Nga Ndoc Logu
Arben Duka ia ka kushtuar poezitë më të bukura nënës. Por, ajo që trishton, është poezia për djalin e vet, Denisin e shkruar vetëm një muaj pasi kishte mbushur 50 vjeç poeti dhe 14 vjet para se të ndahej nga jeta.
E them se është tronditëse, kjo poezi sepse, vetëm në 24 vargjet na ka dhënë ndjenjën e gëzimit e krenarisë për djalin e tij, që i ngjan babait si dy pika loti, që u rrit shpejt e u bë i mirë, se për këtë do të shkojë i qetë, se shpirti i tij i gjërë sa deti te djali do të mbetet. Por ndjenjën e shqetësimin për jetën, edhe pse 50 vjeç, në moshën më të mirë, nuk mund të rri pa ia shprehur djalit, kur shkruan:
Kjo s’është këngë lamtumire,
Po ku i dihet jetës…
Dhe më teje porosit:
Bëhu në jetë Njeri i Mirë,
Dhe rob i së vërtetës…
Edhe pse poezia, është shkruar me vetëdije të plotë, poeti e kupton se, e teproi pak, e për ta qetësuar djalin i thotë: “Jeta çfarë s’punon, dhe i premton. Po shpirti im ty do të mbrojë. Dhe fare kur të mos jem”! Por, ajo që e bënë akoma më tronditëse këtë poezi, sot, është fakti se edhe djali, Denisi, rreth 50 ditë pas poetit, u nda nga jeta në një moshë të re, pak më shumë se gjysmna e moshës së babait të vet, Arbenit.
Kur po lexoja, këto ditë, poezitë e Arbenit, për djalin e tij, më vjen në kujtesë një poezi e një gjenerali poet Gjergj Tirani, shkruar në burgun e Burrelit, 23 vite më parë në poezitë e Arbenit, edhe Gjergji, po për djalin e vet, Petjan. Titani i shkruan djalit të vet po me të njëjtin mall ku digjej si furrë nga mërzia për djalin, që e kishte lënë të parritur akoma, që e “shihte” në ëndërr duke e përkëdhelur, e përfytyronte dhëndërr e më pas e këshillonte se: “Jeta nuk është kopësht me lule, ruaj nderin dhe lufto, duaj punën, shkollën, shkencën, njerëzit e mirë nderoi, dhe se shkolla më e mirë është jeta dhe mësuesi më i ndershëm është vetëm e vërteta”, i shkruante poeti djalit të vet nga burgu i Burrelit.
Kuptohet këto këshilla të të atit për djalin janë shkruar në vargje mbresëlënëse, që kur i lexon të trishtojnë deri në shpirt. Janë një mrekulli më vete, këtë poezi, jo vetëm si vargje të bukura, por edhe për emocionet që mbartin dhe mesazhet që përcjellin, për tërë djemtë, për tërë brezat.
Ashtu si Titani, është Arbeni, i këshëllionin të dy të bëhen të mirë, të ditur, të luftojnë për të drejtën e të vërtetën. Nga këto dy fjalët e fundit, të drejtën dhe të vërtetën, vuajtën edhe dy poetët: Titani në burg ndërsa Arbeni, ndonëse në shtëpi, ai ndieu dhimbje të madhe nga shëndeti, përbuzja e sulmet nga shteti me pamëshirën më të vogël. Ose pa mëshirë fare. Por, le të kthehemi tek poezitë.
Poezinë e Arbenit për djalin e vet, Denisin unë e kisha lexuar që kurse ishte botuar. Një ditë e pyeta: “Përse e ndërtove kështu”? Ai m’u përgjigj: “Poezia nuk mbart fatkeqësi, as mort”. Pas 10 vjetësh, në vitin 2017, në një baladë të trishtë, siç e quan ai, me titull “Mbi të gjithë të gjallët”, më befasoi. Në bisedën e supozuar me nënën që s’e kishte më, për rrethanat e jetës dhe shëndetin, i thotë nënës edhe arsyet se përse të vij kaq rrallë tek varri dhe e pyet se a mos je mërzitë, se edhe vetë jam tretur. Më pas i thotë nënës për dashurnë dhe dhimbjet që i kanë shkaktuar largimi i të dy fëmijëve shumë larg Shqipërisë.
Fëmijët nga vatra me janë shkulur,
tani vërtitem kot.
Dhimbja si thikë më është ngulur,
dhe nuk e shkul më dot…
Pasi e lexova në gazetën “Dita”, këtë poezi shumë të përmallshme për nënën e vet, dhe po aq pesimiste për shëndetin dhe jetën, e mora në telefon dhe, pas i shpreha pëlqimin për baladën trishuese, e pyeta:
-A e ke lexuar poetin rus Vasili Kazin?
-Jo,- m’u përgjigj. As emrin nuk ia kam dëgjuar.
Arbeni u bë kurioz dhe kërkoi të dinte më shumë për poetin rus dhe psenë e pyetjes sime. Shpjegimi ishte se: Vasili Kazin, një poet lirik, shumë i dashur për popullin rus, ka shkruar një poezi, ndër shumë të tjera, me titull: “Në varrin e nënës”, ku poeti i shkon nënës tek varri në Moskë, ku ndër të tjera ai shkruante :
Ka ngrirë e hesht mbi varr mbishkrimi,
Kur shkove nënë moj-thesar i çmuar,
Ç’të mbylli varri engjëll, im i artë,
Dhe fle nën kryq e qetë, e menduar.
Lule të shtrenjta përmbi varr të ftohet,
Të solla sot- Po ti ç’m’i flet birit?!
-Ç-harxhohesh, o bir? Kënaqet nëna jote
Edhe nga lulëshqerkat e çairit.
Po unë, hesht… dhe zemrën, nënë moj,
Plot zjarr do të ta vija përmbi lule,
Dhe qaj e qaj… gjithçka kur kujtoj,
Mbi varrin tënd të shkretë ku përulem…
Më pas, Kazini, i thotë nënës për mallin që e djeg se zemra i copëtohet si me thikë, e tjera. Për këtë arsye, ose ngjashmëri poetike, i thashë me shaka Arbenit: “Si do të thërrasim tani e tutje Esenini i dytë, apo Kazini shqiptar”? Ai qeshi e më tha: Ti Ndoc sado larg ta gjen modelin… Sa për ta ditur lexuesi, Arben Duka, nuk ka shkruar vetëm këtë poezi për nënën.
Disa vite më parë, kam lexuar një cikël të tërë me poezi për nënën e vet me titull “Vargje për nënën”, shkruar 25 vite më par. Poeti shkruan, jo pa dhimbje:
S’e di kush më sheh e kush më flet,
mërzia- vetmia më mbyt,
çdo gjë ka vdekur në jetë,
i gjall është veç emri yt.
Me poezi të tilla, Arben Duka, ishte i paparë, – siç i thonë dhe i parashikueshëm deri në ekstrem. Ai, herëpashere, sikur donte të na linte lamtumirën me vargje. Në krijimet poetike të kësaj natyre, veçanërisht me lirikat dhe baladat, Arben Duka, ishte vërtetë një mjeshtër i madh. Ai flet me personazhet, edhe nëse nuk jetojnë, me sendet, me natyrën, të shkrira me vargun sikur e ka pranë, sikur natyra dhe sendet flasin si bashkëbiseduesi.
Në poezinë kushtuar poetit Jorgo Bllaci, kur ndërroi jetë në Moskë, me titull “Nuk vij të qaj tek varri yt”, pasi e vlerëson poeti se: “Nektari i luleve dhe freskia e buronjave shekullore të Lunxhërisë sonë të shtrenjtë, janë shkrirë si parfum i rrallë në gjithë krijimtarinë e tij…” , Arbeni shkruan:
…………………….
Nuk vij të qaj tek varri yt,
Ia kursej vetes ata hapa,
Se trupi rri aty i shtrirë,
Po shpirti yt më ndjek nga mbrapa.
Nuk vij të qaj te varri yt,
Se nuk më shkon ky ngashërim,
Se ndiejë në zemër shpirtin tënd,
Që një u bë me shpirtin tim.
Arben Duka të trondiste me poezi të tilla. E them kështu, sepse, ai, të befasonte deri në ekstrem, sepse, në disa poezi, e në jo pak raste, të linte të kujtohesh se jeta i dukej si Ferr. Në një poezi të shkruar në vitin 2004, me titull “Kthim nga Parajsa”, poeti shpreh kuriozitetin për të ditur se ç’bëhet andej nga parajsa, pastaj, këtej, le të bëhet ç’të bëhet.
Të vijë veç një ditë e s’të desha tjetër,
Të vijë veç një ditë e le të plasja,
Të vijë veç një ditë, o mik i vjetër,
Të më thuash se si është Parajsa.
Të vijë vet një ditë, të kuvendojmë,
Për jetën dhe për vdekjen fjalë të tjerrim,
S’e njeh Parajsën, po këtu ku rrojmë,
Më mirë se veten time e njoh Ferrin!
Eshtë shumë e vështirë për ta thënë me saktësi se çfarë problemesh e brengash kishte poeti, që, në jetën e vet, kishte njohur më mirë Ferrin se sa veten! Ndoshta shëndeti, ndoshta largimi i fëmijëve, ndoshta ftohja me shtetin ndaj tij. Ndoshta pakënaqësia për zhvillimin e ngjarjeve në Shqipërim pas vitit 1991 e tjera. Apo kishte dhimbje e plagë të tjera në shpirt, që ne sot nuk mund t’i hamendësojmë, veçanërisht tani që nuk e kemi më në jetë.
Por, gjithësesi qofshin këto, poezitë pesimiste deri me ato trishtuese, diçka e pakëndshme lëvizte në shpirtin e poetit. Ndoshta, diçka si lamtumirë jo e largët. Kjo e fundit, kuptohej edhe nga se, herepashere, ribotonte poezi të tilla, siç është ajo “Kënga e fundit”. Apo të tjera si “Jeta ime”, “Ndiz një qiri”, “Kthim nga Parajsa”, “Fati i poetit”, e të tjera që Arbeni kishte shkruar plot të kësaj natyre dhe vazhdonte të shkruante. Në pesë vitet e fundit, sa herë ribonte këto poezi, ose të reja, sapo i lexoja e merrja në telefon: “Çfarë ka ndodhur? A mos je gjë sëmurë? Ku je, në shtëpi apo në spital?
Por duke njohur poetin, shëndetin, jetën, krijimtarinë e tij, ishte lehtësisht e kuptueshme se ato krijime, nuk dilnin nga një shpirt i zbrazët, sa i qetë dhe aq më pak i ngopur me lumturi. Jo. shpirti i Arben Dukës, ishte dallgë e furtunë, siç shkruante ai vetë në disa poezi. Këto poezi, tregonin, si në rastin e asaj shprehje detarëve “Kur çuket pulibardha në kum, pritet det dhe furtunë“.
Dhe shpirt poeti më të trazuar se të Arben Dukës, unë, as s’kam njohur as nuk kam lexuar përveç Migjenit, Hysni Milloshit, të H. Hajnes, Shador Petëti dhe të M. V.Isakoviçit. Ndoshta, poeti Arben Duka, jeta dhe krijimtaria e tij, i përshtatet, është pjesë jete shprehja poetike dhe filozofike e Migjenit i cili shkruante: “Përditë shoh qartë e më qartë dhe vuaj thellë e ma thellë“. Si duket edhe poeti Arben Duka, shihte gjithçka ndodhte me popullin e Shqipërinë dhe vuante përgjithçka, sepse nuk mund të ndryshonte fatet fatkeqe të jetës sonë. Por, edhe nëse është kështu, realisht kështu ka qënë, poeti Arben Duka, me penën e tij të artë, me fjalën poetike që do të jetojnë sa vetë populli ynë, bëri shumë, bëri me shumë se shumë të tjerë të marrë së bashku.
Lidhur me poezitë pesimiste, apo për çdo aspekt tjetër, që penës së tij nuk i shpëtojnë, hamendësive të cilitdo, poeti, na i ka sqaruar vetë disa vjet para se të ndahej nga jeta. Në poezinë “Fati i poetit”, ai shkruante:
Si yll i zbehtë mes reve,
Edhe ti poet do vuash,
Se një ndenjë po s’e ndjeve,
E pamundur ta përshkruash.
Katër vargjet e mësipërme, na dëshmojnë se, poeti, gjithçka ka shkruar e ka përjetuar vetë në shpirt e gjak.
Në fund të këtyre shënimeve modeste, për dy shokët e mi poet, në kujtim dhe nderim për jetën dhe krijimtarinë e tyre, po i mbyll, me nga dy vargje të dy poetëve të tjerë, aq të dashur për ne:
…………………………………..
Fluturim të mbar, o shpirt fëmije,
Zemra e trishtë e mikut të uron,
Qoftë i ëmbël flladi , që të shpie,
N’ato vise, ku veç malli shkon…
Jorgo Bllaci
……………………………..
“… o si ta ndjell atë zog të bardhë,
si të bëhet dritë, o vëlla, mbi varrin tënd…”
Ali Podrimja
