Nga Eniana Koçiaj
Botuar në DITA
Ka një besim të shtuar në psikën kolektive të vendeve në tranzicion dhe atyre në zhvillim – të asistuara me koshiencë nga vendet e zhvilluara kapitaliste perëndimore – se korrupsioni dhe demokracia e brishtë janë shkaktare për stagnacionin ekonomik dhe krizat politike në këto vende. Qeverisja e mirë dhe analiza e shtetit neo-patrimonial janë dy prej argumenteve kryesore mbi të cilat ngrihet ky arsyetim.
Një qeverisje është e mirë kur reformat qeverisëse dhe politikat e saj pengojnë korrupsionin, vendosin demokracinë dhe në të njëjtën kohë liberalizojnë ekonominë – vetëm në këtë formë mund të arrihet një ekonomi funksionale tregu, e cila nga ana tjetër është dhe duhet të jetë – na mësojnë ekspertët e qeverisjes së mirë – edhe pika e mbërritjes.
Argumenti i dytë, shumë i ngjashëm me të parin në përfundimet dhe zgjidhjet që jep, fokusohet tek një aspekt më kulturor i shoqërive të pazhvilluara të tregut, të cilat për shkak të institucioneve dhe kulturës politike paramoderne u lejojnë liderëve të papërgjegjshëm të krijojnë përfitime (renta politike) për veten dhe klientët e tyre duke sjellë në këtë mënyrë pasoja të dëmshme ekonomike dhe politike për vendin.
Pra problemi me moszhvillimin është një problem i traditës (turqit për shembull), i vlerave kulturore (individi i korruptuar) dhe institucioneve të cilat kanë mbetur peng i së shkuarës.
Në anën tjetër të traditës shtrihet modernja – dhe për të bërë hapin drejt një shoqërie moderne, me ekonomi funksionale tregu, vendet në zhvillim dhe vendet si i yni në tranzicion, duhet të kalojnë nëpër faza të ndryshme të reformave ekonomike, reformave institucionale dhe atyre politike. Në fazat e para të krijimit të ekonomisë së tregut, institucionet ndërkombëtare të huadhënies dhe kapitali i huaj janë instrumental për këtë proçes.
Terapia e Washington-it
Pas viteve 1989, në vendet ish-komuniste të Bashkimit Sovjetik filloi të aplikohej një grup politikash neoliberale ekonomike, të cilat për herë të parë u hartuan me qëllimin për të zgjidhur krizat e borxhit në vendet e Amerikës Latine – i ashtuquajturi Konsensus i Washingtonit.
Në terma ekonomikë Konsensusi i Washingtonit parashikonte një paketë standarte reformash të cilat do të promovonin politikat e tregut të lirë si zgjidhje për kapërcimin e krizave të borxhit që po kalonin disa vende në Amerikën Latine. E njëjta paketë u prezantua si zgjidhje edhe për ekonomitë e komanduara të ish-bllokut komunist, të cilat, përveçse duhet të reformonin sistemin e tyre ekonomik, u gjendën edhe në kushtet e reformimit të sistemit të tyre politik – i ashtuquajturi transformim i dyfishtë i Evropës Lindore.
Funksionimi i centralizuar i ekonomisë iu transferua, me pasoja të pritshme katastrofike, tregut të lirë nga një ditë në tjetrën. Në terma ekonomikë sistemi i vjetër duhej rrafshuar, privatizimi total dhe prezantimi i një tregu totalisht të lirë duhej arritur menjëherë dhe me çdo kusht.
Terapia e Shok-ut, ose çeku i bardhë në Shqipërinë e pas ’90-ës, dhe proçeset e transformimit ekonomik duhet të ecnin paralelisht me instalimin e sistemit të ri demokratik kushtetues. Pra partia shtet dhe ekonomia e komanduar duhet të zëvendësoheshin në të njëjtën kohë dhe në mënyrë të menjëhershme nga demokracia dhe ekonomia e tregut. Në këto kushte individi i ndershëm i para ’90-ës, i mësuar vetëm me një sherif mbi kalë, u gjend “i lirë” para dilemës së zgjedhjes politike dhe asaj materiale.
Por cilat ishin tiparet e sistemit të ri ekonomik që do të krijonin individin e suksesshëm sipërmarrës dhe të lirë që do të zhbënte 50 vite shtypje të inisiativës së lirë në Shqipëri?
Ashtu sikurse për të gjitha vendet e tjera të bllokut ish-komunist, edhe për Shqipërinë, opsioni neoliberal u mbështet tek prurja e kapitalit të huaj, privatizimi masiv i ndërmarrjeve shtetërore dhe veçanërisht i industrive strategjike të ekonomisë, dhe liberalizimi i ekonomisë, pasojat e të cilave ishin:
(I) pronësia e huaj e aseteve industriale dhe financiare;
(II) varësi e lartë dhe në rritje ndaj importit të kapitalit dhe
(III) varësi tregtare.
Tranzicioni në një ekonomi tregu, siç do të na mësojnë ekspertët e Bankës Botërore, të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, të Fondit Ndërkombëtar Monetar, pedagogë të ekonomisë e të tjerë me radhë, nënkupton liberalizimin e brendshëm dhe të jashtëm të ekonomisë. Liberalizimi i brendshëm ekonomik do të thotë ndër të tjera heqje e kontrollit të çmimeve. Nëse çmimet nuk përcaktohen më nga lart, siç ishte rasti i Shqipërisë para viteve ’90, atëherë do të lihen të përcaktohen nga kostot reale të prodhimit (oferta dhe kërkesa) – kjo fillimisht do të rezultojë në një zhvlerësim të menjëhershëm të parasë.
Pra për qytetarët shqiptarë, edhe pse oferta e mallrave mund të ishte në rritje, mundësia për t’i blerë ato në afatshkurtër (të paktën sa të shfaqej Sudja) ishte e ulët – pra radhët e gjata të qumështit do të zëvendësoheshin me spektatorë vitrinash.
Liberalizmi i jashtëm, nga ana tjetër, nënkupton liberalizmin e tregtisë e cila çoi në defiçite të mëdha tregtare. Në kushtet kur prodhimi vendas u la në faliment, produktet e huaja prodhoheshin në mënyrë shumë më efikase dhe me kosto më të lirë, për pasojë më shumë para rrjedhin nga ekonomia vendase sesa hynë në të. Në këtë kontekst fluksi i kapitalit të huaj, i cili kompenson defiçitet tregtare deri sa të japë nxitje për rritje ekonomike të orientuar drejt eksportit, është thelbësor.
Por përveç nevojës për të zbutur defiçitet e mëdha tregtare, dhe me tërheqjen e shtetit si investitori kryesor, nevoja për kapital të huaj ishte e madhe veçanërisht për të bërë të suksesshme skemat e privatizimit të ndërmarrjeve publike dhe të sektorëve strategjikë të ekonomisë, për shkak të mungesës së kapitalit privat dhe burimeve financiare të cilat duhet të vinin nga diku.
Kalimi i ndërmarrjeve shtetërore në duar të privatit bëhet nëpërmjet kapitalit privat dhe burimeve financiare të cilat nuk ekzistonin në Shqipërinë e viteve ’90. Privatizimi i kompanive industriale dhe bankave mund të ndodhte vetëm në sajë të fluksit të kapitalit të huaj. Kapitali i huaj fillimisht rrodhi në ata sektorë ku pritej rritje, në ato ndërmarrje që i përkisnin sektorëve më fitimprurës të ekonomisë, siç ishte sektori minerar veçanërisht kromi, dhe telekomunikacioni në Shqipëri.
Me pak fjalë vizioni euro-atlantik për Evropën Lindore ishte vizioni i një modeli zhvillimor që do të zbatohej nëpërmjet pozicionit dominues të kapitalit të huaj, i cili duhej të kanalizohej në aktivitete që lehtësonin përvetësimin e aseteve shtetërore në mënyrë që kapitali i huaj t’i kapte ato me kosto të ulët ose pa kosto dhe t’i kthente në përdorim fitimprurës – fitime këto të cilat nuk riinvestoheshin por riatdhesoheshin në vendin e origjinës së kompanisë.
Në këto kushte shumë pak mundësi u la për krijimin e kapitalit vendas, i cili iu nënshtrua interesave të kapitalit të huaj. Ky i fundit përveç shfrytëzimit të burimeve natyrore dhe riatdhesimit të fitimit, shfrytëzoi edhe krahun e lirë të një numri shumë të madh qytetarësh të papunë.
Në mungesë të një alternative, kombinimi i çmontimit të autoritetit me shkatërrimin e mekanizmave të vjetër që e bënin ekonominë të funksiononte, çoi në kolapsin dramatik të standarteve të jetës së qytetarëve. Shteti i ri demokratik u tërhoq nga i vetmi funksion që ende i bën shqiptarët nostalgjik – funksioni i tij si rishpërndarës dhe si investitor kryesor. Vendi hyri në një sistem elektoral pluralist pikërisht në momentin kur u zhyt në anarki të thellë ekonomike.
Ndërkohë që reforma kushtetuese thjesht sa zhbëri mekanizmat e vjetër politik dhe i zëvendësoi ato me disa të tjera, la të pazgjidhur pyetjen se si do të udhëhiqej ekonomia, jo parimisht me paketa reformash nga Washingtoni, por si do të performonte ajo në përditshmëri – ç’do të ndodhte me të ardhurat e qytetarëve, si do të krijoheshin ato, ku do gjendej kapitali fillestar për sipërmarrësit shqiptarë në mungesë të një sektori funksional bankar, në cilët sektorë të ekonomisë do punësoheshin ish-ushtarakët, inxhinierët, punëtorët e industrisë së rëndë e të lehtë? Si do të përballoheshin efektet depresive sociale të politikave neoliberale? Cilat shërbime në dispozicion do mbuloheshin me ndihmën (borxhin) e huaj?
400 mijë shqiptarë, krahë aktive pune, remitancat vjetore të të cilëve arritën pothuaj dyfishin e vlerës së pretenduar nga FMN – 700 milionë $ – e gjetën përgjigjen në vendet fqinje.
Maratonomakët 2030
Në shumë forma, korrupsioni është bërë diskursi mbizotërues i ankesave dhe problemeve në vendin tonë, duke simbolizuar zhgënjimet e qytetarëve me zhvillimin dhe demokracinë, si edhe zhgënjimin e tyre për hendekun e thellë të pabarazive gjithnjë e në rritje sociale. Nuk ka dyshim se problemet e korrupsionit dhe një sistem i brishtë demokratik janë realë në Shqipëri dhe të padëshirueshme për shumë prej nesh, por pyetja që shtrohet është: a janë strategjitë politike të qeverisjes së mirë që identifikojnë demokracinë dhe reduktimin e korrupsionit si parakushte instrumentale për formimin e një shteti të qendrueshëm zhvillimor? A janë strategjitë dhe politikat anti-korrupsion mjetet e duhura politike përmes së cilave rezultatet kaq të dëshiruara ekonomike dhe politike pritet të arrihen?
Historia e vetë vendeve të zhvilluara na tregon që JO! Dëshmia e tranzicionit historik, sipas studiuesve postkolonialistë dhe historianëve, tregon se forcimi i demokracisë dhe ulja e korrupsionit në vendet e zhvilluara ishin proçese të gjata historike të cilat u konsoliduan mbas revolucioneve të tyre industriale, pra sekuenca e reformave që i çuan këto vende drejt zhvillimit të tyre të qendrueshëm kapitalist bie ndesh me rekomandimet e vetë këtyre vendeve.
Për më tepër politikat për të minimizuar korrupsionin në vendet me demokraci të zhvilluara nuk kanë formën e reformave të thella transformuese institucionale, të cilat shpesh herë duke ngatërruar mjetet me qëllimin ngushtojnë akoma më shumë hapësirën transformuese të vendeve në proçese zhvillimi. Aplikime abstrakte të kritereve të qeverisjes së mirë pa kuptuar shkaqet dhe pasojat e korrupsionit, pasoja të cilat jorrallëherë kanë qenë avantazhuese në proçeset transformuese të vetë vendeve të zhvilluara, janë keqorientuese dhe nuk do të japin në të ardhmen, rezultatet ekonomike dhe politike të dëshiruara.
Me premtimin se ndryshimet institucionale, lufta ndaj korrupsionit, një klimë e besueshme për kapitalin e huaj, një ekonomi shërbimi me eksporte gjithnjë e në rritje (turizmi), do të krijojnë kushtet e duhura për të kapur me shpejtësi vendet e zhvilluara, Shqipëria po pret të hyjë në Evropën politike të shekullit të 21-të në një kontekst gjeopolitik dhe ekonomik shumë më pak të relaksuar se ai i viteve ’90.
Në 35 vite reformash të suksesshme ekonomike – të paktën për çunat e Ҫikagos dhe maratonomakët e Shqipërisë 2030 – individi i lirë sipërmarrës, megjithëse u mbrujt me sukses, nuk arriti të sjellë zhvillimin e premtuar.
Prapambetja ekonomike e Shqipërisë ka tashmë një tjetër fajtor: Individin e Korruptuar, i cili endet i lirë edhe për pak kohë me gjasë deri sa çështjet e sigurisë gjeopolitike të kontinentit dhe emigracioni të “negociojnë” me shpejtësi kapitujt e mbetur të integrimit.
E ndërsa për humbjen e lavdisë së individit të korruptuar Belo(a)t, Arlindrat, Agronrat lagen me shampanjë e shohin ëndrra me kuaj, Ballkani fanatik i politikave më të hapura të tregut po futet në një qerthull shumë të rrezikshëm destabiliteti gjeopolitik. Premtimet për investime luksi, kampe emigrantësh dhe prodhime armatimesh pas shkatërrimit spektakolar të ushtrisë shqiptare në emër të demokracisë së përbashkët euro-atlantike, mund të na rehatojnë politikisht për pak kohë me më të fortët, por nuk do i ndryshojnë asgjë paaftësisë (dhe pamundësisë strukturore) të qeverisjes shqiptare për të nxitur zhvillimin. As ngritja e strukturave paralele të drejtësisë, të cilat duket se pushtetin për të ndëshkuar dhe shkatërruar jetën e të tjerëve po e shohin si drejtësi.
Në faj për punimet e munguara shkencore që duhet të kishin shkruar në rininë e vet, prokurorë specialë duket se kanë hyrë në garë se kush habit me dosjet më voluminoze për Individin e Korruptuar. Me të njëjtin pasion shterp rreshtohen ekspertë kombëtar e ndërkombëtar për të prezantuar raporte vlerësimi mbi shtetin e së drejtës, demokracinë (me shpresë mund t’i vijë radha edhe të drejtave të njeriut) dhe mundësitë e humbura për faj të Individit të Korruptuar – mundësi këto që Italia e Duarve të Pastra, Brazili i Petrobrasit, Kroacia e reformave të suksesshme etj. nuk po i shohin edhe sot e kësaj dite.
Është i gabuar perceptimi që njerëzit nuk mësojnë nga historia – kujtimi i sherifit tonë mbi kalë që ngriti piramida e avionë për të shkatërruar civilë, përçau jug e veri, rishfaqet i stampuar mbi pjesën dërrmuese të votuesve shqiptarë çdo 4 vjet.
Në të njëjtën formë do t’i shfaqet edhe votuesve në anën tjetër të kontinentit sherifi i ri që ka vendosur të shkojë me kalë në Mars. Kujtimi i fashizmit dhe “efiçencës” gjermane po mbush sheshe kryeqytetesh evropiane çdo ditë e më shumë. Janë këto kujtime të cilat në mungesë të një alternative që do të mund t’i japë zgjidhje problemeve të thella të pabarazive sociale që vijnë si pasojë e një sistemi ekonomik thellësisht të padrejtë, po mbajnë në këmbë udhëheqës egomaniakë dhe proto-fashistë, shqetësimi i fundit i të cilëve duket të jetë drejtësia.
—-
©️Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016