, atë betim nuk e bëj”. Unë i dëgjova këto fjalë, por s’ua mora vesh kuptimin e saktë.
Me përmbajtjen dhe natyrën e punës së babait unë do të njihesha më shumë nga takimet e pritjet që ai bënte me hallexhinjtë, kur ata vinin në shtëpi, sesa nga salla e gjyqeve. Shpesh ndodhesha aty rastësisht që shërbeja, dhe rrija gjithë sy e veshë. Më kujtohet që çështjet më të vështira qenë ato që kishin të bënin me hasmëritë, me çështje nderi apo prone. Në kohën e luftës, para se njerëzit të shkonin në gjyq, një rol pozitiv për zgjidhjen e këtyre problemeve do të luanin Këshillat Nacional-Çlirimtare, sidomos për pajtimin e gjaqeve. Më tërhiqnin dhe rastet e çifteve, që rrëmbeheshin ose martesat e rralla mes të rinjve me fe të ndryshme, që shkaktonin drama familjare. Dramatike qenë veçanërisht vrasjet prapa krahëve që kryenin bejlerët, dhe përpjekjet e tyre për t’i fshehur e mohuar. Në situata të tilla babai gjendej mes dy zjarreve, mes së vërtetës dhe pushtetit të të fortëve.
Në familjen time nuk kujtoj të kem parë e dëgjuar ndonjëherë të flitej për ryshfete, për dhurata e dhënie parash nën dorë, për korruptim dëshmitarësh, për fabrikime faktesh apo shtrëmbërim ngjarjesh e situatash. Babai i kish dhënë porosi të prerë mamasë dhe ne fëmijëve, që të mos pranonin asnjë lloj dhurate, shpërblimi me sende ushqimore, sidomos në kohën e vështirë të Luftës, kur dhe rrogat ishin të pamjaftushme.
Familja jonë me katër fëmijë, me mamanë shtëpijake, mbahej me rrogën e babait. Ne nuk kishim të ardhura të tjera. Edhe një shtëpi fare modeste që kishim, na e kishte dhuruar daja si pjesë e pajës së mamasë.

Ndonëse im atë qe një gjyqtar province, disa nga miqtë e tij më të mirë ai i kish nga elita e drejtësisë në Tiranë, si Andrea Nathanaili, Vangjel Meksi, Telemak Qirko, Andrea Sahatçiu etj. Mik i tij qe dhe kosovari Shefqet Shkupi e juristi vlonjat Abdyl Agalliu. Nuk e harroj gëzimin që më zgjonin takimet dhe bisedat e babait me këta miq e kolegë të një fushe. Ata e respektonin njeri-tjetrin dhe unë nuk mbaj mend ndonjë rast fërkimesh, pakënaqësish, inatesh e xhelozish mes tyre. Nuk i harroj fjalët që më ka thënë shumë vite më pas xha Abdyli: “Ne brezi i vjetër, pra, dhe yt atë, kemi jetuar në një kohë, kur karakterin dhe formimin e kemi krijuar vetë me punën dhe me qëndrimin tonë, kurse ti dhe brezi yt s’e keni këtë në dorë. E ka në dorë partia dhe qeveria, që me mësimet dhe orientimet e tyre ndërhyjnë dhe e bëjnë të vështirë formimin e një karakteri të qëndrushëm”.
(Fragment nga libri me kujtime i pabotuar i Nasho Jorgaqit “Jeta ime siç e kujtoj”)
DITA
