Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot, në orën 10:00, në seancën e radhës plenare. Në rendin e ditës janë dy interpelanca të thirrura nga opozita. Interpelanca e parë është me Ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Ndërsa, interpelancë tjetër është me Ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro.
Një tjetër pikë e rëndësishme e rendit të ditës është projektligji që lidhet me pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin ushtarak të NATO-s “Forca Ndërkombëtare të Stabilitetit” në Gazë. Projektligji parashikon angazhimin e Forcave të Armatosura shqiptare në këtë operacion dhe për miratimin e tij në Kuvend kërkohet shumicë absolute votash.
Rendi i ditës:
I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 24.9.2026, ora 10:00.
II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 17.9.2026.
2. Njoftime.
3. Interpelancë urgjente me Ministrin e Mjedisit, z. Sofjan Jaupaj, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
4. Interpelancë urgjente me Ministren e Arsimit, znj. Mirela Kumbaro, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
5. Projektligji “Për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin ushtarak të Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit, në Gaza”.
6. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10236, datë 18.2.2010, “Për marrjen në kontroll të shoqërive me ofertë publike”.
7. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.
IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.
j.l./ dita
