Dr Dorian Koçi
Kryengritjet e mëdha 1908-1912 dhe Pavarësia e Shqipërisë
Ismail Qemal Vlora pas largimit të tij nga Perandoria Osmane më 1900, zhvilloi veprimtari të dendur politike në Europë për njohjen e kombit shqiptar dhe realizimin e shpalljes së Pavarësisë. Ai shpalli botërisht programin e tij autonomist në intervista e artikuj të botuar në shtypin shqiptar të kohës dhe organe të huaja. Platforma politike e Ismail Qemal Vlorës në përgjithësi përputhej me ato të ideologëve të tjerë të Rilindjes. Ai mori pjesë aktive në lëvizjen xhonturke, në krahun përparimtar të saj, që ishte për njohjen e të drejtave të kombeve të Perandorisë, por u hodh kundër xhonturqëve, kur këta morën pushtetin dhe vendosën diktaturën ushtarake. Në dhjetor të vitit 1908, me gjithë luftën që i bënë autoritet xhonturke, u zgjodh deputet i sanxhakut të Beratit në parlament, ku së bashku me grupin e deputetëve patriotë shqiptarë, mbrojti interesat kombëtare. Paralelisht sëbashku me zhvillimet politike elita kombëtariste shqiptare i kushtoi një rëndësi të veçantë lëvizjes kulturore shqiptare. Për të organizuar sa më mirë lëvizjen arsimore kombëtare, patriotët shqiptarë u kujdesen për të krijuar klube e shoqëri kombëtare në të gjithë trevat shqiptare. Gjer në fund të vitit 1908, u formuan afërsisht rreth tridhjetë klube e shoqëri patriotike kombëtare, ndërkohë që numri i tyre gjatë harkut kohor 1908-1912 arriti në 80, pa përfshirë këtu shoqëritë patriotike që ekzistonin në diasporë.[1] Klubet dhe shoqëritë kombëtare gjatë kësaj periudhe shfaqën disa tipare të përbashkëta që konsistojnë në këto drejtime. Së pari klubet ishin organizata të gjera demokratike, të cilat përfshinin në gjirin e tyre përfaqësues të shtresave të ndryshme të popullsisë. Në këto klube merrnin pjesë intelektualë, nëpunës të aparatit shtetëror e mësues shkollash, përfaqësues të borgjezisë qytetare, të prodhuesve e të tregtarëve të vegjël të qytetit e të fshatit, të bejlerëve-çifligarë, të oficerëve, si dhe përfaqësues të parisë të lidhur me sunduesit osmanë. Ato bashkonin në gjirin e tyre të gjitha rrymat politike të lëvizjes kombëtare, si atdhetarët me pikëpamje radikale, ashtu edhe të moderuarit, ndërsa në udhëheqjen e tyre qëndronin intelektualët e dalluar edhe më parë për veprimtari atdhetare. Së dyti, ata u bënë iniciatorët kryesorë për çeljen e kurseve të para e shkollave në gjuhën shqipe në të gjithë vendin. Në të njëjtën kohë, ata u kujdesën për sigurimin e fondeve e të lokaleve të nevojshme e të domosdoshme, ku do të zhvillohej mësimi në gjuhën amtare, u morën me përgatitjen e personelit pedagogjik, për sigurimin dhe shpërndarjen e teksteve mësimore shkollore.[2] Zhvillimi i shpejtë i lëvizjes kulturore pas vitit 1908, solli si nevojë të ngutshme caktimin e një alfabeti të vetëm për shkrimin e shqipes. Nismën për thirrjen e Kongresit të Manastirit për të caktuar alfabetin e shoqëritë shqiptare të Bukureshtit, të Sofjes, të SHBA-së, të Egjiptit, etj.Ndërmjet delegatëve ishin edhe patriotët e intelektualët e shquar si: Luigj Gurakuqi, Mid’had Frashëri, Gjergj Fishta, Mati Logoreci, Hilë Mosi, Shahin Kolonja, Sotir Peci, Fehim Zavalani, Gjergj Qiriazi etj.Kongresi i Manastirit i zhvilloi punimet në shtëpinë e patriotit Fehim Zavalani.Kryetar i Kongresit të Manastirit u zgjodh Mid’had Frashëri, i cili u caktua edhe në Komisionin e alfabetit.Kongresi kishte si qëllim kryesor forcimin e unitetit kombëtar, njësimin e alfabetit, njohjen e të drejtave për shqiptarët dhe organizimin e veprimtarisë arsimore e politike në shkallë kombëtare.[3]Gjatë dy ditëve të para të Kongresit u caktuan mbledhje të gjera e të hapura për popullin, ku përveç intelektualve morrën pjesë edhe nxënës shkollash, si edhe banorë të qytetit të Manastirit. Këto mbledhje u shndruan në manifestime kombëtare, në të cilat u mbajtën fjalime patriotike, për nevojën e bashkimit të të gjithë shqiptarëve , gegë e toskë, myslimanë e të krishterë.[4]Vendin kryesor në punimet e Kongresit e zuri çështja e caktimit të një alfabeti të përbashkët për të gjithë shqiptarët.Gjatë diskutimeve të zhvilluara pjesa më e madhe shfaqi mendimin se alfabeti që duhej të vendosej duhej të kishte si bazë shkronjat latine.Alfabeti latin shihej nga shumë përfaqësues liberalë si mënyrë për ti bashkuar shqiptarët dhe që do t’i bënte më të ndërgjegjshëm ata për trashëgiminë e tyre.[5]Edhe Mid’had Frashëri ishte për një alfabet latin. Pas diskutimeve të shumta, lidhur me alfabetin, u krijua edhe një komision prej 11 vetësh, me patër Gjergj Fishtën si kryetar[6] , i cili nuk arriti të konklundonte në një përfundim për njësimin e alfabetit.Vendimi kryesor i Kongresit ishte miratimi i dy alfabeteve: ai i Stambollit dhe i alfabetit të përbërë vetëm me shkronja latine. Vendimi për të përdorur bashkarisht dy alfabete u mor për të mos shkaktuar përçarje në rradhët e delegatëve dhe të shqiptarëve në përgjithësi. Kongresi ndonëse nuk caktoi një alfabet të vetëm ishte një hap i rëndësishëm përpara në rrugën e zgjidhjes përfundimtare të çështjes së alfabetit dhe ushtroi një ndikim të fuqishëm në bashkimin politik dhe përparimin e mëtejshëm kulturor të popullit shqiptar. Lëvizja kulturore shqiptare do të kulmonte me hapjen e shkollës Normale të Elbasanit në vitin 1909. Kjo shkollë do të përgatiste mësues për gjuhën shqipe ,çka e ngrinte arsimimin në gjuhën kombëtare në një stad më të lart. Kongresi i Elbasanit u mbajt nga 2 deri 10 shtator të vitit 1909 në qytetin e Elbasanit, në godinën historike të shkollës së Kalasë. Ai u thirr me nismën e klubit shqiptar te Selanikut. Në Kongresin e Elbasanit morrën pjesë si delegatë 35 përfaqësues të klubeve dhe shoqërive shqiptare midis të cileve O. Pojani, Grigor Cilka, Gj. e S. Qirjazi, Mithat Frashëri, Dervish bej Biçaku, Refik Toptani, A. Dakli, H. Ohri, Abdullah Koprëncka, Th. Papapano, N. Kaçori, S. Shuteriqi, Selman Blloshmi etj. Kongresi vendosi të themelohej në Elbasan, në vjeshtën e 1909-s, një shkollë e mesme pedagogjike (normale) shqipe me gjashtë klasa, që do të përgatiste mësues për shkollat fillore shqipe dhe do të mbahej me kontributin e të gjitha klubeve dhe shoqërive shqiptare. U vendos gjithashtu të ngrihej në Korçë shoqëria qendrore shkollore “Përparimi” e cila do të kujdesej për mbajtjen dhe administrimin e shkollës normale, do të punonte për hapjen e shkollave të tjera shqipe, për botimin e librave dhe teksteve shqipe. Në Kongres u kërkua që shoqëria “Përparimi” të njihej zyrtarisht prej qeverisë turke. Kongresi ka rëndësi historike për vendimet që mori në lidhje me sistemin e shkollimit shqip, hartimin e programeve unike, mënjanimin e shkollave në gjuhë të huaj dhe zëvendësimin e tyre me shkolla shqipe, si dhe themelimin e Shkollës Normale të Elbasanit, e cila u hap vetëm tri muaj më vonë, në dhjetor 1909. Kongresi gjithashtu trajtoi probleme të drejtshkrimit të gjuhës shqipe.Vendimet e Kongresit të Elbasanit i dhanë një hov të mëtejshem lëvizjes kombëtare e në mënyrë të veçantë luftës për përhapjen e shkollave dhe te shkrimit shqip.[7]Po kështu në vitin 1910 u mbajt Kongresi i II i Manastirit, i cili komfirmoi përdorimin e alfabetit latin për shkrimin e gjuhës shqipe. Në këtë kongres të dytë, të mbajtur ditën e premte, më 20 mars të vitit 1910, erdhën delegatët nga Stambolli, si dhe përfaqësuesit e vilajeteve të Shkodrës, Manastirit, Kosovës, Selanikut, si dhe delegatët e klubeve dhe shoqërive jashtë atdheut, me të vetmin qëllim që të paralajmërojnë se nuk ka kthim nga vendimet që janë marrë në Kongresin e parë të Manastirit dhe ashtu t’u bëhet në dije të gjithë atyre që e pengojnë rrugën e shkrimit dhe të shkollës shqipe se e kanë kot, sepse vetëdija e arsimit kishte lëshuar rrënjë të thella në zemrat e shqiptarëve.[8] Përgjatë kësaj kohe xhonturqit të ndikuar nga nacionalizmi u munduan që të turqizojnë popullsitë myslimane por tu impononin një karakter panosman edhe popullsive të krishtera. Kjo pëpjekje e tyre dështoi si ndaj popullsive të krishtera që aspironin të bashkoheshin me shtetet e tyre kombëtarë po ashtu edhe ndaj popullsisë shqiptare, myslianë dhe të krishterë, pasi edhe ata dëshironin të krijonin shtetin e tyre kombëtar njëlloj si fqinët ballkanikë. Ndaj shqiptarëve politika arsimore, e planifikuar nga pushteti osman u duk menjëherë qëkur xhonturqit u orvatën të nxisin fanatizmin fetar, duke propaganduar shkrimin turko-arab për gjuhën shqipe. Kjo ndodhi menjëherë pas Kongresit të Dibrës[9], ku u vendos “gjithkush ishte i lirë të shkruante me shkronja që i pëlqenin”. Kështu jo vetëm që u ndërpre hovi i hapjes së shkollave në gjuhën shqipe, por kjo hapi udhën edhe të hapjeve të shkollave të huaja të shteteve fqinje, të cilat në mendjen dhe shpirtin e tyre ruanin lakmitë territoriale ndaj tokave shqiptare.[10] Xhonturqit e konsideruan çështjen e alfabetit të gjuhës shqipe si çështje politike, duke u munduar që të shfrytëzonin nenin e 16-të të Kushtetutës Turke, i cili saksiononte se gjuhë zyrtare është turqishtja dhe përderisa kombësia shqiptare nuk njihej, ata mund ti lotësonin nevojat për arsim në shkollat në turqisht.Duke njohur forcën e arsimit në gjuhën kombëtare,kryeministrit osman Ibrahim Hakki Pasha, kish deklaruar: “se çështja e alfabetit shqiptar ka karakter politik dhe kombëtar dhe qeveria nuk do të lejojë të ndahet Shqipëria nga shteti Osman“.[11]Këto përpjekje kulturore të shqiptare do të mbështeteshin e dhe nga kryengritjet e armatosura të shqiptarëve kundër pushtetit osman. Nga viti 1909 e deri në vitin 1912, shqiptarët e Kosovës e të Malësisë së Madhe u ngritën në kryengritje të pandërprerë kundër sundimit osman. Në muajin prill të vitit 1910, xhonturqit kaluan në veprime të hapura për të shtypur me forcë lëvizjen shqiptare. Një korparmatë turke e komanduar nga gjenerali Shefqet Turgut Pasha, filloi operacionet kundër Kosovës, me pretekst se do të çarmatoste popullsinë për të vendosur qetësinë dhe rendin. Por me këtë operacion, Porta e Lartë s’bëri gjë tjetër veçse e ndezi kryengritjen shqiptare. Me mijëra kosovarë rrëmbyen armët. Nën udhëheqjen e Idris Seferit dhe të Isa Boletinit, kryengritësit shqiptarë u bënë një rezistencë të madhe ushtrive turke. Beteja në Grykën e Kaçanikut ishte një betejë heroike, e cila pati jehonë brenda dhe jashtë vendit. [12] Pasi kreu operacionin e egër dhe duke kujtuar se e qetësoi Shqipërinë, korparmata turke u kthye përsëri në bazën e vet, në Shkup. Por nuk kaluan shumë kohë kur në 24 mars të vitit 1911, shpërtheu një kryengritje më e madhe se ajo e vitit të kaluar. Sinjalin e kryengritjes e dha Dedë Gjo Luli duke ngulur flamurin shqiptar në majën e Deçiqit. Brenda pak ditëve kryengritja përfshiu gjithë Malësinë e Madhe. [13] Rezistenca shqiptare ngjalli një jehonë të thellë në gjithë opinionin publik evropian. Në këto ditë kur kryengritja kishte marrë zjarr të papërmbajtur dhe kur kancelaritë evropiane po ndiqnin me interesim të veçantë ngjarjet në Shqipëri, me nismën e Ismail Qemalit dhe të Luigj Gurakuqit dhe me pjesëmarrjen e shumë patriotëve, u mblodh në vendin Greçë të Malit të Zi një kuvend të krerëve shqiptar. Më 23 qershor 1911, kuvendi miratoi një memorandum prej 12 pikash. Memorandumi (i njohur si “Libri i Kuq”) përmbante në thelb kërkesën për autonominë e Shqipërisë.[14]Në Memoranudmin e Greçes, dërguar nga malet e Malësisë së madhe, Luigj Gurakuqi, një nga hartuesit e tij i shkruante Sekretarit të jashtëm Britanik, Edward Grey-it përsa i përket marrëdhënieve me qeverinë xhonturke. “…asnji nga premtimet që na u bënë nga shpresat që patëm ushqyer nuk u mbajtën prej regjimit të ri: as nuk u fillue ndërtimi i rrugëve, i urave, i hekurudhave, të skelave detare, prerja e pyjeve shekullore, ngritja e veprave më fillestare të së mirës publike; po të mendohet se në vend të hapjes së shkollave të reja na kanë mbyllur edhe shkollën që gjendej n’Elbasan nën preteksin se ajo qe kundër fesë, ndërsa ajo pranonte të rinjë shqiptarë nga tërë besimet fetare dhe nuk ushtronte e as nuk pengonte asnjë lloj kulti, kuptohet me lehtësi, se si i tërë populli shqiptar u ngrit kundër këtij regjimi të shtypjes e të mjerimit……dhe ja, tashti nuk mund të durojmë më tutje. Ne u kemi rezistuar për tre muaj trupave turke njëzet herë më të shumta se luftëtarët tonë, si nga numuri e nga disiplina. T’ushqyer me bukë misri kemi luftuar kundra ushtarëve të pregatitur e të mbajtur shumë mirë. T’armatosur me pushkë të vjetra dhe me barut të zi kemi luftuar kundra baterive me qitje të shpejta. Ju është dashur tre muaj armiqve tonë të na dëbojnë nga shkrepat tona…”[15]
Kryengritjet e mëdha të viteve 1910-1912 përbëjnë një faqe të re, një shkallë më të lartë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Ato kishin si objektiv kryesor plotësimin e programit kombëtar të lëvizjes shqiptare, të përcaktuar qysh në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, krijimin e shtetit autonom e më pas të pavarur shqiptar. Lëvizja shqiptare e viteve 1910-1912 luajti një rol të rëndësishëm edhe në rrafshin e jashtëm, në zhvillimin e ngjarjeve politike në Turqinë Evropiane, në mënyrë të veçantë në dobësimin e pozitave të Perandorisë Osmane në këtë zonë. Kryengritjet e mëdha shqiptare dhe lufta italo-turke e kishin dobësuar pozitën e Turqisë në Ballkan dhe u kishin krijuar popujve të kësaj zone kushte të favorshme për zhdukjen e plotë të sundimit osman. Krahas luftës së armatosur që zhvillohej në Shqipëri, deputetët shqiptarë që bënin pjesë në parlamentin turk, nën udhëheqjen e Ismail Qemalit dhe të Hasan Prishtinës, e sulmuan haptas qeverinë xhonturke, për politikën e mohimit të të drejtave kombëtare, të njihte kombësinë shqiptare dhe të drejtën e saj për t’u vetëqeverisur.[16] Më 11 janar 1912 Hasan Prishtina, në emër të grupit të deputetëve shqiptarë, paralajmëroi qeverinë e Stambollit se po të vazhdonte të shkelte të drejtat kombëtare që u takonin bashkatdhetarëve të vet, në Shqipëri do të shpërthente së shpejti një kryengritje e re.[17] Mohimit të vazhdueshëm të kombësisë nga Perandoria Osmane , deputetët shqiptarë që në vitin 1909 kur ministri brendshëm në parlament guxoi ta mohonte kombësinë shqiptare në Perandorinë Osmane, iu përgjigjën të gjithë pothuajse në kor, “Var, Effendim, var”-egziston zotëri egziston.[18]Por qeveria turke e pushtuar nga nacionalizmi dhe dëshira për të turqizuar popujt e Perandorisë Osmane nuk hoqi dorë nga nga politika e saj antishqiptare. Ky qëndrim i xhonturqve dhe sidomos dhuna e mashtrimi që ata përdorën gjatë fushatës elektorale që u zhvillua në pranverën e vitit 1912, krijuan kushtet për shpërthimin e një kryengritjeje të re, të kryengritjes së përgjithshme të vitit 1912.[19] Kur zemërimi i shqiptarëve kishte arritur në kulm, në pranverën e vitit 1912, nën kryesinë e Hasan Prishtinës, Isa Boletinit, Bajram Currit, e të tjerëve filloi në Kosovë kryengritja e armatosur. Brenda pak ditëve kryengritja e Kosovës mori përpjesëtime të mëdha. Nga mesi i korrikut forcat kryengritëse zotëronin pothuajse gjithë territoret shqiptare dhe numri i tyre arriti deri në 50.000 veta. Më 30 korrik 1912 udhëheqësit politikë të kryengritjes shqiptare kërkuan që parlamenti osman të shpërndahej brenda 48 orësh dhe një qeveri e re të zevendësonte qeverinë egzistuese që dominohej nga figura centralizuese të Komitetit “Bashkim dhe Përparim”. Osmanët nuk kishin asnë mundësi tjetër përveçse të binin dakort me kërkesat e kryengritësve shqiptarë, kur ata prezantuan kërkesën e tyre specifike për autonomi; katër vilajet e Shkodrës, Kosovës, Janinës dhe Manastirit të bashkoheshin në një provincë, ushatarët shqiptarë të shërbenin vetëm në vendin e tyre, gjuha shqipe të ishte gjuha e administratës shtetërore dhe e arsimimit të popullsisë, të ardhurat nga taksat të shpenzoheshin brenda vendit, të gjithë shqiptarët të kishin të drejtë të mbanin armë, dhe disa politikanë xhonturq në Stamboll të dënoheshin për aktet e tyre të dhunës ndaj shqiptarëve. Qeveria osmane kundërshtoi shërbimin ushtarak brenda provincës dhe dënimin e politikanëve xhonturq por udhëheqja politike shqiptare këmbënguli në zbatimin e të gjitha kushteve.[20] Fitimi i autonomisë dhe krijimi i një shteti autonom shqiptar në territore që përfshin katër vilajetet i vuri në alarm mbretëritë ballkanike që pretendonin përfshirjen e shumë territoreve shqiptare brenda shteteve të tyre. Në këto kushte shpërtheu Lufta e Parë Ballkanike vjeshtën e vitit 1912. Më 8 tetor, Mali i Zi i shpalli luftë Turqisë. Më 17 tetor, i shpallën asaj luftë Serbia e Bullgaria dhe një ditë më vonë Greqia.[21] Fuqitë e Mëdha fillimisht besonin se Perandoria Osmane do të mund të rezistonte por raporti i forcave kësaj radhe ishte ndryshe në terren. Mbretëritë e Ballkanit kishin rekretuar rreth 715.000 trupa ndërsa osmanët kishin rreth 320.000 pa guxuar të sjellin në Ballkan forca nga Azia dhe Arabia sepse i druheshin një sulmi rus dhe britanik. Ushtritë e vendeve ballkanike ishin më mirë të armatosura dhe shumë më tepër të motivuara për të fituar pasi prej rreth 100 vjetësh disa breza ishin rritur me urrejtjen ndaj osmanëve dhe të përfshirë nën ethet e nacionalizmit, ideologjisë shtetformuese që mbizotëronte në vendet e tyre dëshironin të dëbonin përfundimërisht osmanët dhe islamin nga Ballkani. Ushtria bullgare filloi luftimet për shkak të pozicioneve të saj afër Stambollit. Ushtria bullgare fitoi betejën e tyre të parë të rëndësishme më 22 tetor në Kirk Killisa duke i detyruar trupat osmane të tërhiqeshin nga linja e Burgas Lule. Pas një javë luftimesh të ashpra trupat bullgare përparuan drejt linjës Chatalja përpara Stambollit.Pas një muaji të luftimeve banorët e Stambollit dëgjonin topat e ushtrisë bullgare afër linjës Chatalja. Vetëm Edërneja dhe Stambolli vazhdonin të rezistonin ndaj forcave fitimtare bullgare.[22] Ndërsa forcat bullgare ishin të zëna në luftë me osmanët në drejtim të Stambollit, forcat serbe, malazeze dhe greke triumfuan në perëndim. Në 19 tetor forcat serbe kaluan kufijtë në Maqedoni dhe pesë ditë më vonë thyhen linjën vendimtare për mbrojtjen e Maqedonisë në Kumanovë. Më andej dërguan një pjesë të trupave të tyre për të ndihmuar forcat bullgare në rrethimin e Edernesë dhe pjesën tjetër për të pushtuar Sanxhakun e Novi Pazarit sëbashku me forcat malazeze. Pjesa kryesore e ushtrisë serbe vazhdoi drejt juglindjes , duke ndjekur turqit nga Prilepi, dhe duke përparuar drejt Ohrit dhe Manastirit. Duke pushtuar Kosovën, Maqedoninë Perëndimore, dhe Sanxhakun e Novi Pazarit, trupat serbe u kthyhen tashmë drejt perëndimit dhe me ndihmën e forcave malazeze pushtuan Durrësin dhe rrethuan Shkodrën. Ndërkohë forcat greke përparuan drejt veriut pa hasur shumë rezistencë. Ata pushtuan Grebenë më 31 tetor, Prevezën më 3 nëntor, dhe fitoren më të madhe Selanikun më 8 nëntor. Një detashment bullgar arriti gjithashtu në Selanik por me një ditë vonesë. Forcat greke i lejuan që të hynë në qytet por pasi e kishin bërë të qartë se nuk do të ndanin autoritetin mbi qytetin me ta. Kontigjente të forcave greke hynë dhe në Epir, ku rrethuan Janinën më 10 nëntor.[23] Pothuajse brenda një muaji nga shpërthimi i luftës, ushtritë osmane filluan të thyheshin dhe të tërhiqeshin. Duke ndjekur ushtritë osmane, divizionet serbe, greke dhe malazeze marshuan në drejtim të territoreve shqiptare me shpresë se duke i pushtuar këto territore dhe duke u mbështetur në të drejtën e fitimtarit, do të siguronin aneksimin e tyre. Në këtë situatë kaq të zymtë për fatin e Shqipërisë, kur lindi rreziku që të mos përfilleshin të drejtat kombëtare shqiptare, politikani dhe patrioti i nohur shqiptar, Ismail Qemali lëshoi idenë për mbledhjen e kongresit kombëtar në një vend të lirë të Shqipërisë, i cili të vendoste dhe të merrte masat më të përshtatshme dhe më të ngutshme për të shpëtuar vendin nga rreziku i ri. I ngarkuar nga rrethet patriotike të vendit, në pragun e Luftërave Ballkanike shkoi në Stamboll për ta bindur qeverinë osmane t’u jepte Shqiptarëve autonominë. Rrugëtimi i Ismail Qemalit, që do të kulmonte me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, e kishte zanafillën më 2 nëntor të vitit 1912, në lagjen Pera të Stambollit, në mbledhjen që u zhvillua në hotelin Pera Palace. Nga Stambolli, Ismail Qemali u nis me anije për në Konstancë të Rumanisë.Për të ngritur flamurin kombëtar, patriotët shqiptarë u ndeshën me pengesa dhe vështirësi të shumta.
Kronologjia e shpalljes së Pavarësisë
- Më 5 nëntor 1912, Ismail Qemali mblodhi patriotët shqiptarë në hotelin Continental të Bukureshtit, ku diskutuan për pavarësinë e Shqipërisë. Në fjalën e tij, ai theksoi “Tjetër shpëtim për Shqipërinë nuk ka, përveçse të gjenden ca atdhetarë me guxim dhe bashkë me mua të hyjmë në Shqipëri dhe të kasnecojmë vetëqeverimin e saj”. Figurat më të rëndësishme të kësaj mbledhjeje qenë Asdreni, Spiridon Ilo, Vasil Zografi, Pandeli Evangjeli, Luigj Gurakuqi, Dhimitër Berati, etj. Ata vendosën që të mbahej Kuvendi Kombëtar me përfaqësues nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Në mbledhje u diskutua për flamurin kombëtar dhe u vendos që të ishte ai flamur që ngriti Gjergj Kastrioti në Krujë.
- Më 7 nëntor 1912, Ismail Qemali u nis me tren nga Bukureshti për në Vjenë, për një vizitë diplomatike, qëllimi i së cilës ishte të fitonte mbështetjen e Austro-Hungarisë për pavarësinë e Shqipërisë. Me të arritur në Vjenë, ai u vendos në Grand Hotel. Më 10 nëntor 1912, u takua me ambasadorin anglez, Sir Fairfax Cartëright, i cili ishte ndoshta diplomati i huaj më në zë i kohës.
- Më 12 nëntor 1912, Ismail Qemali udhëtoi me tren drejt Budapestit, ku takoi ministrin e Jashtëm të Austro-Hungarisë, kontin Bertold, i cili e siguroi se qeveria e tij kishte biseduar edhe me qeveritë italiane e gjermane për këtë qëllim dhe së bashku nuk e shihnin me sy të mirë një shtrirje të Malit te Zi dhe Serbisë në jug të Ballkanit.
- Më 19 nëntor 1912, bashkë me Luigj Gurakuqin, Ismail Qemali arriti në Trieste, qytet që në atë kohë ishte një port i Austro-Hungarisë. Spiridon Ilo, Dhimitër Berati, Pandeli Mborja dhe Dhimitër Zografi u nisën disa ditë më vonë për t’u takuar po aty me Ismail Qemalin. Po nga Triestja do bëhej nisja për në Durrës, me anijen “Baron Bruck” që ua siguroi Bertholdi.
- Natën e 20 nëntorit, duke u gdhirë data 21, avulloret “Brunn” dhe “Graf Ëurmbrand” u takuan në Gjirin e Rodonit për të bërë kalimin e Ismail Qemalit dhe njerëzve të tij nga njëra anije tek tjetra.
- Ismail Qemali dhe burrat e tjerë e kaluan natën në “Graf Ëurmbrand”, e cila arriti mëngjesin e datës 21 nëntor në Durrës dhe u prit në qelën e Dom Nikollë Kacorrit, i cili, pas një jave, do të ishte edhe zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës.
- Më 23 nëntor 1912, Ismail Qemali u niset me një karrocë me kuaj nga Durrësi. Gjatë rrugëtimit të karvanit të Ismail Qemalit për në Vlorë, gjenerali i divizionit turk, Kara Sait Pasha, që kontrollonte zonën midis Lushnjës, Fierit dhe Beratit, dha urdhër të arrestohej Ismail Qemali me të gjithë shoqëruesit e tij. Për këtë arsye karvani nuk u fut në Lushnjë, por e kaloi natën në Çermë, në çifligun e Dervish bej Biçakut.
- Më 24 nëntor Ismail Qemali kaloi në Fier, e bujti tek Omer Pashë Vrioni. Me ndihmën e patriotëve vendas, karvani kaloi nga Mifoli dhe pas shumë peripecive, në pasditen e 27 nëntorit 1912, Ismail Qemali mbërriti në Vlorë.
- Punimet e Kuvendit të Vlorës filluan më 28 nëntor 1912, në orën 15:30 në sarajet e familjes Vlora, me pjesëmarrjen e 78 delegatëve. Kuvendi i Vlorës vendosi që “Shqipëria të bahet më vehte, e lirë dhe e mosvarme”. Pas nënshkrimit të aktit të shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali, në orën 17:30 të datës 28 nëntor 1912, doli në ballkonin e shtëpisë ku zhvilloi punimet kuvendi dhe valëviti lart flamurin kombëtar, të cilin e kishte ngritur dikur Gjergj Kastrioti në Krujë.
Fjalimi i Ismail Qemalit i mbajtur me 28 nëntor 1912 në Mitingun e Madh në Vlorë me rastin e ngritjes së flamurit
Oh! Sa të lumtur që e ndiej vehten sot, që shoh, këtu në Vlorë, kaqë burra Shqipëtarë të mbledhur tok, tuke pritur me kureshti e padurim përfundimin e kësaj mbledhjeje historike, për fatin e Atdheut tonë të dashur. Plot me gaz e me lot ndër sy, nga mallëngjimi, pra, po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh, se sot, edhe këtë minutë, Kongresi çpalli mëvehtësinë e Shqipërisë, tuke lajmëruar gjithë botën mbarë për këtë punë e duke më ngarkuar mua kryesin’ e qeveris së përkohshme të Shqipërisë së lirë.
Porsi ëndër më duket ky ndryshim i madh i vendit t’onë, që hoqi e voi të zezat e të lirit pesëqind vjet me radhë ndënë sundimin turk, por që tani në kohët e fundit, ishte gati të jepte shpirtin përgjithënjë, të shuhej e të çfarrosej krejtësisht nga faqia e dheut, këjo Shqipëri, që, dikur, shkëlqente nga trimërija e pashoqe e bijve të saj; kjo Shqipëri, që kur i kërcënohej rreziku Europës nga pushtimet e Turqisë, ndënë kryetrimin e pavdekur të saj, Skënderbejnë, u bë porta e hekurtë kundra sulmeve më të tërbuara të sulltanëve më t’egër që ka pas Turqija. Mirëpo, desh Zoti, që me punën, me trimërinë dhe guximin e pashoq të Shqipëtarëvet, sot e tutje të marrin fund mjerimet dhe vuajtjet e Atdheut t’onë, sepse, këtu e kështu, jemi të LIRË të PAVARUR dhe MËVEHTE, prandaj: qeshni e gëzoni! Për t’ia arrijtur kësaj dite të bardhë e të madhe, na ka ndihmuar gjaku i dëshmorëvet dhe puna e vlefshme e patriotëve t’anë dhe e të gjithë shokëve që muarrnë pjesë në këtë mbledhje dhe e të gjithë juve, që tani po ju gufon zemëra nga gazi i madh që ndieni; mirëpo mbledhja si më plak që jam, m’a ngarkoi mua Ngritjen e shënjtë të shënjës t’onë Kombëtare, të flamurit t’onë të ëndërruar e të dashur (nxjerr Flamurin, të cilin e ka të vendosur në një shtizë hekuri, natyrisht të vogël, dhe të pshehur nën pallto dhe passi e mba një sekondë në dorë e ngul në shtyllat e ballkonit. Amatorët, posa e shohin Flamurin thërrasin me gëzim e me zë të lartë: Rroftë Flamuri, Rroftë Shqipërija e Lirë).
Ja, pra, ky është Flamuri Ynë i kuq e me shqiponjën dykrenare të zezë në mest. Dhe tani, të gjithë bashkë, si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për t’a mburuar, për t’a përparuar e për t’a qytetëruar si i ka hije Atdhenë t’onë të Lirë.
Tuke përfunduar, s’më mbetet gjë, veçse t’i drejtoj një lutje Zotit të Madh, që, bashkë me bekimet e Tij që i lipij të na japë për të qenë të denjë të kësaj dite, të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valvitet i Lirë. Flamuri i ynë, n’atdhenë t’onë të lirë.
Rroftë Flamuri! Rroftë Shqipërija!
28.11.1912
Kuvendi i Vlorës shpalli Pavarësinë e Shqipërisë dhe Qeverinë e Përkohshme, e cila përbëhej nga 10 anëtarë:
1-Ismail Qemali, kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme.
2-Dom Nikoll Kaçorri, zëvendëskryeministër.
3-Myfit Libohova, ministër i Brendshëm.
4-Dr. Petro Poga, ministër i Drejtësisë.
5-Pandeli Cale, ministër i Bujqësisë.
6-Abdi Toptani, ministër i Financave.
7-Luigj Gurakuqi, ministër i Arsimit.
8-Mehmet Dërralla, ministër i Luftës.
9-Mit’hat Frashëri, ministër i Punëve Botore.
10-Lef Nosi, ministër i Postë-Telegrafës.
Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali, ngarkoi ministrin e Postë-Telegrafës, Lef Nosin, që të njoftonte Fuqitë e Mëdha, Anglinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë, si dhe vendet ballkanike, Rumaninë, Serbinë, Bulgarinë, Greqinë dhe Turqinë, me qëllim që ata të njihnin aktin e shpallje së Pavarësisë. Ky akt përbëhet prej një faqeje e gjysmë, ku ndër të tjera thuhet: “Kam nderin t’i njoftoj Shkëlqësitë tuaja se delegatët e të gjithë krahinave shqiptare, pa dallim feje, të mbledhur dje në Asamblenë Kombëtare në qytetin e Vlorës, shpallën pavarësinë e Shqipërisë dhe kanë ngritur një Qeveri të Përkohshme. Shqiptarët po gëzohen që mundën të hyjnë në familjen e popujve të lirë të Orientit, duke mos pasur për qëllim tjetër, veçse të jetojnë në paqe dhe harmoni me të gjitha shtetet fqinje; shpresojmë se ky ndryshim i jetës politike dhe kombëtare i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë ka për t’u njohur prej qeverive tuaja dhe europiane”. Kuvendi, duke pasur parasysh ekuilibrin e raporteve fetare, vendosi që qeveria të përbëhej prej 5 të krishterëve dhe 5 myslimanëve. Kjo qeveri funksionoi prej datës 4 dhjetor 1912 e deri më 22 janar 1914.
Shpallja e Pavarësisë dhe kombi shqiptar sot!
Shqipëria u bë, mbeti natyrisht që të bëheshin dhe shqiptarët qytetarë të denjë të shtetit më të ri të Europës. Ideali i gjithë baballarëve të kombit, të atyre 40 burrave që firmosën aktin e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912 ka qenë gjithmonë një Shqipëri e bashkuar dhe e përparuar dhe për këtë gjë ishin gati që të sheshonin mosmarrëveshjet midis tyre dhe të bashkëpunonin së bashku për të arritur qëllimet kombëtare. Natyrisht, që ky nocion ishte një ëndërr e bukur e tyre për tu realizuar por dhe jashtë kohe për të jetuar gjatë pasi pas formimit të shtetit ashtu si dhe në shtetet e tjera ballkanikë debatet sesi duhej të “bëhej Shqipëria” do të shteronin dhe do të hapeshin debate të tjera për prosperitetin e vendit, taksat, zhvillimin ekonomik ,sigurimin kombëtar etj. Natyrisht, që jo të gjithë do të ishin në një mendje sesi do ti arrinin këto qëllime. Dikush do kërkonte ti kryente ato më shpejt, dikush më ngadalë, dikush do thoshte të respektohej tradita dikush tjetër të jepej një zgjidhje më radikale. Të gjitha këto qëndrime do gjenin përfaqësim në mendime , ide, rryma, formacione politike e parti të organizuara rreth kauzave të tyre fisnike. Por grindjet e tyre do të ishin si ato brenda një familje të madhe që në momentet e vështira mblidhet sërish bashkë për të përballuar situatat. Nuk do të kishte përçarje fatale as bllokim jete institucionale, në të kundërt ë gjithë do të përpiqeshin të çonin përpara kauzat e tyre duke themeluar një nga një institucionet e duke vënë kështu nga një gur në ngrehinën e Shqipërisë së re.
Në këtë mënyrë trashëgimia e tyre politike mbijetoi në atë çka neve sot kemi si koncept dhe territor i quajtur Shqipëri por jo në vlerat dhe mesazhet që përfaqësohen në klasa tonë politike dhe në ato që ajo do i përcjellë asaj pasardhëse. Për herë të parë pas një rrugëtimi të gjatë Shqipëria po bëhet gati të jetë pjesë e “dritës që lind andej ku perëndon” si do të shkruante Naim Frashëri për Evropën, dhe një shtet i dytë shqiptar në rajon, Republika e Kosovës po forcohet dita-ditës duke krijuar një sinergji positive në rajon. Në themel të përpjekjeve të përbashkëta Shqipëri dhe Kosovë qëndrojnë Kryengritjet e mëdha të viteve 1908-1912 që përgatittën terrenin për pavarësinë e Shqipërisë si dhe lufta çlirimtare në Kosovë 1998-1999 që së bashku me ndihmën e çmuar të partnerëve tanë strategjikë, Aleancës së NATO-s sollën lirinë e shumëpritur për shqiptarët.
Le të shërbejë kjo ditë si një kujtesë për përgjegjësinë tonë të përbashkët: të ndërtojmë një Shqipëri më të fortë e një Kosovë më të fortë, më të drejtë dhe më të bashkuar. Të gjithë ne, kudo që ndodhemi, jemi pjesë e kësaj historie dhe kemi detyrën ta përparojmë atë.
Në këtë Ditë Pavarësie, le të valëvisim flamurin tonë me krenari dhe mirënjohje për ata që na dhanë lirinë. Rroftë Shqipëria, rroftë populli shqiptar, dhe qoftë kjo ditë gjithmonë burim frymëzimi për të gjithë ne!
Gëzuar Ditën e Pavarësisë!
[1] Hysni Myzyri. Shkolla Normale e Elbasanit, albPAPER, Tiranë,2004, f. 66.
[2] Majlinda Peza(Perriu). Mbi veprimtarinë e degës së klubit “Bashkimi” në Elbasan dhe trevat e tij,Revistë Shkencore e Institutit Alb-Shkenca, Aktet Vol. IV, Nr 4, 2011, f. 728
[3] Nuri Dragoi, Arsimi në Përmet, West Print, Tiranë, 2015, f. 29
[4] Akademia e Shkencave, Historia e Popullit Shqiptar, vëll II, Toena, Tiranë, 2002, f. 392.
[5] Miranda Vickers, Midis Serbëve dhe Shqiptarëve, Toena, Tiranë, 2004, f. 92.
[6] Peter Bartl, Myslimanët shqiptarë në lëvizjen për pavarsinë kombëtare (1878-1912), Dituria, Tiranë, 2006, f. 201
[7] Fjalori enciklopedik shqiptar, Zëri.Kongresi i Elbasanit.
[8] Avzi Mustafa. Kongresi i dytë i Mnastirit, kongres i realizimeve të vendimeve të Kongresit të parë për jetësimin e gjuhës dhe shkollës shqipe, 19 mars, 2014, gjendet në www.gazetadielli.com
[9] Kongresi i Dibrës, i quajtur gjithashtu Kongresi kushtetues i përbashkët shqiptaro-osman u mbajt në 23-29 korrik 1909 në qytetin e Dibrës. Kongresi u sponsorizua nga qeveria osmane xhonturke nëpërmjet Komitetit Qendror xhonturk “Bashkim e Përparim” me qëllim që të ndikonte me mjete paqësore te shqiptarët për një qëndrim sa më besnik të këtyre ndaj qeverisë osmane.
[10] Shefik Osmani. Fjalori i pedagogjisë, Instituti i Studimeve Pedagogjike, Tiranë, 1983.f.252
[11] Avzi Mustafa, Studime dhe artikuj nga vitet në shekuj, Shkup, 2012, f. 12
[12] Frashër Demaj, Britania e Madhe dhe çështja shqiptare (1875-1913), Instituti i Historisë -Prishtinë, Prishtinë, 2017, f. 231-232
[13] Frashër Demaj, Britania e Madhe dhe çështja shqiptare (1875-1913), Instituti i Historisë -Prishtinë, Prishtinë, 2017, f. 237-241
[14] Akademia e Shkencave, Historia e Popullit Shqiptar, vëll II, Toena, Tiranë, 2002, f. 462
[15] Nga Memerandumi i Gërçes dërguar Ministrit të Jashtem të Britanisë së madhe Sir Fduard Grej, Greçë, 12 korrik 1911.
[16] Kristo Frashëri, Historia e Qytetërimit Shqiptar, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, f.226
[17] Kristo Frashëri, Historia e Qytetërimit Shqiptar, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, f.226
[18] L.S.Stravianos. The Balkans since 1453.Hurst & Company, Londër, 2000, f.509
[19] Kristo Frashëri, Historia e Qytetërimit Shqiptar, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, f. 226
[20] L.S.Stravianos. The Balkans since 1453.Hurst & Company, Londer, 2000, f.510
[21] Nicola Guy “Lindja e Shqipërisë”, Pegi, Tiranë, 2012, f. 37
[22] L.S.Stravianos. The Balkans since 1453.Hurst & Company, Londer, 2000, f.536
[23] L.S.Stravianos. The Balkans since 1453.Hurst & Company, Londer, 2000, f.536