Nga Vangjel Shumeli
Sitet arkeologjike, kryesisht teatrot antike janë kthyer vitet e fundit në destinacione të preferuara nga vizitorët vendas dhe të huaj.
Kjo është arritur falë përjetimeve dhe rrëfimeve të historive dhe ndodhive që janë të fshehura mirë pas gjurmëve të këtyre siteve që janë vetë identiteti i vendit tonë, duke i bërë keshtu turistet qe vijnë akoma më kureshtarë për të mësuar më shumë rreth tyre.
Një ndër to ishte dhe turi i aktiviteteve “Fam and Press Trip”, ne kuadër të projektit të I-Theas, pjesë e programit IPA-INTERREG Shqipëri-Greqi organizuar nga Prefekti i Qarkut Gjirokastër, në bashkëpunim me partnerët grekë Epirus Sa, RCDC Albania dhe Universiteti i Janinës.
Në këto evente janë përfshirë edhe disa ture. Në fokus të tyre ishte promovimi i siteve arkeologjike, kryesisht i teatrove antike në Jugun e Shqipërisë. Këto aktivitete zgjatën tri ditë, nga datat 20-22 maj duke u perfshirë kështu gazetarë, moderatorë televizivë, guida turistike, media vizive, online si dhe persona me ndikim në promovimin e sektorit të turizmit.
Dita e parë e këtij turi ishte në Sarandë, qytet i cili gjatë periudhës se antikitetit quhej Onhesmi dhe konsiderohej si porti kryesor i Finiqit të lashtë, kryeqendrës së mbretërisë së Epirit.
Si fillim nisi me teatrin e Butrintit i shquar për strukturën e tij dhe vlerat historike qe mbart. Shkallët e teatrit në fjalë kanë pesë ndarje, të ndërtuar me gurë të mëdhenj, me një gjatësi rreth 1 metër. Ndarja e ulëseve bëhej sipas statusit, ku në rreshtat e para pranë skenës uleshin njerëzit më autoritarë, me hapsirë të posaçme për të shlodhur këmbët.
Mendohet se teatri kishte një kapacitet prej 2500 vendesh dhe u ndërtua në shek IV-III-të para Krishtit. Zbulimi i tij zgjati për rreth 4 vjet, u krye nga Ugolini dhe ndodhet në anën jugore të Akropolit të qytetit. Përbëhet nga vendet e ndenjes, skena dhe orkestra. Kishte 19 rreshta me blloqe guri që shërbenin si ndënjëse dhe 3-4 radhë në krye. Janë ruajtur të plota 13 shkallët e para.
Për të kaluar midis rreshtëve shërbenin 6 palë shkallë guri në fillim zbukuroheshin me dy putra Luani. Sfondi para skenës përbëhet nga një mur i lartë me tre harqe me zbukurime mermeri, aty vendoseshin shtatore sipas modeleve të kohës.
Sheshi i skenës u shtrua me rrasa guri në Periudhën Osmane. Para shkallëve gjendet vendi i orkestrës, që ka formën e një harku dhe është shtruar me gurë gëlqerorë në formë kuadrati.
Në vijim turk vazhdoi në Muzeun Arkeologjik të qytetit të Sarandës në të cilin ndodhen mozaikët ku vertetohet identiteti i qytetërimit antik të Onhesmit para Krishtit, kur Onhezmi shërbente njëherësh edhe si një port i Foinikës, kryeqendrës së Kaonisë, mbretërisë së Pirros së Epirit.
Gjatë shekullit IV qyteti u rrethua me mure fortifikuese me lartësi deri në 8,5 m. Nga qytetërimi antik mbetën të paktën 7 mozaikë dhe një varg kullash, bazilikash paleoleokristiane dhe një sinagogë hebraike.
Sipas Hieroklitit në shekullit VI, midis Foinikës dhe Butrintit ndodhet Onhezmi, një nga 12 qytetet e Epirit. Në vitin 551, rreth 50 anije dhe forca barbare ostrogote e shkatërruan Onhezmin dhe Butrintin. Zbulimi i një shtrese karboni pranë mozaikut origjinal të dyshemesë së Muzeut Arkeologjik të Onhezmit flet për hirin e mbetur nga djegiet e qytetit të lashtë. Kjo nuk është e paktë për historinë qe ka antikiteti i Sarandës. Këto janë gjurmë të thella identifikuese.
Lugina e Drinos e shquar për kalatë fortifikuese të ndërtuara përgjatë saj duke krijuar e themeluar kështu një qytetërim antik ishin destinacioni i ditës së dytë të këtyre aktiviteteve duke nisur me “qytetin e dashurisë”, Antigonean e cilësuar si vendbanimi më i rëndësishëm antik në Luginën e Drinos.
Ajo është ndertuar nga mbreti Pirro ne vitin 294 p.e.s. dhe ka një sipërfaqe prej 45 hektarësh. I gjithë parku arkeologjik ka një sipërfaqe prej 95 hektarësh. Qyteti ishte fortifikuar me mure të trasha në fillim të shekullit të tretë para Krishtit, si vazhdimësi e ekzistencës të një vendbanimi të hershëm, emri i të cilit u ndryshua nga Pirroja.
Qyteti mbizotëronte zonat e pasura rurale të Luginës së Drinos dhe kishte fortifikime të tjera periferike për të mbrojtur të gjithë territorin: Kështjellën e Leklit në veri, Labova në lindje dhe Seloja në jug. Edhe pse Antigonea u dogj në shekullin e tretë, të dhënat arkeologjike tregojnë se ajo ende ekzistonte në antikitetin e vonë (shek. IV-VI).
Arkeologët argumentuan për vendndodhjen e qytetit për dekada. Merita kryesore për zbulimin e saj i takon arkeologut shqiptar Dhimosten Budina, i cili arriti të gjente karta votimi argjendi me stemën e qytetit të Antigonesë dhe një çelës për portat e qytetit me vetë emrin e qytetit gjatë gërmimeve midis viteve të 70. Gërmimet arkeologjike të organizuara prej arkeologut Budina zbuluan të paktën 10 ndërtesa private dhe rrugë të veshura.
Një nga atraksionet më interesante te qytetërimit antik te Luginës së Drinos është Teatri i Adrianopolit i vendosur 14 km larg qytetit të Gjirokastrës, shumë pranë superstradës Gjirokastër – Kakavijë. Pozicioni i tij është mjaft i favorshëm për zhvillimin e turizmit të zonës.
Është evidentuar gjatë Luftës së Parë Botërore prej arkeologut austriak, Prashniker. Gërmimet e para në këtë janë bërë aty nga vitet ’80. Teatri është i zbuluar në pjesën më të madhe dhe ka një kapacitet prej 4000 spektatorësh, është i pajisur me 27 shkallë, 4 hyrje dhe një skenë dykatëshe. Objekti është ndërtuar në mesin e shek. II p.K.
Një kanal drenazhimi i realizuar kohët e fundit ka bërë të mundur verifikimin në një distancë prej 360 metra nga skena e teatrit të disa struktura muresh dhe veglash pune që i referohen këtij qyteti romak. Në këte aset turistik është i nevojshme dhe i domosdoshëm sistemimi i mëtejshëm i infrastrukturës, pasi haset shumë vështirësi në qarkullim kryesisht gjatë stinës se dimrit, kur ka reshje me intensitet të lartë.
Ky tur eventesh përfundoi në zonën e Permetit, e njohur për resurset e shumta natyrore dhe historike, pasuri me vlerë për trashëgiminë botërore. Si fillim u ndal në qytetin e Përmetit konkretisht në simbolin identifikues të sajin, në gurin e qytetit.
Ai ka vlera shkencore, ekologjike dhe kulturore. Është i gjatë deri në 15 metra, i gjerë deri në 15 m dhe i lartë deri në 25 m. Gjeologët mendojnë që është shkëputur nga Mali i Dhëmbelit pas një tërmeti. Mbi këtë gur ruhen rrënojat e një pike të lashtë me mjaft vlerë nga ana arkeologjike. Fortifikimi, sipas arkeologëve, i përket shekujve 4-6.
Në rrëzë të shkëmbit ruhet edhe një trakt i periudhës antike, që nga teknika e përdorur përngjan me fortifikimet e shekullit të 3 para Krishtit e që ngrihen më tej edhe në luginën e Drinos.
Sipërfaqja e shkëmbit ka dhuruar mjaft qeramikë që i përket antikitetit të vonë, por edhe mesjetës. Sipas burimeve, ky fortifikim është përdorur si një pikë sinjalizimi për një garnizon ushtarak, i cili kishte nën kontroll luginën e Vjosës. Duke shfrytëzuar vendosjen e gurit dhe lartësinë e tij, kjo pikë ishte thelbësore për sigurinë e të gjithë zonës.
30 minuta larg këtij qyteti është fshati Leusa, pjesë e programit të 100 fshatrave turistikë. Aseti që e bën këtë zonë rurale të vizitueshme është kisha 400 vjecare e Shën Mërisë e tipit bazilik, me përmasa 23 m gjatësi dhe 10.5 m gjerësi.
Naosi është i ndarë në 3 nefe, ku ato anësore janë të mbuluara me kësula sferike, ndërsa nefi qëndror me qemer cilindrik. Kupola ngrihet mbi tamburin e ngushtë e të lartë dhe 12 dritaret ndodhen në hapësirën e mesit. Një narteks dykatësh dhe ambienti i altarit kompletojnë strukturën. Në anën jugore i bashkangjitet një paraklis i vogël i ndërtuar më vonë.
Kisha është ndërtuar me gurë vëndi dhe e mbuluar me rasa guri. Kisha, e pasur me piktura murale dhe ikonostase, ka një mbishkrim të pikturuar mbi portën e hyrjes e cila dëshmon mjeshtëritë e atyre që punuan aty. Pikturat murale janë të vitit 1812 ndërsa ikonostasi i gdhendur mban datën 1817.
Vlera të veçanta artistike përbëjnë afresket dhe ikonostasi i gdhendur në dru arre. Pamjet dhe kompozimet në dru të marra nga Bibla dhe nga natyra kanë një stil dhe mjeshtëri të lartë.
Ky tur u permbyll në destinacionin më të vizitueshëm nga turistët në rrethin e Përmetit, banjat termale të Bënjës. Të njohura per vlerat e tyre kurative këto burime sulfurore, që dalin nga një çarje e thellë tektonike janë të ndryshme e burojnë në të dyja anët e kanionit te Lengaricës. Çdo burim zotëron veti terapeutike të ndryshme për kurimin e sëmundjeve të lëkurës, stomakut, veshkave, reumatizmës etj.
Burimet e ujërave termale janë natyralë dhe derdhen në vaska të vogla me një bukuri të çmueshme, në brendësi të të cilave është e mundur të mblidhet edhe baltë termale, e përshtatatshme për trajnimet e lëkurës.
Ky vend i rrethuar nga një natyrë e pandotur paraqet një përzierje unike midis historisë aventurës dhe natyrës. Përveç banjave termale atje gjendet edhe Kanioni Lengaricës dhe Ura e Katiut ndërtuar në vitin 1700 dhe është e lartë gati 7 metra, me një gjatësi kalldrëmi të shtruar rreth 30 metra linearë.
Sitet e përfshira në këte tur aktivitetesh kanë qenë pjesë e një studimi të detajuar të kryer dhe realizuar nga ekspertë të fushës së historisë. Të tilla studime dhe evente janë të domosdoshme dhe të nevojshme për promovimin e turizmit ndërkufitar duke krijuar kështu shkëmbime të eksperiencave mes dy vendeve fqinj Shqiperise dhe Greqisë në menaxhimin e turizmit si dhe në ato të siteve arkeologjike.
Ato janë të denja për t’u bërë pjesë e guidave turistike europiane. Bashkëpunimi me partnerët europianë do sjellë akoma më shumë impakt dhe benefite në zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës dhe kapaciteteve në këtë sektor të turizmit.
Mirë beni qe organizoheni, por Greqia eshte rivale jona ne kete fushe turizmi, kujdes kur ju jep fonde, metafora e Kalit te Trojes eshte perhere aty