Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Sadik Premtaj, trockisti i fundit: Marenglen Kasmi sjell një biografi politiko-historike mbi komunistin opozitar, personazh i harruar i së majtës shqiptare
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Analiza > Sadik Premtaj, trockisti i fundit: Marenglen Kasmi sjell një biografi politiko-historike mbi komunistin opozitar, personazh i harruar i së majtës shqiptare
AnalizaLajmi i funditopinion

Sadik Premtaj, trockisti i fundit: Marenglen Kasmi sjell një biografi politiko-historike mbi komunistin opozitar, personazh i harruar i së majtës shqiptare

Published: July 30, 2025
Shpërndaje

Johana Lubonja – DITA

Libri i fundit i historianit Marenglen Kasmi hedh dritë mbi jetën e një komunisti opozitar, një personazhi të harruar të së majtës shqiptare – Sadik Premtajn – përmes një biografie të ndërtuar mbi metodologji moderne të historisë dhe analizës kritike. Autori sjell në vëmendje të lexuesit një emër të fshirë nga kujtesa zyrtare, duke ndjekur modelin e biografisë politiko-historike, e rrallë për historiografinë shqiptare, ku jeta personale e personazhit ndërthuret me kontekstin ideologjik dhe zhvillimet politike të kohës.

Libri i Prof. asoc. dr. Marenglen Kasmi, i sapo botuar nga Shtëpia Botuese “Naimi” me titullin “Sadik Premtaj – Trockisti i fundit”, nuk është thjesht një përmbledhje faktesh të harruara, por një trajtim shkencor analitik, ku historia personale e një personazhi të përjashtuar nga historia ndërthuret me zhvillimet ideologjike, strukturore dhe organizative të së majtës shqiptare në shekullin XX.

- Publicitet -

Qysh në hyrje të librit, autori sjell në vëmendje faktin se figura e Sadik Premtajt ka qenë jo vetëm e anatemuar, por e deformuar qëllimisht, deri në tjetërsimin e identitetit të tij. Në dokumentet zyrtare, në tekstet e pasluftës dhe në literaturën fragmentare të periudhës së tranzicionit, ai shfaqet herë me mbiemrin “Premte”, herë “Premtja”, “Premti” apo edhe me variante të tjera. Ky depersonalizim i qëllimshëm, siç e quan autori, ka qenë pjesë e një strategjie të zhdukjes së plotë të kujtesës mbi këtë personazh historik të rëndësishëm të së majtës shqiptare.

Mjafton t’i referohesh nënshkrimit të vetë personazhit tonë, por edhe dokumentacionit të Zyrës së Gjendjes Civile, për të kuptuar se forma e saktë e mbiemrit të Sadikut është Premtaj.

Duke u ndalur në strukturën e librit, lexuesi vëren menjëherë se kjo nuk është një biografi klasike, as rrëfim emocional apo hagiografi e qëllimshme. Kasmi ndërton një biografi politiko-historike në kuptimin perëndimor të termit, ku personazhi analizohet përmes kontekstit, dokumenteve, rrjeteve të mendimit dhe raporteve të tij me lëvizjet më të mëdha ideologjike të kohës.

Në mënyrë të vetëdijshme, autori largohet nga modeli i zakonshëm që qarkullon në Shqipëri, ku biografitë janë shpesh përmbledhje dëshmish, rrëfimesh familjare dhe nënvizimesh morale, dhe jo produkt i një pune shkencore që merr në analizë strukturën e ideve, ndikimet e jashtme, dokumentet arkivore dhe referencat krahasuese. Në këtë pikë, kjo biografi kushtuar Premtajt përfaqëson një ndryshim paradigmatik në mënyrën si shkruhet historia politike në vend.

Kasmi i shmanget me kujdes formave abuzive që i japin biografisë ngjyrat e një novele sentimentaliste apo të një portreti të idealizuar – çka sot ndodh rëndom në shkrimin e shumë biografive, – ku personazhi analizohet jo përmes fakteve, por përmes trillimeve psikologjike, ndjesive të stisura, ose frazave të bardha të tipit: “ai mendonte se…” ose “me shumë gjasa ai ndiente një dhembje të thellë për fatin e klasës punëtore” etj.

Në vend të kësaj, ai ndërton një analizë të mbështetur në burime arkivore, dokumente autentike, shkrime të vetë Sadik Premtajt, si dhe një krahasim të zgjeruar me përvojat e opozitës së brendshme në partitë komuniste europiane – nga fraksionistët çekë pas vitit 1945, te devijimet jugosllave dhe tensionet në Partinë Komuniste Franceze.

Në këtë mënyrë, figura e Premtajt del nga izolimi provincial ku është mbajtur prej dekadash dhe vendoset në një narrativë historike me rezonancë ndërkombëtare.

Kjo qasje i jep librit një dimension të dyfishtë: së pari, si biografi e një individi me vetëdije politike të artikuluar, dhe së dyti, si rast studimor i një tendence më të gjerë të përjashtimit të mendimit kritik nga lëvizjet komuniste në Europën Lindore. Përmes këtij modeli, autori jo vetëm që ringre figurën e Sadik Premtajt, por hap rrugën për rishikimin e figurave të tjera të margjinalizuara në mënyrë sistematike nga historiografia zyrtare, qofshin këta disidentë, reformatorë të brendshëm apo ideologë alternativë.

Në një kohë kur biografitë që qarkullojnë në Shqipëri shpesh mbështeten më shumë te ndjeshmëria personale, mitizimi i së kaluarës dhe personazheve historikë apo formula të gatshme të tipit “martir i idealeve”, kjo vepër sjell një standard të ri. Pasi, ky libër nuk është shkruar për të ngushëlluar ndërgjegjen kolektive apo për të “rehabilituar” një personazh historik në mënyrë retorike, por për të analizuar, kuptuar dhe vendosur në kontekst një individ politik që sfidoi doktrinën dhe autoritetin e PKSH në emër të një ideali të tjetërllojtë të së majtës.

Në pjesën hyrëse dhe metodologjike, autori sqaron me kujdes bazat mbi të cilat ndërton analizën e tij: përdorimi i burimeve arkivore (AQSh, AMPB, AIDSSH), krahasimi me përvojat e partive të tjera komuniste në Evropë (Franca, Çekosllovakia, Jugosllavia), analiza e konceptit të fraksionizmit kritik dhe vendosja e biografisë në një rrëfim politik të zhvilluar dhe jo emocional.

Libri aplikon parimet e historiografisë bashkëkohore europiane, duke u ndalur te debatet e brendshme, roli i mendimit kritik, koncepti i opozitës legjitime brenda partive komuniste dhe mekanizmat e përjashtimit ideologjik. Ky është një model metodologjik thuajse i panjohur në shumicën dërrmuese të biografive shqiptare, ku dominon kryesisht narrativa e thjeshtuar e “heroit të ndjekur nga regjimi”.

Në këtë aspekt, figura e Premtajt vlerësohet si përfaqësues i një rryme të harruar të së majtës – një e majtë më demokratike, më ndërkombëtare, më e lidhur me idealet e Internacionales së Katërt dhe më pak e ngurtë ideologjikisht.
Rruga e Sadik Premtajt nga shkollimi në Shkollën Teknike të Tiranës deri në përjashtimin e tij nga PKSH kalon përmes një rrëfimi që shpalos një njeri të formuar intelektualisht dhe të përkushtuar ndaj një ideali për të cilin ishte gati të sakrifikonte çdo privilegj personal.

Ai kërkoi që partia të ruante frymën e centralizmit demokratik dhe të mos kthehej në instrument të një grupi të vogël drejtuesish që eliminonin çdo zë kritik.

Në libër trajtohen me kujdes themelimi i PKSH dhe roli i “Grupit të të Rinjve”, ku bënte pjesë edhe Sadiku, episodet e debatit të brendshëm në vitet 1942–1943, përplasja me emisarët jugosllavë, të cilët Premtaj i konsideronte si faktorë të kontrollit politik mbi PKSH, dhe kulmi i tensionit që solli përjashtimin e tij dhe përpjekjen për eliminimin fizik në gusht 1943.

Kjo ngjarje, e trajtuar në libër si “Prita e 27 gushtit”, analizohen si pjesë e një procesi të qëllimshëm për të mbytur çdo rrymë tjetër mendimi brenda PKSH.

Një nga momentet kulmore të librit është analiza e programit politik të Premtajt gjatë viteve 1943–1944, e cila tregon se ai përfaqësonte jo vetëm një fraksion opozitar, por një alternativë të artikuluar të organizimit të së majtës, që synonte ruajtjen e lirive të brendshme, përfaqësimit dhe unitetit të bazuar në debat.

Pas atentatit të dështuar ndaj tij dhe rrezikut për jetën, Sadik Premtaj largohet nga Shqipëria, duke u vendosur fillimisht në Barletta dhe më pas në Paris. Gjatë kësaj periudhe ai angazhohet drejtpërdrejt në radhët e Internacionales së Katërt, duke drejtuar seksionin shqiptar dhe duke kontribuar në përhapjen e ideve trockiste përmes artikujve dhe analizave.

Në këtë aspekt, libri sjell një risi të madhe: përdor dokumente origjinale, letra dhe shkrime të Premtajt, si dhe burime arkivore, për të ndërtuar një pasqyrë të plotë të mendimit të tij në mërgim.

Një tjetër meritë e këtij botimi është zbardhja e mekanizmave të censurës institucionale që penguan për dekada çdo trajtim të figurës së Premtajt në historiografinë shqiptare. Autori zbulon përmes një episodi arkivor se kapitulli i dedikuar fraksionit të Premtajt në një historik të Luftës Nacionalçlirimtare në Qarkun e Vlorës ishte hequr me urdhër, me pretekstin se duhej përgatitur “si monografi më vete”, gjë që nuk ndodhi kurrë.

Botimi për Sadik Premtajn nuk është vetëm rehabilitimi i një figure të harruar, por një model i ri për të shkruar historinë në Shqipëri. Autori vendos standarde të reja në qasjen ndaj burimeve, analizës së dokumenteve, ndërtimit të narrativës dhe kontekstualizimit ndërkombëtar të një figure vendase.

Në një kohë kur historiografia shqiptare ende vuan nga mbivendosja e diskursit propagandistik mbi diskursin analitik, ky libër përbën një shembull për t’u ndjekur, si për studiuesit, ashtu edhe për institucionet akademike.

Së fundmi, botimi i historianit Kasmi “Sadik Premtaj – Trockisti i fundit” është më shumë se një libër që i kushtohet një mendimtari komunist ndryshe. Është një manifest metodologjik për historiografinë kritike, një akt memorieje për një rrugë tjetër të së majtës, dhe një ftesë për të menduar historinë si debat dhe jo si dogmë.

Nëpërmjet kësaj vepre, autori sjell jo vetëm një portret të rigjetur, por edhe një mënyrë të re të shkrimit të historisë në Shqipëri: të ndershme, të bazuar në burime, të hapur ndaj nuancave dhe mbi të gjitha, të lirë nga frika e së vërtetës.

—-

©️Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • Botërori 2026, kur kampionët ‘marrin përdore’ kombëtaret e tyre
  • Mbappe shkruan emrin në librat e rekordeve, francezi barazon Klose dhe gjuetia për Messin vazhdon
  • E konfirmon ADN, trupi i pajetë i gjetur i përket Eglant Koçit
  • SPAK: Dy të besuarat e Ballukut ndryshuan kontratën e energjisë dhe paguan faturat e vilës F6 në Dhërmi
  • SHBA heq sanksionet ndaj Iranit, Trump kërcënon nëse Teherani nuk i përmbahet marrëveshjes

Komentet e Fundit

  1. Joni on “Çfarë komandant i leshit more”, Rama e sulmoi, del dokumenti: Dritan Goxhaj ishte pjesë e UÇK gjatë kësaj periudhe
  2. Joni on “Çfarë komandant i leshit more”, Rama e sulmoi, del dokumenti: Dritan Goxhaj ishte pjesë e UÇK gjatë kësaj periudhe
  3. Anonymous on “Çfarë komandant i leshit more”, Rama e sulmoi, del dokumenti: Dritan Goxhaj ishte pjesë e UÇK gjatë kësaj periudhe
  4. Anonymous on “Çfarë komandant i leshit more”, Rama e sulmoi, del dokumenti: Dritan Goxhaj ishte pjesë e UÇK gjatë kësaj periudhe
  5. Vilajet Qyrku on Ruajeni protestën nga Berishët. Pasuria e tyre buron nga pena e Edi Ramës

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?