Pavarësisht realizimit të tre raundeve të përzgjedhjes së fituesve të rinj që do të mund të ndjekin për herë të parë studimet e larta në ciklin “Bachelor” për vitin akademik 2022-2023, vijojnë të jenë të konsiderueshme kuotat që mbeten të paplotësuara. Strukturat publike të arsimit të lartë në rrethe kanë shifrat më të larta të kuotave të lira, ndërkohë që nuk mbeten pas as universitetet në kryeqytet.
Universiteti i Mjekësisë që është edhe një ndër strukturat publike të arsimit të lartë më të preferuar në radhët e maturantëve, raporton 31 kuota të lira, në programe të ndryshme, sipas tabelës së detajuar në vijim të shkrimit. Gara për plotësimin e tyre do të vijojë edhe përgjatë ditës së sotme ku çdo kandidat i interesuar do të duhet të plotësojë një kërkesë me shkrim sipas modelit të shpallur, si dhe ta paraqesë pranë strukturave përgjegjëse të këtij institucioni të arsimit të lartë. Të vetmet programe studimi që i kanë plotësuar kuotat e pranimeve që në dy raundet e para janë dega e Mjekësisë së Përgjithshme, ajo e Farmacisë, si dhe Stomatologjisë. Të gjithë fituesit e këtyre fazave bashkë me kërkesën për regjistrim duhet që të paraqesin edhe një kopje të ID dhe të diplomës së Maturës Shtetërore, si dhe listën notave të të gjitha viteve të shkollës së mesme.
Udhëzimi i fundit i Rektoratit, përcakton se kandidatët që kanë aplikuar në raundin e tretë në programin përkatës të Universitetit të Mjekësisë, e që nuk janë regjistruar në një program tjetër studimi duhet të paraqesin pranë sekretarive mësimore të fakultetit përkatës kërkesën me shkrim për regjistrim në atë program studimi që ka kuota të lira edhe përgjatë ditës së sotme deri në orën 14:00. Një ditë pas mbylljes së afatit të pranimit të kërkesave do të bëhet edhe shpallja e kandidatëve që plotësojnë kushtet për të qenë fitues të këtyre kuotave të lira, për të cilët regjistrimi do të bëhet në disa faza gjatë datës 6 nëntor.
Lidhur me fazat e regjistrimit të fituesve në udhëzim detajohet se: “Në datën 6 nëntor do të bëhet regjistrimi i kandidatëve në përputhje me kuotat e lira të mbetura bosh për çdo program studimi. Faza e parë e regjistrimit do të zhvillohet ndërmjet orës 9:00-10:00, faza e dytë do të zhvillohet ndërmjet orës 11:00-13:00, faza e tretë do të jetë ndërmjet orës 13:00-15:-00, ndërsa faza e katërt dhe e fundit e regjistrimit të fituesve do të bëhet në oraret 15:00-17:00”.
Nëse rezultojnë ende kuota të paplotësuara pas regjistrimeve sipas këtij udhëzimi, aplikantët që rezultojnë të paregjistruar dhe që janë pjesë e portalit “u-albania” mund të paraqesin pranë sekretarive mësimore të fakultetit përkatës kërkesën me shkrim për regjistrim në atë program studimi në datën 7 nëntor brenda orës 12:00, dhe pak orë më pas do të shpallet edhe lista e fituesve që do të vijojnë me procesin e regjistrimit në datën 8 nëntor.
Dokumentacioni i nevojshëm që duhet të paraqisni pranë sekretarisë mësimore (përkatëse) për t’u regjistruar në secilin program studimi ku jeni shpallur fitues duhet që të përfshijë: fotokopjen e dokumentit të identifikimit (kartë identiteti ose pasaportë), fotokopjen e noterizuar të diplomës së Maturës Shtetërore ose e Dëftesës së pjekurisë, së bashku me certifikatën e notave ose të një dëftese/ diplome tjetër studimi të fituar jashtë vendit dhe të njehsuar në QSHA, si dhe deklaratën e cila plotësohet nga aplikanti në mjediset e Sekretarisë Mësimore të Fakultetit në momentin e regjistrimit. Po ashtu në dosjen e regjistrimit duhet të paraqisni edhe dy fotografi personale në formatin e caktuar, si dhe mandatin e pagesës i tarifës së regjistrimit.
Mesatarja me të cilën u konkurrua këtë vit për degët e mjekësisë
Ndryshe nga sa ka ndodhur me strukturat e tjera të arsimit të lartë, për të konkurruar në degët e profileve mjekësore maturantëve u është dashur të kenë një mesatare më të lartë të shkollës së mesme. Konkretisht, garën për programet e teknikës dentare dhe higjienist dentar e kanë ndjekur vetëm kandidatët që kanë pasur një mesatare mbi notën 7, në degët logopedi, teknik laboratori, teknik imazherie, mami, fizioterapi, infermieri e përgjithshme kanë konkurruar kandidatët me mesatare të shkollës së mesme mbi notën 7.5, në degën e shëndetit publik ata me mesatare mbi notën tetë. Ndërsa për degët siç janë: mjekësia, farmacia, dhe stomatologjia garën e pranimeve të reja e kanë ndjekur të gjithë maturantët dhe kandidatët që kanë pasur mesatare nga nota 8.5 dhe më lart. Nota mesatare për pranimin në institucionet e arsimit të lartë përllogaritet si mesatare e thjeshtë e treguesve, si vijon: “mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë, mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore”.
Për pranimet e reja që do të realizohen gjatë vitit të ardhshëm akademik 2023-2024 në degën e mjekësisë do të shtohet edhe një tjetër element konkurrimi që do të jetë testimi i informatizuar që do të zhvillohet në Qendrën e Shërbimeve të Arsimit. Fillimisht ky testim do të zhvillohet vetëm nga kandidatët që do të konkurrojnë për degën e Mjekësisë së Përgjithshme me qëllim për t’u shtrirë më pas edhe në programet e tjera të këtij universiteti. Kështu, krahas mesatares së konkurrimit, formës aktuale të përzgjedhjes së fituesve në degën e mjekësisë do ti shtohet edhe testi elektronik i pranimit.
KUOTAT E LIRA NË UNIVERSITETIN E MJEKËSISË SË TIRANËS
Programi i studimit Kuota të lira
Fizioterapi 5
Higjenist Dentar 6
Infermieri e Përgjithshme 4
Logopedi 4
Mami 1
Mjekësi e Përgjithshme 0
Shëndet Publik 5
Stomatologji 0
Teknike Imazherie 4
Teknike Laboratori 1
Teknikë Dentare 1
Farmaci 0


Vetem me leke po cave se me konkurs apo ndonje interviste zor se ja del ne Shqiperi.