Këto ditë në faqet e gazetës Dita ka pasur njoftime, intervista, komente etj për zhvillime të padëshirueshme në grupin drejtues të Kryesisë së Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, “Nderi i Kombit” (OVP të LANÇ-it). Si anëtar i Kryesisë dhe si dëshmitar i disa prej ngjarjeve të fundit, gjykova të shpreh mendimin tim, me dëshirën e sinqertë, që situata të tejkalohet sa më parë dhe organizata të vazhdojë jetën dhe veprimtarinë e saj normale.
Prof. Ksenofon Krisafi
Gjithçka e ka zanafillën te ndarja nga jeta e ish-kryetarit të Komitetit Kombëtar të OVP të LANÇ-it, mikut tonë të mirë, të ndjerit Odhise Porodini, që kontribuoi me mençuri dhe përkushtim në veprimtarinë e Organizatës. Zënia e karriges së tij u bë shkaku i zhvillimeve turbulente në jetën e saj. Për zënien e saj u shfaqën shpejt shenjat e një beteje, ku në rreshtin e parë doli Sekretari i Përgjithshëm i organizatës. Nuk përjashtohet që dikush ta lakmojë atë për prestigj, për të dhënë kontributet e veta në dobi të organizatës, për interesa personale, morale, ekonomike, juridike etj.
Në shpalosjen e pretendimeve të veta secili lufton dhe garon me arsenalin e vlerave që ka, formimin, mentalitetin, kulturën, edukatën, civilizimin etj. Të gjitha këto seleksionohen, duke shmangur të paaftët, antivlerat, karrieristët, intrigantët etj. Kjo duhet të trajtohet dhe të zgjidhet me garë të ndershme.
Për fat të keq, në rastin për të cilin po flasim duket se nuk i është lënë mundësia konkurrimit të vlerave, ndershmërisë, aftësisë, përkushtimit të kandidatëve. Më saktë duhet thënë se á priorì është përjashtuar përtëritja nëpërmjet garës e njëshit të organit drejtues. Sikurse janë shprehur dhe kanë shkruar këto ditë jo pak personalitete të nderuara që u ndodhën të përfshirë në zhvillimet e pahijshme, Sekretari i Përgjithshëm, miku im Veli Myftari, ndërmori një fushatë të padenjë për ta zënë vetë atë post.
I lejoji vetes gabime dhe shkelje të rënda të akteve të veprimtarisë së organizatës, etikës dhe moralit shoqëror. U mobilizua edhe një grup anëtarësh për përgatitjen e terrenit në favor të tij dhe për “mbledhje votash”. Në shërbim të këtij qëllimi ai vetë apo të tjerë përhapën legjendën që vendi i kryetarit, tradicionalisht i ka kaluar Sekretarit të Përgjithshëm dhe pra, i takon atij. Pak më vonë, disa nga anëtarët e ekipit të tij (për fat të keq bashkëpunëtorët e tij morën formën e një grupi lobues), pohuan troç se vetë kryetari Porodini kishte thënë që, nëse ndodhte diçka me të, organizatën duhet ta drejtonte Sekretari i Përgjithshëm, duke e cituar me emër dhe mbiemër.
Dikush, pasi ma përcolli edhe mua “amanetin” e mësipërm, më kërkuan të bëhesha pjesë e “grupit që po lobonte për të zgjedhur shokun Veli Myftari”. Tipit që ma transmetoi atë i thashë prerë, se pavarësisht mirësjelljes së tij, të cilës i jam përgjigjur në të njëjtën mënyrë, nuk e imagjinoj dot atë në drejtim të organizatës, sepse mendoj se nuk është dalluar për vlera dhe kontribute sociale, intelektuale, kulturore etj, qe te identifikohet me kreun e saj.
I thashë gjithashtu se këto çështje nuk zgjidhen me amanete e testamente, por me zbatimin rigoroz te normave te fiksuara në aktet normative.
Insistimi, që po merrte trajtat e një presioni, do të vazhdonte më tej, madje me trajta grotesku. Një ditë më vonë më erdhi në cel një video (e kam ende të regjistruar), që paraqiste një veprimtari, ku shihej dhe dëgjohej i ndjeri Odhise Porodini që thoshte pak a shume se “unë do të doja që pas meje në krye të organizatës të vijë shoku Veli Myftari.”
U dëshpërova shumë sepse vura re se fushata për plotësimin e “amanetit” të ish kryetarit për zënien e karriges së tij, kishte marrë forma të pandershme, të pahijshme, pa pikë takimi me idealet, moralin, parimet, qytetarinë dhe etikën e atyre që përfaqëson kjo organizatë, nga më të mëdhatë, me autoritaret, me një emër të nderuar dhe shumë të veçantë. Intriga po merrte zhvillime ekstreme që po shkonin drejt një skandali.
Përsa i përket kandidaturës së Sekretarit të Përgjithshëm të katapultuar çuditërisht prej atij vetë, mënyra dhe rruga që zgjodhi, krijojnë vetvetiu pikëpyetje rreth qëllimeve, të cilat nuk ecin paralel me vlerat e LANÇ-it, luftës më të madhe dhe më të lavdishme në historinë e shqiptarëve.
Sepse partizanët ishin trima, me moral të padiskutueshëm, ishin të ndershëm, të vërtetë, të drejtpërdrejtë, nuk i pranonin dinakërinë, dhelpëritë, karrierizmin, arrivizmin, grupazhet e veprime të tjera të ulëta.
Në vazhdim u zbulua se Sekretari i Përgjithshëm nuk plotësonte një kusht thelbësor. Kur ishte në krye të Policisë së Shtetit, u hoq sepse u akuzua për mashtrime me tendera dhe u dënua me heqje lirie. Thanë se e dënoi Sali Berisha. Por fajësinë dhe dënimin e konfirmuan të gjitha shkallët e gjyqësorit të shtetit shqiptar, deri edhe Gjykata e Lartë. Kjo është e mjaftueshme që ai të mos e pretendojë drejtimin e OVP të LANÇ-it.
Ndërkohë tre nënkryetarët e Organizatës, Elidiana Canaj, Vjollca Trebicka dhe Murat Dardha, si dhe shumica e kryesisë se Komitetit, të shpërfillur nga shoku Veli, në mbledhjen e datës 3.02.2023, propozuan krijimin e një Komisioni për përzgjedhjen e kandidaturave që do paraqiteshin për kreun e Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ-it. U miratuan me shumicën e votave edhe kriteret që duhet të përmbushë kandidati.
Anëtarët e Komisionit prof. Fatos Tarifa, Prof. Pëllumb Xhufi, Prof. Ksenofon Krisafi, juristi i shquar dhe ish anëtar i Kuvendit të Shqipërisë, Spartak Braho, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, historiani Dorian Koçi, doktor i shkencave etj, u njoftuan për zhvillimin e mbledhjes së parë në zyrën e Kryesisë së Organizatës nga tre nënkryetarët.
Ata iu paraqitën edhe vendimin e kryesisë me firmat e 18 anëtarëve, që ishin më shumë se gjysma e 33 pjesëmarrësve nga 39 që duhet të ishin.
***
Po ju drejtohem direkt juve i nderuar shoku Veli!
Na u tha se ishit njoftuar për të na pritur për të biseduar, por zyrën e gjetëm bosh. U zhvillua mbledhja në mungesën tuaj dhe, në praninë e tre nënkryetarëve të tjerë u miratuan vendimet përkatëse të Komisionit.
Komisioni u mblodh edhe një herë tjetër, ku sërish ju refuzuat të paraqiteshit. Mbledhja e tretë dështoi dhe u shndërrua në skandal, sepse ju në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm, që jeni njëri ndër pesë anëtarët e kryesisë, me interpretim të gabuar të akteve të Organizatës dhe në kundërshtim me to, keni asgjësuar parimin e kolegjialitetit, keni mënjanuar 3 prej 4 nënkryetarëve të zgjedhur, keni marrë drejtimin e saj dhe e keni shndërruar veten në organ monokratik. Me metoda të papranueshme, përzutë nga zyrat e organizatës nënkryetarët dhe figura të nderuara të kryesisë dhe komitetit të saj, që ishin duke zhvilluar mbledhjen e Komisionit. U krijua një skandal, të cilin e përmend me keqardhje dhe revoltë të përligjur, prof. Fatos Tarifa, në shkrimin e tij ezaurues të para disa ditëve.
Për këtë skandal ka shkruar gjithashtu edhe kolegu ynë i nderuar Spartak Braho, i cili, veç të tjerash, ka bërë edhe interpretimin juridik të vendimit gjyqësor të dënimit tuaj, z. Myftari. Kanë shkruar dhe reaguar dhe shumë të tjerë.
Flitet se më 20 mars, ju keni thirrur mbledhjen e kryetarëve të Komiteteve rajonale të organizatës. Keni përpiluar një listë pjesëmarrësish, tek e cila nuk janë përfshirë, tre nënkryetarët dhe anëtarët e tjerë, “non gratta”, të kryesisë, sipas teje. Nëse kjo është e vërtetë, përbën një shkelje të rëndë, që i jep mbledhjes formën e një puçi.
Nuk keni të drejtë t’ua mbyllni derën e organizatës nënkryetarëve të organizatës dhe anëtarëve të respektuar të kryesisë. Jeni vetëm një ndër 5 drejtuesit e organizatës, me një votë që nuk vlen më shumë se ajo e katër të tjerëve. Sipas statutit dhe rregullores së organizatës, në mungesë të kryetarit, veprimtaria e komitetit kombëtar të saj, drejtohet nga njëri prej nënkryetarëve, nënkryetari i parë (jo sekretari).
Në botën demokratike, kur ndaj dikujt që është në krye të ndonjë institucioni apo edhe ndonjë vartësi të tij, shfaqet një akuzë ose një dyshim, veprimi i parë që kryhet është dorëheqja. Është institucion demokratik që ka si qëllim t’iu japë mundësinë strukturave përkatëse që merren me verifikimet e nevojshme, të mos ndikohen nga prania e “të akuzuarit” eventual.
Do të ishte shenjë qytetarie, emancipimi, kulture, formimi demokratik, që kur në shtyp ka dalë kopja e vendimit gjyqësor të fajësisë dhe dënimit tuaj, të jepnit dorëheqjen. Do te lehtësohej kështu gjetja e zgjidhjes më të mirë, më të përshtatshme, të drejtë, objektive, realiste të situatës, mbi bazën e meritave, vlerave, integritetit moral, politik, juridik, intelektual etj., nisur nga interesi i përgjithshëm.
Si anëtar i kryesisë së OVP të LANÇ-it, përsëris se personalisht, sikurse edhe kolegët e mi të nderuar, prof. Fatos Tarifa, Spartak Braho, prof. Pellumb Xhufi, dr. Dorian Koçi, që janë edhe pjesë e Komisionit për të organizuar zgjedhjen e kryetarit të ri, nuk kemi pasur dhe nuk kemi asnjë pretendim për postin e kryetarit të organizatës.
Por vendi i kryetarit i takon një figure të spikatur, të afirmuar, të vlerësuar publikisht, që duhet të marrë përsipër të garojë duke shpalosur platformën e vet të drejtimit të organizatës. Kjo kërkon formim dhe edukim demokratik, mirëkuptim, bashkëpunim, solidaritet, në interes të të ardhmes së saj, të cilat asaj nuk i kanë munguar dhe nuk do t’i mungojnë as kësaj here.
—-
Botuar në DITA. Autor i fotos kryesore është Romir Imami
©Copyright Gazeta DITA. Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.