Nga Daniel Bates
Rikthimi i Donald Trump-it në Shtëpinë e Bardhë ka sjellë një hov të ri për bizneset luksoze të familjes së tij, por edhe një valë të paprecedentë reagimesh negative. Nga bregdeti shqiptar e deri në Australi, planet e tyre financiare po ndeshen me rezistencë të fortë. Kritikët dhe ekspertët ngrenë pikëpyetje të mëdha nëse kjo pasuri e vënë gjatë pushtetit do të arrijë t’i mbijetojë kohës…
Me ujërat e tij të kaltër dhe plazhet e virgjëra, ishulli shqiptar i Sazanit duket si vendi më i pakonceptueshëm për të nisur një rezistencë globale kundër Donald Trump-it.
I ndodhur në hyrje të Gjirit të Vlorës në Detin Adriatik, ky ishull ka mbetur i pazhvilluar, kryesisht për shkak të rrezikut të municioneve të papartallura të Luftës së Dytë Botërore që fshihen nën ujë. Por kjo situatë pritet të ndryshojë rrënjësisht.
Vajza e Trump-it, Ivanka, dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, kanë planifikuar ta shndërrojnë këtë zonë në një resort luksoz. Pasi e cilësuan ishullin si një “gjetje të rrallë”, çifti synon të ndërtojë hotele dhe vila në ishullin prej 3.500 hektarësh me një investim 1 miliard paund.
Këto plane dhe të ngjashmet në zonën e Zvërnecit dhe Nartë-Pish Poro kanë ndezur prej ditësh protesta të fuqishme në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë. Mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë me argumentin se gjithçka është vendosur pa asnjë konsultim publik.
Kjo revoltë po konsiderohet si një rast prove për të parë se sa larg mund të shkojë familja Trump në mandatin e tij të dytë presidencial.
Kryeministri shqiptar Edi Rama është zotuar se nuk do të bëjë asnjë hap pas, pavarësisht se dhjetëra mijëra njerëz kanë vërshuar në rrugë prej ditësh në shenjë kundërshtimi.
“Trump dhe familja e tij e panë rikthimin në Shtëpinë e Bardhë si një ‘biletë të artë’ drejt pasurimit”- thotë Will Ragland, studiues në Qendrën për Progresin Amerikan (Centre for American Progress).
Ragland drejton platformën “Trump’s Take”, e cila gjurmon paratë dhe dhuratat që merr presidenti amerikan.
“Imazhi i Trump-it është i dëmtuar dhe po përkeqësohet akoma më tej”- shton ai. “Shumë drejtues kompanish në Wall Street dhe investitorë të huaj e trajtojnë atë me favorizime, sepse i dinë rregullin e lojës: po e mbulove me lavdërime, para dhe dhurata, do të marrësh në këmbim vendime favorizuese nga qeveria federale, të cilat vlejnë shumë herë më tepër. Është e qartë se familja Trump po përpiqet të rrahë hekurin sa është i nxehtë, për të grumbulluar sa më shumë pasuri për sa kohë që munden”- thekson ai.
Sipas një analize të revistës The New Yorker të botuar në janar, Trump-ët kanë arkëtuar mbi 4 miliardë paund që nga rikthimi i tij në zyrat presidenciale në janar të vitit të kaluar. Këto fitime vijnë nga projekte si “World Liberty Financial” (platforma e kriptomonedhave e familjes), marrëveshjet imobiliare të “Trump Organisation” dhe planet për ndërtimin e një kulle Trump në Tbilisi, kryeqytetin e Gjeorgjisë.
Bizneset e tyre të pasurive të paluajtshme në Rumani, Arabi Saudite dhe Maldive po korrin gjithashtu fitime marramendëse. Megjithatë, jo çdo gjë u ka ecur vaj. Përveç rezistencës në Shqipëri, një marrëveshje prej 800 milionë paundësh për ndërtimin e një hoteli dhe kulle Trump në Gold Coast të Australisë dështoi muajin e kaluar.
Zhvilluesit lokalë u tërhoqën duke deklaruar se emri i presidentit ishte bërë “toksik”. Matthew Quint, ekspert i strategjisë së markave, shpjegon se imazhi i Trump-it mbetet “i fortë në këtë fushë” sepse ai zotëron “fuqinë për të orientuar miliona dhe miliarda dollarë drejt kompanive të caktuara, si dhe fuqinë për të ndëshkuar”.
Por sipas Quint, kjo markë ka edhe “anët e saj të errëta”, dhe kjo është arsyeja pse “po shfaqen krisjet e para”. “Në rrethin e tij nuk ka njerëz të pjekur. Vendimet e tij krijojnë kaos, ndërsa biznesi ka nevojë për një lloj stabiliteti që të bëjë parashikime afatgjata.
Krisja më e madhe po vjen pikërisht nga kjo. Tani që po afrojnë zgjedhjet e mesmandatit, dhe rezultati i tyre mund t’i kushtojë atij humbjen e ndikimit. Tashmë ekziston një horizont kohor që u lejon njerëzve të shohin fundin e pashmangshëm”- shprehet eksperti.
Shkalla në të cilën familja Trump është pasuruar gjatë këtij mandati të dytë ka tronditur edhe vëzhguesit më veteranë të korrupsionit dhe historianët presidencialë, teksa skandale të reja dalin në dritë pothuajse çdo ditë.
Vetëm muajin e kaluar u zbulua se një kompani e vogël startup në Karolinën e Veriut, e lidhur me Donald Trump Jr., siguroi një kredi prej 460 milionë paundësh nga Pentagoni pas një ndërhyrjeje direkte nga Shtëpia e Bardhë.
Po ashtu, një raport nga organizata mbikëqyrëse “Public Citizen”, zbuloi se më shumë se gjysma e donatorëve që po paguajnë restaurimin e sallës së ballove në Shtëpinë e Bardhë – një nga projektet e preferuara të Trump-it – kanë përfituar 37.4 miliardë paund në kontrata të reja ose të zgjeruara qeveritare.
Në disa raste, Trump ka blerë aksione të kompanive të ndryshme pak përpara se t’i vizitonte ato ose t’i reklamonte në rrjetet sociale, duke rritur artificialisht vlerën e tyre në treg. Presidenti u detyrua të braktiste planet për krijimin e një fondi “anti-armatosje” prej 1.2 miliardë paundësh, pasi kritikët paralajmëruan se ai mund të përdorej për të paguar protestuesit e dhunshëm të 6 janarit.
Megjithatë, si pjesë e së njëjtës marrëveshje, e gjithë familja e tij është përjashtuar aktualisht nga auditimet e IRS-së (Autoritetit Tatimor të SHBA-së), duke u garantuar atyre imunitet të plotë nga hetimet financiare.
Barbara Perry, historiane në Qendrën Miller të Universitetit të Virxhinias (institucion që studion presidencën amerikane), u shpreh se ajo që të habit më shumë është “përmasa dhe guximi” i këtij vetë-shërbimi financiar.
Krahasimi më i afërt historik të çon në vitet 1870, gjatë presidencës së Ulysses S.Grant dhe skandali “Crédit Mobilier”, ku anëtarët e Kongresit bënin marrëveshje korruptive me kompanitë hekurudhore për kontrata qeveritare.
“Por edhe në atë kohë, bëhej fjalë për Kongresin, jo për institucionin e presidentit. Që Donald Trump të bëjë një marrëveshje të tillë me IRS-në… kjo kapërcen çdo kufi”- thotë Perry. Nga ana tjetër, jo të gjitha bizneset e Trump-it po lulëzojnë.
Sipas revistës “Fortune”, 2 fushat e tij skoceze të golfit, Turnberry dhe Trump International, janë të mbytyra në borxhe që arrijnë në 179 milionë paund. Bilancet më të fundit tregojnë se në vitin 2024, Turnberry regjistroi një humbje para tatimit prej 631.779 paundësh (një përmirësim ky krahasuar me humbjen prej 1.7 milionë paundësh në 2023).
Fusha tjetër, Trump International në Aberdeenshire, doli edhe më keq, duke humbur 937.693 paund në vitin 2024, pas një humbjeje prej 1.4 milionë paundësh vitin paraardhës. Kompania “Trump Media & Technology Group”, e cila ka në pronësi rrjetin social Truth Social, i ka kushtuar atij një humbje prej 304 milionë paund vetëm në 6 muajt e parë të vitit, duke gjeneruar vetëm 651.000 paund nga shitjet.
Pas tërheqjes nga projekti i hotelit Trump në Australi, zhvilluesi imobiliar David Young deklaroi se Trump-ët nuk përmbushën detyrimet e tyre të licencimit. “Le të themi që me luftën në Iran dhe gjithçka tjetër, marka Trump po bëhej gjithnjë e më e papëlqyeshme në Australi”- pohoi Young.
Kevin Mercuri, ekspert i marrëdhënieve publike dhe markave në Nju Jork, shpjegon se tregu i Trump-it është i ndarë në “tre segmente” dhe suksesi varet nga këndvështrimi: “I pari është grupi i besimtarëve të thjeshtë, ndjekësit e lëvizjes MAGA. Brenda këtij grupi marka mbetet jashtëzakonisht e fortë.
Në krahun demokrat, marka ka dështuar dhe do të dështojë gjithmonë. Ndërsa zona e mesme – të moderuarit dhe pronarët e bizneseve që përfitojnë nga politikat e tij ekonomike – paraqet një situatë të përzier”. Mercuri mendon se marka Trump është aq shumë e lidhur me figurën e tij personale, saqë do ta ketë të pamundur të mbijetojë pas largimit të tij nga pushteti.
“Unë nuk besoj se kjo markë do të mbijetojë politikisht. Do të ketë njerëz që do të pretendojnë se po mbajnë ndezur pishtarin e tij, por ky është një fenomen unik që
ndodh vetëm një herë. Ai do të zbehet sapo Trump të dorëzojë zyrën. Edhe projektet e kriptomonedhave do të fashiten; ato janë thjesht një flakë kashte që mbahet gjallë nga njeriu që ka pushtetin”- deklaron ai.
Sipas studiuesit Ragland, familja Trump po luan një “lojë afatgjatë”, duke menduar që tani për periudhën pas presidencës. Ai parashikon se ata do t’i shesin investimet në kriptomonedha për t’u fokusuar në “pasuri më të qëndrueshme”.
“Edhe Biblioteka Presidenciale e Trump-it është konceptuar si një skemë për të grumbulluar para. Ai po përdor dëmshpërblimet nga gjyqet ndaj mediave amerikane për ta financuar atë. Vetë Trump ka thënë hapur se biblioteka e tij nuk do të ketë shumë libra, por ka shumë mundësi të shndërrohet në një hotel.”
Nga ana tjetër, Norah Lawlor, një eksperte e njohur e marrëdhënieve publike, bën një dallim të qartë midis “bizneseve tradicionale të Trump-it”, si hotelet dhe fushat e golfit, dhe nismave të reja si kriptomonedhat, të cilat sipas saj po ecin “jashtëzakonisht mirë”.
“Trump mendon gjithmonë në përmasa gjigante dhe nuk besoj se ai e sheh vitin 2028 si fundin e rrugëtimit të tij. Ai ka mentalitetin tipik të një njujorkezi: të fitojë me çdo kusht, të synojë majat, ose thjesht të gjejë një rrugë tjetër për të dalë fitimtar”.
Botuar nga “The i Paper”
