Skleroza Multiple (e shumfishtë) është një sëmundje kronike progresive ku dëmtohen mbulesat izoluese të sistemit nervor. Sëmundja njihet edhe si “encephalomyelitis disseminata” dhe simptomat dalluese të saj mund të përfshijnë dobësi të muskujve, shikim të dyfishtë, si dhe probleme të tjera mendore dhe fizike.
Dje në “Ditën Botërore të Sklerozës Multiple”, ekspertët e shëndetit publik kanë vënë theksin tek nevoja e njohjes së simptomave, si dhe marrjes së ndihmës së duhur mjekësore sa më herët që të jetë e mundur, në mënyrë të tillë që, të mund të shmangen edhe pasojat e rënda që kjo sëmundje sjell. Fatkeqësisht kjo është një sëmundje që e shoqëron individin gjatë gjithë jetës, dhe si e tillë kërkon kujdes të vazhdueshëm mjekësor. Sëmundja mund të shfaqet në formë të lehtë, por edhe mund të shkaktojë paaftësi serioze, dhe gjithçka varet nga gjendja shëndetësore e çdo personi që preket nga kjo sëmundje. Ndonëse mund të shfaqet në çdo moshë, skleroza multiple sipas bluzave të bardha më e zakonshme është në moshat 20-30 vjeç, dhe haset dy deri në tre herë më tepër tek femrat sesa te meshkujt. Raportimet e bëra tregojnë se një ndër shkaqet më të shpeshta të aftësisë së kufizuar tek të rinjtë e moshës 20-30 vjeç është kjo sëmundje.
Faktorët
Për shkak të mungesës së studimeve kërkimore mbi sëmundjen, shkaqet e sakta të saj janë përgjithësisht të panjohura. Shumë shkencëtarë besojnë se mund të ketë një lidhje midis fillimit të sëmundjes dhe gjeneve, dhe/ose mosfunksionimit të qelizave nervore. Mjekët bëjnë me dije se nivelet e ulëta të vitaminës D, ekspozimi i pakët në diell, mbipesha, duhani dhe disa çrregullime autoimune, si: sëmundja e tiroides, anemia, psoriasis, diabeti i tipit 1 ose sëmundjet inflamatore të zorrëve mund të rrisin mundësinë e zhvillimit të kësaj sëmundjeje.
Simptomat dalluese
Simptomat dhe shenjat për sklerozën multiple ndryshojnë në çdo person, e kjo varet nga vendndodhja dhe shkalla e dëmtimit të mbështjellësit nervor në çdo person. Megjithatë, ndër simptomat karakteristike dhe të zakonshme të sëmundjes janë spazma muskulore, problemet me të folurin dhe gëlltitjen, problemet me koordinimin dhe ekuilibrin, depresionin, ndryshimet e humorit, e kështu me radhë. Prej vitesh po vijojnë kërkimet nga shkencëtarët për një kurë. Kërkimet në vazhdim lidhen me trajtimin e simptomave me ilaçe dhe strategji neurombrojtëse.
Format si zhvillohet skleroza multiple
Autoritetet e Institutit të Shëndetit Publik sqarojnë se skleroza e shumëfishte mund të nisë në një ose dy forma. E para që ka të bëjë me përsëritje individuale (me atak, ose me përkeqësim), si dhe forma e dytë që është më progres gradual.
Skleroza e shumfishte përsëritëse
Më shumë se 8 në 10 individë me sklerozë të shumfishtë janë të diagnostikuar me tipin përsëritës. Një individ me sklerozë përsëritëse do të ketë episode me simptoma të reja ose të përkeqësuara. Këto simptoma zakonisht përkeqësohen për disa ditë, zgjasin ditë, javë ose muaj, dhe më pas përmirësohen ngadalë gjatë një periudhe të ngjashme me fillimin e simptomave. Episodet përsëritëse shpesh ndodhin pa paralajmërim, por në përgjithësi lidhen me një periudhe stresi apo sëmundjeje.
Simptomat e episodeve të rikthyera mund të zhduken krejtësisht, me ose pa trajtim, edhe pse disa simptoma shpesh vazhdojnë me sulme të përsëritura që ndodhin gjatë disa viteve. Periudhat midis atakëve të sëmundjes njihen si periudha lehtësimi dhe mund të zgjasin për vite me radhë.
Pas shumë vitesh (mbase dekadash) shumë individë, por jo të gjithë me që bëjnë episode përsëritëse, zhvillojnë sklerozë multiple progresive dytësore. Kjo formë përkeqësohet me kalimin e kohës pa patur atakë të dukshëm të sëmundjes. Disa individë vazhdojnë të kenë episode të rralla përsëritëse gjatë kësaj faze të sëmundjes. Përafërsisht gjysma e individëve me SM përsëritëse do të zhvillojnë fazën progresive dytësore të sëmundjes brenda 15-20 vitesh.
Forma progresive
Pak më shumë se 1 në 10 individë u fillojnë shenjat e sklerozës së shumfishtë me një përkeqësim gradual të simptomave. Në format progresive parësore simptomat përkeqësohen gradualisht dhe grumbullohen me kalimin e viteve pa patur periudha lehtësimi, edhe pse individët kanë periudha ku duket se simptomat stabilizohen.
Si e mori emrin sëmundja
Kjo sëmundje lidhet me mbështjelljet e dëmtuara të mielinës që mbulojnë sistemin nervor në palcën kurrizore dhe trurin. Mbulesat e dëmtuara të mielinës mbulohen me lezione ose pllaka, dhe këtu mori emrin sëmundja – ‘Skleroza Multiple’- që do të thotë ‘vragë të shumta’. Shkaqet e sakta të MS mbeten të panjohura, por disa shkencëtarë ia atribuojnë gjenetikës, agjentëve infektues dhe mosfunksionimit të qelizave.
“Dita Botërore e Sklerozës Multiple është një ngjarje globale e kujdesit shëndetësor që organizohet çdo vit me 30 maj, ku synohet të vihet në dukje ndikimi ekonomik, social dhe kulturor që sjell ajo, si dhe për të punuar më pas për pranimin, mbështetjen dhe përfshirjen e pacienteve që vuajnë nga kjo sëmundje”, bëjnë me dije autoritetet e Institutit të Shëndetit Publik.
Pavarësisht kërkimeve të bëra në këtë drejtim, ende nuk ka një kurë të përhershme për trajtimin e kësaj sëmundjeje. Megjithatë, ka trajtime të caktuara të cilat përdoren për të lehtësuar simptomat e saj.“Simptomat mund të lehtësohen duke përdorur grupin e duhur të trajtimeve dhe mjekimeve”, bëjnë me dije ekspertët e shëndetit publik. Sipas të dhënave të bëra publike nga strukturat ndërkombëtare, rezulton se rreth 2.8 milionë njerëz në botë vuajnë çdo vit nga skleroza multiple. Aktualisht nuk ka një mjekim specifik për për këtë sëmundje, por disa trajtime mund të ndihmojnë kontrollin e gjendjes shëndetësore. Trajtimi që i nevojitet një pacienti varet nga simptomat specifike dhe nga vështirësitë që ai ka.
Trajtimi mund të përfshijë:
- Trajtimet specifike për simptomat individuale të Sklerozës multiple.
- Trajtimin e rasteve të përsëritura me ilaçe steroide për të përshpejtuar rikuperimin.
- Trajtimin për të zvogëluar numrin e episodeve të përsëritura duke përdorur ilaçe të quajtura terapia për modifikimin e sëmundjes.
- Terapitë e modifikimit të sëmundjes mund të ndihmojnë gjithashtu për të ulur apo ngadalësuar përkeqësimin e përgjithshëm të paaftësisë te pacientët me sklerozë përsëritëse apo me sklerozë multiple progresive dytësore, të cilët zhvillojnë episode përsëritëse. Aktualisht nuk ka asnjë mjekim që mund të ulë apo ngadalësojë progresin e sklerozës progresive parësorë ose asaj progresive dytësore kur episodet përsëritëse mungojnë.
Kujdesi pasi diagnostikoheni me këtë sëmundje
Nëse jeni diagnostikuar me këtë sëmundje, është e rëndësishme të kujdeseni për gjendjen shëndetësore të përgjithshme gjatë gjithë kohës. Të jetosh me këtë sëmundje është një sfidë e madhe, por trajtimet e reja gjatë 20 viteve të fundit kanë përmirësuar dukshëm cilësinë e jetës te pacientët e diagnostikuar me sklerozë të shumfishtë. Skleroza Multiple shumë rrallë është fatale për jetën.
p.k\dita
