Diplomacia shtetërore dhe, bashkë me të, historia e një kombi janë procese që nuk shihen me sy dhe, shpesh herë, as nuk mësojmë se si ndodhin ato. Ne shohim vetëm rezultatet e tyre, por rrallë herë i njohim ato që mund t’i quanim “nuts and bolts” të diplomacisë dhe të lëvizjes historike. Dokumenti që kjo gazetë e boton sot të plotë për herë të parë, përkthyer në shqip për lexuesit e saj, është një ndër ato dokumente diplomatikë dhe historikë shumë të rëndësishëm, që dëshmon se edhe një vend i vogël, si Shqipëria, mund të bëjë diplomaci të madhe, madje edhe në fuqinë më të madhe të globit.
Gjashtë muaj para se NATO të mblidhte Samitin e saj të Pragës (nëntor 2002) për të vendosur se cilët prej dhjetë vendeve postkomunistë të grupit “Vilnius” do u bënte ftesë për t’u anëtarësuar në këtë organizatë dy vite më vonë, dhjetë ambasadorët e vendeve të grupit “Vilnius” në Washington kërkuan të dëshmonin në mbrojtje të interesave të vendeve të tyre në Kongresin e Shteteve të Bashkuara. Kërkesa e tyre u pranua dhe, më 1 maj 2002, Nënkomiteti për Europën i Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, i drejtuar nga kryetari i atij Nënkomiteti, Elton Gallegly, organizoi një seancë dëgjimore (hearing) me të dhjetë ambasadorët në fjalë.
Në atë kohë Shqipëria përfaqësohej në Shtetet e Bashkuara me një prej diplomatëve të saj më të shquar, ambasadorin Fatos Tarifa, i cili kishte fituar gradën PhD në Shtetet e Bashkuara dhe kishte shërbyer më parë si ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Hollandës. Fjala që mbajti në atë seancë dëgjimore në Kongresin amerikan ambasadori Tarifa dhe që përfshihet në vëllimin e tij me kujtime nga Uashingtoni, titulluar Afrimi i madh, i cili do të dalë shumë shpejt nga shtypi dhe nga i cili është marrë teksti i saj, dëshmon kualitetet e spikatura intelektuale dhe profesionale të tij.
Duke shkruar këto fjalë shoqëruese për këtë dokument të rëndësishëm, unë zgjedh që portretin e ambasadorit Tarifa, me të cilin kam pasur fatin të jemi miq për më shumë se 30 vite, ta përshkruaj jo me fjalët e mia, por me fjalët e gazetarit të shquar dhe mikut tim Peter Lucas në parathënien që ai ka shkruar për librin në fjalë. Në parathënien e tij, ndër të tjera Lucas shkruan:
“Çfarë kanë të përbashkët Fatos Tarifa dhe Faik Konica? Përveç faktit që ata kanë qenë dhe i kanë shërbyer Shqipërisë si ambasadorë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe pse me një diferencë në kohë prej 60 vitesh, si Konica, ashtu dhe Tarifa kishin një arsim të jashtëzakonshëm. Të dy ishin intelektualë publikë të respektuar, diplomatë të klasit të parë, patriotë që e deshën Shqipërinë dhe gjithnjë punuan për të mirën e atdheut të tyre. Dhe të dy janë shkrimtarë, shkrimtarë me një talent të pazakontë”.
Më tej Peter Lucas shkruan: “Si një njeri që i ka njohur të gjithë ambasadorët shqiptarë në Shtetet e Bashkuara, të cilët kanë shërbyer në periudhën midis Konicës dhe Tarifës, unë nuk kam asnjë dyshim se Tarifa ka qenë, në mënyrë të padiskutueshme, më i talentuari prej tyre, më kurajozi, më efektivi, më i respektuari dhe më i ndershmi në detyrë. Ai, pothuajse i vetëm, e vuri Shqipërinë në hartë në një mënyrë shumë të favorshme, jo vetëm në Uashington, por në të gjithë Amerikën.
Asnjë nga ambasadorët që Shqipëria ka dërguar në Shtetet e Bashkuara, përfshirë edhe Konicën, nuk ka dëshmuar para Kongresit amerikan me atë elokuencë, ekspresivitet dhe krenari si Fatos Tarifa.
Askush prej tyre nuk bëri ndonjëherë atë diplomaci politike dhe publike në Uashington dhe në tërë Amerikën si Tarifa.
Askush prej tyre nuk ka folur për Shqipërinë në kaq shumë universitete dhe kolegje amerikanë, në institucione think-tank dhe në organizata të rëndësishme të politikës së jashtme në Uashington si Tarifa.
Askush prej tyre nuk ka pasur kurajën dhe vetëbesimin intelektual e politik që t’i shkruante Presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe ndihmësve të tij më të afërt në Shtëpinë e Bardhë si Tarifa. Dhe askush prej tyre nuk kishte ato njohje dhe ato kontakte në Shtëpinë e Bardhë që krijoi Tarifa.
Asnjëri nga paraardhësit e Tarifës nuk bëri kaq shumë miq personalë dhe miq të Shqipërisë në Kongresin e Shteteve të Bashkuara sa ai.
Askush prej tyre nuk botoi kaq shpesh në gazetat e Uashingtonit sa Ambasadori Tarifa. Dhe të gjitha këto atribute reflektohen në librat e tij To Albania, with Love dhe Afrimi i madh”.
“Tarifa ishte vërtet i një klasi të veçantë mes kolegëve të tij ambasadorë të Shqipërisë”, pohon Lucas. “Ata që e kanë njohur atë në Uashington dhe kanë parë rezultatet e punës së tij e kanë konsideruar atë si “Dekanin e ambasadorëve të Ballkanit” dhe po aq të respektuar në sytë e administratës amerikane sa edhe, për shembull, ambasadori i Gjermanisë në atë kohë. Çdo qeveri shqiptare do të duhej të ishte krenare të kish pasur një personalitet kaq të nderuar e të talentuar, si Ambasadori Tarifa, që ta përfaqësonte vendin e tij në Shtetet e Bashkuara”.
Lucas e përfundon parathënien e tij për librin e Tarifës më këto fjalë:
“Gjatë kohës kur Fatos Tarifa shërbeu në Hagë dhe në Uashington, ai ka bërë për Shqipërinë më shumë – dhe me më shumë dashuri – se sa shumica e politikanëve shqiptarë të zgjedhur nga votat e elektoratit shqiptar… Shumë kohë më parë kam kuptuar se Fatos Tarifa, si shumë shqiptarë të tjerë me prejardhjen dhe nivelin e lartë të arsimit që ai ka, e kanë dashur dhe e duan vendin e tyre më shumë se sa ndonjë ideologji politike të caktuar. Në rastin e Tarifës politika e Shqipërisë ka qenë dhe mbetet SHQIPËRIA. Për të, Shqipëria ka qenë dhe është gjithnjë e para. Tarifa beson me shpirt se Shqipëria mund të bëhet “a great little country”, ose “a little great country” dhe i bën thirrje rinisë shqiptare që është larguar nga vendi të kthehet për të kontribuar në suksesin e Shqipërisë.
Është thënë se, ndër vite, Shqipëria ka mbetur më larg Europës sesa është larg vetë Europa nga Amerika. Kjo akoma mund të jetë e vërtetë. Nëse është kështu, krijimtaria e Fatos Tarifës dhe e gjithë veprimtaria e tij diplomatike dhe akademike në shërbim të Shqipërisë, të shkencës e të kulturës shqiptare, bëjnë shumë për ta shkurtuar këtë distancë”.
Teksi i plotë i fjalës së abasadorit Tarifa në atë seancë dëgjimore në Kongresin e Shteteve të Bashkuara 20 vite më parë, më 2 maj 2002, vijon më poshtë i plotë. Titulli i saj është i Redaksisë.
Përgatiti Xhevdet Shehu
As të paaftë, as të pashpresë për suksesin tonë
dëshmi e paraqitur nga shkëlqesia e tij dr. Fatos Tarifa, ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i republikës së Shqipërisë në shtetet e bashkuara të amerikës / nënkomiteti për europën / komiteti për marrëdhëniet ndërkombëtare / dhoma e përfaqësuesve të shteteve të bashkuara (1 maj 2002):
Zoti Kryetar, anëtarë të Komitetit:
Jam i nderuar të jem sot këtu së bashku me kolegët e mi ambasadorë, që përfaqësojnë vendet e grupit Vilnius, për të dëshmuar para Komitetit tuaj mbi gatishmërinë e Shqipërisë për t’iu bashkuar Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior.
Jo shumë kohë më parë në disa harta të Europës Shqipëria ishte thjesht një njollë pa asnjë shënim mbi të, një hapësirë bosh, një vend pa emër, sikur ky vend të mos ekzistonte. Në një fare mënyre ato harta ishin të sakta pasi, për Europën dhe për Perëndimin Shqipëria ishte vërtet një vend bosh, një vend i mbyllur, me një tabelë “No visitors” varur në kufijtë e saj. Ato kohë lumturisht tashmë kanë perënduar sepse Shqipëria është sot një vend që njihet mirë, një vend në zhvillim e sipër, i cili me padurim pret të integrohet tërësisht në familjen e kombeve demokratikë.
Pavarësisht një të kaluare të vështirë dhe vuajtjeve të shumta nën komunizëm dhe pavarësisht disa viteve të vështirë të tranzicionit, Shqipëria ka bërë mjaft përpara në një kohë shumë të shkurtër. Ajo ka bërë hapa mbresëlënës me reformat e saj demokratike, shoqërore dhe ekonomike. Gradualisht, por në mënyrë të qëndrueshme, Shqipëria po bëhet një demokraci funksionale dhe një faktor stabiliteti në rajonin e Europës Juglindore.
Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj historike: ne jemi pjesë e Europës dhe do u bashkohemi institucioneve të Europës. Çështja e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO mund të shihet nga shumë këndvështrime. Disa janë kryesisht parimorë; të tjerë janë kryesisht praktikë. Unë besoj se të dyja këto duhen vënë në balance.
Për shkak se çështjet që mund të trajtohen në një dëshmi si kjo janë të kufizuara, sot unë do të argumentoj përse Shqipëria duhet konsideruar në një mënyrë të favorshme për t’u anëtarësuar në NATO dhe ç’përfitime do të ketë Aleanca duke e ftuar Shqipërinë t’u bashkohet radhëve të saj.
Së pari, unë do të theksoj se Shqipëria ishte i pari vend postkomunist që formalisht aplikoi për anëtarësim në NATO qysh në vitin 1992 dhe ndër të parat demokraci të reja që iu bashkua nismës së Partneritetit për Paqe (Partnership for Peace—PfP) në vitin 1994. Gjatë tetë viteve të fundit Shqipëria ka vepruar në të vërtetë si një aleat de facto i NATO-s. Edhe pse jo e detyruar nga kushtëzimet e atij traktati, Shqipëria ka marrë pjesë aktivisht në të gjitha misionet e Aleancës në rajon. Ajo e ka dëshmuar tashmë dobinë e saj në fushatat e Shteteve të Bashkuara dhe të NATO-s në Bosnje-Herzegovinë dhe në Kosovë. Më 1995 Shqipëria mirëpriti avionë amerikanë pa pilotë që të stacionoheshin në bazat ushtarake të saj, duke dhënë një kontribut të vyer në luftën e Shteteve të Bashkuara dhe të NATO-s kundër gjenocidit në Bosnje. Dhe, më 1999 Shqipëria, një vend i vogël me një popullsi 3 milionë e gjysmë, u hapi dyert dhe u kujdes për më shumë se gjysmë milion refugjatë kosovarë që u detyruan të linin shtëpitë e tyre nga Slobodan Millosevici, duke u bërë gjithashtu baza ku u stacionuan helikopterët e NATO-s.
Së dyti, qysh nga Samiti i Uashingtonit më 1999 Shqipëria ka ndërmarrë një varg reformash të rëndësishme. Plani i Veprimit për Anëtarësim (Membership Action Plan) e ka vënë Shqipërinë në rrugën e përmbushjes së qëllimit të saj për t’u bërë një anëtar i Aleancës. Shqipëria shpreson t’i kontribuojë mbrojtjes së Aleancës me forcat e saj të këmbësorisë së lehtë dhe me forcat speciale. Njëlloj si ju, ne po e reformojmë, po e modernizojmë dhe po e përshtatim ushtrinë tonë që të jetë një forcë profesionale dhe fleksibël, tërësisht ndëroperacionale (inter-operable) me NATO-n. Mbështetur në rekomandimet e Shteteve të Bashkuara Shqipëria po ndërmerr reformat strukturore më të rëndësishme në historinë e forcave të armatosura të saj.
Së treti, pozita gjeografike e Shqipërisë është e favorshme për implementimin e Konceptit të Ri Strategjik të NATO-s që u pranua në Samitin e Uashingtonit. Në bashkëpunim me shtetet fqinjë të saj, Italinë dhe Greqinë – të dy vende anëtarë të Aleancës – anëtarësimi i Shqipërisë në NATO do ta zgjeronte në mënyrë të natyrshme Aleancën në krahun juglindor të saj, duke ndërtuar një tjetër urë që do të forconte lidhjet mes pjesës perëndimore të Europës me trekëndëshin që shtrihet në lindje – nga Adriatiku, në Balltik dhe në Detin e Zi – për të realizuar më në fund vizionin e një Europe që është e tërë dhe e lirë.
Dimensioni jugor i NATO-s nuk do të jetë i plotë pa krahun e saj të Adriatikut. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO do i siguronte Aleancës kontroll të plotë mbi – dhe akses në dhe nga – Deti Adriatik në të dy anët e Kanalit të Otrantos. Ia vlen të kujtojmë se ishte pikërisht pranë qytetit bregdetar të Vlorës, vetëm 70 milje larg Italisë, ku sovjetikët kishin bazën më në perëndim të nëndetëseve të tyre deri disa dekada më parë, nga e cila, siç besonte Hrushovi, ata mund të skanonin tërë Europën.
Së katërti, anëtarësimi i Shqipërisë dhe i vendeve të tjerë të Ballkanit në NATO do i rriste më tej aftësitë e Aleancës për t’u bërë ballë sfidave të terrorizmit. Republika e Shqipërisë u ka ofruar Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj në NATO akses dhe përdorimin e territorit, të hapësirës ajrore, të aeroporteve dhe të porteve të saj si për operacionet e tyre ushtarake dhe misionet paqeruajtëse në Bosnje dhe në Kosovë, ashtu dhe për luftën kundër terrorizmit. Shqipëria ka vënë në dispozicion të tyre asetet e saj të inteligjencies, ka ngrirë asetet financiare të lidhura me kriminelë dhe ka në gatishmëri trupa për mbështetjen e fushatave anti-terror të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.
Ne i përmbahemi së njëjtës pikëpamje se terrorizmi dhe krimi i organizuar janë ngushtësisht të lidhur njëri me tjetrin. Për rrjedhojë, qeveria shqiptare mban një qëndrim të ashpër kundër krimit ndërkufitar dhe trafikimit të paligjshëm të qenieve njerëzore. Përpjekjet e kohëve të fundit të qeverisë shqiptare kanë qenë mjaft të suksesshme për goditjen dhe shkatërrimin e rrjeteve të trafikimit të njerëzve dhe të drogës. Lufta kundër trafikimit të grave është një luftë që ne do e fitojmë. Përfshirja eventuale e Shqipërisë në NATO së bashku me vendet e tjerë të Ballkanit do i forcojë edhe më tej barrierat europiane kundër veprimtarive kriminale dhe terroriste që vijnë nga mungesa e stabilitetit në Lindjen e Mesme dhe në Azinë Qendrore. Qeveria italiane dhe ajo greke raportojnë ndërkohë se gjatë vitit të kaluar dhe kohët e fundit trafiku ilegal nga Shqipëria në këta vende fqinjë ka rënë në afro 60 për qind.
Së pesti, mbështetja e opinionit publik për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO është e fortë. Qysh nga viti 1992 e deri më sot sondazhet kanë treguar se 90 deri 95 për qind e popullsisë së Shqipërisë e mbështesin anëtarësimin e saj në Aleancë. Kjo është e vërtetë edhe për mbështetjen që i japin anëtarësimit në NATO të gjitha partitë politike në Shqipëri. Nëse ka një çështje, për të cilën të gjen marrëveshje të plotë përgjatë tërë spektrit politik, nga e majta në të djathtë, kjo është anëtarësimi i Shqipërisë në Aleancë.
Nuk do më falej nëse e humbisja këtë mundësi për të vënë në dukje se shumica dërrmuese e shqiptarëve e shohin anëtarësimin në NATO si të domosdoshëm për të siguruar të ardhmen e vendit të tyre. Ky argument qendror nënkupton vullnetin për të respektuar vlerat dhe standardet e përgjithshëm demokratikë, pavarësisht barrës që komunizmi dhe forma të tjera regjimi autoritarist na kanë lënë trashëgim. Shpresa për anëtarësimin eventual në NATO dhe në BE është bërë sot një ndër shtysat më të fuqishme për reforma demokratike në Shqipëri.
Unë nuk i nënvleftësoj aspak vështirësitë dhe pasiguritë dhe jam aq realist sa të mos besoj se të gjitha problemet në vendin tim do të zgjidhen brenda ditës. Pengesa dhe sfida në Shqipëri, ashtu si dhe në vende të tjerë, do të ketë, por të gjitha faktet që kemi dëshmojnë se progresi i bërë është real, i konsiderueshëm dhe inkurajues. Dhe unë kam besimin më të madh se e ardhmja e vendit tim është e ndritur.
Zoti Kryetar, anëtarë të Komitetit,
Në raundin e parë të zgjerimit të NATO-s lidershipi hungarez tha: “Në qoftë se në Madrid nuk na zgjidhni ne, ju lutemi zgjidhni miqtë tanë në Pragë dhe në Varshavë”. Shqipëria, ashtu si vendet e tjerë të grupit Vilnius, shpreson se qeverisë së saj do i bëhet një ftesë për t’iu bashkuar NATO-s në Samitin e Pragës. Nëse Shqipërisë nuk i bëhet ftesë në Pragë, Kongresi duhet të pranojë vëllezërit tanë të Vilniusit. Ata, gjithashtu, do të jenë aleatë shumë të mirë. Në gjykimin tonë, çdo sukses për çdo demokraci është një sukses dhe frymëzim për të gjitha demokracitë.
Zoti Kryetar,
Qëllimi i Shqipërisë për t’iu bashkuar NATO-s nuk është një zbulim i papritur, as nuk është një frymëzim i çastit. Ai është rezultat i një përpjekjeje të vazhdueshme për ta sjellë shoqërinë shqiptare në rrymën europiane. Ne nuk jemi të paaftë përballë kësaj detyre, as të pashpresë për suksesin e saj. Qëllimi ynë është themelor dhe i pakthyeshëm. Ne ndajmë me Presidentin Bush pikëpamjen se ne jemi pjesë e një komuniteti vlerash të përbashkëta. Vendi im është i dedikuar ndaj këtyre vlerave. Dhe kjo nuk është thjesht një frazë; ky është vullneti ynë.
Ju faleminderit!