Në dhjetorin e vitit që lamë pas, gjatë një interviste në Syri TV, i akuzuari dhe i dënuari si truri i inceneratorëve Mirel Mërtiri bëri publik një hetim dhe kallëzim që ai vet kishte bërë në SPAK, kundër prokurorit Klodian Braho.
Kallëzimi i Mërtirit rezulton shumë serioz (lexoje këtu) sepse jo vetëm zbardh udhëtimin e prokurorit Braho me dy narkotrafikantë si dhe me oficerin e policisë gjyqësore që i hetonte në Berat (ku Braho ishte prokuror asokohe), por mbi të gjitha e vendos prokurorin Braho në një raport shumë delikat me shefin e tij Dumani. Për herë të dytë brenda vitit.
Për të kuptuar më mirë psikozën e kësaj marrëdhënie vlen të risjellim në vëmendje atë se çfarë ndodhi herën e parë kur Braho u vendos në pozita tepër të dyshimta.
Pasi prokurori Braho mbylli hetimet për inceneratorin e Elbasanit, ai propozoi që të çonte për gjykim biznesmenët e zakonshëm Mërtiri-Zoto dhe disa zyrtarë publikë, bazuar kryesisht në nocionin e shpërdorimit të detyrës që lidheshin kryesisht me akte administrative dhe jo me ndonjë hetim të thelluar pasuror apo operativ që i lidhte personazhet dhe në jetën e padukshme private, dhe jo thjesht në shkresat zyrtare.
Pala e grupit të inceneratorëve, ose më saktë pala e biznesmenëve Mërtiri-Zoto, e konsideruan prokurorin Braho si një prokuror në shërbim të Arben Ahmetajt, si një levë që po vinte në jetë hakëmarrjen e Ahmetajt ndaj ish-miqve të tij me të cilët tashmë kishte thyer marrëdhënien.
Në këtë pikë ndodhi një zhvillim që rezultoi “game-changer”.
Gazetari Adriatik Doçi, i njohur me dokumente nga biznesmenët e inceneratorëve, shkoi në SPAK dhe bëri një kallëzim ku paraqiste evidenca mbi udhëtimet që Ahmetajt i ishin paguar nga Zoto, përfshirë qëndrimet në hotel etj.
Por problemi më delikat i këtyre dokumenteve nuk ishte fakti që dekonspironin lidhjet e Ahmetajt me Mërtirin dhe Zoton, pasi ato dokumente vërtetonin diçka edhe më të rëndë akoma.
Dokumentet në fjalë gjendeshin të gjitha në laptopin e Klodian Zotos, i cili ishte sekuestruar dhe kqyrur me procedurë nga prokurori Klodian Braho, e në këtë pikë lindte pyetja:
Si është e mundur që zoti Braho i kishte anashkaluar këto evidenca?
Si është e mundur që ai i injoroi ato, ndërsa këto të dhëna ishin me vlerë absolute në kuptimin e hetimit?
Ky është rasti i parë kur zoti Braho u kap gafil, në një situatë që si rregull do justifikonte dhe një hetim të brendshëm brenda radhëve të SPAK, por Altin Dumani asokohe bëri një lëvizje taktike. Braho dha dorëheqjen nga çështja dhe Dumani mori vet frenat duke realizuar një hetim të shkëlqyer që zbërthente në detaje dhe implikimet e aksit Mërtiri-Zoto, ama dhe implikimet e Ahmetajt.
Me dorëheqjen e Brahos, u duk sikur kaloi në heshtje implikimi i tij, ndërsa Dumani toleroi kolegun e vet, duke marrë vet përgjegjësitë e hetimit dhe duke mos pyetur kurrë (të paktën në dukje) se si ndodhi që kolegu i tij anashkaloi këto prova të dorës së parë.
Paralelisht me sikletin e Brahos, një tjetër prokuror i quajtur Ened Nakuçi, asokohe u godit në Top Channel, pasi atij ju publikua një dosje e ardhur nga autoritetet italiane, dosje që e implikonte me disa personazhe të trafikut ndërkombëtar të drogës, ku jepeshin indicio të forta se ky prokuror mund të kishte favorizuar trafikantët.
Nuk kaloi java dhe Ened Nakuçi dha gjithashtu dorëheqjen nga roli i tij në hetimin e inceneratorëve, ndërsa Dumani u njoh në rrugë informale dhe me lidhjet dhe miqësinë e këtij prokurori me një tjetër grup që rivalizonte Mërtirin dhe Zoton për ndërtimin e inceneratorit të Fierit. Ishte projekti për ndërtimin e këtij inceneratori momenti kur plasi dhe konflikti Mërtiri-Ahmetaj.
Në njëfarë kuptimi, këto dy lëvizje të grupit Mërtiri-Zoto, i ekspozuan Dumanit dy prokurorë, Klodian Brahon dhe Ened Nakuçin.
Me siguri që Dumani nuk ja fal Mërtirit këtë “sëkëlldi” dhe sfidë që ai i bëri në radhët e veta, mirëpo Dumani përtej protektivitetit që mund të ketë treguar ndaj këtyre dy prokurorëve, nuk i ka lënë askujt shkas të ankohet për favorizim në hetime, pasi i mori vet përgjegjësitë dhe i hetoi rrënjë e dhëmballë dhe Mërtirin dhe Ahmetajn. Në njëfarë mënyre e mbylli këtë histori me kapak floriri, duke shpëtuar në limite kohore lëkurën e dy vartësve të tij.
Por dosja e re e publikuar nga Mërtiri për prokurorin Braho, tejkalon valencën apo gafat e tij me hetimin e inceneratorëve, pasi e nxjerr atë në të tjera probleme që lidhen me të kaluarën e tij, implikime të dyshuara me narkotrafikantë, fshehjen e këtyre të dhënave përpara trupës gjykuese të Vettingut, si dhe lyp nevojën për të verifikuar se mbi ç’rrethana u mbyll dosja e OFL-së ku ishin objekt dy narkotrafikantët e dyshuar që udhëtonin me prokurorin Braho dhe me një oficer të policisë gjyqësore të Beratit.
Dumani është ekspozuar njëherë më marrjen e përgjegjësive dhe proteksionin e vartësve të tij Braho-Nakuçi, e deri diku ky proteksion dhe solidaritet kolegësh është dhe i kuptueshëm.
Por sfida e dytë që i bëri atij Mërtiri, me dosjen e re, e ndërlikon pafund pozicionin e Dumanit, i cili përpiqet të shmangë shantazhin mediatik ndaj vartësve të tij, por dhe pafund nuk mundet dot t’i mbrojë dot ata, nëse ndaj tyre ekspozohen çdo 5 muaj implikime dhe probleme të reja.
Gjendja dhe psika e kësaj marrëdhënie, ndërlikohet dhe më tepër në kushtet kur prokurori Braho është duke hetuar aktualisht të ashtuquajturën dosje “5D”, bazuar në një denoncim të deputetit Belind Këlliçi, e në të cilën dyshohen si të implikuar disa drejtorë të Bashkisë së Tiranës.
Sepse prokurori Klodian Braho, tashmë jo vetëm është një shënjestër e implikimeve të zbuluara rishtaz nga i dënuari Mërtiri, por këto implikime i kanë dalë sheshit në momentin më të keq të mundshëm, ndërsa ai po heton një dosje tepër delikatë si ajo “5D”, ku shënjestër janë zinxhiri drejtues i Bashkisë së Tiranës.
I gjithë ky kontekst, me siguri që e vendos Altin Dumanin në ekuilibra shumë delikatë dhe nën presione të forta, sepse tashmë ai nuk ka thjesht një sfidë me pushtetin dhe grupet e forta që përpiqen t’i rezistojnë presionit dhe revanshit të SPAK-ut, Altin Dumani ndoshta këtë sfidë e përballon pa ndonjë vështirësi të madhe.
Situata e tij duket e ndërlikuar, sepse rrënjët e pushtetit që ai presupozohet se e ka shënjestër, po i dalin te zyrat ngjitur së tijës, rrënjët dhe implikimet mund të kenë infektuar stafin dhe vartësit e tij, çka ja bën Dumanit zgjedhjen tepër të vështirë, sepse nëse i duhet të japë prova për vendosmërinë në detyrën e tij, nuk mund ta bëjë duke anashkaluar të vetët. Kjo do dëmtonte dhe do ulte përtokë reputacionin e tij dhe do e bënte të barabartë me pushtetin e kompromentuar që ai po lufton.
A nuk bënte dhe pushteti i kompromentuar politik të njëjtën gjë gjithë këto vite?
Sepse në hesap të fundit a nuk mbronte dhe ky pushtet të vetët në kurriz të të tjerëve?
Pikërisht këtë dilemë ngrenë denoncimet e fundit të Mërtirit ndaj prokurorit Braho, sepse sfida që paraqesin këto implikime, tejkalon plotësisht valencën e vet Brahos, kjo lojë në fakt ekspozon kredibilitetin e vet SPAK-ut, ku mëkëmbësi dhe përgjegjësi kryesor është Altin Dumani.