Një 20-vjeçar është arrestuar pasi akuzohet se është përfshirë në një skemë të madhe mashtrimi me objektiv sistemin arsimor në të gjithë vendin.
Ndaj të riut është vendosur masa e sigurisë ‘arrest bë burg’ nga Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale ‘Falsifikim kompjuterik’ dhe ‘falsifikim i dokumenteve’.
I arrestuari Ermes Hoxhalli kishte krijuar një identitet të rremë, duke u angazhuar me zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe të institucioneve të tjera arsimore në të gjithë Shqipërinë.
Qindra studentë, mësues dhe zyrtarë arsimorë në të gjithë Shqipërinë morën pjesë në këto programe mashtruese ku iu premtonin nxënësve dhe mësuesve udhëtime falas në Shtetet e Bashkuara.
Mashtronin nxënësit duke i premtuar “tokën e ëndrrave”, skema që ndiqnin drejtoresha dhe mësuesja e “Qemal Stafës”!
Kaq mjaftoi që të krijonte një projekt kokë e këmbë të rremë, “Let’s talk together about US 2023”, nëpërmjet të cilit mashtroheshin të rinj gjimnazistë me premtimin se pjesëmarrësve do t’u sigurohej udhëtim në Shtetet e Bashkuara.
Mashtrimi vijoi për disa kohë, derisa një hetim i zhvilluar nga prokurorja e Tiranës, Eloida Goxhi, përfundoi këtë fillim-jave me arrestimin e “Klea Rama”, emri i vërtetë i së cilës është Ermes Hoxhalli, rreth 20 vjeç, nga Bilishti i Devollit, shkruan boldnews.
Sinjali në ambasadën e SHBA
Në maj të vitit 2023, personazhi “virtual” Klea Rama, ka lëshuar 19 çertifikata për nxënës dhe një mësues të shkollës “Ali Demi” në Vlorë, për pjesëmarrje në projektin “Let’s talk about US 2023”, të nënshkruara nga zyrtarja e Ambasadës Amerikane në Tiranë, Amanda R.
Në një kohë më vonë, ky informacione mbërrin në Ambasadë. Diplomatja mohoi përfshirjen e kësaj në këtë projekt para prokurorisë shqiptare dhe eksperiza grafike tregoi se nënshkrimi i saj nuk ishte i njëjtë me ato që gjendeshin në çertifikatat e shpërndara nga koordinatorja e rreme e projektit, “Klea Rama”.
Kjo situatë nxiti hetime të mëtejshme, nga ku u zbulua se “Klea Rama”, duke u shtirur si mbesa e kryeministrit Edi Rama, kishte krijuar aksese komunikimit me zyrtarë të lartë në Ministrinë e Arsimit, të cilët, gjithësesi, nuk e kishin takuar asnjëherë personalisht.
Në listën e komunikimeve të “Klea Ramës” përfshiheshin zv.ministrja Nina Guga, drejtoresha e Agjencisë së Arsimit Parauniversitar, Rezarta Alla dhe drejtues të tjerë të Ministrisë.
Si u zbërthye mashtrimi
Në qershor të vitit 2024, personazhi “Klea Rama”, gjithnje duke u prezantuar si mbesa e kryeministrit, vihet në kontakt me drejtoreshën arsimore të Lezhës, Valentina Suta.
Në një komunikim, “Klea” i kërkon zyrtares lezhjane që të ndihmoj një mikun e saj, Ermes Hoxhalli, që të zbatojë një projekt për teatrot rinore. Në këtë komunikim, “Klea” jep gjeneralitetet e plota të Hoxhallit dhe informon drejtoreshën arsimore të Lezhës se ai është student në Akademinë e Arteve.
Drejtoresha e Arsimit në Lezhë i thote bashkëbisedueses që të komunikojë me drejtorin e Kulturës në Bashkinë e qytetit, por “Klea” i thotë që nuk mund të flasë drejtëpërdrejtë, pasi “xhaxhi Edi (Rama) nuk e lejon të flasë me zyrtarët, pasi mund të behet problem nëpër lajme”.
Ky ishte sinjali i parë dhe, mbi të gjitha, gabimi i parë i “Klea Ramës”, e cila deri në atë kohë ia kishte dalë më së miri të fshihej virtualisht.
Prokuroria e Tiranës, në përpjekje për të gjetur se kush fshihej pas identitetit të rremë “Klea Rama”, tashmë kishte një pikë mbështetjeje-Ermes Hoxhallin.
i.b./dita
