Protesta e të rinjve përpara Ministrisë së Arsimit është shoqëruar me tensione, teksa studentët kanë hedhur vezë dhe kapsolla në drejtim të godinës së institucionit. Gjithashtu, ata kanë filluar të shkruajnë me sprej në muret e godinës dhe kanë shkulur kangjëllat dhe pllakat e trotuarit.
Gjatë protestës, në fasadën e Ministrisë së Arsimit, studentët kanë lënë edhe mbishkrimi “Ministri e Krimit”, përmes të cilit protestuesit kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj institucionit.

“Protestojmë për çdo gjë që nuk funksionon dhe për çdo gjë që duam të jetë ndryshe”,thuhet në mesazhin e publikuar nga organizatorët.
“Dorëheqje!”, “Poshtë qeveria!” dhe “Forca, rinia!” ishin disa nga thirrjet e protestuesve, të cilët janë mbledhur për të kundërshtuar problematikat që vijojnë të mbeten të pazgjidhura.
Ndërkohë në pjesën e pasme të godinës së Ministrisë së Arsimit ka forca të shtuara policie, si dhe një autobot me ujë.
Protesta është thirrur nga studentët dhe të rinjtë në nivel kombëtar, me pjesëmarrës nga Tirana dhe qytete të tjera të vendit, për të ngritur zërin për shqetësimet e tyre dhe për të kërkuar reagim institucional.
“Protestojmë për çdo gjë që nuk funksionon dhe për çdo gjë që duam të jetë ndryshe”, thuhet në mesazhin që kanë publikuar organizatorët.
Më herët, një studente pjesëmarrëse në protestë deklaroi se të rinjtë nuk kanë dalë për të paraqitur kërkesa të veçanta, por për të kundërshtuar sistemin politik dhe mungesën e perspektivës në vend.
“Kjo është një protestë e rinisë. Ne nuk kemi kërkesa, por arsye që dalim për të protestuar. Ne duam ndryshimin e këtij sistemi 36-vjeçar, ku të rinjtë shqiptarë janë mall transporti për jashtë, për punë që nuk i duan europianët”, deklaroi studentja.
Ajo kritikoi gjithashtu kushtet ekonomike dhe vështirësitë që hasin qytetarët për të përballuar shpenzimet mujore.
“Sot në Shqipëri nuk ia del dot të përballosh muajin. Të kërkosh dinjitet nuk është luks!”, u shpreh e reja.
j.l./ dita
