Prof. Hamit Boriçi
1.
- Publicitet -
Kanë kaluar 124 vjet, që kur, me nismë të Prend Doçit (l846-l9l7), një nga peronaliteteve më në zë të kohës, u themelua Shoqëria “Bashkimi” e Shkodrës. Ajo zu fill si klub letrar, shndërruar shpejt në “nji shoqni shqiptarësh atdhetarë me emenin “Shoqnija e bashkimit t’ gjuhës shqype” (Revista “Albania” l5 mars l900 ). Si themeluesi e udhëheqësi i kësaj shoqërie, Prend Doçi, asokohe Abat i Mirditës, ashtu edhe anëtarët, që e përbënin këtë shoqëri, në orët e para të saj përfaqësonin një rreth të kufizuar klerikësh katolikë të urdhërit Françeskan, si edhe disa prej shekulltarëve, personalitete nga shtresat qytetare të Shkodrës, njëheri figura të shquara të Rilindjes sonë kombëtare, si Filip Shiroka e Luigj Gurakuqi, etj.
Synimi i saj kryesor i kësaj shoqërie ishte përhapja e shkrimit të shqipes përmes zhvillimit të një alfabeti të njësuar shqiptar, për përhapjen e librit shqip dhe mësimdhënien e shqipes nëpër shkolla. Pra, “Puna e pare qe hartimi i një alfabeti të shqipes me shkronja latine”. (Fjalori Enciklopedik Shqiptari Akademisë shqipes me shkronja latine”. (Fjalori Enciklopedik Shqiptar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 2009, f. 2507)
Prend Doçi ngulmoi në shtrirjen e popullarizimin e veprimtarisë gjuhësore e letrare të shoqërisë, të përmbajtjes së saj kombëtare, për t’i kaluar caqet e qytetit të Shkodrës, që, siç sugjeronte dhe uronte Faik Konica, “nga shoqëri shkodrane të bëhet gege, nga gege të përhapet gjer në Pargë e të bëhet shqiptare e përgjithshme…” (Revista “Albania” l5 nëntor l90l).
Shoqëria nuk kishte një organ shtypi të vetin. Disa herë u shtrua idea për një fletore javore apo për një revistë mujore, duke skicuar edhe platformen për një të përkohshme letrare me karakter instruktiv të përgjithshëm. Nga viti l906 u hodhën hapat për një të përkohshme. Anëtarët më aktivë në lëmë të letrave u ngarkuan me detyra përgatitore për lëndë e për rubrika themelore të një të fletores së pritme, që u arrit më 9 janar 1908, duke nxjerrë në dritë veprën FJALUER i Rii i Shcypes, ribotuar në 110-vjetorin e saj (2018) nga Enti Botues “Gjergj Fishta”. Në parathënien Vlerat e ashtershme të botimi anastatit, gjuhëtari i mirënjohur, Profesor dr. Xhevat LLloshi do të shkruante: “Pas fjalorit të Frang Bardhit (1635) dhe të K. Kristoforidhit (botuar më 1904), vepra më e rëdësishme e leksikografisë shqiptare deri në mesin e shek. XX është FJALUER i Rii i Shcypes. Perbaam Preie Shocniiet t’Bashkimit, shtypur në Shkodër më 1908 dhe që njihet shkurt si Fjalori i Bashkimit”. ( Prof, dr, Xhevat Lloshi Fjalor i Gjuhës Shqipe, 2018 Nga Enti Botues “Gjergj Fishta”, 2018)
Idetë dhe problemet e Shoqërisë “Bashkimi” do të trajtoheshin do të pasqyroeshin edhe në të përkohshmen “Koha” (nga numri 2 me emër “Bashkimi”), që qarkulloi në Shkodër që prej 9 janari l9l0. Kjo gazetë u jetësua nga dom Ndoc Nikaj, me një përvojë disavjeçare në revistë “Albania” të Faik Konicës.
2.
Penat më të shquara në qarqet letrare e shkencore të kohës, anëtarë dhe simpatizantë të kësaj lëvizjeje gjuhësore, kultrore e mendore, u aktivizuan në revistën “Albania” që në numrin e parë të saj.
Faik Konica ftoi bashkëpunëtorët nga Shkodra, ua vu në dispozicion shtyllat e faqet e revistës edhe sepse, së pari, ai kishte qenë nxënës në liceun jezuit të Shkodrës, kishte konsideratë të lartë asokohe për shkrimtarët e gjuhëtarët e veriut, disa prej të cilëve njohur së afërmi; së dyti, edhe sepse për një gjë të tillë paraqiste interes të veçantë Austro-Hungaria, nën protektoratin e së cilës ishte edhe revista “Albania”. Me një vizion të gjërë e në dritë kombëtare parashtrohet motivi i redaksisë për hapjen e dyerve shkrimtarëve gegë, ashtu si edhe atyre toskë. Në shënimin “Ç’bëjtim, Ç’duhet bërë,Ç ‘do të bejmë” arsyetohet: “Për me bam nji gazetë nuk vetëm tosknisht, por krejt shqyp, domethanë, tosknisht edhe gegnisht, filluem te numri 6 e ma shumë te numri 8 me qit t’shkruemuna n’gjuhë shqyp, siç e përdorin shqiptarët e veriut o Gegët” (Revista “Albania”, 30 prill l898).
Pa përmendur Konicën,që i jepte tonin revistës me shkrimet e tij për çdo numër, por, më së shumti, me kryeartikujt që, edhe për nga mjeshtëria publicistike vlejnë të merren shembull, në numrin e parë më të shumtit autorë, bashkëpunëtorë, ishin nga kolonitë shqiptare në mërgim, si Thoma Abrami, Viskë Babatasi, Visar Dodani, Jani Trebicka, Zef Skiroi, Spiro Garo, etj.
Dalja në faqet e “Albania”-s e një vargu firmash, si Filip Shiroka, Ndoc Nikaj (nga viti l899 i ngarkuar me detyren e korrespondentit të shoqërisë për revistën), Gjergj Fishta, Pashk Bardhi, Luigj Gurakuqi, Hil Mosi, Shtjefen Gjeçovi, etj., ndikoi në autoritetin kombëtar të saj.
Një nga të shquarit bashkëpunëtor, që më 1897 Faik Konica filloi botimin e të përkohshmes “Albania”, ishte bashkimasi dom Ndoc Nikaj m me pseudonimin Nakdo Monici. Ai me polemikat e tij hyri në historinë e fletores koniciane. “Atë Gjergj Fishta me poezinë satirike “NAKDOMINICIPEDIA” në hyrje të të vëllimit të tij me satira “Anzat e Parnasit” me përpjekjet fisnike dhe atdhetare të mikut të tij , përqesh heriarkinë e përmbysur të vlerave sociale në Shqipërinë e kohës, (1907) ( Shih: Frano Kulli- Kohë e re e përlyeme” – publicistikë, 2018, f. 216 )
3.
Përmbajtja e së përmuajshmes letrare, gjuhësore, historike e sociologjike u përgjigjej plotësisht edhe synimeve të shoqërisë. Interesi i shoqërisë dhe i revistës ishin thuajse në një rrafsh. Në numrat e parë e përkohshmja nuk kishte ndonjë plan tematik e problemor për çdo numër, as që mund të mendohej një gjë e tillë. Bashkëpunëtorët e Shkodrës e ndihmuan atë, ndikuan disi edhe në pervijimin e fytyrës së revistës e të vizionit të saj kombëtar në mënyrë koherente.
Ndër të parët autorë shkodranë ishte Filip Shiroka me pseudonimin Gegë Postrippa. Ai e nis bashkëpunimin me vjershat “Shkollat shqyp” e “Gjergj Kastrioti” dhe me esenë “Gjuha shqyp”. Ende i padijtur prej meje është pseudonimi i autorit shkodranë “Shaqir Zabzuni”, i cili, me një gegërishte të lëmuar, shkruan në numër të parë “Shka don me thanë komp?” dhe “Shka po bajnë të huejt n’Shqypni?”. Në artikullin e parë përcaktimi i termit komb jepet kësisoj: “Komp do me thanë gjithë njerëzit qi rrojnë në nji dhe, kanë nji gjuhë e nji farë. Na shqyptarët, qi rrojmë në nji tokë, flasim shqyp e kena nji rranxë, bajmë nji komp, jena kombi shqyptar”. (faqe A. l46); ndërsa në shkrimin e dytë autori shfaqet kundër shkollave të huaja në Shkodër e në të gjithë Shqipërinë, me arsyetimin: “përderisa nuk ka shkolla shqipe”.
Secila nga penat e shoqërisë “Bashkimi” apo të përkrahësve të saj në revistë shfaqi e zhvilloi të dhënat e vehtësishme krijuese, letrare e publicistike, duke ndihmuar në dritësimin dhe në tërësinë e ecurisë së problemeve më themelore kombëtare të kohës. Nëqoftëse Filip Shiroka, (“Geg Postrippa”), i pasqyroi shqetësimet e atdhetarëve përmes vargjeve, si “Shko dalëndyshë”, “Tufë lulesh” “Dy fjalë vllazënvet t’mi”, “Bylbylit”, etj; Ndoc Nikaj (me pseudnimin “Nakdo Monici”), më i shquari mes shkrimtarëve të veriut në “Albania”, lëvroi larminë e llojeve të shkrimeve racionale, shënimin, korrespodencën e artikullin. Ndërsa Luigj Gurakuqi, (“Jakin Shkodra” e “Lekë Gruda”) paraqitet më shumë poet se prozator; Gjergj Fishta (“Geg Toska”, “Bib Gjeta”, “Castigat Ridendo” a “Rushman Sokoli”) me vargjet romantike-epope depërton në botën e brendshme te lexuesit, ushqen e ndikon në ndjenjat kombëtare në gërshetim të temave të problemeve të kombit e të kombësisë shqiptare; Pashk Bardhi me artikujt e tij të shkurtër ngre dhe trajton problemet “Fe e Atdhe” nga një këndvështrim dukshëm me prirje atdhetare.
Një vështrim në tematikën e problematikën e trajtuar nga kjo tufë shkrimtarësh e publicistësh të veriut çon në përfundimin se ata, jo rrallë, kanë dalë edhe nga sinoret e shoqërisë, pashmangshëm rënë në gjykime e vlerësime politike.
Para së gjithash në shumicën e shkrimeve ngrihet domosdoja e të mësuarit të gjuhës shqipe dhe e çështjeve të zhvillimit të saj. Autorët, ndonëse përkrahin e mbrojnë fjalorin, abenë e shoqërisë “Bashkimi”, e hedhin vështrimin më tej, orientuar drejt një gjuhe shqype për të gjithë shqiptarët. Filip Shiroka, në artikullin “Gjuha shqyp” mbron tezën se gegënishtja dhe toskënishtja “duhet të përzihen dalëkadalë dhe prej kësaj përziemje të dalë nji gjuhë e re dhe e shëndoshtë”, të cilën ai e emërton “gjuha shqip e përgjithshme” (“Albania”, l898, nr. l2, vëllimi A, f. 20l). Dy vjet më pas, ky rilindës i shquar, do të shtronte nevojen e zhvillimit të gjuhës “për me e dlirë, me e qirue e me e hapë gjuhën tonë, pse gjuha asht shpirti i kombit” ( Revista “Albania”, l0 tetor l900). Tingëllojnë disi naive dhe tejet të avancuara kërkesat e siperrënditura, kur në Shqipëri, nën sundimin osman, ishte e ndaluar shkolla shqipe, në një kohë që shkollat e huaja të Shkodrës, të mësuarit e gjuhëve joshqipe, sidomos italiane, ishte ligjëruar (!) Ndoc Nikaj ngre zërin kundër nënvleftësimit të gjuhës shqipe në seminaret fetare. Në numrin e tetorit l900 ai vëren se “N’msojtoret të Kshtenimit msohet deri tash italishtja, gjuha shqype, qi mund të jetë kryet, asht bishti i gjith kndimeve të tjera”.
Interesimi dhe përkujdesja e Austro-Hungarisë ndaj gjuhës e kulturës shqipe, protektorati e subvensionimi i shkollave dhe i shumë gazetave shqipe, ashtu si edhe klerikëve françeskanë, ishte objekt i kritikave të qarqeve të caktuara opozitare “proitalia”. Në polemikat me ta, Ndoc Nikaj shtron pyetjen: “E ç’dobi ka Nemcja si t’msohet gjuha shqyp n’ Shqypni? Dhe, pa hyrë ne faktorët e politikave koniukturale ndërkombëtare e qëndrimeve të tyre ndaj Shqipërisë, arsyeton: “T’thuesh se me gjuhë tedeske Austro-Hungaria mundet me pasë ndonjë dobi, por për gjuhë shqyp?!”(Revista “Albania”, 1899, nr. 9 ).
Kundërshtitë e debatet për alfabetin e “Bashkimit”, më shumë nën trysninë e politikave të huaja, mbrojtur nga palë të ndryshme të elitës qytetare në institucionet e larta të dijes në Shkodër, madje edhe jashtë saj, janë pasqyruar gjerësisht e me korrektesë në “Albania”. Dijetari Luigj Gurakuqi në artikullin “Për themelimin e një gjuhe letrare”, shkruar me pseudonimin “Lekë Gruda” ( Revista “Albania” l905, nr. l2). I vetëdijshëm se zgjedhja e “Bashkimit”, pasqyruar në abetaren e saj, ka kufizime, ai e sheh të motivuar debatin dhe nënvizon se, “që me këtë gjuhë të mundemi me u rrahe e me diftue t’gjithë kërkimet e dijes, të gjitha çashtjet e shoqnisë së sotme”, gjuha duhet zhvilluar “. Gurakuqi ishte i mendjes se “duhet me e punue e me e livrue (gjuhën.) me zell, me mend e me kujdes; duhet me i shtue fjalët e me i kufizue skajet, por me dije e urti, tuj vu re e tuj marrë mbrapa ligjet e rregullat e zhvillimit, të natyrës e të qenies së saj”.
Çështja e gjuhës shqipe u bë objekt diskutimi i qarqeve kombëtare të kohës. Fjalori dhe problemet e saj u rrahen gjërësisht në “Albania” edhe nga autorë të tjerë, toskë e gegë. Kështu sekush e dha ndihmesën e vet. Vjershëtorët e Shoqërinë “Bashkimi” të Shkodrës e rreth saj morën pjesë aktive në “diskutimet” me vargje plot frymëzim emocional nacional, përmes të cilëve pohonin ose mohonin. Ndër këta poetë ishte edhe Luigj Gurakuqi (“Jakin Shkodra”), që, përmes vargjeve, nën titullin “T’falun atdhetarit të Kosovës” përcjell rastin e një polemike të shtruar e tolerante. Citojmë: /”Saado nen emen t’Kosovës je mlue,//Po m’dan prej Shkoders ime, //Vllaznisht po t’falem praa qi ke fillue//Me i prue gjuh’s s’onë lulzime”/.
Kohë më vonë Hilë Mosi, duket i lodhur nga polemikat, shpesh të nxitura nga jodashamirët e Shqipërisë, që nuk reshtnin e nuk merrnin udhë sa Shqipëria të gjendej nën robëri, thërret: /Ah nji dit kur Shqypja e liruemun/,/Atëherë faqeza nepër botë t’i dalë/”.
Rrethi i problemeve, që tërheq vëmendjen e anëtareve të “Bashkimit” edhe admiruesve të saj, është i gjërë, jashtëgjuhësor e kulturor. Shkruajnë ne shtyllat e “Albania”-s për domosdoshmërinë e bashkimit kombëtar, duke e parë atë nga anë të ndryshme. Shkrimtari, publicisti e historiani Ndoc Nikaj u kushton vemendje dukurive të dëmshme e tejet të rrezikshme për kombin shqiptar, siç ishte vëllavrasja e ndasia fetare. Edhe si klerik ai e ngre zërin kundër përpjekjeve që në Shqipëri “me ndryshim fenash t’na ndajnë vllazninë”, duke ngulmuar që “t’gjitha fet t’kenë lirinë e vet: Muhamedani xhaminë, i Kshteni kishen e Ortodoksi Kishët e veta…” (Revista “Albania”, l898, , vjesht’ e dytë deri në dimëror). Në artikullin “Vrasat e gjaksitë në Shqypni” paraqet rrjedhojat e dëmet shoqërore e politike” ( Revista “Albania”, l5 gusht l899). Ai do t’i rikthehej edhe herë të tjera këtij problemi. Në numrin e l2 të vitit l900 në shënimin publicistik “Kishë e xhamija” vë thekse në përpjekjet e zaptuesve dhe të atyre që lakmojnë trevat shqiptare për të stisur ngatrresa midis besimtarve muhamedanë dhe atyre të krishterë. Ndërsa në numrin pasardhës të revistës, më 31 janar l90l, sigmatizon trillimet e një të përkoshmeje të Romës “me fjalë të marruna prej Cetine”, sipas të cilës, muhamedanët “bri Gucijet kishin vra shtatë vetë e të tjerë varrue…”. Nakdomonici sqaron: “ata nuk janë vrasje midis muhamedanësh e të kshtenësh, por gjaqe, hasmi e cubni”.
Në këtë suazë Gjergj Fishta (me pseudonimin Rushman Sokoli) më l5 tetor l90l do të botonte vargjet epope, kushtrim kundër gjakmarrjes, drejtuar “Gjaksorëve”.
“Nalni-u! Ku venu burra?…
Pash Zotin, lëshoni hutat!
Pse mjaft gja kem derdhun,
Pse mjaft na bajtme futat,
medet o qiell, medet!
A thue nuk jem vllazën
Njaj atmes t’tane rrite n’orehen
T’tanë quejtun me nji emën
A thue tash kshtu do t’zehen
Ata qi gjuh’ e doke
E i Zot ksnë bashkë e i Mbret!
Nxitësit e politikës antishqiptare “përça e sundo” dhe “përça e shkatërro”, aq sa gjakmarrjen e ndasitë fetare, ushqenin edhe ndasitë krahinore. Ndaj këtij rreziku reaguan edhe anëtarët e shoqërisë “Bashkimi” të Shkodrës. Në artikullin “Dobia e bashkimit” përvijohet mendimi se gegë e toskë një gjaku jemi dhe se “Dora n’dorë do të shtërngohet përdit e ma fort, besa n’besë do të lidhet, Toskë e Gegë për dhee t’Shqypniis me qindrue me atë bashkim qi lyp për me mbledhë top Shqypninë”.
Disa prej shkrimeve lënë të kuptohet se në qarqet e “Bashkimit” gjallonte edhe debati politik për interesa të krahëve të ndryshëm tej megjeve e sinorve përcaktuesë të programit apo të synimeve të shoqatës. Vërehet kundërshtia e eminentëve autoritarë, si Ndoc Nikaj e Pashk Bardhi, ndaj prirjeve që përcilleshin këtej përmes ditareve proitaliane. Nakdo Monici u referohet burimeve informative fletorare te Italisë, që publikonin letërkëmbimet e Bismarkut, ku vihej në dukje se “kujdesi i parë e më i fortë i Italisë do të ishte sundimi i gjithë bregdetit Adriatik”, për të paralajmëruar me tone të rreptë se “asht me të vërtetë rrënimi i shqyptarëvet ky mendim…”( Revista “Albania” 15 gusht l899).
Bashkëpunimi i shkrimtarve të veriut, të shoqnisë “Bashkimi” apo simpatizantë të saj, është mirëpritur nga lexuesit e revistës. Disa herë Faik Konica u ka dhënë përgjigje të interesuarve, të cilët kanë ndjerë mungesen e këtyre firmave në faqet e “Albania”-s. “Disa lexuesë pyesin pse nuk ndigjohet ma “Zani i hijshëm i zogut të Shqypeniis, i vjershtorit kombëtar Gegë Postrippës,- shkruante Faiku. Dhe shpjegonte: “Bilibili nuk i ka mbarue kangët e hieshme, por asht i lodhun pak prej punësh e kujdesesh të tjera…” (Revista “Albania”, 1901, nr. 5 ). Për Fishten, Konica do t’u drejtohej këndonjësvet: “…Z. Castigat Ridendo (një nga pseudonimet e Fishtes) u çfaq përsëri me vjershen e mprehte si thika…” ( Revista “Albania”, 1905, nr. nr. l2 ). Ështe fjala për vargjet “Jaho begu e Palok Tuta”, ku satirizohen ëndërruesit e fronit shqiptar, princi Albert Gjika dhe i vetëquajtur stërnip i Skanderbeut, Aladro Kastrioti.
* * *
Revista “Albania”, me prirje dhe orientime të një kahjeje për zhvillimet e çështjes shqiptare, u shfrytëzua edhe si tribunë e krijimtarisë letrare e publicistike, e fjalës dhe e mendimit të shoqërisë “Bashkimi”.
Qoftë edhe këto “grimca”që rënditëm, na përftojnë bindjen se bashkëpunimi i anëtarëve të Shqoërisë “Bashkimi” dhe i personaliteteve më të afërt të saj me revistën “Albania” përmban vlera kombëtare, historike dhe në khët tona..